Mësimet e nxjerra nga hixhreti – I

hijraHixhret është shpërngulja e Muhamedit a.s. nga Meka për në Medinë. Nuk dihet saktë se në cilën ditë ka ndodhur kjo pas 13 vjetëve të qëndrimit në Mekë pas Shpalljes, edhe pse ka shënime të ndryshme. Ndërsa ka hyrë në Medinë në muajin rebiul evvel, sipas një hadithi tek Buhariu, ka hyrë në ditën e hënë më 12 rebiul evvel, gjegjësisht më 24 shtator të vitit 622.

Hixhri e ka kuptimin e vitit kalendarik hënor tek muslimanët, ku ata për fillim të vitit kalendarik e kanë marrë ngjarjen më të rëndësishme të historisë së tyre, pra hixhretin. Viti hixhri është vit i hënës dhe ka 355 ditë (pra dhjetë ditë më pak se ai i diellit). Ndahet si ai i diellit në dymbëdhjetë muaj.

Kur’ani nuk ka cekur ndonjë sure të veçantë për hixhretin, por ngjarjen e tij dhe mësimet që mund të nxirren nga ai i shpërndau në më shumë se në një sure në Kur’an, për faktin se përfitimet nga kjo ngjarje janë më të mëdha se sa përfshirja në një sure të vetme.

Hixhreti është një ndër ngjarjet më të mëdha dhe më të rëndësishme në historinë islame në përgjithësi, që bëri ndryshime të thella edhe në historinë botërore dhe në rrjedhen e saj. Ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve botërore duke proklamuar qëllimet fisnike për njerëzimin dhe për të jetuar me programin hyjnor. Bëri kthesë vendimtare në zhvillimin e këtij njerëzimi me vullnetin e Allahut. U bë një dukuri që ndanë dhe dallon të vërtetën nga e errëta dhe që i përket tërë botës. Është një fenomen për zbulim të mjedisit më frytdhënës për zhvillimin e Fjalës së Allahut të Madhërueshëm dhe nuk është ikje prej vështirësive e problemeve, por shpërngulje nga një vend në tjetrin për krijim të kushteve më të përshtatshme për përhapjen e Fjalës së Allahut.

Po ashtu është braktisje e asaj që Allahu e ndalon dhe njëkohësisht përpjekja drejt asaj me çka Ai kënaqet. Është sakrifica kulminante, të cilën njeriu mund ta bartë dhe ta ofrojë për idealin e tij. Muslimani për hir të besimit të tij shkëputi lidhjet me më të afërmit, braktisi jetën e deriatëhershme dhe afarizmin e deriatëhershëm. Hixhreti është frymëzim i pashtershëm dhe motiv i fuqishëm për besimtarët e sinqertë. Ai bart me vete idenë e aksionit, ndryshimit dhe rimëkëmbjes, idenë e sendërtimit të porosive të Kur’anit dhe Sunetit në çdo çast historik. Është revolucion i madh shpirtëror e material, intelektual e edukativ, social dhe ekonomik. Është mësim nga e kaluara, meditim dhe veprim në të tanishmen dhe shikim e planifikim drejt së ardhmes. Kjo ngjarje ia bëri me dije njerëzimit se respektimi i dinjitetit njerëzor, pa dallim race, gjuhe, vendi, klase, nacionaliteti e fisi, është ardhmëria e vetme e botës.

Hixhreti është dy llojesh: Hixhret i sigurisë dhe shpëtimit, dhe hixhret i bindjes dhe besimit. I llojit të parë ishte shpërngulja për në Abisini, ndërsa i të dytit është shpërngulja e zemrave. Kjo çështje nuk është shpërngulje e thjeshtë, por është bindje dhe besatim ndaj Allahut duke iu nënshtruar Atij me gjithçka, me shpirt, me trup dhe me pasuri. Pra është shpërngulje për Allahun tek Allahu i Lartësuar.

Andaj dhe të pyes ty lexues i nderuar, a je në gjendje që në çdo kohë dhe në çdo vend të bësh hixhret për Allahun. Nuk është hixhret që vetëm të dalim nga shtëpitë tona, madje edhe mund të pyesim: A kemi nevojë ne sot të bëjmë këso lloj shpërnguljeje?

Shpërngulje e vërtetë është ta ndryshosh zemrën tënde, ta pastrosh atë dhe ta mbushësh me iman e bindje ndaj Allahut, ta bësh një zemër pa zili, inat e urrejtje. Një zemër që nuk njeh tjetër veçse dashurinë ndaj Allahut dhe nënshtrimin ndaj Tij, kryerjen e veprave të mira dhe bashkëpunim të mirë me të gjithë.

Duhet të bëjmë hixhret duke caktuar prioritet tona në jetë. Qëllimi final të jetë kënaqja e Allahut. Ta pyesim veten në këtë fundviti hixhri: Çka kam bërë unë gjatë këtij viti, dhe çfarë duhet të bëjë gjatë vitit që po vjen. Të fillosh duke iu përmbajtur të mirës dhe rrugës së drejtë, dhe duke u larguar nga mëkatet dhe punët e këqija. Vepro për ta kënaqur Allahun dhe vazhdo kështu me listën e prioriteteve tua në mënyrë që të arrish vlerën e atyre muhaxhirëve që u shpërngulen nga Meka për në Medinë duke kaluar mbi 400 km rrugë të vështirë, gjë të cilën e bënë vetëm për Allahun dhe themeluan shtetin islam. Ky veprim ndryshoi rrjedhën e historisë njerëzore dhe botëkuptimet e njerëzve në tërë botën.

Nga hixhreti nuk mund të përfitojmë nëse e kalojmë vetëm në atmosferë festive e me qasje kulturore. Këtij duhet dhënë dimension më të madh, dimensionin e shkollës dhe mësimeve.
Festimi i hixhretit nuk nënkupton festimin e ditës, muajit dhe vitit, por nënkupton riaktualizimin e faktorëve që e nxitën gjithë atë kthesë në historinë e botës muslimane dhe të botës përgjithësisht, nënkupton freskimin e shpirtit, zemrës dhe mendjes, kthjelltësimin dhe ndriçimin e pikëpamjeve dhe forcimin e radhëve para furtunave dhe rrebesheve të jetës.

Pa dyshim se nga ndodhitë e Pejgamberit a.s. ne duhet të marrim mësim, përndryshe qasja jonë ndaj Pejgamberit dhe historisë së tij është jo e drejtë.

Mësimet që mund të nxirren nga hixhreti janë të shumta. Ne do të përmendim vetëm disa prej tyre:

1. Feja, apo besimi, për besimtarin është më e vlefshme se gjithçka tjetër, më e vlefshme se familja, pasuria dhe atdheu. Është më e vlefshme se gjithçka me të cilën njerëzit do të mburreshin. Pejgamberi dhe besimtarët lëshuan Mekën, edhe pse ishte vendi më i dashur te Allahu dhe te ata, por në ato rrethana nuk mund ta mbanin fenë dhe ta ngritnin Islamin. Ata dolën me besimin e tyre duke kërkuar një bazë të re, një tokë tjetër që ua mundësonte mbajtjen dhe përhapjen e këtij besimi. Dhe këtë e realizuan përmes hixhretit.

2. Ndihma e Allahut padyshim se nuk mungon.

3. Planifikimi dhe organizimi i Pejgamberit a.s. për tërë procesin e hixhretit. Strategjia e zgjedhjes së këtij vendi për migrim, fiseve, shoqëruesit etj. Shquhet edhe gjenialiteti i Pejgamberit a.s. në tërë këtë.

4. Vetmohimi dhe durimi në rrugën e drejtë dhe këmbëngulja e vendosur në këtë.

5. Kontributi i shumtë dhe sakrifica. Sahabët dhanë gjithçka dhe vepruan shumëçka në këtë drejtim, si rasti i Aliut që flejti në shtratin e Pejgamebrit, rasti i Ebu Bekrit, Esmës, Abdullahut, Aishes, Amirit etj.

6. Përparësia që i jepet dashurisë ndaj Allahut dhe kënaqësisë së Tij, para dashurisë ndaj pasurisë, atdheut dhe familjes.

7. Dashuria për hir të Allahut dhe përkrahja e fesë së Tij duhet të jenë prioritet para çdo dashurie tjetër. Përndryshe e cenon këtë dashuri dhe besim.

8. Tevhdi është ajo bërthama dhe gërshetimi që e lidh dhe unifikon shoqërinë muslimane, e asnjë qëllim tjetër. Sahabët i tuboi, i lidhi dhe i bashkoi vetëm ky qëllim: Tevhidi.

9. Mbështetja vetëm në Allahun e Lartësuar, e në askë tjetër dhe kapja për litarin e Allahut.

10. Duhet punuar shkaqet e nevojshme dhe duhet ndërmarrë masat paraprake të domosdoshme që i takojnë njeriut. Kjo nuk është në kundërshtim me tevekulin, por madje është edhe urdhër nga sheriati. Këtë na e dëftoi praktika e Pejgamberit, i cili planifikoi dhe organizoi çdo gjë në detaje të hixhretit.

Hoxhe Bahri Curri

Publikimi i parë: 20.11.2012

 

 

You may also like...