Thirrja e pejgamberëve – Përsosja e moraleve – II

Thirja e profeteve - 22 – Thirrja e pejgamberëve – Përsosja e moraleve

Falënderimet dhe lavdërimet e plota i takojnë Allahut të Lartësuar për mirësitë e shumta me të cilat vazhdimisht na begaton, paqa dhe mëshira e Tij qofshin mbi të dërguarin e tij të fundit Muhamedin, mbi familjen e tij të ndershme, mbi shokët e tij fisnik dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.
Padyshim se morali i lartë dhe mirësjellja me Krijuesin dhe me krijesat është prej synimeve më të mëdha me të cilat janë dërguar pejgamberët e Allahut. Për këtë shkak Muhamedi [alejhis-selam] kur e ka rezymuar qëllimin e dërgimit të tij nga ana e Allahut të Lartësuar ka thënë: “Unë jam dërguar që t’i plotësojë virtytet e larta morale.” Pra, forma se si është shprehur Pejgamberi [alejhis-selam] në këtë hadith tregon për vlerën e moralit, plotësimi i të cilit është synim i pejgamberëve.
Pastaj duhet ditur se morali i lartë nuk përkufizohet vetëm me krijesat, po besimtari duhet të jetë i moralshëm edhe me Krijuesin e Lartësuar. Morali i lartë me Krijuesin d.t.th: Të besojmë në fjalët e Tij, t’i çojmë në vend urdhërat e Tij dhe të largohemi nga ndalesat e Tij. Kurse, morali i lartë me krijesat d.t.th: të japim maksimumin në të mirën e tyre, të mos iu bëjmë keq atyre dhe të jemi të buzëqeshur para tyre.
Dije se nuk ka njeri i cili ka arritur në pozitë më të lartë të moralit se Pejgamberi ynë Muhamedi [alejhis-selam].Ai është shembulli dhe mësuesi i jonë në çdo aspekt në përgjithësi dhe në aspektin e përsosjes së moralit tonë në veçanti.
Allahu i Lartësuar për të thotë: “Ju e kishit shembullin më të mirë në të dërguarin e Allahut.” Dhe e ka lavdëruar moralin e tij Allahu i Lartësuar duke thënë: “Me të vërtetë, ti (o Muhamed) je në një shkallë të lartë të moralit.” Ndërsa Aishja [radijAllahu anha] kur u pyet se si sillej Pejgamberi [alejhis-selam], tha: “A nuk e lexoni Kur’anin?! Morali i të Dërguarit të Allahut ishte Kur’ani.” Pra, çdo virtyt i lartë i përmendur në Kur’an ishte stoli e Pejgamberit [alejhis-selam], andaj morali i tij është më i miri dhe më i larti dhe duhet të jetë synim i çdo besimtarit arritja e një përqindjeje sa më të madhe nga ai.
Morali i lartë ka një vlerë të madhe, është një vepër shumë e dashur tek Allahu i Lartësuar dhe ka një shpërblim shumë të madh, siç na tregojnë për këtë tekste të shumta fetare:
1- Aq sa ka moral njeriu, aq e ka fuqinë e besimit të tij. Muhamedi [alejhis-selam] ka thënë: “Besimtari më iman më të fuqishëm është ai që e ka moralin më të lartë.”
2- Njeriu më i dashur tek Muhamedi [alejhis-selam] është më i moralshmi:
“Më i dashuri prej jush dhe ai që do të jetë më afër meje në ditën e gjykimit është ai që e ka moralin më të lartë.”
3- Morali i lartë është prej veprave më të çmuara me të cilat i afrohesh Allahut të Lartësuar: “Nuk ka vepër më të rëndë në peshojën e besimtarit ditën e gjykimit se morali i lartë.”
4- Me moral të lartë besimtari i arrinë gradat e atyre që shumë falen dhe agjërojnë nafile: “Besimtari me moral të lartë do të arrijë shkallën e atij që shumë falet dhe agjëron nafile.”
5- Pejgamberi [alejhis-selam] bënte lutje të veçanta për moralin duke thënë: “O Zot më udhëzo kah morali dhe virtytet e larta, sepse nuk udhëzon kah ato askush pos Teje.” Dhe thoshte: “O Zoti im, ashtu siç e përsose fizionominë time përsose edhe karakterin tim.”
6- Morali lartë është prej gjërave që më së shumti i futin njerëzit në xhennet. Kur u pyet Pejgamberi [alejhis-selam] se cila vepër i fut më së shumti në xhenet njerëzit tha: “Devotshmëria dhe morali i lartë.”
7- Pejgamberi [alejhis-selam] i ka garantuar një shtëpi në vendin më të lartë të xhenetit atij që ka moralin e lartë: “Dhe i garantoj një shtëpi në maje të Xhenetit atij që ka virtyte të larta morali.”
8- Morali i lartë në përgjithësi dhe me familjen në veçanti, e bën që njeriu të konsiderohet prej muslimanëve më të mirë tek Allahu i Lartësuar: “Më i miri prej jush është ai që sillet më së miri me familjen e tij.”
9- Morali i lartë është prej shkaqeve më të mëdha për hyrjen e njerëzve në Islam dhe për arritjen e suksesit në thirrje. Shumë prej njerëzve, arabëve dhe të tjerëve, e pranuan Islamin në kohën e Muhamedit [a.s] për shkak të sjelljes së mirë të tij.
Njëri prej tyre thotë: “Pasha Allahun, nuk kam parë as para tij e as pas tij mësues më të mirë se ai.”
Tjetri – i cili ishte jehudi dhe e pranoi islamin – thotë: “Kur e pash fytyrën e tij, e dita se nuk është fytyrë gënjeshtari.”
Tjetri thotë: “O populli im, pranoje Islamin, sepse Muhammedi [a.s] jep aq shumë, saqë s’ke frikë prej varfërisë.”
Tjetri tha, pasi që ia fali Muhamedi [a.s]: “O ju njerëz, unë jam kthyer prej tek njeriu më i mirë mbi fytyrën e tokës.”
Padyshim se Muhammedi [a.s] e kishte arritur gradën më të lartë sa i përket moralit të lartë me Allahun e Lartësuar, ai ishte rob i vërtetë i Allahut me plotkuptimin e fjalës. Jetonte me Allahun, për Allahun dhe sipas mësimeve të Allahut.
Pejgamberi [a.s] kur urdhëronte me një vepër, apo e transmetonte urdhërin e Allahut, ishte i pari që e vepronte atë vepër. Dhe kur ndalonte nga ndonjë vepër, apo e transmetonte ndalesën e Allahut, ishte i pari që largohej nga ajo vepër.
Morali i lartë me Allahun është baza e çdo morali dhe adresa e lumturisë së njeriut. Njëri prej dijetarëve thotë: “E lus Allahun të të bëjë prej atyre të cilët kur u jepet një e mirë falënderojnë, kur goditen me ndonjë sprovë durojnë dhe kur bëjnë mëkat pendohen dhe falje kërkojnë, sepse kjo është adresa e lumturisë.”
Morali i të Dërguarit të Allahut me familjen e tij, me gratë e tij, me fëmijët e tij dhe me nipat e tij ishte në nivelin më të lartë që mund të arrijë njeriu dhe ai ishte shembull për të gjithë njerëzit në këtë drejtim.Ai sillej butë me ta, ju ndihmonte, nuk tregohej mendjemadh ndaj tyre, ndante kohë për edukimin e tyre, madje ndante kohë edhe për t’u argëtuar me ata.
“Aishja tregon se Pejgamberi [a.s] ju ndihmonte familjes së tij në shtëpi, e kur thirrte ezani drejtohej për në xhami.”“Poashtu Aishja tregon se Pejgamberi [a.s] garonte me të në vrapim, njëherë e kaloi ajo e njëherë Pejgamberi [a.s].”
Sa i përket sjelljes së tij me fëmijët dhe nipat e tij, kjo ishte në nivelin më të lartë, ai i donte ata, i edukonte me butësi, lutej për ta dhe i këshillonte ata. Ai lutej për ta duke thënë: “O Allahu im, me të vërtetë unë i dua ata, andaj duaj edhe ti.”
Morali i tij ishte në nivelin më të lartë edhe me fëmijët e tjerë, me fëmijët dhe nipat e muslimanëve, me gratë e veja dhe me jetimët, si dhe me të gjithë nevojtarët në përgjithësi. Ai thotë se ai që përkujdeset për të vejen dhe për jetimin do të jetë së bashku me të në Xhennet.
Sa i përket moralit të tij me shokët e tij, Allahu i Lartësuar e përshkruan më së miri moralin e të Dërguarit të tij me ata duke thënë:
“Është e vërtetë se All-llahu u dha dhuratë të madhe besimtarëve, kur ndër ta nga mesi i tyre dërgoi të dërguar që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Kur’anin dhe sunetin, edhe pse, më parë ata ishin krejtësisht të humbur.”[Ali Imran: 164].
“Juve ju erdhi i dërguar nga lloji juaj, atij i vie rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndijshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët.” [Teube: 128].
“Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në All-llahun, se All-llahu i do ata që mbështeten.” [Ali Imran: 159].
Njeri i madh është ai për drejtësinë dhe moralin e të cilit dëshmojnë edhe armiqtë e tij.Kështu ishte i Dërguari i Allahut. Atë e njihnin banorët e Mekes para se t’i vijë shpallja si njeri “besnik dhe i drejtë.” Me këtë emër njihej në mesin e banorëve të Mekes.
Në fund e lusim Allahun e Lartësuar që të na i përsos karakteret tona dhe të na bëjë prej robërve të tij të moralshëm me Të dhe me krijesat e Tij. Amin.

Përgaditi: Omer Zaimi

You may also like...

Leave a Reply