Abdurrahman ibn Auf – 10 të përgëzurit me xhenet – V

S.Abdurahman i.AufAllahu të bekoftë e të begatoftë në atë çka solle… dhe Allahu të bekoftë e të begatoftë në atë çka le (për familjen tënde).”

 (Nga duaja e Pejgamberit a.s. për të)

Abdurrahman bin Aufi është një ndër sahabët e mëdhenj, ka lindur dhjetë vjet pas ngjarjes së elefantit. Ky është njëri prej tetë të parëve që përqafuan fenë islame…

? Njëri prej të dhjetëve të përgëzuar me Xhenet..

? Njëri prej gjashtë sahabëve që morën pjesë në konsultim në ditën e zgjedhjes së halifes së muslimanëve pas vdekjes (vrasjes) së Umerit.

? Njëri prej atyre që jepnin “fetva” në Medinë dhe i Dërguari i Allahut ishte ende i gjallë në mesin e muslimanëve…

 Emri dhe pseudonimet e tij

Ai quhet Abdurrahman bin Auf, bin abd Auf, prej kurejshëve nga fisi Zuhra. Para shpalljes (në kohën e injorancës) quhej Abdu Amrin, e pasi e përqafoi fenë islame, Pejgamberi (a.s.) e quajti Abdurrahman. Ai ishte një ndër sahabët e pasur, i cili u kujdes për bashkëshortet e Profetit, salallahu alejhi ue selem, pas vdekjes së tij.

Abdurrahmani ishte një djalë i bukur, i gjatë, i hollë, me sy të bukur, i bardhë dhe me shpatulla të gjera.

Islami i tij

Ky pra është Abdurrahman ibnu Avfi – Zoti qoftë i kënaqur me të. Fenë islame e pranoi vetëm dy ditë pas Ebu Bekrit. dhe pak para se të hyjë i Dërguari i Allahut (xh.sh.) në shtëpinë e Erkamit.[1]

I përjetoi mundimet dhe torturat më të mëdha, vetëm për hir të fjalës së Allahut, ashtu siç i përjetuan edhe muslimanët e parë, por ishte i qëndrueshëm, duroi dhe nuk u ligështua, sepse ishte i sinqertë në besimin e tij. Pas gjithë këtyre peripecive, u detyrua që të shpërngulet në Abisini së bashku me shumë muslimanë të tjerë, vetëm e vetëm që ta ruajë fenë dhe fjalën e Allahut xh.sh. E pasi të Dërguarit (a.s.) iu lejua hixhreti në Medinë, ishte në grupin e muhaxhirëve të parë që u shpërngulën atje.

 Abdurrahman bin Aufi në Medine

Kur Pejgamberi (a.s.) filloi t’i vëllazërojë muhaxhirët (mekasit) dhe ensarët (medinasit), atë e vëlla­zëroi me Sad ibnu Ebi Rebian. Pas disa kohësh, Sadi i tha Abdurrahman ibnu Aufit: “O vëllai im! Unë jam ndër më të pasurit e Medinës. I kam dy kopshte, urdhëro e shiko se cili po të pëlqen dhe merre! “ Abdurrahmani i tha vëllait të vet: “Allahu të dhëntë bereqet e të begatoftë në pasurinë tënde, por të lutem ma trego tregun më të afërt…” Ai filloi të tregtojë, të shesë, të blejë, të fitojë dhe ta shto­jë pasurinë. Pas një kohe të shkurtër e përgatiti mehr-in (dhu­ratën e nusërisë) u martua dhe i kënaqur e i disponuar shkoi te Pejgamberi (a.s.).

? Ç’kemi të re? – e pyeti Pejgamberi (a.s.).

– U martova – tha Abdurrahmani.

? E çfarë i dhurove bashkëshortes si mehr? – pyeti prapë Resulullahu.

? I dhurova peshën e 5 dërhemëve të arit – ia ktheu ai.

Atëherë Pejgamberi (a.s.) u lut për të duke thënë: “Allahu të begatoftë në pasurinë tënde…”

“Prej atij momenti – thotë Abdurrahman ibnu Aufi – m’u hapën dyert e të mirave të kësaj bote, saqë ma merrte mendja se në çdo gur, po ta lëvizja nga vendi i vet, do të gjeja ar ose argjend.”

Në luftën e Bedrit, Abdurrahman ibnu Aufi luftoi me një heroi­zëm të rrallë e trimëri të pashoqe, duke mbytur njërin prej armiqve më të mëdhenj të Islamit, Umejr ibn Uthman ibnu Kab et?Tejmijin.

Në luftën e Uhudit qëndroi i paepur dhe i paluhatshëm, në çastet më të vështira, atëherë kur filloi t’u dridhet toka nën këmbë muslimanëve dhe as nuk u tund e as nuk u frikësua kur disa filluan të ikin. Nga beteja doli me njëzet e ca plagë, disa prej të cilave ishin aq të thella, saqë dora e njeriut mund të hynte në to.

Mirëpo, prapëseprapë, kontributi i tij luftarak ishte i vogël në kra­hasim me kontributin e tij në pasuri.

Një ditë prej ditësh, Pejgamberi (a.s.) dëshironte të përgatiste një ekspeditë luftarake dhe iu drejtua sahabëve me fjalët: “Urdhëroni, jepni diçka (nga pasuria), sepse duam të dërgojmë një ekspeditë (kundër armiqve).” Atëherë, Abdurrahman ibn Aufi nxitoi me të shpejtë në shtëpinë e tij dhe, kur u kthye, tha: “O i Dërguar i Zotit, kam me vete katër mijë derhemë, dy mijë po i jap në rrugën e Allahut e dy mijë po ua lë fëmijëve të mi (familjes sime).”

“Allahu të bekoftë e të begatoftë në atë që solle… dhe Allahu të bekoftë e të begatoftë në atë çka ndale (për familjen tënde).” – ia ktheu Pejgamberi (a.s.).

Gjatë luftës së Tebukut

Gjatë luftës së Tebukut, e cila është lufta e fundit në të cilën luftoi (dhe mori pjesë) Muhamedi (a.s.), ndihej nevojë e madhe për njerëz dhe për pasuri në përgatitjen e ushtrisë muslimane. Në anën tjetër, ushtria romake numerikisht ishte shumë më e madhe dhe më e përgatitur në armatim në krahasim me ushtrinë muslimane.

Atë vit në Medinë mbretëronte një thatësi e madhe, e rruga deri në Tebuk ishte shumë e gjatë. Rezervat e ushqimit ishin të pakta e ndi­hej mungesë e madhe edhe në kafshët mbartëse.

Një grup besimtarësh, të cilëve u digjej e përvëlohej zemra nga dëshpërimi për shkak të pamundësisë së shkuarjes në luftë, sepse nuk kishte deve të mjaftueshme për t’i çuar të gjithë deri në Te­buk, shkuan te Pejgamberi (a.s.) duke e lutur me lot në sy që t’u gje­jë edhe atyre ndonjë vend. Mirëpo, i Dërguari i Allahut me keqardh­jen më të madhe u detyrua t’i refuzojë. Ata, të dëshpëruar e me sy të përlotur, filluan të kthehen duke qarë me dënesë e me ngashërim, saqë i quajtën “Të përloturit”, kurse ushtrinë e thirrën “Ushtria e vështirësisë”.

Kur e pa këtë skenë rrëqethëse e të prekshme, Muhamedi (a.s.) i urdhëroi shokët e vet që ta hapnin zemrën dhe të jepnin në rrugën e Allahut atë çka kishin mundësi.

Muslimanët me nxitim iu përgjigjën thirrjes së Resulullahut, e ndër të parët, si zakonisht, Abdurrahman ibnu Aufi, i cili ndihmoi ushtrinë muslimane me dyqind okë ar, saqë Umeri i tha Pej­gam­berit (a.s.): “Më duket se Abdurrahmani ka bërë mëkat në këtë rast, sepse familjes së tij nuk i ka lënë asgjë.”

Atëherë Pejgamberi (a.s.) iu drejtua Abdurrahman ibn Aufit duke i thënë:

? A le diçka për familjen tënde, o Abdurrahman?

? Po – ia ktheu ai, – u lashë më shumë sesa kishin.

? Sa dhe çfarë? – e pyeti prapë i Dërguari (a.s.).

? Atë që u ka premtuar Allahu (xh.sh.) dhe i Dërguari i Tij nga furnizimi, të mirat dhe shpërblimet – tha Abdurrahman ibnu Aufi.

*  *  *

Ushtria vazhdoi rrugën për në Tebuk dhe këtu Allahu (xh.sh.) e nderoi dhe e fisnikëroi Abdurrahman ibn Aufin me një nder, me të cilin nuk u nderua e as nuk u fisnikërua askush prej muslimanëve…

…Kishte hyrë koha e namazit dhe i Dërguari (a.s.) nuk ishte aty pranë në ato çaste. Atëherë Abdurrahmani doli imam i muslimanëve në namaz. Pak para se të përfundojë rekati e parë, arriti i Dërguari (a.s.) dhe u lidh në namaz pas tij. A thua, a mund të ketë nder dhe vle­rë më të madhe sesa dikush të bëhet imam i krijesës më të vlef­shme – Imamit të të gjithë Pejgamberëve – Imam i Muhamedit (a.s.)?

Madje kur Profeti e dërgoi Abdurrahmanin në një ekspeditë me një çetë, ia dha flamurin me dorën e tij.

 Abdurrahmani në kohën e halifeve

Pasi kaloi Resulullahu (a.s.) në Ahiret pranë mëshirës së lar­të hyjnore të Allahut (xh.sh.), Abdurrahman ibnu Aufi u vu në shër­bim dhe përkudesje të “nënave të besimtarëve”.

Cilësitë e larta morale dhe veprat e tij fisnike bënë që “nënat e besimtarëve” të kenë besim tek ai.

Prej mirësive të tij ndaj muslimanëve e në veçanti ndaj “nëna­ve të besimtarëve”, përmendet se kishte shitur një pjesë të tokës për 40 mijë dinarë dhe tërë këtë pasuri ua ndau: fisit Benu Zehre (fisit të Eminesë, nënës së Pejgamberit), të varfërve, muha­xhirëve dhe grave të Pejgamberit (a.s.). Kur i dërgoi pjesën që i kishte takuar Aishes, ajo pyeti:

– Kush i dërgoi tërë këto të holla?

– Abdurrahman ibnu Aufi. – i thanë.

? Ka thënë Pejgamberi (a.s.): “Pas meje, askush nuk do të bëjë mirësi ndaj jush, përveç durimtarëve. – tha ajo.

Duaja e Pejgamberit (a.s.) për Abdurrahman ibnu Aufin, që Alla­hu t’ia begatojë pasurinë e tij, e përcolli gjatë tërë jetës, derisa u bë më i pasuri ndër sahabët. Tregtia e tij sa vinte e shtohej. Karva­net e tij shkonin e vinin pandërprerë duke transportuar grurë, miell, vaj, enë, rroba, erëra (parfume) dhe çkado që ndihej nevoja për të, ndër banorët e Medinës.

*  *  *

Një ditë arriti në Medinë karvani i Abdurrahman ibnu Aufit me 700 (shtatëqind) deve… Po, po, 700 deve, me ushqim, veshmbathje dhe sende të ndryshme!

Me të hyrë në Medinë, nga zhurmat e gëzimit, dukej se edhe toka po dridhej.

? Ç’është kjo zhurmë? – pyeti Aisheja.

? Është karvani i Abdurrahman ibnu Aufit me 700 e ca deve me ushqim, – i thanë.

? Zoti e begatoftë në atë që i ka dhënë prej të mirave të kësaj bote, – tha Aishja, – por të mirat e tij në Ahiret janë edhe më të mëdha. E kam dëgjuar të Dërguarin (a.s.) duke thënë: “Abdurrahman ibnu Aufi do të hyjë në Xhenet gjunjazi.”

 *  *  *

Ky lajm përgëzues nga “nëna e besimtarëve”, Aishja, i arriti menjëherë në vesh Abdurrahamnit, madje edhe para se de­vetë të ulen e të pushojnë. Shkoi me vrap tek ajo dhe i mallëngjyer nga ndje­njat e emocionet, që i kishin përshkuar tërë trupin, tha: “Oj nënë, a vërtet e ke dëgjuar këtë nga i Dërguari i Allahut?”

? Po, – ia ktheu ajo.

Atëherë Abdurrahamn ibnu Aufi nga gëzimi i papërshkrueshëm tha: “Sikur të kisha mundësi të zgjidhja, do të hyja në Xhenet në këmbë, por dëshmo, o ‘nënë’, se ky karvan, me tërë atë që ka: devetë, ushqimi dhe veshmbathja, prej këtij momenti janë dhuratë për të varfrit, vetëm për hir të Allahut (xh.sh.).”

Prej asaj dite që mori lajmin përgëzues, Abdurrahmanit i ndri­çoi fytyra me një nur hirësie. Filloi të shpërndajë edhe më shumë pasuri për të varfrit, me të djathtën dhe me të majtën, fshehurazi e haptazi. Shpërndau në emër të sadakasë 40 mijë derhem argjend, e menjëherë pas tyre 40 mijë dinarë ar. Nuk vonoi shumë e shpër­ndau edhe 200 okë ar.

I ndihmoi luftëtarët në rrugën e Allahut me 500 kuaj dhe 1500 deve.

Para se t’i vijë momenti i vdekjes, liroi shumë robër. La po­rosi që çdo luftëtari të betejës së Bedrit t’i jepen nga 400 dinarë ari, e atëbotë ishin ende gjallë 100 prej tyre.

Pastaj la amanet që çdo “nëne të besimtarëve” t’i ndahet nga një pjesë e konsiderueshme e pasurisë, saqë Aishja lutej shpesh­herë për të dhe thoshte: “Allahu ia shoftë etjen me ujët e krojeve të Xhenetit Selsebil!”[2]

Përveç tërë kësaj, familjes së vet i la trashëgim pasuri që nuk mund as të numërohej. Prej tyre: 1000 deve, 100 kuaj dhe 3000 kre­rë dele. Trashëgimtarëve të tij u la ar dhe argjend të shumtë, sa­që duart e atyre që ndanin filluan të lodhen. E tërë kjo ishte fryt i duasë së Pejgamberit (a.s.) që Zoti t’ia shtojë dhe bekojë pasurinë e tij.

Mirëpo, edhe përkundër tërë kësaj pasurie të madhe, kjo aspak nuk e luhati e as nuk e ndryshoi Abdurrahman ibnu Aufin nga qën­drimet e tij, saqë njerëzit nuk mund ta dallonin atë në mesin e shërbëtorëve të vet.

Një ditë, derisa agjëronte, për iftar i sollën ca ushqime. E shi­koi atë me buzë në vaj dhe tha: “Kur u vra Musab ibnu Umeri, i cili ishte njeri më i mirë se unë, nuk mund të gjenim qefin të mjaf­tueshëm për ta mbuluar. Kur ia mbulonim kokën, i zbuloheshin këmbët, e kur ia mbulonim këmbët i zbulohej koka… Ne Allahu na furnizoi me të mirat e Tij në këtë dynja, prandaj po kam frikë se mos shpërblimi ynë është shpejtuar dhe s’do të kemi asgjë për botën e ardhshme.”

Pas kësaj filloi të qajë e të dënesë me ngashërim derisa ushqimi u tha.

*  *  *

I lumi Abdurrahman ibn Aufi me një mijë lumturi…

E përgëzoi me Xhenet mbartësi i fundit i shpalljes hyjnore, Mu­ham­medi (a.s.).

Në përcjelljen e fundit, xhenazen ia mbajti daja i Pejgamberit (a.s.), Sad ibnu Ebi Vekasi.

Namazin e xhenazes ia fali “pronari i dy dritave”, Uthmani, kurse prej tij i fundit u nda Aliu, me fjalët: “Allahu të mëshi­roftë! E arrite dëlirësinë e kësaj feje para se të fillojnë përçarjet dhe ngatërresat!”.

 Marrë nga: xhamiambret.com


[1] “Shtëpia e Erkamit” – Një shtëpi në Mekë, në të cilën i Dërguari i Allahut thë­rriste në Islam. Kjo shtëpi quhej edhe “Shtëpia e Islamit”. I zoti i saj ishte Erkam ibnu Abdu Menaf el?Mahzumi.

[2] Selsebil – emër i një kroi në Ahiret.

You may also like...