Bereqeti i sadakasë

3Bereqeti i sadakase…

Ai ishte i ri dhe i sapo diplomuar për ekonomi dhe biznes, në një universitet shumë të famshëm . Pas diplomimit me rezultate të larta, ai kthehet në vendlindje dhe fillon punë tek biznesi i babait, i cili shiste pajisje shtëpiake elektrike të ndryshme.

Punën e kishte marrë me shumë zell dhe seriozitet duke i zbatuar një për një teoritë ekonomike që kishte studiuar në universitet.

Që në fillim të punës kishte vënë re që babai, në mënyrë të përsëritur, dhuronte pajisje elektrike, një frigorifer dikujt, një lavatriçe një tjetri, një sobë një të treti. Të gjithë përfituesit ishin nga shtresa e varfër, jetimë, gra të veja, nevojtarë… Iu duk diçka e tepërt. E përse u duhej dhënë kaq shumë këtyre njerëzve. Ishte dakort që tu jepej ndonjë kacidhe, por jo një frigorifer, një sobë apo lavatriçe.

Filloi të llogarisë një për një koston e këtyre pajisjeve të reja që në vend që të shiteshin dhe të fitonin para, u dhurohej ca varfanjakëve. Humbjet i dilnin goxha të konsiderueshme. Po të shfrytëzoheshin gjithë ato para të hedhura kot, sipas tij, situata financiare e biznesit kushedi sa do të përmirësohej. Shifrat ishin realisht të mëdha.

I bindur në idenë e tij, ai i kërkoi babait të bisedonte rreth kësaj çështjeje dhe ia shtroi si problem. I tha, i bindur, se e kishte shumë gabim që kishte dhuruar dhe vazhdonte të dhurojë pajisje elektrike fringo të reja dhe të shtrenjta. Ishte diçka që binte ndesh me logjikën tregtare dhe teoritë financiare që kishte mësuar gjatë studimeve të tij në universitet.

I ati, pasi e dëgjoi me vëmendje, i tha:”Bir! Unë nuk kam ndërmend të heq dorë nga kjo gjë. Nëse ti je kundër, që tani mund ta marrësh gjysmën e biznesit dhe ti zbatosh me biznesin tënd të gjitha teoritë për të cilat më flet!”

Dhe djali pranoi.

Biznesi u nda më dysh dhe secili vazhdoi punën.

Që në fillim, personazhi ynë u përball me vështirësi nga më të ndryshmet, megjithatë, ia doli dhe dukej se biznesi po i ecte mbarë.

Ndërkohë, i ati, vazhdonte avazin e tij me frigoriferat e lavatriçet. Biznesi i shkonte vaj, madje, shumë herë më mirë sesa djali i tij.

Kjo e çudiste të birin. Si ishte e mundur që i ati që dhuronte aq shumë pajisje, të fitonte më shumë sesa ai?! Ku qëndronte sekreti?!

Një ditë, vajti dhe e pyeti të atin mbi sekretin.

Babai i buzëqeshi dhe i tha:”Ta tregoj unë, por më parë mu përgjigj këtyre pyetjeve:”Në botë, ka më shumë dele apo qen?”

Djali, i çuditur nga kjo pyetja pa lidhje me temën u përgjigj:”Sigurisht që dele ka më shumë.”

Babai e pyeti përsëri:”Sa këlyshë në vit lind një qen dhe sa qengja lind një dele?”

Djali u përgjigj:”Qentë lindin dy herë në vit dhe për çdo herë mund të lindin deri në gjashtë këlyshë. Ndërkohë, një dele mund të lindë maksimumi dy qengja në vit.”

Babai shtroi pyetjen e radhës:”Shumë mirë, po kush konsumohen më shumë, delet apo qentë?”

Djali u përgjigj menjëherë:”Sigurisht delet.”

Babai bëri ndërhyrjen e radhës:”Meqë qentë lindin më shumë sesa delet dhe meqë delet konsumohen më shumë sesa qentë, atëherë përse numri i deleve është më i lartë sesa numri i qenve?!”

I riu ekonomist heshti dhe nuk dinte si të përgjigjej.

Pastaj, babai e pyeti përsëri me shpoti:”A nuk e ke mësuar diçka të tillë në universitet?”

Pa marrë përgjigje i tha:”Biri im! Është bereqeti dhe sadakaja ajo që e shton pasurinë dhe nuk e lë të pakësohet, sepse sadakaja është e lidhur direkt me Zotin. Profeti Muhamed a.s thoshte:”Sadakaja nuk e pakëson pasurinë!”

Zoti ta shtofte dhe te dhashre bereqet ty qe jep Edhe ty qe sjep deri sa te japesh ?

 

Marrë nga: Elmaz Fida

 

You may also like...