Dilemat e ngritura rreth shpalljes së kalifatit nga “ISIL”

Nasil el-OmerDilemat e ngritura rreth shpalljes së kalifatit nga “ISIL”

Ngritja e kalifatit Islamik në kohën aktuale ka qenë piedestali i shpresës së çdo muslimani, dhe vazhdon të jetë. E si mos të jetë kështu kur kjo është përgëzimi i të dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) për këtë umet, në hadithin e Hudhejfes (Radije-Allahu anhu) i cili tha: Ka thënë i dërguari (salallahu alejhi ue selem): “Do të qëndrojë në mesin tuaj shpallja hyjnore aq sa ka dashur Allahu të qëndrojë, pastaj do ta largojë atë kurdo që Ai dëshiron ta largojë; pastaj do të vijë një kalifat (pushtet Islamik) që do të pasojë metodologjinë e shpalljes hyjnore i cili do të qëndrojë aq sa ka dashur Allahu të qëndrojë e pastaj Allahu do ta largojë atë kurdo që Ai dëshiron ta largojë; pastaj do të vijë një mbretëri e ashpër e cila do të qëndrojë aq sa Allahu ka dashur të qëndrojë e pastaj do ta largojë atë kurdo që Ai dëshiron ta largojë; pastaj do të vijë një pushtet (mbretëri) shtypëse dhe do të qëndrojë aq sa ka dashur Allahu të qëndrojë e pastaj do ta largojë atë kurdo që Ai dëshiron ta largojë; e pas kësaj do të vijë një kalifat me metodologjinë e shpalljes hyjnore,” pastaj heshti. (Musnedi i Imam Ahmedit, numër 18406, Albani e ka bërë të saktë në librin “Silsiletu es-Sahihah” (Zingjiri i haditheve të sakta), 6/3). Mirëpo, lajmërimi për ngritjen e këtij kalifati në këtë formë (pamje) që u paraqit ditën e djeshme nga organizata e quajtur “Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit”, me ç’rast tanimë u shndërrua në “Shteti Islamik,” sjell shumë dilema dhe shfaqë shumë pikëpyetje rreth shumë prej detajeve të cilat angazhojnë mendjen e çdo muslimani që ka dëgjuar apo ka parë këtë lajm; e ndoshta më e rrezikshmja prej këtyre çështjeve është mënyra e zgjedhjes së halifes (prijësit) dhe besatimit të tij. Po … organizata “Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit” ka shpallur ngritjen e asaj që ata e përshkruajnë si kalifat islamik, dhe ka caktuar një person që thirret si “Ebu Bekr el-Bagdadi” apo Abdullah Ibrahim es-Semira’i imam dhe prijës të muslimanëve në çdo vend, dhe ka thirrur të gjitha ato që ata i quajnë Njësi të Xhihadit nga mbarë bota që t’ia japin besën atij. Përfaqësuesi i organizatës Ebu Muhamed el-Adnani në një inçizim me zë thotë se ky lajmërim ka ardhur pas vendimit rreth kësaj çështje të nxjerrë nga të ashtuquajturit “Komisioni për zgjidhje dhe kontrata” të përbërë nga senatorë, komandantë dhe emirë, dhe nga oda e konsultave (mexhlis esh-shura). Dhe këtu pa dyshim se duhet të ndalemi te një varg pyetjesh të cilat dalin nga lajmi i tillë:

1. Para së gjithash: Ku gjendet ky halifeja i zgjedhur nga “Komisioni për zgjidhje dhe kontrata” siç thotë lajmërimi? Dhe si ka mundësi që umeti musliman ta besatoj një person që askush nuk e njeh? Po sikur muslimanët në të vërtetë të vendosnin që t’ia japin besën halifes së tyre të ri, atëherë në cilin vend mund ta bëjnë këtë? Dhe a është shfaqur qoftë edhe një herë ky halife ashtu që të mundësohet besatimi për të, duke qenë se kjo çështje konsiderohet një prej çështjeve më të ndjeshme dhe më të rrezikshme në politikat sheriatike? Në të vërtetë, një burrë nuk ka mundësi as bijën apo motrën e tij ta martojë për një burrë të cilin nuk e ka parë asnjëherë e as zërin s’ja ka dëgjuar, siç e ceki këtë dr. Abdulkerim Bek-kar në komentin e tij rreth shpalljes së halifes së muslimanëve nga organizata e “Shtetit Islamik;” e si paska mundësi për një umet të tërë Islam që të pajtohen për emërimin e halifes së tyre përgjegjës për çështjet e tyre pa e parë dhe pa dëgjuar asnjëherë zërin e tij.

2. Pse nuk paska kontaktuar organizata me pjesën tjetër të njësive të xhihadit në gjithë Irakun dhe Shamin, e sa shumë që janë ato, në këtë çështje kaq të ndjeshme siç është kalifati; dhe për një çështje e cila duhet të zgjidhet me konsultim mes gjithë muslimanëve, siç është e njohur në politikat sheriatike? Është e dijshme gjithashtu se këto njësi kanë qenë një hap përpara në luftën kundër Beshar-it në Siri, e mos të flasim për rolin e madh e të njohur të tyre në përkrahjen e realizuar ndaj Irakut qysh prej disa ditëve; bile organizata e Shtetit Islamik vazhdon të jetë njësi brenda këtyre njësive, e pse atëherë të veçohet me shpalljen e kalifatit në mungesë të pajtueshmërisë dhe konsultimit të njësive tjera? E pas kësaj të thërriste të gjitha njësitë tjera të botës në besatim?

3. Kush janë Komisioni për zgjidhje dhe kontrata, të cilët u pajtuan që të ngrehin në pozitën e halifes së muslimanëve Ebu Bekr el-Bagdadin? Pse nuk i kanë përmendur emrat e këtyre dhe të tregojnë identitetin e tyre? Dhe a janë ata prej dijetarëve të besueshëm të cilët i plotësojnë kushtet që të jenë përgjegjës për zgjidhje dhe kontrata, gjë që e kanë sqaruar mirë dijetarët e politikave sheriatike? Apo muslimanët u deshka t’ia japin besën një prijësi të zgjedhur nga një grup njerëzish të panjohur të ashtuquajtur: Komisioni i zgjidhjeve dhe kontratave? Imam el-Mewardi në librin e tij “Dispozitat e autoritetit suprem” përmend kushtet e komisionit zgjedhor duke thënë: “Sa u përket komisionit zgjedhor, kushtet që u dedikohen atyre janë tri: E para: Drejtësia me të gjitha kushtet e saj; E dyta: Dituria përmes së cilës arrihet deri te njohja e personit që meriton të jetë udhëheqës sipas kushteve të cilat duhet të merren parasysh; E treta: Këndvështrimi dhe urtësia që dërgojnë deri te zgjedhja e atij që është më i prirë për të qenë udhëheqës dhe më i fuqishëm e i dijshëm për të planifikuar dobitë (interesin).

4. Pse u zgjodh mu kjo kohë për shpalljen e kalifatit Islamik? Dhe kjo para se të nxirret përfundimi rreth shkakut (burimit) të dobësisë dhe fatkeqësisë që ka goditur Damaskun dhe Bagdadin së bashku, e sidomos kur dihet se revolucionarët në Irak ndodhen pranë portave të Bagdadit? A nuk do të ishte më parësore që organizata t’i anashkalonte njëherë mospajtimet, të cilat patjetër se do të ndodhin për shkak të shpalljes së njëanshme të një shteti islamik dhe një prijësi për muslimanët, si përgatitje për plotësimin e ndihmës ndaj njëra-tjetrës? Në të vërtetë, tendenca për njëanshmëri është diçka shumë e zakonshme në vendimet dhe sjelljet e kësaj organizate, duke përfshirë këtu obligimin e të gjithë muslimanëve që t’ia japin besën dhe ta ndihmojnë halifen el-Bagdadi pas shpalljes së kalifatit sipas përfaqësuesit të el-Bagdadit; pastaj shfuqizimi i legalitetit sheriatik të të gjitha principatave, shoqërive, vilajeteve, apo organizatave mbi të cilat shtrihet pushteti i tij apo e arrin ushtria e tij. Prej nga erdhën me këtë gjykim?

Ky do të ishte çasti të cilin e pret me padurim çdo musliman, çasti i shpalljes së ngritjes së kalifatit Islamik, po të mos ishte çështja se mendjen e çdo muslimani e preokupojnë dilema të shumta pas shpalljes së befasishme të një kalifati Islamik e të një halifeje të muslimanëve. Prandaj, a ka ndonjë përgjigje për këto pyetje? …

Shejh Dr. Nasir el Umer

Marre nga tezkije.com

Raport Informativ, 2/9/1435 (30/06/2014)

(Burimi: http://www.almoslim.net/node/213597 )

Përktheu dhe përshtati, Hekuran Helshani

You may also like...