Disa bidate gjatë muajit Rexhep

M.RexhepDisa bidate gjatë muajit Rexhep
Veçimi i muajit Rexhep me disa adhurime specifike:

Ithtarët e bidatit dhe epsheve e veçojnë muajin Rexhep me disa adhurime për të cilat nuk ka argument as nga ana e Allahut, as nga ana e të Dërguarit të Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, as nga ana e dikujt prej shokëve të tij e as nga dikush tjetër nga gjeneratat e arta të selefit. Mirëpo kjo shpikje ka ndodh kur u përhap injoranca dhe njerëzit u larguan nga Sunneti, ky fenomen shihet te të paditurit dhe tek ata që janë të cekët në dije deri në ditët e sodit. Po ashtu këtë muaj e emërtojnë edhe me emrin “Umreja e Rexhepit”, po ashtu e cekin namazin e regaipit (salatul regaip) në natën e xhuma të javës së parë të muajit Rexhep. Po ashtu edhe agjërimin e disa ditëve të muajit Rexhep, duke u bazuar në disa hadithe të shpikura për të cilat dijetarët kanë dhënë sqarime të saktë se nuk janë të vërteta, thotë shejhul islam Ibn Tejmije-Allahu e mëshiroftë: Sa i përket agjërimit të disa ditëve të muajit Rexhep, të gjitha hadithet në këtë kontekst janë të dobëta madje janë të shpikura në të cilat nuk mbështetet askush nga dijetarët, sepse nuk janë nga lloji i haditheve të dobëta që transmetohen për vlera, mirëpo shumica e tyre janë të shpikura dhe gënjeshtra”.
Kurse në një vend tjetër Ibn Tejmije-Allahu e mëshiroftë, thotë: “Sa i përket salatul-regaipit nuk ka kurfarë baze në fe, e as që është e pëlqyeshme të bëhet, as me xhemat as vetëm, ndërsa transmetimet në lidhje me të janë të shpikura dhe gënjeshtra me pajtimin e të gjithë dijetarëve, e as që transmetohet një gjë e tillë nga selefi apo nga imamët e njohur ta kenë vepruar një gjë të tillë. Derisa thotë Allahu e mëshiroftë: Salatul regaipi është bidat me pajtimin e gjithë dijetarëve, nuk është as Sunnet i të Dërguarit të Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, as që e ka bërë atë ndonjë nga halifët e drejtë, e as që e ka preferuar ndonjë nga dijetarët e njohur si Maliku, Shafiu, Ahmedi, Ebu Hanifeja, Etheuriu, Euzaiu, Lejthi e të tjerë-Allahu i mëshiroftë, ndërsa hadithi i cili transmetohet për të është rrenë me pajtimin e gjithë dijetarëve kompetent të hadithit. Po ashtu e njejta vlen edhe për namazin i cili falet natën e xhumasë së parë të muajit Rexhep”.
Dijetari i njohur Ibn Rexhepi-Allahu e mëshiroftë, thotë: “Sa i përket namazit të caktuar që falet në muajin Rexhep, nuk ka diçka autentike si dhe gjithë hadithet që transmetohen në lidhje me vlerën e namazit të regaipit në xhumanë e parë të muajit Rexhep janë të gjitha gënjeshtra dhe të kota, nuk janë të sakta si dhe ky namaz llogaritet bidat tek shumica e dijetarëve. Këtë e kanë potencuar madje edhe dijetarët e vonshëm si: Hafidh Ismail el-Ensarij, Ebu Bekër Semanij, Ebu Fadl ibn Nasir, Ebu Ferexh ibn Xheuzij e të tjerë-Allahu i mëshiroftë. Kjo gjë nuk është cekur nga dijetarët e hershëm, sepse kjo gjë është shpikur pas tyre, pas vitit katërqind hixhrij”.

Bidati i festimit të natës së Miraxhit dhe Israsë:

Në vitin e dhjetë të shpalljes të Dërguarit të Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i vdiq bashkshortja, nëna e besimtarëve Hatixhe bintu Huvejlid-Allahu qoftë i kënaqur prej saj, e cila ishte mbrojtësja e brendshme e të Dërguarit të Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, po ashtu në këtë vit vdiq edhe axha i të Dërguarit të Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, Ebu Talibi i cili e mbronte nipin e tij nga kurejshët mushrik të Mekes. Madje këtë vit dijetarët e historisë e kanë quajtur si viti i pikëllimit. Pikërisht në këtë vit Allahu e nderoi të Dërguarin e Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, me një mrekulli të jashtëzakonshme që ta përforcon zemrën e tij, e ta qetëson atë duke ia mundësuar që për një pjesë të natës të udhëton prej mesxhidul-Haramit (Kabe) në bejtul-Makdis (Palestinë, Jerusalem). E prej këtu u ngrit në qiell derisa ariti në sidretul-munteha, këtu Allahu ia obligoi pesë kohët e namazit ashtu siç transmetohet në librat e Sunnetit dhe sires. Kjo ngjarje është shenjë e pejgamberllëkut, poashtu njëherit kjo është edhe shenjë që tregon fuqinë e Allahut të Lartësuar, të cilën mund të bën vetëm Ai, qoftë ajo në qiell apo në tokë. Argument për ndodhinë e Israsë dhe Miraxhit janë Kurani dhe Sunneti, porse nuk ka asnjë argument nga Kurani, Sunneti, halifët e drejtë, sahabët, tabiinët apo nga dijetarët dhe imamët e fesë se duhet veçuar kjo natë me adhurim apo festim. Sikur të kishte qenë legjislative kjo, këtë do ta bënte i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, duke i urdhëruar shokët e tij ta bëjnë një gjë të tillë, shokë të cilët na i kanë transmetuar edhe imtësirat më të vogla të urdhërave të të Dërguarit të Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, madje edhe nuk dihet saktë se kur ka ndodhur kjo natë.
Ibn Kajimi-Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nata e Israsë nuk dihet kur ka ndodhur”. Disa dijetarë nuk e pranojnë se ajo ka ndodhur në Rexhep, dijetari Ebu Shameh-Allahu e mëshiroftë, thotë: “Disa tregues të përallave kanë thënë se Israja ka ndodhur në Rexhep, ndërsa dijetarët të cilët janë kompetent për një gjë të tillë kanë thënë se kjo është gënjeshtër”. Për fat te keq ata të cilët e festojnë natën e Miraxhit dhe Israsë prej bidatçive, duke mos u bazuar në argumentet e sheriatit, i sheh shumicën e tyre të pakujdesshëm në namazet farze, të cilat i ka obliguar Allahu në natën e Miraxhit dhe Israsë, kjo është humbje dhe mosdhënie sukses, Allahu na ruajtë nga një gjë e tillë.

Përgatiti dhe përshtati: Nexhat Ceka

You may also like...