Dita e ashurasë në islam – Hutbe – II

Ashura-1Mënyrat e agjërimit të kësaj dite

Përpara se të përmendim mënyrën e agjërimit të Ashura-së duam të theksojmë se agjërimi në Islam nënkupton: Mosngrënie, mospirje, largim nga kontaktet intime nga agimi deri në perëndim të diellit. E kushdo që bën agjërim tjetër veç këtij i themi: -“Kushdo që e kryen ndonjë vepër (punë) që nuk e kemi kryer ne, ajo do të konsiderohet e refuzuar”. [Transmeton Muslimi nga Aishja].
Dijetarët kanë përmendur disa mënyra rreth agjërimit të kësaj dite:
1 – Të agjërohet një ditë përpara dhe një ditë pas, kjo duke u nisur nga dy arsye:
a) Hadithi i Ibn Abasit në Musnedin e Imam Ahmedit: “Agjëroni Ashura-në, e mos përngjasoni me çifutët por agjëroni një ditë para e një ditë pas”. [Ahmed Shakir thotë se është hadith hasen].
b) Duke u nisur nga mossiguria e qënies atë ditë apo jo, pra për të qenë më të sigurtë. Ibnul Kajim ka thënë: “Mënyra më e plotë është të agjërohet një ditë para ashura-së e një ditë pas”. [Zadul Mead 2/78].
2 – Agjërimi i ditës së Ashura-së dhe i ditës së nëntë. Për këtë gjë kanë ardhur hadithe të vërteta e të qarta siç u përmendën më lart.
3 – Agjërimi i kësaj dite të vetme..

II

Pak histori mbi fazat që ka kaluar agjërimi i Ashura-së

1 – I dashuri ynë (alejhi selam) e agjëronte ditën e Ashura-së në Mekë porse nuk i urdhëronte njerëzit që ta agjëronin. “Kurejshët agjëronin ditën e Ashura-së në kohën e xhahilijetit (përpara Islamit) dhe i Dërguari i Allahut (alejhi selam) e agjëronte.” [Buhariu dhe Aishja].
2 – Në Medine agjëroi dhe urdhëroi të agjërohej. I Dërguari i Allahut (alejhi selam) pasi emigroi në Medine pa se çifutët e agjëronin ditën e Ashura-së, u tha atyre: “Ç’është kjo ditë që agjëroni?” Thanë: “Ditë e madhe. Në të Allahu i Madhëruar shpëtoi Musain dhe popullin e tij dhe e mbyti Faraonin dhe popullin e tij. Agjëroi Musai këtë ditë si falënderim ndaj Allahut dhe ne e agjërojmë”. – Profeti (alejhi selam) tha: “Ne na takon ta nderojmë, vlerësojmëMusain më tepër sesa ju. Agjëroi dhe urdhëroi të agjërohej. [Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ibn Abasi].
Mendimi më i drejtë i dijetarëve është se në këtë kohë derisa u bë obligim Ramazani ishte obligim agjërimi i Ashura-së. “I Dërguari i Allahut (alejhi selam) urdhëroi dikë nga fisi Eslem të lajmëronte njerëzit mbarë se kush ka ngrënë sot (ditën e Ashurasë) duhet ta ndërpresë ushqimin dhe se kush nuk ka ngrënë le të agjërojë”. [Transmeton Buhariu, Muslimi dhe Seleme bin Akua].
Jo vetëm kaq, por urdhëronte edhe të vegjëlit të agjëronin këtë ditë. “… urdhëroi të agjëronin Ashura-në dhe të agjërojnë dhe të vegjëlit tanë”.[Transmeton Buhariu, Muslimi nga Rubej bintu Muadh].
3 – Pasi u bë obligim agjërimi i Ramazanit, nuk urdhëronte më.
“Na urdhëronte i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ta agjëronim Ashura-në përpara se të bëhej obligim agjërimi i Ramazanit. Kur u bë obligim agjërimi i Ramazanit nuk na urdhëronte më, mirëpo ne agjëronim”. [Transmeton Muslimi nga Kajs Bin Sa’d bin Ubade].
Nuk ka dyshim se agjërimi i kësaj dite është i pëlqyeshëm, duke u bazuar në hadithet e lartpërmendura.
4 – Dëshira e të Dërguarit të Allahut (alejhi selam) që mos të agjëronte këtë ditë të vetme por ta shoqëronte atë për të mos përngjasuar me ithtarët e librit.
Kur agjëroi i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ditën e Ashura-së dhe urdhëroi të agjërohej, thanë sahabët: “O i Dërguari i Allahut, kjo është ditë që e madhërojnë çifutët dhe të krishterët! Tha: Insha-Allah, vitin e ardhshëm, nëse kemi jetë të agjëroj edhe të nëntën e këtij muaji (Muharremit)”. Vitin që erdhi, i Dërguari i Allahut (alejhi selam) ndërroi jetë.” [Transmeton Muslimi nga Ibn Abasi].
“Agjëronte të dhjetën dhe deshi të agjëronte të nëntën mirëpo vdiq atë vit” (shih Fet’hul Bari 4/288).
“Nuk konsiderohet kjo ditë si ditë feste sepse është përngjasim me çifutët”.[Ibn Rexhebi].
Gabime që ndodhin ditën e Ashura-së
– Veçimi i kësaj dite me ushqime të caktuara: hallvë, hashure, etj.
– Veçimi i kësaj dite me dhikër, du’a (lutje) të caktuar.
– Kryerja e ndonjë lloj agjërimi jo si muslimanët, këtë ditë ose ditë para se të vijë , forma jo të njohura në traditën islame.
– Konsiderimi i kësaj dite si ditë feste.
– Larja apo lyerja me erë të mirë për hirë të kësaj dite.
– Konsiderimi i kësaj dite si ditë zije, fatkeqësie siç bëjnë disa grupe të humbura.
– Vrasja ,gjymtimi goditjet në trup, plagosja e vetes në këtë ditë.

Përgatiti: Nexhat Ceka

You may also like...