Dr. El-Aude: Sfidat bashkëkohore – Sihri dhe rukjexhinjtë – 2

5Dr. Selman el Audehh, sekretar i përgjithshëm dhe asistent pranë Unionit Botëror të Dijetarëve Myslimanë, I konsideron si strukturë ideologjike të çështjeve që kanë të bëjnë me botën e gajbit, ku hyn koncepti i evliave, xhindet, magjia, syri i keq, varret,
tyrbet etj…

Magjia
Lidhur me magjinë dhe faktin që njerëz të shumtë e lidhin atë me sëmundjet
dhe fatkeqësitë që u ndodhin në jetë, dr Audeh tha se magjia është përmendur
në Kuran dhe se vetë Profeti a.s na këshillon:”Lexojeni suren Bekare, pasi të
veprosh sipas saj është bereqet, të distancohesh prej saj është hasret dhe
ajo nuk depërtohet dot nga magjia.” Megjithatë, problemi qëndron tek të
kuptuarit dhe mënyra si e perceptojnë njerëzit, të cilët fokusohen vetëm tek
magjia.
Janë ngritur shumë besime rreth magjisë dhe kjo e fundit ka shumë epitete si
“magjia e zezë” “magjia djallëzore” etj… Youtube vlon nga xhirime të ndryshme
rreth magjisë. Madje, ka vende islame në të cilat zhvillohen konferenca rreth
magjisë. Diçka tjetër e ligë është ajo që njihet me emrin “ndikim shpirtëror”
ku besohet se melekët ose xhindet e mirë, mund të përdoren për trajtimin e
sëmundjeve të ndryshme.
Hajmalitë dhe nuskat
Dr Audeh u shpreh se hajmalitë dhe nuskat janë të refuzuara në islam dhe nuk
lejohen, edhe sikur të jenë shkruar me Kuran dhe emrat e Zotit, qofshin për
të sëmurin apo për të shëndetshmin për ta mbrojtur nga sëmundjet. Ato nuk
lejohet të vihen nën jastëk për ti ruajtur fëmijët. Ky është mendimi i
shumicës së dijetarëve dhe vetë Profeti a.s thoshte:”Kush mban hajmali Zoti
mos ia përmbushtë dëshirën.”
Rukja, leximi i Kuranit për të sëmurët
Shejh Selman Audeh u shpreh se të lexosh Kuran (rukje) nuk do të thotë
domosdoshmërish që të shkosh tek një yshtës. Askush tjetër nuk mund të lexojë
Kuran, më mirë se i lexon njeriu vetes. E kush mund të jetë më i sinqertë
sesa ti për veten tënde? Leximi i Kuranit, rukja, nuk është diçka enigmatike
dhe mister. Ajo mund të përbëhet nga surja Fatiha, dy suret e fundit. Besoj
se nuk ka mysliman që nuk i di dy suret e fundit të Kuranit. Gjithashtu mund
të përdoret dhe Ajeti Kursi, dy ajetet e fundit të sures Bekare dhe fundi i
sures Hashr, duke i fryrë vetes herë pas here. Vetë Profeti a.s kur shtrihej
në shtrat për të fjetur, lexonte lutjet e mëngjesit dhe të darkës, mblidhte
duart dhe në to lexonte suren Ihlas, Felek dhe Nas. Mandej, me këto duar
fshinte dhe fërkonte gjithë trupin. Disa kohë më parë, kam shkruar një
artikull me titull “Kurani është shërim” në të cilin përmenda sëmundjet që
trajton Kurani. Vetë Zoti i lartësuar e ka etiketuar Kuranin si “shërim” dhe
shërimi i Kuranit është në disa nivele. Ka shërim material, pasi e motivon
dhe nxit besimtarin që ta kërkojë ilaçin dhe ta përdorë atë. Kjo do të thotë
se Kurani e përgatit shpirtërisht dhe psikologjikisht njeriun për tu shëruar,
duke i kërkuar të mbështetet fuqishëm tek Zoti dhe Krijuesi i tij. Në këtë
mënyrë, ilaçet materiale bëhen me të dobishëm dhe kanë efekt më të madh.
Problemi i yshtësve
Një çështje me rëndësi është dhe kontrolli dhe disiplinimi i yshtësve. Këta
të fundit, duhen trajnuar dhe mbajtur nën kontroll, me qëllim që të mos
abuzojnë me njerëzit, të lejohen vetëm duke respektuar kritere, ku ndër më të
rëndësishmit është ai i devotshmërisë. Kam parë me sytë e mi shumë shkelje
nga yshtësit, për vetë faktin se u shkojnë dhe gra të cilat u kërkojnë tu
këndojnë. Kam parë yshtës të cilët ishin martuar me dhjetë gra nga ato që i
kishin vajtur për shërbim, divorco njërën e martohu me tjetrën.
Këndimi i rukjes, sot është bërë si puna e interpretimit të ëndrrave. Me to
merren njerëz që nuk ia kanë haberin, për më tepër që tek disa yshtës, shumë
njerëz kanë hyrë sakllam, e kanë dalë naksan.
Teprimi me ndikimin e xhindeve
Shejh Audeh kritikoi ashpër dhe ekzagjerimet lidhur me ndikimin e xhindeve.
Ai tha se xhindet janë krijesa të Zotit dhe janë përmendur në Kuran, por
problemi qëndron kur u atribuojmë atyre ndikim dhe rol që ata nuk e kanë. Në
origjinë, njerëzit janë më të fuqishëm se xhindet dhe për këtë Zoti i dërgoi
profetët dhe të dërguarit nga njerëzit, megjithëse xhindet janë më shumë. Por
shumë njerëz vazhdojnë të besojnë se xhindet janë superiorë ndaj njerëzve,
madje edhe zotërues të tyre.
Edhe në periudhën para islame, e cila njihet si periudha e injorancës, nuk
ekzistonin besime të tilla për fuqinë e xhindeve. Është e vërtetë se sa herë
fushonin diku natën thoshin:”Kërkojmë mbrojtjen e të parit të fisit të
banorëve (xhinde) të këtij vendi” por ishte një zakon në kufij të caktuar.
Sakaq, shoqëritë islame dhe monoteiste, të cilat i besojnë mbështetjes tek
Zoti, lexojnë Kuranin, këndojnë lutjet e mëngjesit dhe të mbrëmjes, kanë rënë
pre e besimeve në fuqitë e xhindeve.
A i pushtojnë xhindet njerëzit
Nga Profeti a.s kemi dy hadithe lidhur me këtë çështje, ku njëri është hadith
i dobët. Por edhe nëse këto hadithe në total, i marrim në konsideratë, ne
gjendemi para një rasti të vetëm të këtij lloji nga i gjithë jetëshkrimi i
Profetit a.s, lidhur me pushtimin e njeriut nga xhindet. Disa dijetarë si
Ibnu Tejmije, kanë cekur raste të ngjashme, por mos harrojmë, duhet të bëjmë
dallim mes përjashtimeve dhe fenomenit. Më kujtohet një herë se dikush nga
këta yshtarët më tha se unë jam pushtuar nga shtatëdhjetë xhinde, pra një
familje e plotë. Unë ia ktheva: Vëlla, a është e mundur që të vuajnë nga
kriza e banesave deri në këtë nivel?!
Prandaj, është mirë të studiohet dhe diagnostikohet kjo çështje. Ajo që mund
të ndodhë, është thjesht ajo që njihet si “prekje” (mess) dhe kjo fjalë nuk
ka përse të kuptohet aq trashë, si zaptim dhe pushtim të njeriut nga xhindet,
duke kontrolluar jetën, mendimet dhe lëvizjet e tij. Prekja, është një lloj
afrimi dhe aftësie për ta dëmtuar fizikisht njeriun, por sigurisht, në
kufijtë që ia ka mundësuar Zoti.
Martesa me xhindet
Dr Audeh bëri thirrje që njerëzit të mos merren me çështje të tilla si
martesa apo dashuria mes xhindeve dhe njerëzve. Është mirë – tha ai – që të
mjaftohemi vetëm me informacionet që na janë ofruar në Kuran dhe traditën
profetike rreth xhindeve, pasi bisedat rreth kësaj çështjeje, si tek burrat
dhe gratë, shkakton goxha probleme, patologji dhe iluzione.
Lidhur me leximin e dorës apo të filxhanit, ai tha se këto shkaktojnë një
lloj hipnoze si tek djali apo tek vajza. Diçka e çuditshme dhe për të qeshur,
është se ata që merren me këto gjëra, janë njerëz injorantë dhe të
paarsimuar, s’kanë haber nga dynjaja. Mua më habit fakti, si është e mundur
që njerëz të arsimuar dhe intelektualë, bien pre e këtyre xhahilëve. Si është
e mundur që doktorë e profesorë, ti besojnë këtyre grave fallxhore?!
Presidentë me famë botërore, si Regani dhe disa presidentë francezë, mbanin
pranë fallxhore të këtij kalibri, me të cilat këshilloheshin se çfarë do të
ndodhë në të ardhmen.
Dallimi mes gajbit dhe mitologjisë
Çështje të tilla na kujtojnë rëndësinë e besimit dhe bazat e gajbit (ata që
besojnë tek gajbi dhe falin namazin). Dallimi mes gajbit dhe mitit, është se
gajbi qëndron mbi arsyen, kurse miti qëndron poshtë arsyes.
Ka gjëra të cilat janë të vërteta dhe të pamohueshme, siç është dënimi i
varrit. Por kur një predikues apo vaiz në xhami, thotë se në filan vend është
parë flakë që del nga zjarri, ose dikush që i është devijuar koka nga
drejtimi i Kibles etj… këto janë gjëra që nuk hyjnë tek besimi. Madje, nuk ka
përse ta lidhim besimin e njerëzve me çfarë thuhet nga vaizët, por me çfarë
thuhet në Kuran dhe traditën profetike, të cilat përdorin një ligjërim logjik
dhe të pjekur, larg miteve.
Besimi në gajb, është motivues për njeriun që të punojë dhe ta perfeksionojë
punën që bën.

Autor: Dr. Selman el-Aude

Intervistë në një TV prestigjioze arabe ku shejhu ishte i ftuar si mysafir për

elaborimin e temave për të cilat është pyetur.

You may also like...