Drejt një Ramazani më cilësor – 1

Ramazan-7I – Drejt një Ramazani më cilësor
Mund të thuhet se mundësitë të cilat Allahu na i ka dhënë për t’i shfrytëzuar gjatë vitit të gjitha janë të përmbledhura në muajin Ramazan. Kështu, në qoftë se njeriu e shfrytëzon Ramazanin si duhet, ajo çfarë mund t’i ikën pas tij mund të përballohet më lehtë.
Sa më të qartë që njeriu ta ketë qëllimin, aq më sigurt do të vazhdojë drejt tij. Fatkeqësia dhe problemi i shumë prej nesh si muslimanë është se, pas përfundimit të Ramazanit, gjithmonë ndiejmë keqardhje dhe kemi brengën se mos edhe ky Ramazan shkoi sikurse i kaluari.
A kemi bërë ndonjë analizë pse në Ramazanin e kaluar nuk është plotësuar norma e adhurimit dhe ndoshta nuk është arritur qëllimi i kërkuar as përgjysmë sa është synuar, apo të gjitha këto i kemi kapërcyer me një “hajr in sha Allah”dhe kemi vënë shpresat në Ramazanin e radhës.
A e ke të qartë çfarë dëshiron në këtë Ramazan? Pse duhet t’i gëzohemi këtij muaji? Përse duhet të përmallohemi për këtë muaj? Cilat janë arsyet? Apo e vetmja arsye është ajo e shpërblimit të agjërimit, namazit të teravive, etj?
Dua t’i përmendi tri objektiva madhore, të cilat duhet t’i synojmë në muajin Ramazan dhe për të cilat shpresoj se, me lejen e Allahut të madhëruar, do të rrisin kualitetin e veprave tona. Kjo meqë ngecja apo problemi ynë qëndron te kualiteti i veprave që bëjmë, gjë që i jep kuptim adhurimit tonë që i bëjmë Allahut.

Pra, çfarë duhet synuar për të qenë Ramazani i këtij viti më kualitativ?

1. Rëndësia e përmirësimit të gjendjes sonë të tanishme

Duhet të bëjmë një ndërlidhje të fuqishme, të pa shkëputur mes gjërave, një lidhje shkak-pasojë, çka edhe është ligj i Allahut . Në qoftë se si rezultat i këtij Ramazani përmirësojmë vetët tona, atëherë shkak i këtij përmirësimi do të jetë kualiteti i Ramazanit. Sa më kualitativ që të jetë Ramazani, aq më e lartë do të jetë shkalla e përmirësimit.
Merre këtë fakt seriozisht: nuk ka përmirësim të gjendjes, në qoftë se kualiteti mbetet në shkallën e vitit të kaluar.
Kur them nuk ka përmirësim të gjendjes, kjo nuk nënkupton ngeljen në shkallën e tanishme, sepse shansi i pashfrytëzuar të zbret më poshtë nga ku ke qenë deri tani. Kjo ngase, sipas ligjit të Allahut, nuk e kemi luksin e qëndrimit në të njëjtën shkallë; në qoftë se nuk ecim përpara, së paku do të mbetemi aty ku kemi qenë, gjë që nënkupton humbje. Prandaj, për ta bërë këtë Ramazan sa më kualitativ, duhet të kuptosh se ky synim është i ndërlidhur me përmirësimin që ti e vajton pas çdo Ramazani.
Erdhi shansi që në këtë Ramazan t’ia dëshmojmë Allahut se vajtimi jonë i vitit të kaluar dhe keqardhja për gjendjen tonë ishte i sinqertë. Ne duhet të investojmë ende që t’i japim fund udhëheqjes së epshit e udhëheqjes së shejtanit në jetët tona, në mënyrë që zemrat tona, me të vërtetë, të rimarrin udhëheqjen e vetëve tona. Që zemra të marrë këtë udhëheqje, duhet të përmirësohet, ngase në gjendjen që është nuk ka mundësi për të udhëhequr.
Padrejtësia që ia bëjmë vetëve tona duke bërë gjynahe duhet të marrë fund. Në vend të saj, duhet të instalojmë një sistem që nuk na çon në padrejtësi. Por, nuk do të mund ta kryejmë luftimin e padrejtësisë ndaj vetëve tona dhe as të instalojmë sistemin e drejtësisë në vetët tona, në qoftë se nuk përmirësohemi. Krejt kjo kërkon që të jesh i aftë, kurse ne ende nuk e kemi aftësinë e duhur për t’i udhëhequr vetët tona atje ku duhet. Për shembull, a ke mundësi të krenohesh për një adhurim nafile që ti e kryen në vazhdimësi prej kohësh? Apo e fillojmë, pastaj rrëzohemi; shkojmë deri diku, pastaj ndalemi. Krejt kjo ndodh për shkak se nuk udhëheqim me vetët tona. Sa e sa herë ke dëgjuar se sa mirë është ta bësh këtë apo atë punë dhe ke vendosur ta bësh, mirëpo nuk ka shkuar java dhe e ke ndërprerë, apo ndoshta edhe nuk e ke filluar fare.
Nëse analizojmë gjendjen tonë, shohim se nuk udhëheqim me vetët tona. Prandaj, është mirë të reflektojmë për gjendjen tonë dhe të vetëdijesohemi për atë se kush po na udhëheq dhe ta përmirësojmë këtë gjendje duke e luftuar padrejtësinë, me qëllim që ta rimarrim pushtetin e vetëve tona.
Ibn Kajimi erdhi në përfundim se “… njeriut ia ka marrë pushtetin nefsi”. Nefsi është gjenerali i rebeluar i zemrës. Zemra është udhëheqësi dhe e ka ushtrinë e vet, por nefsi është ushtari më i rebeluar i zemrës, i cili pret edhe shfaqjen e dobësisë më të vogël për ta zëvendësuar me pushtetin e tij. Sa e sa dobësi ka që nefsi i sheh në zemrat tona dhe i shfrytëzon ato për të na udhëhequr aty ku nuk duhet. Por, ja që është duke ardhur Ramazani për t’ia rikthyer pushtetin kësaj zemre duke e përmirësuar atë.
Andaj, në qoftë se lidhim fuqimisht shkakun dhe pasojën – shkaku është adhurimi, pasoja është përmirësimi ynë – me kuptimet të cilat u përmendën, do të kemi një Ramazan më ndryshe. Sa më i zbehtë dhe i paqartë të jetë shkaku, aq do të jetë e paqartë edhe pasoja. Sa më e dobët të jetë nevoja e brendshme për përmirësim, aq më i dobët do të jetë kualiteti i përmirësimit. Pra, lidhini këto dyja.

2. A je i vetëdijshëm kujt po ia kushton veprat të cilat mendon t’i kryesh në këtë Ramazan?

Shpeshherë, të preokupuar me vetë veprën, me barrën e saj, me mënyrën si do ta kryejmë atë, harrojmë t’ua kujtojmë vetëve tona për kë jemi duke e bërë atë vepër. A e di ti kush është duke të përcjellë çfarë je duke bërë gjatë Ramazanit (edhe jashtë tij)? A e di ti kush është duke e vlerësuar kualitetin e agjërimit tënd, namazit tënd, dhikrit tënd?
“Ti nuk angazhohesh në asnjë çështje, nuk lexon pjesë nga Kur’ani dhe nuk bën ndonjë vepër, vetëm se Ne jemi dëshmitar, kur ju e ndërmerrni atë. Zotit tënd nuk mund t’i fshihet asnjë grimcë në tokë a në qiell, as diçka më e vogël e as më e madhe e të mos jetë (evidentuar) në Librin e qartë”. (Junus, 61)

Pra, kjo është një pikë e rëndësishme përmes së cilës besimtarit do t’i mundësohet të jetë më i përgjegjshëm në këtë Ramazan. Në çdo aspekt të jetës së tij njeriu ka nevojë për përgatitje. Në qoftë se paralajmërohesh për ardhjen e mysafirëve, përgatitesh. Dhe sa më i rëndësishëm që të jetë mysafiri, aq më e lartë do të jetë shkalla e
përgatitjes. Për çdo gjë në këtë botë puna qëndron kështu, ndonëse për punët e botës tjetër njerëzit nuk përgatiten as 10% nga sa përgatiten për punët e kësaj bote.
Mendoj se ndjenja e besimtarit se Allahu është duke e përcjellë bën që veprat e tij të jenë më kualitative. Në anën tjetër, mungesa e ndjenjës së mbikëqyrjes së Allahut bën që të humbasë kualiteti i veprave tona. Andaj, të kërkojmë një Ramazan kualitativ, të shkaktuar nga ndjenja e përcjelljes dhe e vëzhgimit të Allahut mbi ne.

3. A do ta kemi të lehtë t’i përkushtohemi kualitetit të adhurimit në Ramazan?

A është rruga drejt adhurimit kualitativ e shtruar dhe e rrahur, apo ka pengesa në të? Ti mund ta dëshirosh përmirësimin, madje mund ta kesh të fortë ndjenjën se Allahu është duke të përcjellë, por mos mendo se të gjitha këto do të kalojnë me lehtësi. Patjetër që do të ketë pengesa. Në fakt, këto pengesa janë të metat e nefsit tënd, të cilat që nuk i vë në pah asgjë tjetër veç përpjekjes për të qenë i mirë.
Sa e sa të meta ka në nefsin e njeriut për të cilat ai kurrë s’do të dijë! Sa e sa pengesa ka nga nefsi dhe nga shejtani të cilat asnjëherë nuk i merr vesh, derisa të synosh ta bësh adhurimin më kualitativ.Ndoshta, për llojin e leximit të Kur’anit që tani ti bën shejtani nuk do të të shqetësojë shumë. Apo për llojin e namazit që ti bën nefsi nuk të shqetëson shumë, meqë ka njëfarëlloj “marrëveshje” mes teje dhe nefsit që ky lloj të jetë i pranueshëm. Mirëpo, në qoftë se ti e cenon këtë “marrëveshje” duke synuar përmirësim të kualitetit, do ta shohësh reagimin. Por, kjo nuk duhet të na zmbraps dhe as të na zhgënjejë, sepse, nëse nuk na shfaqen të metat sot, patjetër do të na shfaqen nesër. Në qoftë se të metat tona nuk i nxjerrë në pah fuqia e kualitetit të adhurimit, do t’i nxjerrë fuqia e Zjarrit të Xhehenemit. Ty të takon të zgjedhësh se me çfarë do t’i nxjerrësh të metat e tua.
“Atë ditë ju do të ekspozoheni (para Zotit) duke mos mbetur i fshehur asnjë sekret juaji”. (el-Hakka, 18)
Ndoshta, gjëja më e frikshme për Selefët lidhur me Ditën e Gjykimit ishte befasia. Shumë prej tyre kalonin kohë të gjata në adhurim dukë qarë e duke medituar për ajetin: “Prej Allahut do t’u prezantohet ajo që ata nuk e llogaritnin”. (Zumer, 47)
Pra, Allahu do të ta shfaqë atë që ti nuk ke dashur të shfaqet prej teje në këtë botë. E, tash ti zgjedh ose ta shfaqësh vetë, ose të ta shfaqë Allahu.
Kuptoni, vëlla dhe motër e nderuar, se kualiteti i adhurimit garanton shfaqjen e të metave, shfaqjen e dobësive, shfaqjen e nevojës për pendim. Nuk ke mundësi që ta kuptosh drejt nevojën për falje gjynahesh nga Allahu , lirimin nga zjarri i Xhehenemit në Ramazan apo ndikimin e Ramazanit në faljen e mëkateve, në qoftë se këto nuk i trazon me kualitetin e duhur të adhurimeve. Atëherë dhe vetëm atëherë do të shohësh se ku qëndron.
Me shtimin e kualitetit, mund të mos kesh mundësi të ecësh, për shkak të ndonjë pengese, dhe të shohësh se sa është me rëndësi që Allahu të ta largojë atë pengesë. Kjo është si shembulli i një njeriu i cili rri ulur dhe sipër supeve ka një pengesë të cilën nuk e vëren derisa është ulur. Ai mund të qëndrojë me orë të tëra dhe të mos e kuptojë se ka problem. Mirëpo, këtë do ta kuptojë vetëm kur të fillojë të ngrihet në këmbë. Pra, për pozitën e ulët që kemi mundemi të mos e kuptojmë kurrë barrën e mëkateve të cilat i bartim, ngase jemi mësuar me to dhe ndihemi rehat më bërjen e tyre. Atëherë kur të tentosh të ngrihesh në këmbë, çka nënkupton ngritjen e kualitetit të adhurimeve, do të shohësh sa shumë ke nevojë t’i thuash AllahutO Allah, Ti je Falës Bujar dhe e do faljen, andaj më fal!
Pra, të mos jetë më kërkimi i faljes një kërkesë e zakonshme, por një nevojë jotja. Le ta nxjerrë në shesh nevojën për kërkimin e faljes përpjekja jote për t’u ngritur. Kemi përmendur më herët adhurimin el Unsu Bilah, që është kënaqja e njeriut në shoqëri me Allahun ashtu sikurse kënaqet në shoqërinë e një miku të dashur të tij. Ti ende nuk ke arritur të ndihesh kësisoj në shoqërimin e Allahut. Të mos ketë keqkuptime: unë nuk them se, nëse nuk arrin të ndiesh këtë kënaqësi, kjo gjendje është haram, por po e theksoj faktin se kjo është një shkallë. Selefët tanë kanë qarë, kur hynte koha e sabahut, duke e vajtuar kalimin e shpejtë të ibadetit dhe ndarjes nga shoqërimi
me Allahun.
Dikush mendon se ngritja tek Allahu bëhet vetëm nëpërmjet kënaqjes. Kjo po që është e vërtetë pjesërisht, por ka edhe sprova drejt këtij qëllimi dhe jo çdokush mund të ngrihet lart. Ka frika të ndryshme përgjatë kësaj ngritjeje zmbrapsja nga të cilat na shkakton shtresimin e të metave, të cilat vetëm vijnë duke u trashur dhe pengojnë lëvizjen e dëshiruar. Kjo ngase duke qëndruar në vend nuk e ndiejmë peshën e rëndë. Ngjashëm, vërejmë se me tempin e tanishëm të adhurimeve nuk jemi duke ulodhur, por në Ramazan, kur të mundohemi pak më shumë, shohim se na mungon forca. Kështu, nxjerrja në shesh e të metave tona dhe njohja e forcës sonë reale bëhet vetëm nëpërmjet kualitetit të adhurimeve. Sa më kualitativ të jetë adhurimi, aq më e qartë do të dalë pasqyra e gjendjes sate.
Kjo temë është për ata që e kanë bërë nijet të përballën guximshëm me faktin se kush janë në të vërtetë. Kjo është si shembulli i një njeriu i cili pëson aksident dhe merr lëndime të rënda në fytyrë dhe e ka vështirë ta shohë vetveten herën e parë pas lëndimit. Mirëpo, nuk ka zgjidhje tjetër përveçse t’i çelë sytë, se nuk mund të qëndrojë symbyllazi, për shkak të pamundësisë për t’u ballafaquar me dhimbjen e asaj që i ka ndodhur.
Hapi sytë guximshëm dhe njihe veten tënde në këtë Ramazan përmes kualitetit te adhurimeve. Kjo është ajo ndërlidhja mes shkakut dhe pasojës. Kualiteti i adhurimit dëshmon se ti je duke e ndier përcjelljen e Allahut mbi ty dhe duke u ngritur kah ihsani. Sa më kualitativ të jetë rrugëtimi, aq më e sigurt do të jetë arritja.
Por, para se të fillojmë përmirësimin e kualitetit, kemi një varg nijetesh fillestare për të bërë. Sa më shumë nijete (motorë) të aktivizosh, aq më shpejtë do të mbërrish fundin. Prandaj, nuk është mirë të fiket ndonjë motor përderisa je duke fluturuar. Besimtari mund që në një pune të bëjë një apo dhjetë nijete. Sa më shumë nijete të bëhen, aq më shumë kualitet do të ketë vepra.
E lusim Allahu që të na japë jetë dhe shëndet për ta arritur dhe kaluar Ramazanin si duhet, por kësaj radhe me një kualitet më të lartë, që t’i arrijmë synimet që i përmendëm.

Shkëputur nga libërthi “Një Ramazan ndryshe”
Hoxhë Enis Rama

www.qsi-ks.com

You may also like...