Drejt një Ramazani më cilësor – II (Si ta ruajmë kualitetin e Ramazanit)

Ramazani-80Si ta ruajmë kualitetin e Ramazanit

Kemi përmendur më herët se më parësor është shtimi i kualitetit të veprave sesa sasia e tyre. Edhe pse sasia e garanton kualitetin dhe nuk ka mundësi të ketë kualitet në mungesë të sasisë, synimi ynë kryesor nuk duhet të jetë sasia, por kualiteti e adhurimeve.
Pa dyshim, ky kualitet sfidohet për çdo Ramazan me anë të një grumbulli veprash të cilat synojmë t’i kryejmë në Ramazan. Kështu, para se të përcaktojmë çfarëdo plani për Ramazan, duhet ta kemi plotësisht të qartë çfarë duam të arrijmë dhe të kuptojmë se ajo nuk mund të realizohet pa një adhurim kualitativ. Pra, kjo (adhurimi & kualiteti) është një lidhje e domosdoshme të cilën duhet ta kemi parasysh.
Për ta mbajtur të aktivizuar dhe për ta shtyrë përpara këtë kualitet duhen motorë. Kjo meqë, zakonisht, në javën e parë të veprimit (adhurimit) ka kualitet, por pastaj fillon të bjerë intensiteti apo të fiken motorët një nga një, çka pamundëson aterrimin tonë të suksesshëm në fund të Ramazanit. Që të mbetemi të motivuar vazhdimisht, këta motorë (motive) duhet të mbeten të ndezur. Veç kësaj, sa më tepër motive të ketë dhe sa më të fuqishme të jenë ato, aq më i sigurt do të jetë udhëtimi dhe përparimi. Krejt kjo pritet të ndikojë pozitivisht në kualitetin dhe në rezultatin që e sjellë ky kualitet.
Kur kemi të bëjmë me motivet, shpeshherë kemi përmendur se besimtari duhet të jetë mjeshtër i fitimit të sevapeve. Kjo mjeshtri e besimtarit merr forma të ndryshme dhe kryesorja është aftësia e tij për të lidhur disa motive me një punë, me qëllim që të përfitohet nga shumë aspekte.
Problemi ynë sot është se ne nuk qëndrojmë mirë me nijetin/qëllimin. Këtu nuk mendoj në atë se a kemi nijet për Allahun, por mendoj në shtimin e motiveve për një punë të vetme. Pasi po jepet mundi dhe po bëhet angazhimi, pse të mos shtohen vlerat me anët motiveve që ti ke karshi punëve. Për shembull, me ardhjen në ligjëratë kemi si motiv mësimin për Allahun , mirëpo këtu mund të integrohen edhe, ta zëmë, pesëmbëdhjetë motive të tjera. Kështu, ti bën të njëjtën punë, pa shtuar ndonjë angazhim tjetër, por fiton shumë më shumë. Kjo i bie të bësh tregti me Allahun dhe kjo ka mjeshtëritë dhe aftësitë e veta. Për këtë arsye, të Parët tanë (Selefët) thoshin se dijetarët e umetit ua kanë kaluar të tjerëve me motiv më tepër sesa me punë. Ata dinin të integronin disa motive në një punë, andaj dhe bënë punë më kualitative sesa të tjerët, edhe pse puna si aktivitet ishte e njëjtë si e të tjerëve.
Nëpërmjet kësaj, ne po prezantojmë një lloj strategjie të përgjithshme për motivet apo shkakun dhe pasojën. Pra, ka një shkak/motiv, që në këtë rast është kualiteti i cili sjell rezultatet e përmendura.

1 – Si duhet të motivohet tërë kjo?
Motivi i pare –
Duhet të jetë përgjigjja në kërkesën e Allahut për të realizuar kualitetin e adhurimeve dhe angazhimin në Ramazan. Pra, Allahu kërkon nga ne një adhurim kualitativ. Kjo kërkesë na shfaqet kudo në Kuran, por në këtë rast mund ta veçojmë ajetin: “O ju që besuat, kini frikë Allahun dhe secili le të shikojë se çka ka bërë gati për nesër (nga punët). Dhe kini frikë Allahun, se vërtet Allahu është i mirinformuar për atë që punoni”. (el-Hashr, 18)
Këtu gjenden tri gjërat të cilat u përmendën më lart. Së pari, devotshmëria apo frika ndaj Allahut. Termi “takva” përkthehet si devotshmëri dhe përcjell kuptimin gjuhësor të termit, por jo dhe kuptimin konceptual. Takva, sipas shpjegimit më të shpejtë të mundshëm, është izolimi që ti i bën vetes sate nga Zjarri.
Atëherë, a duhet të jetë ky izolim kualitativ, apo jo? Kjo varet nga ajo çfarë ti mbron. Në vendet e nxehta, ku nuk ka borë e as të ftohtë, izolimi që bëjnë njerëzit nuk është i ndonjë kualiteti të lartë. Mirëpo, izolimi ku ne jetojmë duhet patjetër të jetë i mirë. Pra, kjo është një thirrje për kualitet të izolimit nga Zjarri i Xhehenemit. Prej nesh kërkohet t’i frikësohemi Allahut duke vendosur pengesa kualitative ndaj Zjarrit. Po si ta bëjmë këtë, o Zot?
Secili le të shikojë se çka ka bërë gati për nesër (nga punët). Shprehja “çfarë” në këtë ajet nënkupton edhe sasinë, edhe kualitetin. Shiko namazin që ti po ia dërgon Allahut , me të cilin shpreson të mbrohesh nga Xhehenemi: a është qëndrueshmëria e tij e mjaftueshme për të të mbrojtur? Pastaj dhikri (leximi, meditimi) i Kuranit, e kështu me radhë.
Allahu po kërkon prej teje të kujdesesh për kualitetin e izolimit i cili të mbron nga Xhehenemi. Ky, pra, është një motiv që të vë në lëvizje, një motor i rëndësishëm. Paramendo të kesh një paraqitje në gjykatë dhe të të jetë caktuar një gjyqtar i cili është shumë i interesuar që të fitosh në fund të procesit gjyqësor. Ky gjyqtar nuk ka mundësi të bëjë padrejtësi duke të liruar nga obligimi i paraqitjes në gjykatë, mirëpo të sugjeron përgatitjen e çështjeve të caktuara; për shembull, të udhëzon si të sigurosh një dokument dhe një avokat. Ai do t’i merrje parasysh këto?
Apo, ta zëmë, të shkosh në komunë për dokumentin dhe të shohësh një rend të gjatë të njerëzve që presin dhe menjëherë të heqësh dorë dhe të kthehesh në shtëpi. A do të veproje kësisoj? Natyrisht që jo, meqë i ke mendtë te momenti i pranimit të dokumentit dhe s’do ta përjetosh si të vështirë pritjen në rend. Dhe motivi që të bën të presësh në rend për orë të tëra, është garancia e suksesit që gjyqtari të ka dhënë, nëse ti sjell dokumentin e kërkuar. Po ashtu edhe puna e avokatit: kur të kërkosh avokatin e sugjeruar, ndoshta mund të gjesh disa avokatë të tjerë me çmim më të ulët, mirëpo gjyqtari e ka kërkuar vetëm atë të cilin ta sugjeroi vetë ai, për shkak të njohurive që ai avokat ka lidhur me rastin. A do ta kontestoje çmimin e atij avokati? Natyrisht që jo, meqë për ty është e rëndësishme ta kalosh me sukses procesin gjyqësor, i cili mund të jetë vendimtar në jetën tënde.
Andaj, kujdesu për kualitetin e izolimit, në mënyrë që, kur ta vendosësh, të mos ketë rrjedhje. Vetëm për këtë ti duhet të kujdesesh, ndërsa të tjerat do t’i kryejë dikush tjetër (Allahu). Mirëpo, duhet t’i kushtosh vëmendje kualitetit në tërë këtë.
Ky motiv mjafton për të të mbajtur në lëvizje gjithmonë, ndërsa vetë motivi mbahet gjallë me anë të vetë-llogaritjes së vazhdueshme që personi bën, siç mund të jenë pyetjet verifikuese: “A ishte ky izolim i mirë?”, “Si ishte kualiteti i tij?”, etj. Një njeri i cili blen gjëra me vlerë, nuk përton t’i verifikojë pjesët e tyre një nga një, edhe nëse ato janë të shumta. Për shembull, ti blen njëmijë telefona të shtrenjtë për t’i shitur dhe ke një javë kohë për t’i verifikuar për defektet e mundshme, pas çka ti do të marrësh përgjegjësinë për kualitetin e secilit telefon. A do të ngurroje të provoje të gjithë telefonat një nga një? Natyrisht që jo.
Njësoj edhe Allahu të njofton se po ta mundëson kryerjen e një vepre, kështu që duhet ta verifikosh mirë se si po ia dërgon Atij. Ti mund ta dërgosh veprën sido, por vlerën saj do ta përcaktojë kualiteti i bërjes së saj. Andaj, si përgjigje në kërkesën e Allahu për veprat kualitative, duhet të kujdesesh ta zbatosh këtë kualitet. Kur ta kesh këtë motiv, sigurisht që namazi, agjërimi dhe shumë adhurime të tjera do të nisin të jenë më ndryshe. Dhe ky motiv aktivizohet duke verifikuar veprat një nga një.
Veç tjerash, të Parët tanë i kanë kushtuar shumë vëmendje vetë-llogaritjes, gjë që kemi përmendur te mësimi i emrave të Allahut el-Hasiib dhe er-Rrekiib, të cilët kanë të bëjnë me llogaritjen dhe kujdesin e besimtarit për veten e tij. Ky, pra, është motivi i parë.

Motivi i dytë –
Motivi që duhet ta kemi parasysh është motivi për t’u penduar dhe për të përtëritur marrëveshjen me Allahun. Kjo meqë në çdo Ramazan ne bëjmë marrëveshje me Allahun pastaj e prishim atë. Bëjmë marrëveshje duke i premtuar Allahut se do të jemi më të mirë, por në fund nuk del as afërsisht ashtu siç llogarisim. Kështu, kësaj radhe kije si motiv një marrëveshje të re mes teje dhe Allahut, duke u penduar për marrëveshjet e shkelura dhe të pazbatuara në të kaluarën, ndërsa sinqeritetin për këtë mundohu ta dëshmosh me kualitetin e adhurimeve.
Dikush bën shkelje të vazhdueshme dhe, kur të vijë koha e dënimit të tij, ai zotohet se në të ardhmen do të jetë më i mirë. Të këtillit, natyrisht, është vështirë t’i zësh besë, pasi me dhjetëra herë ka kryer të njëjtën shkelje, si ai bariu gënjeshtar, i cili gënjente fshatarët për ujkun, derisa ujku u shfaq përnjëmend dhe askush s’i besonte bariut. Edhe në kohën e pejgamberit pati njerëz që iu betuan Allahut se, në qoftë se Ai do t’u jepte pasuri, ata do të jepnin lëmoshë. Allahu u dha atyre pasurinë që kërkuan, por ata thyen zotimin, kështu që, siç tregohet në Kuran, Allahu ua mbushi zemrat me nifak (shtirje). Kjo sepse nijeti i tyre s’ishte i sinqertë, kualiteti i veprës së tyre ishte kualitet shtinjakësh, andaj Allahu ua vulosi zemrat për të bërë punë sa për sy e faqe.
“E prej tyre (hipokritëve) pati sish që i patën dhënë besën Allahut që: “Nëse na jep (Allahu) nga mirësia e Tij, ne do të ndajmë lëmoshë dhe do të bëhemi prej punëmirëve”. Kur ju dha (Allahu) nga të mirat e Veta, ata bënë koprraci me atë (që u dha), e thyen besën dhe u zbrapsën nga respekti ndaj Allahut.Dhe për shkak se e thyen besën që i patën dhënë Allahut, dhe për shkak të asaj se gënjenin, Allahu u ngjeshi hipokrizinë në zemrat e tyre deri në ditën që e takojnë Atë. A nuk e ditën ata se Allahu e di fshehtësinë e tyre (në zemra), bisedën e tyre, dhe se Ai (Allahu) i di të gjiha të fshehtat”. (Teube 75-78)
Po ashtu, kemi rastin e mosdaljes në ekspeditën e Tebukut dhe arsyetimet e rreme të personave të përfshirë, të cilat Allahu nuk ua pranoi dhe i përgënjeshtroi në Kuran, duke e lidhur mosdaljen e tyre me mospasje të nijetit të sinqertë për dalje. Ky është një fakt tmerrues, meqë personat për të cilët po flitet qenë njerëz që jetuan në kohën e pejgamberit dhe për ta Allahu tha në Kuran: “Po të donin të dilnin (për luftë), do të bënin ndonjë përgatitje, por Allahu e urreu daljen e tyre, andaj i zmbrapsi dhe iu tha atyre: ‘Rrini me të paaftit (fëmijët, gratë e pleqtë)’”. (et-Teube, 46)
– “Allahu e urreu daljen e tyre”, domethënë e urreu lëvizjen e tyre të rrejshme, pa kualitet, dhe me nijet të ulët.
Kur të vëresh se po të bie kualiteti i veprave, kujtoja vetvetes këtë motiv dhe futi vetës frikën se mos nuk do të të zihet besë as ty herëve të tjera. Sa më aktiv që të jetë ky motiv, aq më tepër do të reflektojë në përmirësimin e kualitetit. Ky motiv do të reflektojë fisnikëri në bërjen e veprave, përndryshe, në qoftë se nuk zbatohet, mund të shndërrohet në punë sa për sy e faqe që të rëndon e s’të lë të veprosh.
Theksimi i rëndësisë së këtij motivi nuk po bëhet për të të dekurajuar, por për të nxitur të lartësohesh, ngase, kur të lartësohesh, do të kesh hyrë në adhurim tashmë. Kjo është si shembulli i fluturimit me aeroplan, kur nuk guxon ta ndalësh shpejtësinë pasi të ngjitesh lart, ngaqë rrethanat e kërkojnë një shpejtësi të tillë dhe ulja e shpejtësisë do të ishte fatale. Kështu është edhe ecja drejt Allahut.
Pra, kësaj radhe kije si motiv një marrëveshje të re me Allahun duke i prishur marrëveshjet e kaluara, të cilat nuk janë nisur si duhet. Mirëpo, tash po e di rregullin: sa herë të të shkojë ndër mend ta ulësh kualitetin, kujto zotimin që dhe.
Për arritjen e disa gjërave nuk ke nevojë të bësh përgatitje të veçantë, por, nëse dëshiron të mbërrish më shpejtë, duhet të respektosh rregulla të caktuara. Për disa ambicie të ulëta të njerëzve nuk ka nevojë për Ramazanin ku pazari është i lartë dhe ofrohet shumë. Në këtë kontekst, Hasan el-Basri tha: “Disa njerëzve nuk u duhet gjë koha. Sikur të kisha mundësi t’ua blija atë, do të shitja gjithë çfarë kam për t’ua blerë”.
Pra, ka njerëz të cilëve nuk u duhet Ramazani fare, sepse nuk kanë kurrfarë synimi. Ato gjëra që i synojnë shumë njerëz në Ramazan, ka mundësi të arrihen edhe pa Ramazan. Dhe gjithmonë jam duke folur për atë që realisht ofron Ramazani prej lartësirave të tij.

Motivi i tretë
Motivii tretë ka të bëjë me luftimin e sëmundjes së quajtur gaflet/huti/shkujdesje, e cila reflektohet në dy aspekte. Aspekti i parë reflekton mungesën e veprës. Nga gafleti, ti harron se duhet të bësh një vepër siç është dhikri. Ti mund ta kryesh veprën, mirëpo e bën këtë i shkujdesur. Ti mund të falësh namaz dhe të mos mund të thuhet se nuk je falur, mirëpo sa përfiton nga ai namaz? Apo të bësh dhikrin e mëngjesit dhe të mbrëmjes, ku 70% apo 90% nuk e di çfarë po thuhet. Pra, në këtë Ramazan kije si motiv ta luftosh gafletin. Mundohu që së paku një muaj të mos tregohesh i shkujdesur.
Rrjedhimisht, kur mposhtet shkujdesja, vjen kualiteti, meqë këto dyja e përjashtojnë njëra-tjetrën. Në momentin kur ndien se po të rrezikohet kualiteti nga shkujdesja, kujtoje motivin për të mos qenë i shkujdesur më. Ky përkujtim e garanton automatikisht zhvillimin e kualitetit. Për një ndikim më të madh, shkruaje motivin dhe shikoje çdo mëngjes. Është më ndryshe, kur ta shohësh të shkruar motivin që të shtyn të veprosh. Këtu nuk po mendoj në të shkruarit e nijetit sheriatik, meqë ky nijet nënkuptohet nga zgjimi yt për syfyr. Nijeti për kryerjen e një adhurimi nuk ka nevojë të shkruhet apo të thuhet. Por, këtu bëhet fjalë për motivin për adhurim, i cili bën të shkruhet.

Te Selefët gaflet/shkujdesja ishte si e një shtrese pluhuri, që është larguar me një të fryrë. Te ne gafleti është shtresëtrashë dhe lypet goxha punë e madhe për ta larguar atë. Dikush ka nevojë vetëm për një përkujtim, dikush ka nevojë që ta ketë të shkruar dhe për tridhjetë ditë t’ia lexojë vetes së tij. Krejt kjo thamë së është për të garantuar kualitet, jo për të garantuar bërjen e veprës, ngase veprat pritet të bëhen patjetër, in sha Allah.
Mundohu që adhurimet të cilat i ke bërë vitin e kaluar t’i bësh edhe këtë vit, veçse pa gaflet. Unë nuk e di kush sa ka bërë vitin e kaluar, por shpresoj se në aspektin sasior qëndrojmë mirë. Pra, mundohu që të gjitha ato t’i bësh pa gaflet, duke u bërë më i vëmendshëm ndaj kuptimeve, duke inkuadruar edhe zemrën në ato adhurime.
Le të jetë motoja e Ramazanit tënd: adhurim pa gaflet, adhurim me më shumë vëmendje, adhurim me një përkushtim më të madh. Bëji vetes pyetje për secilin adhurim që e bën në Ramazan se si po e bën: me gaflet, apo pa gaflet. Ky dhe motivet e tjera, siç thamë më lart, janë motorët e besimtarit, të cilët e garantojnë kualitetin deri në fund, në qoftë se janë të pranishëm dhe të fuqishëm që në fillim.

Motivi i katërt
Motivi që është mirë të kihet është motivi për të kompensuar humbjet e së kaluarës. Nëse ke humbur në të kaluarën nga koha, aktiviteti, sasia, atëherë kompensoji në këtë Ramazan. Ka një rregull të cilin e kanë përmendur dijetarët dhe i cili është nxjerrë nga argumentet e Sheriatit, të cilin e shprehu dhe Fudejl Ibn Ijadi, ku thuhet: “Përmirësoje atë që të ka mbetur, të falet ajo që ka kaluar”.
Pra, kualiteti i këtij Ramazani mund të ta garantojë faljen nga Allahu të mungesës së kualiteti në të kaluarën. Kije si motiv ta përmirësosh kualitetin e Ramazanave të kaluar me kualitetin e këtij Ramazani. Ndoshta, krejt çfarë na ka mbetur mua dhe ty, vëlla i dashur, është vetëm edhe ky Ramazan. Ndoshta, ky është Ramazani i fundit që të përmirësosh të kaluarën. Prandaj, le të jetë aktiv ky motiv te ne, meqë nuk është me vend të vajtojmë atë që ka shkuar e t’u hapim derën vesveseve e të humbasim kurajën, pasi Allahu po na e mundëson arritjen edhe të këtij Ramazani. Domethënë, arritja e këtij Ramazani duhet të na stimulojë, por kësaj radhe më ndryshe. Këtë herë syno kualitetin dhe shpreso që, me motivin për kualitet në këtë Ramazan, të të plotësohet mungesa e kualitetit të Ramazanave të kaluar. Kjo vërtet është e mundshme sheriatikisht, meqë ka ndodhur që njerëzit, me një fjalë kualitative, ta pastrojnë tërë bërllokun të cilin e kanë mbledhur gjatë jetës së tyre. Sigurisht keni dëgjuar për rastin e personit i cili u vra në betejën e Uhudit. Ai erdhi për të luftuar kundër pejgamberit , por e tha shehadetin dhe u kthye për t’i luftuar mushkrikët.
Enes Ibn Malik tha se nuk di për ndonjë njeri të jetë futur në Xhenet pa falur namaz dhe pa bërë ndonjë punë tjetër, përveç këtij. Dhe a ka vepër më të ndyrë sesa të jesh kundërshtar i pejgamberit ! Por, tërë këtë periudhë të zymtë, të nxirë, të jetës së tij ai e zbardhi me një qëndrim të duhur, në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur. Pra, ky është ai motivi për të cilin po flasim: motivi për të qenë ndryshe, për të kompensuar të kaluarën.
Kur njeriu të ndryshojë më një fjalë, çfarë ta merr mendja se mund të bëhet me një Ramazan? Një Ramazan është i mjaftueshëm për ta bërë më të mirë edhe të kaluarën, edhe të ardhmen e jetës. Kështu qenë edhe Selefët. Ata nuk ankoheshin, kur mund të vepronin. Në dritën e kësaj, Katade tha se në të kaluarën kishte shtirje për veprat që bëheshin, kurse sot ka shtirje, edhe pse mungojnë veprat.
Pra, më herët njerëzit kishin probleme me shtirjen që mund t’u shfaqej për shkak të veprave të mira që bënin, kurse sot mund të shohësh njerëz të lavdërohen, edhe pse nuk bëjnë gjë. Dhe shtirja pa vepra është kombinimi më i keq i mundshëm.
Në qoftë se kualiteti i këtij Ramazani ngrihet dhe pranohet nga Allahu dhe ti vdes, tek Allahu do të gjykohesh sipas veprës së fundit që ke bërë. Kjo është një mirësi e pamasë e Allahut ndaj besimtarëve. Domethënë,nga mirësia e Allahut është se, në qoftë se besimtari përpiqet për kualitet, Allahu e gjykon atë në bazë të veprës së fundit që ai e bën në këtë udhëtim. Mund të kenë kaluar njëzet Ramazana me kualitet të diskutueshëm, madje edhe pa kualitet fare, dhe ky Ramazan mund të jetë i fundit dhe vendimtar për tërë Ramazanat e kaluar. Pra, ti vendos se a dëshiron t’i kesh edhe njëzet Ramazana të tjerë kualitativ sikurse ky, apo të rëndohesh edhe me një tjetër Ramazan jokualitativ krahas njëzet të tjerëve.
Edhe pse këtu ka ende për t‘u thënë, mendoj se pikat që i përmendëm deri më tani janë të domosdoshme dhe vendimtare për të arritur me lejen e Allahut pozitën e dëshiruar gjatë Ramazanit dhe pas tij. Me këto motive, me lejen e Allahut, besoj se do të jemi në rrugën e duhur drejt një Ramazani më kualitativ.

Pregatiti: Enis Rama
www.qsi-ks.com

You may also like...