Gusli – Larja – VII

GusliGusli – Larja

Kapitulli i pastërtisë – Gusli (larja) – 7

Gusli: E ka kuptimin e përfshirjes, larjes së trupit me ujë me nijet, qëllim të ngritjes së hadethit-papastërtisë, pra të bëhet pastrimi i madh që ti lejohet ajo çfarë i ndalohet prej adhurimeve.

Dispozita e guslit :

Gusli është i ligjësuar me Kuran dhe sunet:

a)Allahu  thotë në Kuran : ”…e në qoftë se jeni xhunub lahuni, pastrohuni…” Gjithashtu Allahu thotë : ” dhe jo duke qenë xhunub vetëm se duke qenë kalimtar rasti derisa të merni gusël, të laheni.

b)I Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të thotë : ” Kur të takohen dy organet e mashkullit dhe e femrës(të hyn njëri tek tjetri) obligohet gusli, larja.

 

Çfarë e obligon marjen e guslit :

Obligohet marja e guslit në këto raste:

  1. Xhunubllëku –që d.m.th. derdhja e spermës me epsh në gjumë apo i zgjuar, qoftë prej mashkullit apo femrës. Këtu përfshihen edhe marëdhëniet intime gjatë takimit të organeve gjenitale të të dy gjinive, madje edhe në qoftë se nuk arihet ejakulacioni, pra derdhja e spermës. Allahu thotë në Kuran : Edhe në qoftë se jeni xhunub atëherë pastrohuni.” Kurse i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë:” Kur të takohen dy organet gjenitale obligohet gusli.
  1. Ndërprerja e gjakut të menstruacioneve apo lehonisë – Allahu thotë në Kuran : Largohuni grave tuaja gjatë menstruacioneve dhe mos ju afroni atyre derisa të pastrohen (lahen), e kur të pastrohen atëherë afrohuni atyre ashtu siç ju ka urdhëruar Allahu. Kurse argument nga suneti është fjala e të Dërguari të Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, drejtuar Fatime bintu Hubejshit, kur i tha : ” Kur të të vijnë menstruacionet lere namazin dhe kur të të ndalen menstruacionet laju dhe pastaj falu.” Kurse menstruacionet dhe lehonia janë të njejta sipas pajtimit të të gjithë sahabëve.
  1. Vdekja – kur të vdes besimtari obligohet të lahet, pra ti jepet gusël sepse i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka udhëruar për një gjë të tillë, siç ishte rasti me vdekjen e vajzës së tij Zejnebes-Allahu qoftë i kënaqur prej saj, urdhëroi që të lahet siç ka ardhur në Sahihun e Buhariut dhe Muslimit.
  1. Pranimi i islamit (nga jobesimtarët) – kush e pranon islamin prej jobesimtarëve i obligohet atij personi marja e guslit sepse i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka urdhëruar Kajs ibn Asimin-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, të mar gusël kur e pranoi islamin. Gjithashtu kjo ndodhi edhe me islamin e Thumamete el-Hanefijut.

 

Kur është e pëlqyeshme të meret gusli :

  1. Ditën e xhuma – I Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të thotë : ” Gusli ditën e xhuma është obligim për çdo moshëritur.
  1. Ai i cili e lan të vdekurin –I Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të thotë : “Kush e lan të vdekurin le të mar gusël dhe kush e bartë xhenazen le të mar abdest.
  1. Gjatë hyrjes në ihram – është sunet për atë që hyn në ihram për umre apo haxh të mar gusël sepse kështu ka vepruar i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, transmetohet nga Zejd ibn Thabit-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se : ” e ka parë të Dërguarit e Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, duke i nxjerë teshat për të hyrë në ihram dhe pastaj ka marë gusël”.
  1. Gjatë hyrjes në Mekë dhe gjatë qëndrimit në Arafat – transmetohet se i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, e ka bërë të njejtën, kurse transmetohet për Ibn Omerin-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se ai nuk hynte në Mekë vetëm se flente në Dhitava deri në sabah, pastaj merte gusël dhe hyntë ditën në Meke,pastaj e potenconte se keshtu vepronte vetë i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të.

Kurse sa i përket qëndrimit në Arafat transmetohet nga Ibn Omeri-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se : “ merte gusël kur i veshte ihramet, para se të hyj në ihram, kur hynte në Mekë dhe kur qëndronte në Arafat ”.

  1. Gusli gjatë dy Bajrameve – e kanë parë të pëlqyer dijetarët guslin gjatë dy festave te Bajrameve dhe për këtë nuk ka ardhur ndonjë hadith të vërtetë. Thuhet në librin “Bedrul munir”, hadithet për guslin gjatë dy Bajrameve janë të dobët, mirëpo ka transmetime të mira prej sahabëve.

 

Farzet e guslit :

  1. Nijeti – është vendosja me zemër për të ngritur papastërtinë e madhe – xhunubllëkun me gusël, pasi që i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë : ” Veprat janë sipas qëllimit (nijetit) dhe çdokujt i takon ajo çfarë ka për qëllim.
  1. Përfshirja e tërë trupit me ujë – duke e fërkuar sa ka mundësi dhe lëshimi i ujit aty ku arsyetohet fërkimi (nuk ka mundësi ta fërkoj) derisa të sigurohet në përgjithësi se të gjithë trupin e ka përfshirë uji.
  1. Fërkimi i flokëve (futja e ujit në rrënjët e tyre) – të kokës osë flokëve tjera në trup.

 

Sunetet e guslit :

  1. Të thënurit “Bismilah” – sepse kjo është legjislative në çdo punë dhe çështje.
  1. Larja e duarve në fillim të guslit tri herë.
  1. Fillimi duke larë organin gjenital dhe largimin e ndotësirës prej tij.

4. Marja e abdestit para guslit, sikurse meret për namaz apo në qoftë se lahen këmbët këtë ta bën pasi që ta mbaroj guslin, pra në fund. Duke u bazuar në transmetimin e Aishes-Allahu qoftë i kënaqur prej saj, e cila thotë : ” I Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, kur merte gusël për tu pastruar nga xhunubllëku fillonte duke i larë duart së pari, hidhte ujë mbi organin e tij me dorën e djathtë kurse me të majtën e lantë organin, pastaj merte abdes sikurse që merte për namaz.

 

Mekruhet – gjërat e urejtura e guslit :

  1. Harxhimi i tepërt i ujit – i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka marë gusël me një sa’a – që i vjen përafërsisht 3 litra ujë.
  1. Larja – gusli në ndonjë vend të fëlliqur nga shkaku që të mos fëlliqet.
  1. Larja duke mos qenë i mbuluar – d.m.th. të mos ketë si mbulesë ndonjë perde, murë apo diç të ngjashme pasi që i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë : ” Allahu është i turpshëm dhe i mbuluar dhe e don atë që ka turp dhe mbulohet, e kur të lahet dikush prej jush le të mbulohet.
  1. Marja e guslit në ujin i cili qëndron dhe nuk rrjedh – i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë : ” Le të mos lahet ndonjëri prej jush në ujin i cili rri në një vend (nuk rrjedh) duke qenë xhunub.

 

      Si meret gusli i plotë :

Në fillim thuhet “Bismilah” duke bërë nijet ngritjen e papastërtisë (xhunubllëkut) së madhe me larje, gusël. Më pas lahen duart tri herë,pastaj patrohen dy organet intime  përpara dhe prapa duke i pastruar ndotësirat përreth tyre, më pas meret abdest i plotë,poashtu mund ta vonon larjen e këmbëve në fund të larjes . Pastaj hedh ujë mbi kokën e tij dhe i fërkon rrënjët e flokëve. Pastaj e lan kokën e tij më gjithë veshët e tij tri herë, pastaj hedh ujë në anën e djathtë të tij duke filluar me larjen prej lartë-poshtë pastaj anën e majtë në të njejtën mënyrë si në anën e djathtë, duke pasur kujdes gjatë guslit ti lajë vendet e fshehura si fërkimi i kërthizës, nën sqetulla apo të ngjajshme me to. Duke u bazuar në hadithin e Aishes-Allahu qoftë i kënaqur prej saj, e cila thotë : ” Kur donte i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, të mar gusël prej xhunubllëkut fillonte me larjen e dy duarve, më pas merte ujë me të djathtën dhe derdhte ujë në dorën e majtë dhe më të e lante organin e tij, pas kësaj merte abdest si për të falur namaz. Më pas e fuste ujin në flokët e tij derdhtë ujë mbi kokën e tij tri herë dhe pas kësaj derdhtë ujë në pjesët tjera të trupit kurse në fund i lante këmbët.

 

Shkëputur nga libri “Pesë kushtet e fesë”
Redaktues: Shejh Abdullah ibn Xhibrin-Allahu e mëshiroftë
Përktheu: Nexhat Ceka

You may also like...