Thirrja e pejgamberëve – Adhurimi i Allahut të vetëm – I

Islam1 – Thirrja e pejgamberëve – Adhurimi i Allahut të vetëm

Falënderimet e plota i takojnë Allahut të Lartësuar, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit, e kë e len ai në devijim s’ka kush e udhëzon pos Tij. Dëshmoj se s’ka të adhuruar me meritë pos Allahut të Lartësuar i cili është Një dhe i Pashoq dhe dëshmoj se Muhamedi [alejhis-selam] është rob dhe i dërguar i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij të ndershme, mbi shokët e tij fisnik dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

Allahu i Lartësuar ka krijuar krijesa që janë të vdekura dhe krijesa që janë të gjalla, prej atyre që janë të gjalla ka krijuar të tilla që kanë liri të zgjedhjes dhe përgjegjësi dhe të tilla që kanë vetëm instikte, apo nuk i kanë as ato.

Krijesat që kanë liri të zgjedhjes dhe përgjegjësi Allahu i ka krijuar për një synim të madh dhe qëllim fisnik, e ajo është që ata me vullnetin e tyre dhe me zgjedhjen e tyre t’i nënshtrohen Allahut të Lartësuar dhe ta adhurojnë Atë, e mos të adhurojnë askënd tjetër pos Tij.

Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit për tjetër, pos që të më adhurojnë.” [Dharijat: 56]. Pra, Allahu po na qartëson se qëllimi për të cilin na ka krijuar është “Teuhidi” (Adhurimi i Allahut të vetëm), e kjo e ngërthen në vetvete largimin nga “Shirku” (adhurimi i dikujt tjetër pos Allahut).

Këto dy gjëra, urdhëri që të veçojmë Allahun me adhurim dhe të largohemi nga shirku, janë urdhëri më i madh dhe më i rëndësishëm me të cilin kanë ardhur të gjithë Pejgamberët [alejhimus-selam]. Edhepse Pejgamberët kishin disa dallime të vogla sa u përket rregullave fetare, mirëpo bazën e fesë së tyre e kishin të njejtë, bazë në të cilën kanë bërë thirrje të gjithë profetët, bazë e cila quhet Teuhid.

Allahu i Lartësuar na informon se kjo ka qenë thirrja e të gjithë Pejgamberëve, të gjithë ata e kishin mision që t’i thërrasin njerëzit ta adhurojnë vetëm Allahun dhe të largohen nga adhurimi i dikujt tjetër pos Tij.

Allahu i Lartësuar thotë: “Na me të vërtetë, ua kemi dërguar Nuhun popullit të tij, i cili u tha: “O populli im! Adhuronie Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij! – Unë frikësohem për ju nga dënimi në Ditën e madhe!” [A’raf: 59].

“Ja dërguam (popullit) Adit, vëllaun e tyre – Hudin. Ai tha: “O populli im! Adhuronie Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. E, a nuk po i ruheni dënimit.” [A’raf: 65].

“Dhe (Na, ia dërguam popullit) themudit – vëllaun e tyre – Salihun. Ai tha: “O populli im! Adhuronie Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. Madje, me të vërtetë, ju ka ardhur argument nga Zoti juaj: kjo deve e Allahut për ju, është një mrekulli. Lëreni të kullosë në tokën e Allahut dhe mos i bëni ndonjë të keqe, se ju pret ndëshkimi i ashpër!” [A’raf: 73].

“Dhe Na (ia dërguam) popullit të Medjenit, vëllain e tyre – Shuajbin e ai tha: “O populli im! Adhuronie Allahun! Ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. Madje, me të vërtetë, ju ka ardhur argument nga Zoti juaj: Plotësoni matjen dhe peshimin e mos iu cungoni njerëzve sendet. Mos bëni ngatërresa në Tokë, pasi në të është vënë rregull. Kjo është më mirë për ju, nëse jeni besimtarë!” [A’raf: 85].

“A ishit ju të pranishëm kur Jakubit iu afrua vdekja dhe i pyeti të bijtë: “Çfarë do të adhuroni pas meje”” – Ata u përgjigjën: “Ne do të adhurojmë Zotin tënd, që është edhe Zoti i etërve të tu: Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakut, një Zot të vetëm. Ne Atij i nënshtrohemi!” [Bekare: 133].

Pra, Allahu i Lartësuar po na tregon qartë se kjo është palca e thirrjes së të gjithë profetëve të tij: Të adhurohet vetëm Allahu (Teuhidi) dhe të largohen njerëzit nga adhurimi i dikujt tjetër pos Allahut (pra, të largohen nga Shirku).

Allahu i Lartësuar thotë: “Na çdo populli i kemi dërguar nga një pejgamber. (Ata u thonin atyre): “Adhuronie Allahun, e shmanguni nga djalli!” [Nahl: 36].

Poashtu ajo që e tregon rëndësinë e kësaj çështjeje është se: Urdhëri i parë me të cilin na drejtohet Allahu në Kuran, kur e lexojmë atë prej fillimit, është që ta adhurojmë vetëm Atë dhe të largohemi nga adhurimi i dikujt tjetër pos Tij.

Allahu i Lartësuar thotë: “O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat); i Cili e ka bërë për ju tokën shtresë dhe qiellin ndërtesë i Cili prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me Allahun.” [Bekare: 21-22].

Kurse, shirku është adhurimi i dikujt tjetër pos Allahut të Lartësuar. Ai është mëkati më i madh dhe i vetmi mëkat për të cilin nëse robi vdes pa u penduar prej tij, s’ka shpresë për të se Allahu do t’ia fal. Në momentin që njeriu nuk i bën shirk Allahut, edhepse ka mëkate tjera nga të cilat nuk është penduar, për të përsëri ka shpresë se Allahu do t’ia fal, kurse nëse vdes duke i bërë shirk Allahut, për të nuk ka shpresë se Allahu do t’ia fal dhe ai do të jetë prej të përhershmëve në zjarrin e xhehnemit.

Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu, me të vërtetë, nuk e falë atë që i bën shok Atij, por ia falë të tjerat mëkate kujt të dojë, përveç këtij. Kushdo që i bën shok Allahut, ai ka bërë mëkat të madh.” [Nisa: 48].

Poashtu thotë: “Allahu, me të vërtetë, nuk e falë atë që i bën shok Atij, por ia falë tjerat mëkate kujt të dojë (përveç këtij). Kushdo që t’i bëjë shok Allahut, ai me të vërtetë, ka humbur larg prej udhës së drejtë.” [Nisa: 116].

Si dhe thotë: “Me të vërtetë, të është shpallur ty edhe atyre (pejgamberëve) që kanë qenë para teje: “Nëse i përshkruan Allahut shok, me siguri do të të humbin punët tuaja dhe do të jesh ndër ata që janë shkatërruar.” [Zumer: 65].

Poashtu thotë Allahu i Lartësuar për veprat e mushrikëve (atyre që i bëjnë shirk Atij) dhe atyre që s’janë të sinqertë në veprat e tyre: “Dhe, Ne – do t’i qasemi veprës që kanë punuar ata dhe do ta shndërrojmë atë në pluhur të shpërndarë.” [Furkan: 23].

Pra, Shirku është mëkati më i madh, nëse vdes robi pa u penduar prej tij Allahu nuk do t’ia fal dhe veprat e mira që i bën ai që bën shirk do t’i shndërrohen në pluhur e hi. Andaj është më rëndësi të madhe që njeriu të largohet nga ky mëkat shkatërrues, sepse pasojat e tij janë të rënda dhe të vështira. Robi duhet që ta mësojë besimin e drejtë që ta praktikojë atë dhe t’i mësojë besimet e kota që të largohet prej tyre, sepse në të kundërtën mund të jetë prej atyre që u janë asgjësuar veprat, kurse ai mendon se është duke bërë mirë. Allahu na ruajt nga një gjendje e tillë.

Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “A t’ju tregojmë për më të dëshpëruarit në veprat e tyre?” Ata janë veprimi i të cilëve u asgjësua në jetën e kësaj bote, e megjithatë ata mendojnë se janë kah bëjnë mirë.” [Kehf: 103-104].

Allahu i Lartësuar na sqaron se për t’u pranuar një vepër tek Ai dhe për të qenë e saktë duhet që të jetë për hirë të Tij dhe sipas fesë së Tij. Ai thotë: “Thuaj: “Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos e përziejë askë.” [Kehf: 110].

Fjala e Allahut – le të bëjë vepër të mirë – është argument për kushtin e parë të pranimit të veprës, e ai është: të jetë në përputhje me fenë e Allahut dhe sipas asaj që na ka mësuar Pejgamberi i Tij [alejhis-selam], sepse vetëm kjo quhet vepër e mirë, kurse mëkatet dhe bidatet (veprat e shpikura në fe) nuk quhen vepra të mira.

Transmeton Muslimi nga Aishja [radijAllahu anha] se Muhamedi [alejhis-selam] ka thënë: “Kush shpikë në fenë tonë një vepër që nuk është prej saj, ajo do t’i refuzohet.”

Në një transmetim tjetër: “Kush vepron një vepër që nuk është sipas fesë sonë, ajo do t’i refuzohet.”

Kurse fjala e Allahut – e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos e përziejë askë – është argument për kushtin tjetër të pranimit të veprës, e ai është: Sinqeriteti në atë vepër dhe mospërzierja e saj me shirk.

Transmetohet në hadith sahih nga Ebu Hurejra [radijAllahu anhu] se Muhamedi [alejhis-selam] ka thënë: “Allahu i Lartësuar thotë: Unë jam më i panevojshmi për ortak. Kush vepron një vepër duke më bërë shirk në të, do ta lë atë dhe shirkun e tij.”

Pra, Allahu po na thotë se Ai është i panevojshëm për ortak dhe se kush vepron një vepër duke i bërë shirk Atij në të, Ai do ta lenë atë njeri dhe nuk do t’ia pranoj veprën e tij, për shkak se nuk e ka bërë vetëm për Allahun e Lartësuar.

Pastaj, duhet ditur se Shirku ndahet në dy lloje:

1. Shirku i madh: Që është adhurimi i dikujt tjetër pos Allahut të Lartësuar, apo besimi se ka ndonjë zot tjetër pos Tij, apo mveshja krijesave diçka që i takon vetëm Allahut.
2. Shirku i vogël: Që është çdo vepër që dërgon në shirkun e madh dhe është mjet për të arritur deri tek shirku i madh, të cilën sheriati e ka quajtur shirk, si p.sh: betimi në dikë tjetër pos Allahut, apo besimi se Allahu e ka bërë sebep diçka që Ai në realitet nuk e ka bërë sebep. Shirku i vogël, edhepse nuk të nxjerrë nga feja, ai është mëkat më i madh se të gjitha mëkatet tjera të cilat nuk janë quajtur shirk.

Shembujt e shirkut të madh:

– Adhurimi i dikujt tjetër pos Allahut, si p.sh: adhurimi i varreve, apo lutja drejtuar atyre, apo therrja e Kurbanit për to, apo tavafi rreth varreve. Nëse ia drejton lutjen varrit, ka bërë shirk të madh, që të nxjerrë nga feja. Kurse, nëse i lutet Allahut, mirëpo beson se tek varret lutja është më e pranuar, ka bërë shirk të vogël, sepse kjo vepër të dërgon në shirk të madh dhe sepse ai beson se Allahu e ka bërë sebep diçka që Ai në realitet nuk e ka bërë sebep.
– Besimi se evlijat e dijn gajbin (të fshehtën), apo se ata e kontrollojnë gjithësinë, apo besimi se Zoti ka fëmijë, siç besojnë krishterët dhe jehudijt, të parët për Isaun dhe të dytët për Uzejrin.
– Shkuarja te fallxhori duke i besuar atij, nëse shkon te fallxhori dhe i beson asaj që thotë ai, atëherë bën shirk të madh dhe del prej feje, kurse nëse shkon duke mos i besuar atëherë nuk del prej feje, mirëpo edhe ky mëkat është shumë i madh, saqë shkakton që mos t’i pranohet namazi 40 ditë. Në këtë hyn edhe horoskopi, nëse i beson atij del prej feje, kurse nëse vetëm e lexon për kureshtje, duke mos i besuar, bën mëkat të madh, sepse ia hap vetes derën për të shkuar në shirk të madh.
– Vendosja e hajmalive, apo syrit të kaltërt, duke besuar se ato vetvetiu të mbrojnë nga msyshi dhe e keqja, kurse nëse beson se ato janë sebep, mirëpo Allahu të mbron nëpërmjet tyre, atëher ky është shirk i vogël, i cili edhepse nuk të nxjerrë prej feje, është mëkat më i madh se të gjitha mëkatet tjera.
– Besimi se ligji i dikujt tjetër pos Allahut është më i mirë se ligji i Allahut, apo i barabartë më ligjin e Allahut apo se lejohet të gjykohet me të, ky është shirk i madh.

Shkurtimisht, çdolloj adhurimi drejtuar dikujt tjetër pos Allahut, apo çdolloj besimi ku i mveshet krijesës diçka që i takon vetëm Allahut, është shirk i madh që të nxjerrë nga feja.

Shembujt e shirkut të vogël:
– Besimi se tek varret e njerëzve të mirë, lutja drejtuar Allahut pranohet më shumë.
– Betimi në dikë tjetër pos Allahut.
– Shkuarja tek fallxhori, apo leximi i horoskopit, duke mos ju besuar po vetëm për kuriozitet, kurse nëse ju beson, bën shirk të madh dhe del prej feje.
– Vendosja e hajmalive apo syrit të kaltërt duke besuar se Allahu shëron dhe mbron, mirëpo ato janë sebep, kurse nëse beson se ato vetvetiu mbrojnë dhe shërojnë, bën shirk të madh dhe del prej feje.
– Thënja: çka dëshiron Allahu dhe filani, apo nëse dëshiron Allahu dhe filani, apo falënderimi i takon Allahut dhe filanit, po e drejta është që të thuhet: falënderimi i takon Allahut pastaj filanit, që tregon se ai vjen pas Allahut e jo së bashku me Allahun.

Pra, çdo vepër që është shkak dhe rrugë për tek shirku i madh, mirëpo nuk e arrinë gradën e shirkut të madh, është shirk i vogël, i cili është mëkat më i madh se të gjitha mëkatet tjera pos shirkut të madh.

Në fund e lusim Allahun e Lartësuar që të na bëjë prej atyre që e adhurojnë vetëm Atë dhe nuk i përshkruajnë shok Atij asgjë, si dhe të na largoj nga çdolloj shirku. Amin.

Përgaditi: Omer Zaimi

You may also like...