Itikafi, vendi dhe koha e tij

Ramazani-itikafi-1Pyetje: Çka është dispozita e Itikafit për burrin dhe gruan, a kushtëzohet agjërimi, me çka të merret personi që hyn në Itikaf dhe kur fillon dhe kur mbaron koha e Itikafit?

Përgjigje: Itikafi është sunet për burrat dhe gratë, ashtu siç transmetohet nga Pejgamberi salallahu alejhi ve selem, se ai hynte në Itikaf dhjetë ditëshin e fundit të Ramazanit, gjithashtu edhe disa prej grave të tij hynin në Itikaf me të, pastaj hynin në Itikaf (gratë) edhe pas vdekjes së tij.

Vendi i hyrjes në Itikaf janë xhamitë, në të cilat falet namazi me xhemat me rregull, e nëse në atë xhami nuk falet namazi i xhumasë, atëherë më mirë është që të hyjë në Itikaf në ndonjë xhami ku falet namazi i xhumasë, në qoftë se i lehtësohet kjo.

-Sa i përket kohës, nuk ka ndonjë kohë të caktuar sipas mendimit më të saktë të dijetarëve dhe nuk kushtëzohet agjërimi, por me agjërim është më mirë.

Prej sunetit është që të hyjë në Itikaf në atë moment kur e bën nijetin dhe të dalë atëherë kur i mbaron koha, gjithashtu lejohet që të ndërpritet qëndrimi në Itikaf nëse kërkon nevoja, sepse është sunet përpos në raste të zotimit (nedhr).

Hyrja në Itikaf preferohet në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit, siç vepronte Pejgamberi salallahu alejhi ve selem, gjithashtu preferohet që të hyjë pas namazit të Sabahut të ditës së njëzet e një dhe të dal atëherë kur të përfundojë dhjetëditëshi, por nëse gjatë qëndresës e ndërpret nuk ka problem, përderisa nuk bëhet fjalë për zotim (nedhr).

Më e mira është që personi të ketë një vend të caktuar në xhami dhe aty të flejë dhe të pushojë.

-Gjatë Itikafit duhet sa më shumë që ta përmendë Allahun xhel-le ve ala, të lexojë Kur’an, të bëj dua dhe istigfar, të falet sa më shumë, përveç kohëve të ndaluara për namaz.

-Lejohet që gjatë qëndrimit në Itikaf, ta vizitojnë shokët apo familja dhe të bisedojë me ta, ashtu siç e vizitonin Pejgamberin salallahu alejhi ve selem gratë e tij dhe bisedonte me ato. Njëherë erdhi gruaja e tij Safija –Allahu qoftë i kënaqur me të!- dhe e vizitoi përderisa ishte në Itikaf në muajin e Ramazanit dhe kur u ngrit ajo që të shkojë në shtëpi, pejgamberi salallahu alejhi ve selem e përcolli deri te dera e xhamisë, gjë që argumenton se një vepër e tillë lejohet.

-E gjithë këto veprime të pejgamberit salallahu alejhi ve selem tregojnë për modestinë e tij të plotë dhe sjelljen e mirë me gratë e tij, paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të.

Shejh AbdulAziz bin Baz –Allahu e mëshiroftë!-

Përktheu:

Mujdin Xh. Xhaferi

19/07/13

Gostivar

You may also like...