Thirrja jonë – 2

Albani-1Kjo është thirrja jonë – Shejh Muhamed Nasirudin el-Albani

Shpresojmë prej Allahut të Madhëruar që të na bëjë neve prej kërkuesve të dijes, të cilët me të vërtetë pasojnë dijetarët dhe ecin ndershmërisht në rrugën e tyre. Kjo është ajo që ne shpresojmë prej Allahut të Madhëruar, që të na bëjë prej atyre që pasojnë rrugën, për të cilën Profeti (sal Allahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush ndjek një rrugë për të marrë dije, Allahu e ndjek me të një rrugë për ta futur në Xhennet“.

Ky hadith më jep mundësinë të flas për këtë dije, e cila përmendet shumë shpesh në Kur’an, siç është fjala e të Lartësuar:

“A janë të njëjtë ata që dinë me ata që nuk dinë?!” (39:9)
Dhe fjala e Tij:

“Allahu i lartëson ata që besuan prej jush dhe (posaçërisht) ata që kanë dije, në grada të larta.” (58:11)
Cila është pra kjo dije, pasuesit dhe zotëruesit e së cilës Allahu i lavdëron?
Përgjigjen për këtë e kemi në fjalët e imam Ibën Kajim el Xheuzijeh (Allahu e mëshiroftë), nxënësi i shejkhul islam Ibën Tejmijes (Allahu e mëshiroftë): “Dija është: ‘ka thënë Allahu, ka thënë i Dërguari i Tij dhe ajo që kanë thënë Sahabet, dhe ajo nuk është e fshehur. Dituria nuk është kur ti ngritë dyshime në fjalët e të Dërguarit duke marrë për bazë fjalët e ndonjë fekihu.

Shejkhul-Islam: Në asnjë mënyrë! Dije nuk është refuzimi e mohimi i Cilësive të Allahut, duke dashur për t’i ikur përngjasimit dhe përfytyrimit të Cilësive të Tij’.”

Dija, siç kuptohet prej këtyre fjalëve poetike, -e që pak i gjejmë tek poetët të shprehen në këtë mënyrë, sepse poezia e dijetarëve është ndryshe nga poezia e poetëve-. Pra, dijetari si ky ka prirje për poezi, e shohim tek thotë:
“Dija është ajo që ka thënë Allahu” në rendin e parë,

“ka thënë i Dërguari i Allahut” në rendin e dytë,

“kanë thënë Sahabet në rendin e tretë”.
Pikërisht për këtë pikë të fundit unë do të flas në këtë mbrëmje të bukur insha-Allah.
Fjalët e Ibën Kajimit na kujtojnë një të vërtetë shumë shumë të rëndësishme, që për shumë kohë nuk është përfillur dhe është neglizhuar nga shumica e thirrësve që veprojnë sot në emër të thirrjes në fe.
Cila është kjo e vërtetë?
Dihet mjaft mirë tek të gjithë këta thirrës, se islami mbështetet në Librin e Allahut dhe Sunnetin e të Dërguarit të Allahut (sal Allahu alejhi ue selem). Kjo është diç e vërtetë që nuk ka pikë dyshimi.
Porse kjo është e mangët (nuk mjafton)! Për këtë mangësi flet edhe Ibën Kajimi në poezinë e mëhershme të cilën e lexuam, kur përmendi se pas Kur’anit dhe Sunnetit, Sahabet. Ai tha: Dija është: ‘ka thënë Allahu, ka thënë i Dërguari i Tij dhe ajo që kanë thënë Sahabet …
Sot shumë rrallë dëgjojmë që ndonjë të përmendë bashkë me Kur’anin dhe Sunnetin edhe Sahabet! Dhe ata (Sahabet), siç e dimë të gjithë, janë koka e të parëve tanë të mirë. Për të cilët na kanë ardhur hadithe të shumta të Profetit (sal Allahu alejhi ue selem) që tregojnë për pozitën e tyre.
Në një hadith thuhet: “Njerëzit më të mirë janë brezi im, …

E mos thoni ashtu siç thonë shumica e thirrësve në fe: “Gjenerata më e mirë…” ngase të shprehurit e tillë nuk ka bazë në Sunnet.
Në dy sahihet (Buhari dhe Muslim) dhe libra të tjera që janë bazë e Sunnetit, të shprehurit është ashtu siç e theksuam, ku thotë:
“Njerëzit më të mirë janë brezi im, e më pas ata që vijnë pas tyre, e më pas ata që vijnë pas tyre“.

Sahabet janë kreu i këtyre tre brezave, për të cilët është dëshmuar për mirësi. Imam Ibën Kajim el-Xheuzijeh ia ka bashkangjitur Sahabet Kuranit dhe Sunnetit. A është kjo bashkëngjitje që ai i bëri Kuranit dhe Sunnetit opinion, ixhtihad, sajim, që thjesht mund të jetë diçka e gabuar, kjo sepse çdo njeri mund të gabojë?!
Përgjigja për këtë është: ‘Jo’. Ky nuk është sajim e as ixhtihad që mund të jetë i gabuar. Por kjo, është e mbështetur në Librin e Allahut dhe në hadithin e të Dërguarit të Allahut (sal Allahu alejhi ue selem).
Përsa i përket argumentit nga Kur’ani, e kemi fjalën e Zotit tonë në Librin e Tij, ku thotë:

 

“E kush i kundërvihet të Dërguarit pasi që i është bërë e qartë e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në atë që ai ka zgjedhur dhe e fusim në xhehenem. Sa përfundim i keq është ai.” (4:115)
Nuk mjaftohet Zoti ynë në këtë ajet, -dhe nëse do ta bënte do të kishte të drejtë- duke thënë: “E kush i kundërvihet të Dërguarit pasi që i është bërë e qartë e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në atë që ai ka zgjedhur…
Porse tha për një arsye të madhe që ne tani po jemi duke e shpjeguar dhe qartësuar. Ai tha:

“E kush i kundërvihet të Dërguarit pasi që i është bërë e qartë e vërteta dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë në atë që ai ka zgjedhur dhe e fusim në xhehenem. Sa përfundim i keq është ai.”
Ju lutem që ky ajet të ngulitet në mendjet dhe zemrat tuaja, e të mos harrohet për asnjë çast, sepse në të ndodhet e vërteta dhe e drejta ashtu siç ju po e shqiptoni. Kështu ju do të mund të shpëtoni nga të devijuarit majtas e djathtas, dhe nuk do të përziheni qoftë edhe sadopak me idetë e mendimet e ndonjërit prej grupeve që nuk janë të shpëtuara apo të themi të humbura.
Profeti (sal Allahu alejhi ue selem) thotë në një hadith të njohur, ndërsa unë po mjaftohem të përmend prej tij pjesën që na intereson këtu, dhe që është argument për ato që po themi; thotë: “… do të përçahet umeti im në shtatëdhjetë e tre grupe. Të gjitha janë në zjarr, përveç njërit prej tyre.” I thanë:” Cili është ai grup o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Ai është xhemati.”
Pra, xhemati është rruga e besimtarëve.
Hadithi, edhe pse nuk është shpallje e drejtpërdrejtë nga Allahu në zemrën e Profetit (sal Allahu alejhi ue selem), kjo është edhe rezultat i ajetit të lartpërmendur;

“… dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve…”.

Nëse përfundimi është i tillë për atë që kundërshton të Dërguarin dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, ai kërcënohet me zjarr. Atëherë vlen edhe e kundërta: “Kush ndjek rrugën e besimtarëve, atij i është premtuar Xhenneti pa asnjë pikë dyshimi.” E pra, i Dërguari i Allahut në përgjigje të pyetjes se cili është grupi i shpëtuar, tha: “Xhemati”, ndërsa xhemati është bashkimi i myslimanëve.
Në një transmetim tjetër të po këtij hadithi që e përforcon edhe më shumë këtë mesazh, madje ky transmetim shton edhe më tepër qartësinë e shpjegimit. Ku Profeti (sal Allahu alejhi ue selem) thotë: “(grupi i shpëtuar) është ai (grup) që ndodhet në rrugën time dhe të shokëve të mi.” Atëherë “dhe shokëve të mi” është rruga e besimtarëve.
Kur Ibën Kajimi tha në fjalët që i theksuam më herët: ‘…dhe (dija është çfarë) thonë Sahabet’, këtë nuk e nxorri nga diku tjetër veçse nga ajeti i lartpërmendur dhe nga ky hadith. Gjithashtu, edhe nga hadithi i njohur i Irbad bin Sarijeh (radija Allahu anhu), nga i cili prapë po mjaftohem vetëm me atë që na duhet si argument duke lënë kohë për pyetjet tuaja, ku Profeti (sal Allahu alejhi ue selem) thotë:

“Jeni të detyruar ta pasoni Sunnetin tim, dhe Sunnetin e hulefave të drejtë e udhëzues që vijnë pas meje.”
Pra, edhe këtu kemi të njëjtën gjë si në hadithin dhe ajetin e mëparshëm.
Profeti (sal Allahu alejhi ue selem) nuk thotë vetëm: “Jeni të detyruar ta pasoni Sunnetin tim”! Por ai i shtoi Sunnetit të tij Sunnetin e hulefave të drejtë. Nga kjo mund të mësojmë – e veçanërisht në këtë kohë, ku mendimet, opinionet e medhëhebet janë të shumta, e grupet janë të ndarë e të përçarë, derisa shumë prej të rinjve myslimanë janë të hutuar se cilit grup t’i përkas.
Pra, edhe njëherë, përgjigjen e gjejmë tek ajeti dhe dy hadithet e lartpërmendura. Prandaj, pasojeni rrugën e besimtarëve. A është fjala për rrugën e besimtarëve të kësaj kohe?
Përgjigja është: Jo. Fjala është për kohët e hershme, posaçërisht periudhën e parë – periudhën e Sahabeve, të parët tanë të mirë.
Vetëm ata, duhet të jenë shembull ynë për t’i pasuar. Prandaj, thirrja jonë ngrihet mbi tre shtylla: mbi Kur’anin, Sunnetin dhe pasimin e të parëve tanë të mirë. Kushdo që pretendon se pason Kur’anin dhe Sunnetin, por nuk i pason të parët e mirë dhe këtë e tregon nëpërmjet veprave e ndoshta e shpreh dhe me gojën e tij, duke thënë:
‘ata janë njerëz sikurse edhe ne që jemi njerëz’; s’ka dyshim se ky njeri është në rrugë të shtrembër dhe në humbje. Pse? Sepse ai nuk i merr parasysh këto argumente që i përmendëm më herët. A pason ai rrugën e besimtarëve? Natyrisht që jo. A ka pasuar Sahabet e të Dërguarit? Natyrisht që jo. Kë ka pasuar atëherë? Për të mos thënë dëshirat dhe tekat e veta, ai ka pasuar mendjen e vet.
Mos vallë mendja e tij është e pagabueshme? Pa dyshim që jo. Atëherë ai padyshim që gjendet në një humbje të qartë.
Unë kam bindjen se shkaku i mospajtimeve të shumta të trashëguara mes fraksioneve të dikurshme dhe mospajtimeve të lindura në ditët e sotme, qëndron tek çështja e pasimit të të parëve tanë të mirë. Shumë pretendojnë se pasojnë Kur’anin dhe Sunnetin, edhe shpesh po dëgjojmë të rinj të pavendosur që thonë:
‘O vëlla, këta thonë Kur’ani e Sunneti, edhe ata të tjerët thonë Kur’ani dhe Sunneti. Cili qenka gjykimi ndarës?’ Ne u themi: ‘Ai është Kur’ani dhe Sunneti dhe metodologjia e të parëve tanë të mirë.’
Kushdo që mbështetet në Kur’an dhe Sunnet, por pa u mbështetur në rrugën e të parëve tanë të mirë, ai në realitet nuk është mbështetur në Kur’an dhe Sunnet, por është mbështetur tek mendja, për të mos thënë në teket dhe dëshirat e tij. Unë e kam zakon që të jap disa shembuj për ta bërë sa më të qartë këtë çështje, madje kjo është bazë shumë e rëndësishme; Fjala është për: në rrugën e të parëve tanë të mirë.

Përktheu: Usame Morina

You may also like...