Lutja e pranuar – 1

Dua-25Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

 

“Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t”i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.” [Bekare: 186]

“Zoti juaj, ka thënë: “Më thirrni Mua (më adhuroni), Unë do t’ju përgjigjem (shpërblejë)! Me të vërtetë, ata që mendjemadhësohen e nuk duan të Më adhurojnë – do të hyjnë të poshtëruar në skëterrë.” [Gafir: 60].

Pejgamberi [alejhis-selam] ka thënë: “Zoti juaj është i turpshëm, fisnik dhe bujar, Ai turpërohet nga robi i Tij kur i ngritë duart në drejtim të Tij që t’i kthej ato pa asnjë përgjigje.”

HYRJE

Falënderimet dhe lavdërimet e plota i takojn Allahut të Lartësuar, Atë e falënderojm dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojm. Kërkojm mbrojtjen e Allahut prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Atë që e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthitë, e atë që Ai e lenë në lajthitje s’ka kush e udhëzon pos Tij. Dëshmoj se s’ka të adhuruar me meritë pos Allahut, i Cili është Një dhe i Pashoq, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, mbi familjen e tij të ndershme dhe mbi të gjithë shokët e tij fisnik.

Këto janë disa lutje të zgjedhura, të cilat janë përmendur në Kur’anin Famëlartë, të cilit nuk mund t’i afrohet e kota nga asnjë anë, pas të cilave kam përmendur lutje që janë transmetuar në hadithet e sakta profetike të Muhamedit [alejhis-selam], i cili nuk flet nga hamendja e tij, po është shpallje që i shpallet. E kam bërë tubimin e këtyre lutjeve që të jenë arma ime dhe e atyre që do t’i lexojnë prej muslimanëve, sepse ato janë lutjet e njeriut më të vlefshëm. Jam kufizuar në përmendjen e tekstit të lutjes, pa e cekur zinxhirin e transmetimit apo shkakun e thënjes së saj, në mënyrë që të jetë ky punim më i shkurtë, që t’i lehtësohët atij që dëshiron të bëjë dua duke i lexuar ato, apo dëshiron t’i mësojë përmendësh apo t’ua mësoj të tjerëve.

Para se t’i përmendim këto lutje, do t’i cekim disa etika të lutjes dhe disa shkaqe të pranimit të duas:

–          Sinqeriteti me Allahun.

–          Të fillojë me falënderim Allahut dhe dërgim të salavateve dhe ta përfundoj me këtë.

–          Lutja me këmbëngulje dhe bindje në Allahun.

–          Përsëritja e lutjes dhe mos-shpejtimi i përgjigjes.

–          Koncentrimi gjatë lutjes.

–          Lutja në lehtësi dhe në vështirësi.

–          Të kërkoj vetëm prej Allahut, e askujt tjetër.

–          Mos të jetë lutje kundër vetes, familjes dhe pasurisë se tij.

–          Të bëjë lutje me zë normal, jo shumë të ulet, e poashtu mos të jetë shumë i ngritur.

–          Pranimi i gabimit, kërkimi i faljes për të, pranimi i mirësisë së Allahut dhe falënderimi i Tij për të.

–          Mos teprimi në dua, po bërja e lutjes në mënyrë normale dhe natyrale.

–          Bërja e lutjes me frikërespekt, me shpresë dhe me frikë.

–          T’i kthej padrejtësitë që ua ka bërë njerëzve, ose të kërkoj hallallëk prej tyre, së bashku me pendimin e tij tek Allahu.

–          Ta përsëris lutjen tri herë.

–          Të drejtohet në drejtim të Kibles.

–          T’i ngritë duart kur të bëjë dua.

–          Të merë abdes për lutje nëse ka mundësi.

–          Mos t’i tejkaloj kufijtë në dua.

–          Kur të bëjë lutje për të tjerët, së pari të filloj me veten e tij.

–          T’i afrohet Allahut me emrat e Tij të bukur dhe me cilësitë e Tija të larta, ose me ndonjë vepër të mirë të cilën e ka vepruar, ose duke kërkuar prej ndonjë njeriut të mirë – që është i gjallë dhe prezent – të bëjë dua për të.

–          Të ushqehet dhe të vishet prej hallallit.

–          Mos të lutet për mëkat apo për këputje të lidhjeve farefisnore.

–          Të urdhëroj për të mirë dhe të ndalojë nga e keqja.

–          Të largohet prej mëkateve.

Kohëra, gjendje dhe vende në të cilat pranohet lutja:

 

–          Nata e kadrit.

–          Pjesa e fundit e natës.

–          Në fund të namazeve farz.

–          Në mes të ezanit dhe ikametit.

–          Pjesa e tretë e natës.

–          Gjatë thirrjes për namazet farz.

–          Gjatë kohës kur bie shi.

–          Gjatë rreshtimit të rreshtave për të luftuar në rrugë të Allahut.

–          Një orë prej ditës së xhuma, dhe mendimi më i saktë është se ajo është ora e fundit e namazit të ikindisë, po mund të jetë edhe ora e hutbes dhe namazit të xhumas.

–          Gjatë pierjes së ujit të zemzemit me nijet të mirë.

–          Gjatë bërjes së sexhdes.

–          Kur të del gjumi natën dhe bërja e duas së transmetuar në këtë rastë.

–          Kur bie në gjumë me abdes, pastaj i del gjumi natën dhe bën dua.

–          Kur lutet me fjalët: “La ilahe il-la ente, subhaneke inni kuntu minedh-dhalimin” (S’ka Zot tjetër pos Teje, i Lartësuar qofsh, unë i kam bërë dëm vetvetes).

–          Lutja e njerëzve pas vdekjes së dikujt.

–          Duaja në teshehudin e fundit pas etehijatit dhe salavateve.

–          Kur e thërret Allahun me emrin e Tij më të madh, emër me të cilin kur ai thëritet me të përgjigjet.

–          Duaja e muslimanit për vëllaun e tij në mosprezencën e tij.

–          Duaja në ditën e arafatit në Arafat.

–          Duaja në muajin e Ramazanit.

–          Duaja në tubimin e muslimanëve në mexhliset e përmendjes së Allahut.

–          Duaja gjatë musibetit me fjalët: “In-na lil-lahi ve in-na ilejhi raxhiun, Allahume exhirni fi musibeti vehluf li hajran minha.” (Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi, Zoti im më mbrojë nga dëmi i këtij musibeti dhe ma zëvendëso me diçka më të mirë).

–          Duaja kur zemra është e kthyer tek Allahu me sinqeritet të madh.

–          Duaja e atij që i është bërë padrejtësi kundër atij që i ka bërë padrejtësi.

–          Duaja e prindit për dhe kundër fëmiut të tij.

–          Duaja e udhëtarit.

–          Duaja e agjëruesit.

–          Duaja e agjëruesit kur bën iftar.

–          Duaja e atij që është në vështirësi.

–          Duaja e udhëheqësit të drejtë.

–          Duaja e fëmiut të dëgjueshëm për prindërit e tij.

–          Duaja që është transmetuar pas marrjes së abdesit.

–          Duaja pasi i hedh gurrëzit tek shejtani i vogël.

–          Duaja pasi i hedh gurrëzit tek shejtani i mesëm.

–          Duaja brenda Qabes, e kush falet brenda murrit afër Qabes, ai është sikur të falej brenda Qabes.

–          Duaja në kodrën Safa.

–          Duaja në kodrën Merve.

–          Duaja në Mesh’aril-Haram.

Muslimani duhet që ta lusë Zotin e tij kudo qoftë dhe në çdo kohë: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t”i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.” [Bekare: 186]. Mirëpo këtyre kohërave, vendeve dhe gjendjeve duhet t’u kushtojë më shumë rëndësi.

Duat nga hadithet që i kam transmetuar këtu janë nga librat:

–          “El-lu’lu’ vel-merxhan fima ittefeka alejhish-shejhan” (Libër që përmban hadithet që i kanë transmetuar edhe Buhariu edhe Muslimi)

–          “Sahihu i Buhariut”

–          “Sahihu i Muslimit”

–          “Sahihul-Xhami’ë es-Sagir ve Zijadetuhu” të Shejh Albanit.

Në fund e lus Allahun e Lartësuar ta bëjë këtë vepër të sinqertë për fytyrën e Tij dhe të saktë sipas sunetit të Pejgamberit të Tij [alejhis-selam], si dhe të më bëjë dobi mua dhe vëllezërve të mi musliman. Poashtu e lus Atë ta shpërblejë atë që e ka shkruar, atë që e ka botuar dhe atë që e ka shpërndarë në mesin e muslimanëve me shpërblimet më të mira. Me të vërtetë Ai është që dëgjon dhe i përgjigjet lutjes.

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi pejgamberin tonë Muhamedin [alejhis-selam], mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij. Lutja jonë e fundit është Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.

E shkroi: Abdullah Ibn Ahmed el-Al-laf

Mekke, Dhul-Ka’deh 1416 H

Përktheu: Omer Zaimi

You may also like...