Mëkati më i madh pas shirkut – Mosfalja e namazit

Namazi e shoqëron njeriun në lehtësi dhe vështirësi, në rini dhe pleqëri, në shëndet dhe sëmundje, në luftë dhe liri e kështu me radhë, pa marrë parasysh vendin dhe kohën se ku gjendet ai

]Falënderimet dhe lavdërimet qofshin për Allahun e Lartësuar dhe Fuqiplotë, ndërsa salavatet dhe selamet tona qofshin mbi Profetin tonë sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasuan dhe pasojnë rrugën e tyre me mirësi deri në Ditën e Gjykimit.

S’ka dyshim se t’i bësh shok Allahut është mëkati më i madh, por pas tij vjen mosfalja e namazit. Ky është mëkati më i madh pas shirkut ndaj Allahut të Lartësuar, është mëkat më i madh se pirja e alkoolit, imoraliteti, marrja e ryshfetit, etj, ashtu siç ka thënë ibën Kajimi, All ahu e mëshiroftë: “Nuk ka mospajtim mes muslimanëve se mosfalja e namazeve obligative me qëllim është nga gabimet më të rënda dhe mëkatet më të mëdha, madje mëkati i tij tek Allahu është më i madh se vetëvrasja ose marrja e parave pa të drejtë. Është mëkat më i madh se zinaja, vjedhja dhe pirja e alkoolit. Lënia e tij meriton dënimin dhe zemërimin e Allahut si dhe nënçmimin e Tij në këtë dhe botën tjetër.”[1]

Namazi është shtylla kryesore e Islamit pas shqiptimit të shehadetit. Namazi e bën njeriun që ta ndiejë Islamin në çdo vend dhe kohë sepse është nga obligimet që e shoqëron atë pesë herë në ditë. Namazi e shoqëron njeriun në lehtësi dhe vështirësi, në rini dhe pleqëri, në shëndet dhe sëmundje, në luftë dhe liri e kështu me radhë, pa marrë parasysh vendin dhe kohën se ku gjendet ai. Namazi është prej atyre obligimeve që janë përmendur më së shumti në Kur’anin Famëlartë dhe në hadithet e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sellem. Shumë injorantë në ditët tona, por edhe më herët, mendojnë se lënia e veprave që jemi urdhëruar të kryejmë nuk llogaritet si mëkat, por mëkat sipas tyre është vetëm kur njeriu vepron njërën nga veprat që jemi të ndaluar ta veprojmë, si pirja e alkoolit, imoraliteti, kamata, etj. Por e vërteta është se njeriu është mëkatar për çdo mosrespektim të urdhrave të Allahut, qoftë ai urdhër që na obligon me ndonjë vepër, siç është namazi në këtë rast, apo që na ndalon nga ndonjë vepër apo ves i lig. Nëse i hedhim një vështrim të shkurtër librit të Allahut Fuqiplotë, do të hasim shumë ajete kur’anore që tregojnë vlerën dhe rëndësinë e namazit dhe në të njëjtën kohë tregojnë madhësinë e mëkatit për atë që e lë pas dore faljen e namazit. Nga ajetet që tregojnë për udhëtimin e lënësit të namazit drejt humnerës, shkatërrimit dhe përfundimit të tij në zjarrin e xhehennemit janë edhe këto: “Por pas tyre (të mirëve) erdhën pasardhës të këqij, që e lanë namazin e u dhanë pas kënaqësive, epsheve. Shpejt do të shijojnë shkatërrimin, do të hidhen në xhehennem. Me përjashtim të atyre që pendohen, besojnë dhe punojnë punë të mira. Të tillët do të hyjnë në xhennete dhe nuk do t’u bëhet kurrfarë padrejtësie. Në kopshtet e Adnit, që i Gjithëmëshirshmi ua ka premtuar robërve të Vet, edhe pse ende nuk e kanë parë. Me të vërtetë, premtimi i Tij është i sigurt.”[2]

Po ashtu Allahu thotë: “Mjerë për ata që falen, por të cilët janë të pakujdesshëm ndaj namazit të tyre. Të cilit duan vetëm të duken (në sy të tjerëve) dhe nuk u japin ndihmë nevojtarëve.”[3] Allahu i Fuqiplotë na ka treguar për ata që do të përfundojnë në zjarrin e xhehennemit në Ditën e Kiametit, të cilët do të pyeten nga banorët e xhennetit: “Çfarë ju
solli në Sekar (xhehennem)?” Ata do të thonë: “Nuk kemi qenë prej atyre që faleshin (që bëninnamaz)…”[4]

Këto ishin disa nga ajetet që i bëjnë të ditur çdo lënësi të namazit se përfundimi i tij në botën tjetër do të jetë dramatik dhe i dhimbshëm, siç shihet qartë nga fjalët e Allahut Fuqiplotë. Nga ana tjetër, nëse shohim fjalët e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, pothuajse hasim në të njëjtin përshkrim sa i përket peshës së namazit që lihet pa u falur. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sellem ka thënë: “Ndërmjet besimtarit dhe shirkut (idhujtarisë) është lënia e namazit.”[5] Po ashtu ka thënë: “Besëlidhja që ne na dallon nga jobesimtarët është namazi. Kush e lë atë, vetëm se ka mohuar.”[6] Po ashtu ka thënë: “Kush e lë namazin duke qenë i vetëdijshëm për këtë, garancia, mbrojtja e Allahut është hequr nga ai.”[7] Po ashtu ka thënë: “Kush e lë namazin e ikindisë me vetëdije për këtë, e gjithë puna e tij ka humbur.”[8] Këto hadithe që përmendëm nga Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe shumë të tjera tregojnë për madhësinë e mëkatit të lënies së namazit dhe rëndësinë që ka namazi në jetën e besimtarit, i cili ka pranuar ta adhurojë Allahun për Zot dhe ta pasojë Muhamedin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem për të Dërguar të Tij. Namazi është lidhja mes njeriut dhe Zotit të Tij, prandaj kush e shkëput këtë lidhje, e k a besimin e tij në rrezik. Udhëtimi i tij drejt shkatërrimit dhe mospërfilljes së urdhrave të Allahut ka filluar, ndërsa zemra e tij ka nisur të verbohet dhe të pronësohet nga shejtani i mallkuar. Duke pasur parasysh ajetet dhe hadithet që përmendëm më lart, shumë dijetarë kanë rënë në mospajtim mes tyre lidhur me faktin nëse lënësi i namazeve obligative del apo jo nga feja nëse i lë ato me vetëdije, kur është i bindur për obligueshmërinë e namazit.

Imam Shevkani, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij “Nejlul-Evtar”, duke sqaruar hadithin e Xhabirit radijAllahu anhu, të cilin e dhamë më lart, ka thënë: “Ky hadith argumenton se lënia e namazit të shpie drejt kufrit dhe nuk ka mospajtime mes muslimanëve se ai që e mohon obligueshmërinë e namazit del prej fesë, me përjashtim të atij që sapo ka hyrë në fe apo nuk është shoqëruar me shoqëri islame derisa ta ketë kuptuar se falja e namazit është obligim. E nëse e lë atë nga përtacia duke qenë i bindur në obligueshmërinë e tij, ashtu siç është gjendja e shumë njerëzve, për këtë dijetarët kanë rënë në mospajtime mes tyre…”[9] Më pas, pasi përmendi këtë mospajtim mes dijetarëve, ai transmetoi thënien e shumicës së dijetarëve të selefit, se ky njeri nuk del nga Islami nëse nuk e mohon obligueshmërinë e tij, por është mëkatar i madh, fasik.

Lënia e namazit s’ka dyshim që e shpie njeriun drejt mosbesimit dhe e bën atë t’i harrojë edhe obligimet e tjera që vijnë pas tij, siç është zekati, agjërimi, haxhi etj., pasi namazi është obligimi që përsëritet pesë herë në ditë dhe sigurisht që është më i vështirë të harrohet sesa obligimet që muslimani i ka një herë në vit apo një herë në jetën e tij, siç është haxhi. Ibën Hibani, Allahu e mëshiroftë, në “Sahihun” e tij, nën hadithin nr: 1463 ka thënë: “Ebu Hatimi radijAllahu anhu ka thënë: “Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e ka përdorur shprehjen kufër ndaj lënësit të namazit sepse lënia e namazit është fillimi i kufrit, mosbesimit. Kur njeriu e lë namazin dhe kjo gjë i bëhet zakon, bëhet normale tek ai, kjo e bën që të harrojë edhe obligimet e tjera. Kur edhe lënia e obligimeve të tjera i bëhet zakon, atëherë kjo e bën që të mohojë, të bëhet mosbesimtar. Për këtë arsye, Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem përdori shprehjen e fundit (fjalën kufër për lënësin e namazit), fjalë e cila përdoret për jobesimtarët, pasi lënia e namazit është fillimi i (rrugës që të shpie drejt) mosbesimit.”[10]
Pra, shihet qartë nga fjalët e Allahut Fuqiplotë, nga fjalët e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe nga fjalët e dijetarëve, Allahu i mëshiroftë, se lënia e namazit është rruga që të dërgon drejt mosbesimit, Allahu na ruajtë.

Lënia e namazit është mosbindje e madhe ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe në të njëjtën kohë pasim i shejtanit të mallkuar, i cili thërret tufën e tij për në mëkate ndaj Krijuesit. Allahu na e ndaloi ta pasojmë atë dhe të kemi për mik atë dhe pasardhësit e tij. O musliman, zgjohu nga gjumi dhe paso të vërtetën! Si është e mundur t’i kundërshtosh urdhrat e Allahut që të ka krijuar, të dha shëndet dhe të ka furnizuar?! Si është e mundur t’i shkelësh urdhrat e Krijuesit për të arritur në pasimin e krijesës më të përbetuar kundër Atij që të ka krijuar?! Kjo nuk është tjetër vetëm se një mendjemadhësi e ngjashme me atë të shejtanit kur u urdhërua të bëjë sexhde dhe refuzoi. Sa përngjasim i shëmtuar është ky! Allahu i Lartësuar thotë: “(Përkujto) Kur u thamë engjëjve: “Përuluni, bëni sexhde Ademit, e ata iu përulën përpos Iblisit. Ai ishte nga xhinët, prandaj nuk respektoi urdhrin e Zotit të vet. Vallë, a në vend Timin do ta merrni për mik atë dhe pasardhësit e tij, ndërsa ata janë armiq tuaj? Sa këmbim i shëmtuar është ky për keqbërësit!”[11] Allahu po ashtu na ka treguar se njerëzit janë të ndarë në dy grupe: ata që iu bindën Atij dhe i bëjnë sexhde me sinqeritet të plotë dhe ata që kundërshtuan të pasojnë urdhrat e Tij dhe u bënë miq me shejtanët, Allahu na ruajttë. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: (ti o Muhamed) Zoti im urdhëron drejtësi, drejtohuni vetëm nga Ai në çdo xhami e lutjuni Atij më sinqerisht, me besim të pastër e të vërtetë! Siç ju ka krijuar së pari, ashtu do t’ju ringjallë. Disa Ai i ka udhëzuar në rrugë të drejtë, kurse disa të tjerë e kanë merituar humbjen, ata kanë zgjedhur djajtë për miq në vend të Allahut dhe mendojnë se janë në rrugë të drejtë.”[12]

Motër dhe vëlla i dashur besimtar! Pasi ta lexosh këtë ajet madhështor nga libri i Allahut Fuqiplotë, ndalu dhe mendo pak, shiko vetën se ku gjendesh. Je nga ata që kanë marrë Allahun për mbikëqyrës apo je nga ata që për miq kanë zgjedhur kundërshtarët më të përbetuar të Tij, shejtanët? Nëse je nga ata që kanë zgjedhur për miq kundërshtarët e Allahut, atëherë ndalu dhe filloja nga e para sepse Zoti yt të fal nëse ti kthehesh sinqerisht në pasimin e urdhrave të Tij. Mos të të shkojë mendja se Allahu nuk të fal, sepse ky është një mashtrim tjetër i shejtanit të mallkuar, por kthehu tek Allahu me pendim, se Allahu ta ka garantuar faljen nëse ti pendohesh sinqerisht. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: O robërit e Mi, që e keni ngarkuar veten me shumë gjynahe, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut! Allahu vërtet i fal të gjitha mëkatet. Vërtet, Ai është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.”[13]

Motër dhe vëlla i dashur besimtar! Mos e humb shpresën kurrsesi ndaj mëshirës së Krijuesit sepse ajo ka përfshirë çdo gjë. Kthehu tek Ai me pendim dhe anëtarësohu sërish në radhët e pasuesve të urdhrave të Tij, se vetëm pala e tij që besuan Atë, që pasojnë Profetin e Tij dhe falin namazin e japin zekatin janë vërtet miqtë dhe mbrojtësit e tu. Allahu i Lartësuar thotë: “Miqtë dhe mbrojtësit tuaj janë vetëm Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët që falin namazin dhe japin zekatin, duke qenë të përulur (në adhurim) ndaj Allahut. E, ata që marrin për mik dhe mbrojtës Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët, (ta dinë se) pa dyshim pala e Allahut do të jetë fituese.”[14]

Në fund, e lus Allahun e Lartësuar me emrat e Tij të mirë dhe cilësitë e Tij të larta që të na bëjë falës të rregullt të namazit dhe t’i udhëzojë të gjithë ata që e kanë lënë pas dore këtë obligim madhështor!

[1] “Kitabus-Salah”, faqe 6.
[2] Merjem: 59-61.
[3] El-Maun: 4-7.
[4] El-Mud-deth-thir: 42-43.
[5] Transmeton Muslimi (82), nga Xhabiri radijAllahu anhu.
[6] Transmeton Tirmidhiu, nr: 2621. Nesaiu, nr: 463. Ibën Maxheh, nr: 1079. Ahmedi në “Musnedin” e tij: 5/346, 355. Ndërsa Tirmidhiu ka thënë se ky hadith është hasenun sahih. E ka saktësuar Hakimi dhe Dhehebiu, ndërsa Albani ka thënë: “Ky hadith është ashtu si kanë thënë.” Shiko librin “el-Mishkat…”, nr: 574, fusnota, 5.
[7] Transmeton Imam Ahmedi në “Musnedin” e tij nr: 6659. Shiko librin “Sahihut-Tergib vet-Terhib” të shejh Albanit, hadithi nr: 569 (hasen ligajrihi).
[8] Transmeton Imam Ahmedi në “Musnedin” e tij nr: 23095. Shiko librin “Sahihut-Tergib vet-Terhib” të shejh Albanit, hadithi nr: 479 (sahih
[9] “Nejlul-Evtar” 1/369.
[10] “Sahihu” i ibën Hibanit 4/323.
[11] El-Kehf: 50.
[12] El-A’raf: 29-30.
[13] Ez-Zumer: 53.
[14] El-Maide: 55-56.

Literatura e konsultuar:
1. Kur’ani me përkthim Sherif Ahmeti.
2. Kur’ani me përkthim të Hasan I. Nahi.
3. “Sahihu” i Muslimit.
4. “Musnedi” i Imam Ahmedit, me verifikim të haditheve nga Shuajb Arnauti.
5. “Sahihu” i ibën Hib-banit, me verifikim të haditheve nga Shuajb Arnauti.
6. “Nejlul-Evtari” i dijetarit Muhamed ibën Alij ibën Muhamed esh-Shevkani.
7. “Kitabus-Salah” i dijetarit ibën Kajim el-Xhevzije

You may also like...