Mësimet e nxjera nga hixhreti – II

2

Hixhret është shpërngulja e Muhamedit alejhi selam nga Meka për në Medinë. Nuk dihet saktë se në cilën ditë ka ndodhur kjo pas 13 vjetëve të qëndrimit në Mekë pas Shpalljes, edhe pse ka shënime të ndryshme. Ndërsa ka hyrë në Medinë në muajin Rebiul Evvel, sipas një hadithi tek Buhariu, ka hyrë në ditën e hënë më 12 Rebiul Evvel, gjegjësisht më 24 Shtator të vitit 622.

Mësimet që mund të nxirren nga hixhreti janë të shumta. Ne do të përmendim vetëm disa prej tyre:

11. Strategjia, planifikimi dhe organizimi janë të kërkuara. Në kuadër të kësaj hyn edhe ndarja e përgjegjësive dhe caktimi i detyrave. Kështu veproi Pejgamberi alejhi selam duke ua dhënë detyrat e caktuara secilit, si Esmasë, Abdullahut, Amirit etj.

12. Shquhet edhe roli i femrës dhe kontributi i saj. Spikat rëndësinë e saj në shoqëri.

13. Konfedicionaliteti dhe ruajtja e sekretit është prej organizimit dhe strukturimit të mirë.

14. Përzgjedhja e duhur dhe e mirë e shoqëruesve në kauzat e mëdha.

15. Vlera e sahabëve, të cilët u ndanë nga fëmijët, pasuritë, familjet dhe atdheu i tyre për hir të Alahut. Veçanërisht këtu shquhet vlera e Ebu Bekrit.

16. Rruga e Da’vetit nganjëherë ia imponon njeriut që ta ndërrojë vendin dhe ambientin për ta plotësuar rrugëtimin drejt synimeve të larta.

17. Intrigat dhe kurthet e armiqve sado që të jenë të mëdha nuk arrijnë dot që të shuajnë dritën e kësaj feje.

18. Është obligative që të punohet shumë në mënyrë që të arrihet fitorja dhe mbisundimi në tokë. Për të bërë shtetin që vepron e punon me ligjin e Sheriatit. Madje edhe përmes hixhretit nëse është e nevojshme.

19. Ky mbisundim dhe kjo fitore nuk mund të arrihen pa sprova e telashe, mundime e vuajtje.

20. Kush bindet sinqerisht në fitoren e fesë së Allahut, Allahu do ta përkrahë në forma të ndryshme.

21. Da’veti merr kohë dhe kalon nëpër disa etapa e situata derisa të arrijë në cakun final.

22. Përplasja mes të vërtetës dhe të pavërtetës kalon nëpër disa faza. Së pari bëhet proklamimi i ftesës në të vërtetën, pastaj përhapja, pastaj përfitimi i njerëzve dhe përkrahësve. Pastaj ballafaqimi direkt dhe i nxehtë mes tyre me fakte e argumente, e më pas përballaja mes tyre me forcë, e më pastaj fitorja për ithtarët e së vërtetës. Para fitores, patjetër që duhet ballafaquar me sprova, sfida e telashe të ndryshme.

23. Triumfi i jobesimtarëve në disa faza gjatë përplasjes mes të vërtetës dhe të pavërtetës është një gjë që ka ndodhur edhe më parë, gjë që nuk i dëmton besimtarët dhe as nuk do të thotë se Allahu i ka harruar besimtarët e Tij.

24. E vërteta triumfon me punën e përkrahësve të tij nga njerëzit. Për këtë arsye Pejgamberi alejhi selam u shpërngul dhe shkoi te përkrahësit e tij, sepse edhe Allahu i ka thënë atij se do ta ndihmojë me përkrahjen e Tij dhe të besimtarëve. Për këtë duhet zgjedhur përkrahësit e sinqertë për këtë mision, po në qoftë nevoja edhe në ndonjë vend tjetër.

25. Ata që shpërngulen për hir të Allahut, atyre Allahu do t’ua hap mundësitë në tokë dhe u jep të mira të shumta.

26. Hixhreti në kuptimin e Sheriatit është jo vetëm transfer fizik nga vendi në vend, por transferim nga e keqja në të mirë, nga destruktiviteti në konstruktivitet, nga deformimi në formim, nga anarkia totale në sistem, nga kriminaliteti në veprimtari profitabile dhe afatgjate, nga injoranca në dituri, nga errësira në dritë dhe thënë thjesht e shkurt nga shtazëria në njerëzore. Nga kjo nënkuptohet se hixhreti është një evolucion i brendshëm shpirtëror dhe sentimental që ndikon pozitivisht në jetën e njeriut dhe shoqërisë në përgjithësi.

27. Mrekullitë hyjnore si: Dalja e Pejgamberit nga rrethimi i komplotistëve përmes shpatave të tyre pa e vërejtur fare, madje edhe u vendosi dhé mbi kokat e tyre. Pastaj thurja e rrjetës nga merimanga në hyrje të shpellës, sharrimi i këmbëve të kalit të Surakas në tokë, delja shterpë e Umm Ma’bedit që e moli dhe dha qumësht. Të gjitha këto janë mrekulli që tregojnë fuqinë e Allahut dhe se Ai kur të do i ndihmon besimtarët. I mjafton Atij t’i thotë diçkafit: Bëhu! Dhe ai bëhet.

28. Dashuria ndaj Pejgamberit të jetë më e madhe se sa dashuria ndaj vetes, prindërve, fëmijëve dhe familjes. Kjo dashuri e bëri Ebu Bekrin të qajë nga gëzimi kur mori vesh se u zgjodh për shoqërues i Pejgamberit në hixhret. Po ashtu po kjo dashuri e bëri atë që të rrezikojë veten në vrimat e shpellës dhe të durojë pickimin e dhembshëm në këmbë. Gjithashtu edhe flijimi i tërë pasurisë së Ebu Bekrit për kauzën e madhe dhe Pejgamberin alejhi selam. Po kjo dashuri i nxirrte banorët e Medinës në vapën më të madhe për të pritur ardhjen e Pejgamberit, etj.

29. Sinqeriteti i plotë në tërë këtë dhe në jetën në përgjithësi.

30. Aspekti historik i hixhretit. Hixhreti i Pejgamberit alejhi selam është një aspekt i madh historik i muslimanëve me të cilin ata dallohen si Umet nga popujt tjerë dhe është simbol i krenarisë së tyre. Koha, kur është marrë vendim që hixhreti të caktohet si pikëfillim i vitit kalendarik për muslimanët, kthehet te Umeri radijallahu anhu. Ai kur vendosi që të përpilonte për Umetin Islam një kalendar vitor me të cilin do të dalloheshin nga popujt tjerë, u konsultua edhe me sahabët se me çka të fillonin llogaritjen vitore; A të fillonin me ditëlindjen e Pejgamberit alejhi selam? Apo të fillonin me kohën e shpalljes së tij pejgamber? Apo me hixhretin e tij? Apo me vdekjen e tij? Përzgjedhja e hixhretit ishte më e kënaqshme, më e qëlluar e edhe më krenare. Andaj që nga ajo kohë muslimanët si llogaritje vjetore kalendarike e kanë vitin hixhri.

Hoxhë Bahri Curri

You may also like...