Namazi i natës – Vlera e tij – 1

Namas-1Studimi i parë: Namazi i natës

Një: Kuptimi i namazit të natës, i quajtur ndryshe tehexhud thuhet :“Hexhede-rexhul” që do të thotë se njeriu ka mbetur pa gjumë, po ashtu thuhet edhe për atë i cili falet natën se ka ndejtur pa gjumë. Ndërsa namazfalësi gjatë natës është ai i cili çohet prej gjumi për tu falur natën.

Dy: Namazi i natës është sunet-muekede (I fortë) , bazuar në Kuran, sunet dhe ixhma-(konsenzusin), pajtimin e dijetareve të umetit.
Allahu i Lartësuar ka thënë për cilësitë e robërve të Mëshiruesit:” Ata janë të cilët për hirë të Allahut, natën e kalojnë duke i bërë sexhdedhe duke qëndruar në këmbë (duke u falur).” .Po ashtu i Lartëmadhëruari thotë për cilësitë e njerëzve të devotshëm:” Ata flenin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje nga Allahu.” Gjithashtu i Lartësuari thotë për pronarët e besimit të plotë:” Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” Thotë Allahu në Kuran:” Gjatë natës lexojnë ajetet e Allahut dhe bëjnë sexhde.” Thotë Allahu gjithashtu:” Dhe ata të cilët në kohën e agimit (syfyrit) kërkojnë falje.”
Allahu i Lartëmadhëruar i ka cilësuar me besim të plotë ata të cilët falen natën me dituri si dhe i ka ngritur këtë lloj ndaj të tjerëve duke thënë:” A mund të krahasohet ai që falet natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij (me jobesimtarët)?! Thuaj: A janë të barabartë ata dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm mendarët i pranojnë këshillat!” Për vlerën e madhe të namazit të natës Allahu i thotë të Dërguarit të Tij-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të:” O ti i mbuluar (o Muhamed)! Çohu (të falesh) tërë natën, përveç se një pjese të saj, që është gjysma ose diçka më pak, a diçka më shumë se ajo dhe lexoje Kuranin ngadalë dhe qartë.” Po ashtu thotë në Kuran:” Kaloje nje pjesë të natës, si falje shtesë për ty (Muhamed)! Është e vërtetë se Zoti yt do të të vendosë ty në një vend të lavdëruar.” Gjithashtu thotë Allahu në Kuran:” Në të vërtet, Ne ta kemi shpallur Kuranin ty hap pas hapi. Prandaj ki durim për vendimin e Zotit tënd e mos dëgjo asnjë gjynahqar apo jobesimtarë prej tyre! Përmende Zotin tënd në mëngjes dhe mbrëmje. Në një pjesë të natës bëji sexhde Atij dhe natën falju gjatë Atij.” Kurse ne suren Kaf thotë:” Madhëroje Atë edhe në një pjesë të natës edhe pas faljes së namazit.” E përmend këtë gjithashtu edhe ne suren Tur duke thënë:” Edhe gjatë natës lavdëroje Atë si dhe pas perëndimit të yjeve.” Kurse i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka bërë nxitje për faljen e namazit të natës me fjalët e tij ku thotë:” Agjërimi më me vlerë pas muajit të Ramazanit është në muajin e Allahut Muharem,ndërsa namazi më me vlerë pas farzit është namazi i natës.”

Tre : Vlerat e namazit të natës janë të mëdha, për këto arsye:

1- I Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, i ka dhënë rëndësi të veçantë namazit të natës sa që i enjteshin këmbët , kështu që njëherë Aisheja-Allahu qoftë i kënaqur prej saj,i tha: Pse vepron kështu o i Dërguari i Allahut kur Allahu ty ti ka fal të gjithë mëkatet, të mëparshmet dhe të ardhshmet? – Iu përgjigjë i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të:” A nuk dëshiron që të jem rob falenderues.” Ndërsa Mugire ibn Shube përcjell se i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, faleshte derisa i enjteshin këmbët, i kanë thënë: Allahu ti ka falur ti mëkatet e tashme dhe të kaluarat? – U është përgjigjur i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të:” Vallë a të mos jem rob falenderues.”
Fjalë shumë të mira ka thënë njëri nga shokët e të Dërguarit të Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të ku thotë:
Mes nesh gjendet i Dërguari i Allahut i cili lexon librin e tij
Kur bie e mira e agimit të ndritur
Natën e kalon larg shtratit të tij
Kur një gjë e tillë është e lezetshme për jobesimtarët

2 – Është një prej shkaqeve më të mëdha që të fut në xhenet, përcjell Abdullah ibn Selami-Allahu qoftë i kënaqur prej tij,se kur hyri i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, në Medine njerëzit filluan të tubohen tek ai dhe thoshin: Po vjen i Dërguari i Allahut, po vjen i Dërguari i Allahut, thotë Abdullah ibn Selami-Allahu qoftë i kënaqur prej tij: Kështu që njerëzve ju bashkangjita edhe unë të shoh se çfarë do të ndodh, por kur e pash fytyrën e të Dërguarit të Allahut, e vërejta se nuk është fytyrë gënjeshtari, ndërsa fjalët e para që i ndëgjova prej tij ishin “ O ju njerëz jepni selam, shpërndani ushqim (ushqeni të varfërit), mbani lidhjet farefisnore dhe faluni natën kur të tjerët flejnë do të hyni në xhenet me selam.”

Po ashtu Malik ibn Dinari reciton fjalët:

Largohem nga lezeti i gjumit dhe jeta luksoze
Për në mirësitë e dhomave të xhenetit
Ne te cilat jeton përgjithmonë e nuk vdes kurrë
Në to dëfrehesh me hyritë e saj
Prandaj zgjohu prej gjumit sepse
Më i mirë se gjumi është falja natën me Kuran.

3 – Namazi i natës është shkak për ngritjen e gradave në dhomat e xhenetit,bazuar në hadithin e Ebu Malik el-Eshariut-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë: i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:” Në xhenet ka dhoma në të cilët duket çfarë ka jashtë prej brenda tyre dhe duket prej jashtë çfarë ka në brendësi të tyre, Allahu i Lartësuar këta i ka përgatitur për atë i cili shpërndan ushqim, flet butë, e vazhdon agjërimin, jep selam dhe falet natën kur të tjerët flejnë.”
4 – Ata të cilët e falin namazin e natës rregullisht janë bëmirës të cilët e meritojnë mëshirën e Allahut dhe xhenetin e Tij, sepse:” Ata natën flenin pak ndërsa në syfyr kërkojnë falje nga Allahu.”
5 – Allahu i lavdëron ata që fallen natën në kontekst të robërve të Tij të mirë robërit e Mëshiruesit, Allahu i Lartësuar thotë:” Ata të cilët rrinë për Zotin e tyre fallen duke bërë sexhde dhe ndejtur në këmbë.”
6 – Për ta ka dëshmi me besimin e plotë të tyre në fjalët e Allahut ku thotë:” Shpalljet Tona i besojnë vetëm ata të cilët kur u përmenden, bien në sexhde dhe të cilët e madhërojnë Zotin e tyre, e lavdërojnë dhe nuk bëhen mendjemëdhenj. Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që iu kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.”
7 – Allahu nuk barazon dikë me ta për shkakë të kësaj cilësie, thotë Allahu:” A mund të krahasohet ai që falet natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij (me jobesimtarët)?! Thuaj: A janë të barabartë ata dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm mendarët i pranojnë këshillat!
8 – Namazi i natës i shlyen mëkatet dhe fshin të këqijat, bazuar në hadithin e Ebu Umames-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili përcjell se i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:” Ju porosis që të falni namaz nate, sepse kjo është traditë e njerëzve të mirë para jush, është afrim tek Zoti juaj, i shlyen mëkatet si dhe i fshin të këqijat.”
9 – Namazi i natës është namazi më i vlefshëm pas farzeve, Ebu Hurejra-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i Dërguari i Allahut, ka thënë:” Agjërimi më i vlefshëm pas ramazanit është agjërimi i muajit të Allahut Muharem, ndërsa namazi më i mirë pas farzit është namazi i natës.”
10 – Nder për besimtarin, është namazi i natës, argument për këtë është hadithi i Sehl ibn Sadit-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili përcjell se Xhibrili-paqa e Allahut qoftë mbi të, erdhi tek i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, dhe i tha:” O Muhamed jeto sa të duash ,mirëpo dije se më të vërtet do të vdesish, duaje këdo që ta duash mirëpo dije se një ditë do të ndahesh prej tij, vepro si të duash sepse për të do të shpërblehesh.” Më pas tha:” O Muhamed dije se nder për besimtarin është namazi i natë kurse, krenaria e tij është të mos mvaret nga njerëzit.”

Shkëputur nga libri “Namazi i natës”

Autor: Dr. Seid ibn Alij ibn Vehf el-Kahtani

Përktheu: Nexhat Ceka

You may also like...