Namazi me rastin e eklipsit të Diellit ose të Hënës

Dielli-1Namazi me rastin e eklipsit të Diellit ose të Hënës

Me eklips kuptojmë zënien e plotë ose të pjesërishmë të Diellit ose të Hënës gjë e cila sjell errësisë totale ose të pjesërishme në tokë. Astronomikisht eklipsi i Diellit bëhet kur Hëna ndodhet mes Diellit dhe Tokës. Ndërsa eklipsi i Hënës ndodh kur ajo hyn në hijen e Tokës. Për këto dy fenomene natyrore ka një namaz të posaçëm.

Namazi i eklipsit të Diellit ose të Hënsës është sunet i fortë (suneh muekkedeh), për burrat dhe për gratë. Kur ndodhi eklipsi në kohën e Profetit (alejhissalatu uesselam), ai doli me nxitim në xhami, i frikësuar e duke tërhequr zvarrë rroben e tij, u priu muslimanëve në namaz dhe më pas u tha: “Dielli dhe Hëna janë argumente dhe dukuri nga Allahu. Eklipsi i tyre nuk ndodh sepse vdes një njeri apo ngjallet një tjetër. Kur ta shikoni këtë dukuri frikësojuni Allahu të Lartësuar!” Transmetuan Buhariu dhe Muslimi.

Namazi i eklipsit përbëhet nga dy rekatë dhe në secilin rekat bëhen dy ruku. Forma e namazit të eklispsit sipas haditheve profetike është si vijon:

Pasi reshtohen safet në drejtim të kibles në xhami, imami jep tekbir dhe fillon namazin. Qëndrimi në këmbë bëhet i gjatë duke kënduar sure të gjata dhe me zë. Pastaj bien ne ruku ku qëndrojnë dhe aty gjatë. Pastaj çohen sërish në këmbë dhe qëndrojnë ashtu gjatë duke kënduar kuran, por më pak së në qëndrimin e parë. Pastaj bien në ruku ku qëndrojnë më pak se rukuja e parë. Pas ngritjes nga rukuja e dytë bëhen dy sexhdet. Pas ngritjes nga sexhdeja e dytë fillon rekati i dytë i cili falet sikur rekati i parë.

Namazi i Eklipsit mund të falet dhe vetëm, por më e mira është të falet në xhami me xhemat.

Është e pëlqyeshme që pas namazit imami t’u japë këshilla besimatrëve dhe t’u flasë rreth dukurisë së eklipsit ashtu siç u foli vetë Profeti (alejhissalatu uesselam) shokëve të tij.

Shkëputur nga libri “Udhërrëfyesi islam”.

Përmblodhi: Mustafa Tërniqi

You may also like...