Ndjesë o Ramazan … (I)

Ramazan-2Halid Rashid

Një nga begatitë e Allahut mbi këtë Umet dhe nga mirësitë e Tij është se e ka begatuar me festa (muaj) të mirë. Besimi i muslimanit shtohet varësisht nga devotshmëria e tij dhe afrohet tek Allahu me vepra të cilat të afrojnë tek Allahu.

Prej këtyre rasteve është muaji i Ramazanit, muaji në të cilin është një natë më e vlefshme se një mijë muaj, muaji në të cilin lidhen shejtanët, hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit, mirëpo për fat të keq i shohim disa muslimanë të cilët nuk e njohin këtë muaj ashtu siç e meriton të pritet dhe të kalohet, disa herë duke bërë punë të cilat e zemërojnë Allahun, apo vepra të cilat nuk kanë kurrfarë dobie kurse i mençur është ai i cili e ka shfrytëzuar kohën duke punuar vepra të mira.

Falënderimi i takon Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetes dhe veprave tona. Cilin e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe cilin e largon nga rruga e vërtetë s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç Allahut, i cili është Një pa ortak dëshmoj se Muhammedi alejhi selam është rob dhe i dërguar i Tij.

“O ju që besuat, kinie frikë Allahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, po vetëm duke qenë muslimanë” (Ali Imran, 102)

“O ju njerëz! Kijeni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën (shoqën) e saj, e prej tyre dyve u shtuan shumë burra e edhe gra. Dhe kini frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se Allahu është Mbikëqyrës” (Nisa, 1)

“O ju besimtarë, kini frikë Allahun dhe thoni fjalë të drejta. Ai ju mundëson të bëni vepra të mira, ju shlyen mëkatet tuaja, e kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai ka arritur një sukses të madh” (Ahzab, 70-71)

Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mire udhëzimi i Muhammedit sal-lallahu alejhi ue sel-lem. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat në fe, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është devijim nga rruga e vërtetë, e çdo devijim përfundon në xhehenem.

Të nderuar dhe të dashurit e mi, ju të cilët jeni prezent dhe ju të cilët dëgjoni, Allahu ju bëftë të buzëqeshur çdoherë dhe ju dhëntë jetë të hairit duke na i bërë hapat tona të qëlluara për nga rruga e vërtetë. E lus Allahun e madh, Zotin e Arshit fisnik të na bashkojë në xhenetin e Tij si vëllezër duke qëndruar pranë njëri tjetrit, gjithashtu e lus Allahun të na ruajë neve prej sprovave (fitneve) të dukshme dhe të padukshme dhe të na bëjë udhëzues në rrugën e drejtë e jo për në rrugën e gabuar.

Tema e kësaj ligjerate është Ndjesë o Ramazan”, pse kjo temë? Çfarë ka në brendësinë e saj? Janë disa tituj: Pse po kërkojmë ndjesë; Ndalu dhe mendo para filimit; Muaji i Ramazanit; Ju është bërë obligim agjërimi gjatë tij; Çfarë kërkohet prej teje dhe prej meje; Ka filluar i huaj dhe do të kthehet i huaj; Të huajt me agjërimin; Lajme nga agjëruesit; Llojet e agjëruesve; Na vjen keq Ramazan; Thirrja e fundit…

Pse kërkojmë ndjesë?!

Kërkojmë ndjesë dhe falje nga shkaku se çdo vit po i përsërisim të njëjtat gabime gjatë Ramazanit. Para Ramazanit bëjmë pregatitje, themi për veten tonë me shpresë se në Ramazan do të falemi shumë gjatë natës, do të bëjmë hatme Kuranin kaq herë, do të japim sadaka, mirëpo posa të fillojë Ramazani, kalojnë vetëm ditët e para të Ramazanit, kur na prishen planet e bëra e na humbet dëshira për realizim të planeve tona. Shkaku është se dëshirojmë ta obligojmë veten tonë me vepra të cilat nuk i kemi bërë para Ramazanit, kjo është edhe shkaku pse misioni ynë në këtë muaj nuk mbaron me sukses. Andaj pyete veten :

Kur jemi falur për herë të fundit natën gjatë tërë vitit?

Kur e kemi bërë hatmen e fundit para Ramazanit?

Kur kemi agjëruar për së fundi herë, para Ramazanit?

Kurse për besimtarët e parë i tërë viti ishte sikurse muaji i Ramazanit. Kur hynte tek ata muaji i Ramazanit ngriheshin ambiciet e tyre për të bërë vepra të mira.

Prandaj prej në fillim të Ramazanit kërkojmë ndjesë pasi që shumica prej nesh do t’i përsërisin gabimet e kaluara, para këtij viti e prisnim Ramazanin njëlloj sikurse këto ditë dhe e ruanim fillimin e tij, mirëpo pastaj çfarë?

Allahu e ka thënë të vërtetën kur thotë: Dhe kush është më Fjalësinqertë se Allahu”.”Dhe kush është tregues më i mirë se Allahu”. Allahu thotë: Ne këto ditë i ndërrojmë (ua japim në përdorim) mes njerëzve”.[1] Të vërtetën e ka thënë Allahu kur ka thënë: Allahu e rrotullon ditën dhe natën , këto janë argumente për popullin e kuptueshëm”.[2]

Ibën Kethiri – Allahu e mëshiroftë, në komentin e këtij ajeti thotë: Kalojnë ditët me shpejtësi bashkë me ne drejt exhelittonë, duke qenë në mbikëqyrje të Allahut, minutat të cilat kalojnë dhe çastet nga jeta e jonë kalojnë dhe nuk kthehen edhe ne qoftë se për t’i kthyer shpenzojmë tokën të mbushur me arë dhe argjend.

Dije i dashur, se frymëmarrjet tua janë të numëruara, se exheli është i afatizuar gjithashtu dije vëlla i dashur se nga mirësitë e Allahut mbi ne është: na ka mundësuar ta arrijmë këtë muaj të bekuar. Sa ka prej njerëzve të cilët kanë vdekur dhe nuk e kanë mbërri këtë muaj, sa prej të dashurve tanë janë nën dhe, sa ka nga ata të cilët vitin e kaluar agjëruan dhe festuan Bajramin me ne, e sot ku janë ata? I ka bërë vdekja të mungojnë prej nesh, dheu i ka kalbur kurse familjarët i kanë harruar sikur të mos kishin ekzistuar. Vëlla i dashur merr edhe ti diçka prej këtij hadithit, i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të thotë: “Shfrytëzoji pesë gjëra para pesë të tjerave: Kohën e lirë para se të angazhohesh, shëndetin para sëmundjes, rininë para pleqërisë, pasurinë para varfërisë dhe jetën para vdekjes”.[3]

Mundohu vëlla i dashur të bëhesh siç ka thënë i Dërguari i Allahut- paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, kur është pyetur cili njeri është më i mirë, e ai ka thënë: “Ai i cili jeton gjatë dhe bën vepra të mira”.

Poeti thotë:

O Zoti ynë u mundova të jetoj më dikë veç Teje

mirëpo zemra ime qetësohet vetëm se me Ty o Zot.

Muaji i Ramazanit?

 

Thotë Allahu në Kuran: (ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramazanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se ju udhëzoi dhe që të falënderoni.[4]

Transmeton Ebu Hurejra -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, i ka përgëzuar sahabët gjatë hyrjes së muajit të Ramazanit duke u thënë: “Ju është afruar muaji i Ramazanit, muaji i bekuar, Allahu jua ka bërë obligim agjërimin e tij, në të hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit dhe lidhen shejtanit, në këtë ka një natë e cila është më e vlefshme se një mijë muaj”.[5]

Ibën Rexhepi -Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Ky hadith është bazë për përshëndetjen e njëri tjetrit kur të hyjë muaji i Ramazanit, si të mos përgëzohet besimtari me hapjen e dyerve të xhenetit? A mos vallë të mos përgëzohet mëkatari për mbylljen e dyerve të xhenetit? Si të mos përgëzohet i mençuri për një kohë kur lidhen shejtanët, a mund t’i ngjasojë ndonjë kohë kësaj kohe?

Muala ibën Fadël -Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Selefi e lutnin Allahun gjashtë muaj të plotë ta arrijnë muajin e Ramazanit, e pas Ramazanit e lutnin Allahun gjashtë muaj tjerë t’ua pranojë Ramazanin.

Jahja ibën Kethiri -Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Prej duave të selefit ishte: O Allah ma mundëso ta arrij Ramazanin dhe mundësoma që edhe Ramazani të arrij tek unë (të ketë ndikim tek unë) dhe pastaj na i prano o Zot agjërimin tonë, o Zot i gjithë krijesave.

Përktheu: Nexhat Ceka

You may also like...