Ndjesë o Ramazan… (III)

Ramazan-1Ka filluar i huaj dhe do të kthehet i huaj?

 I Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Ka filluar islami i huaj dhe do të kthehet përsëri si i huaj, mirëpo përgëzime për ata ta huajt”.

Ai i cili lexon apo dëgjon tregimet e selefit dhe pak prej të vonshmëve e kupton se kjo fe jeton e huaj tek njerëzit e vet në këtë kohë, kush dëgjon për agjërimin e tyre, namazin e tyre, xhihadin e tyre e kupton se në kohën e sotme ka nevojë të madhe për reforma brenda muslimanëve dhe kthimin në atë në të cilin ishin të parët tanë.

Prandaj imam Maliku-Allahu e mëshiroftë thotë: “Nuk mund të rregullohet fundi i këtij Umeti përveçse me atë që u rregullua fillimi i tij”. E ajo pa dyshim se është kapja fortë për teuhidin e Allahut dhe për sunetin e të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, pra ta kuptojmë fenë ashtu siç e kanë kuptuar të parët tanë të mirë pasi që për këtë ka urdhëruar edhe vet i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, duke thënë: “Më pasoni mua dhe shokët e mi” apo në transmetimin tjetër “Pasoni kalifët e drejtë”.

Të dashur vëllezër dhe motra ejani bashkë të shikojmë disa tregime të të huajve-gurabave” në raport me agjërimin e tyre në Ramazan që ta kuptojmë se pse duhet kërkuar ndjesë nga Ramazani, kur ne sot e shohim se si ka qenë qasja e tyre ndaj agjërimit.

Gurabatë dhe agjërimi:

 

Ibën Omeri -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: Omeri nuk ka vdekur derisa e ka plotësuar agjërimin e tij.

Ndërsa Othmani, prijësi i të devotshmëve dhe ekzekutuesi i të prishurve, për të Ebu Nuajmi thotë: Dita e tij ishte përplot me agjërim dhe uri, kurse nata e tij ishte me namaz dhe sexhde, i përgëzuar me xhenet, e i kapluar nga një fatkeqësi (për vrasjen e tij).

Zubejr ibën Abdullah transmeton nga gjyshja e tij e cila thotë: Othmani agjëronte shpesh, falej natën përveç se një pjesë në fillim të natës. E vranë duke qenë i agjërueshëm, Mus’hafin e kishte para vetes duke lexuar, ndërsa lotët i pikonin çdo herë mbi mjekrën dhe mollëzat e faqeve të tij. Ai ishte i dashuri i të Dërguarit të Allahut- paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ministri i drejtë, njeriu i katërt nga mirësia, i cili ka shkel në kohën tonë mbi sipërfaqen e tokës. (pas Muhamedit, Ebu Bekrit dhe Omerit -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ta).

Ebu Talha el-Ensarij -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, për të cilin i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Zëri i Ebu Talhës në ushtri vlen sa 1000 burra”. – Enesi -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmeton dhe thotë: Kur ishte gjallë Ebu Talha i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ai nuk agjëronte shkaku i luftës, mirëpo kur vdiq i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, çdoherë ishte agjërueshëm përveç se në dy ditët e Bajrameve.

Ebu Derda -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, zotëria i lexuesve të Kuranit, i urti i këtij Umeti ka thënë: Kam qenë tregtarë përpara se t’i vijë shpallja të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, kur i erdhi shpallja atëherë merresha edhe me tregti edhe bëja ibadet, mirëpo nuk pajtoheshin njëra me tjetrën, atëherë iu rreka ibadetit dhe e lash tregtinë”.

Gruaja e Ebu Derdasë -Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë për të: Nuk ka pasur nevojë për dynjanë, falej natën, agjëronte gjatë ditës”. Koha e tyre ishte e gjitha në përkushtim ndaj Allahut.

Abdullah ibën Omeri -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, imami i cili meriton të ndiqet, adhuruesi i Allahut gjatë natës, mjafton për të fjala e të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ku thotë: “Sa i mirë është Abdullahu sikur të falej natën”.

Nafiu thotë për Ibën Omerin -Allahu qoftë i kënaqur prej tij: Ai nuk agjëronte në udhëtim, kurse kur ishte vendas rrallë herë e takoje duke mos agjëruar.

Sejid ibën Xhubejri -Allahu e mëshiroftë, thotë: Kur i erdhi vdekja Ibën Omerit tha: Nuk jam pishman nga dynjaja përveç tri gjërave: Agjërimi gjatë ditëve të nxehta, faljes gjatë natës dhe se unë nuk e kam luftuar grupin e rebelëve (fietul-bagije) të cilët na kanë sunduar d.m.th Haxhaxhin.

Rexha ibën Hajve transmeton nga Ebu Umameja -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i cili thotë: E përgatiti i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, një ushtri, unë ju afrova dhe i thashë: O i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, lute Allahun që të vdes si shehid. – Kurse i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, më tha: “O Allah bëni të kthehen shëndoshë dhe me plotë plaçkë lufte”. – Pas kësaj ne luftuam dhe u kthyem shëndosh e mirë dhe me shumë plaçkë lufte derisa e përsëriti këtë fjalë tri herë në tri luftëra të ndryshme kur unë i thashë që ta lus Allahun që të bie shehid. – Pastaj erdha tek ai përsëri dhe i thashë: Të kam ardhur tri herë radhazi të lutem që ta lusësh Allahun që të vdes si shehid kurse ti më the: O Allah shpëtoji këta dhe jepu plaçkë lufte. – Kurse ne luftuam dhe fituam plaçkë luftë, o i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, më urdhëro me një vepër që në qoftë se e veproj do të hy në xhenet. – Atëherë ai më tha: “Të urdhëroj të agjërosh sepse nuk ka vepër si ajo”. – Pastaj transmetuesi thotë: Në shtëpinë e Ebu Umames nuk ndizej zjarr gjatë ditës, vetëm se kur i vinte ndonjë mysafir, për këtë kur e shihnin se në shtëpinë e tij është ndezur zjarri e dinin se në shtëpinë e Ebu Umames kishte ndonjë mysafir.

Ebu Derda -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmeton dhe thotë: Dilnim me të Dërguarin e Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, në disa udhëtime të tija gjatë ditëve shumë të nxehta, derisa e vendosnim dorën mbi kokë (për tu mbrojtur nga dielli i fuqishëm) prej nxehtësisë së madhe, nuk agjëronte askush prej nesh përveç Abdullah ibën Revahës-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të.[11]

Mesruk ibën Abdurahmani -Allahu e mëshiroftë, i cili ishte i njohur me diturinë e tij dhe lavdërohej shumë nga besimtarët,  e mbante besën e dhënë, e adhuronte Allahun me dashuri të plotë, tregon Shabiu për të dhe thotë:

“E vizitova një ditë Mesrukun në një ditë kur ai ishte agjërueshëm, Aisheja bashkëshortja e tij e kishte adaptuar një vajzë të cilës i kishte vendosur emrin Aishe të cilës nuk ia prishte qejfin kurrë. Një ditë vajza e saj i drejtohet dhe i thotë:

O babai im ha pak dhe pi diçka. – i tha ai: Çfarë dëshiron të thuash me këtë oj bija ime? – Ajo i tha: Të mirën tënde. – Tha Mesruku: Oj vajza ime unë të mirën time e kërkoj në atë ditë, kur dita është e gjatë sa 50 000 vjet (d.m.th. ai ka punuar pikërisht për këtë ditë).

Si është puna e këtyre njerëzve tek Allahu dhe çfarë ka përgatitur Allahu për ta?

Allahu në Kuran thotë: “Po Allahu i ruajti ata prej sherrit të asaj dite dhe u dhuroi shkëlqim në fytyra e gëzim të madh. Dhe për shkak se ata duruan, i shpërbleu me xhenet dhe me petka mëndafshi. Aty janë të mbështetur në kolltukë dhe aty nuk shohin as diell (vapë) e as të ftohtë. Hijet e tyre (të pemëve) janë afër mbi ta dhe kalaveshët e pemëve janë shumë afër tyre”.[12] – Derisa thotë Allahu në fund për shpërblimin e tyre: “Ky është shpërblimi juaj, sepse angazhimi juaj ka qenë i pranishëm”.[13]

Ala ibën Zijad, i përmalluar, i përgatitur për ta takuar Allahun, ishte i devotshëm, e punonte atë çfarë e fliste, qante shumë prej frikës së Allahut. Nga Hisham ibën Hasan transmetohet se ka thënë: Ushqimi i Ala ibën Zijadit ishte një regife (copë) buke për një ditë të tërë, agjëronte derisa të vinte nata, falej derisa rrëzohej prej namazit të gjatë”.

Një ditë hyri tek ai Enes ibën Malik dhe Hasen ibën Ali -Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, dhe i thanë: Allahu nuk të ka urdhëruar kështu. – Tha: Unë me të vërtet jam rob, nuk lë ndonjë vepër pa bërë derisa kam mundësi ta bëj.

Dikush i tha Ala ibën Zijadit: Të pash në ëndërr sikur ishe në xhenet. – Tha: Mjerë ti, a nuk gjeti shejtani përveç meje dhe teje dikë tjetër për ta tallur.

Selme ibën Seid thotë: Është parë në ëndërr Ala ibën Zijadi nga dikush se është në xhenet, jetoi pas asaj dite edhe tri ditë, e në ato ditë vetëm se ka qarë. As që ka fjetur as ka ngrënë diçka, dikur iu afrua Haseni dhe i tha: O vëllai im a do ta vrasësh veten tënde, se je përgëzuar me xhenet? – Atëherë Alau filloi të qajë edhe më shumë, hëngri diçka atë natë pasi që ishte agjërueshëm kur erdhi iftari.

Allahu për këta në Kuran thotë: “E atyre të cilëve u priu e mbara nga ana jonë, do të jenë larg tij (Xhehenemit). Ata nuk do të dëgjojnë as zhurmën e tij, dhe ata do të jenë përgjithmonë të kënaqur me atë që e dëshirojnë vetë. Ata nuk do t’i shqetësojë ajo frika e madhe (e fyerjes së Surit), dhe do t’i presin engjëjt (duke u uruar): “Kjo është dita e juaj që u premtohej”. (Përkujto) Atë ditë kur Ne e palosim qiellin sikurse palosja e fletëve në libër. Ashtu sikundër e kemi filluar krijimin (tuaj), e rikthejmë. Ky është obligimi ynë, e Ne e bëjmë këtë. Ne e kemi shënuar në Zebur (në librat e shenjtë) pas shënimit (në Levhi mahfudh), se me të vërtetë tokën do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë. Në këtë (që u përmend) ka mjaft për një popull të dëgjueshëm. E Ne të dërguam ty (o Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat”.[14]

Poeti thotë:

Lëreni të qetë e mos e pengoni

Sepse e ka kuptuar atë që ju nuk e keni kuptuar

E pa flamurin e udhëzimit dhe vrapoi pas tij

Dhe kërkoi diçka që ju nuk e kërkuat

Ju përgjigj thirrjes së tij kur e thirrën

I çoi në vend urdhrat e tij

Kurse ju i latë mangët ata

Ku është njeriu i mençur dhe i zgjuar

E shijoi ushqimin të cilin nuk e shijuat

Allahu në Kuran thotë: “Ato janë Xhenetet që do t’ua trashëgojnë robërve Tanë që ishin të ruajtur”.[15] Koha e tyre ishte vetëm për Allahun, sa të mëdha ishin ambiciet e tyre, çfarë fjalësh mund t’i përshkruajnë veprat e tyre, tani të dëgjojmë disa lajme të grave të devotshme.

Aisheja e bija e Ebu Bekrit:

Abdurahman ibën Kasimi tregon për Aishen -Allahu qoftë i kënaqur prej saj, se ajo agjëronte çdoherë ndërsa Urveja transmeton dhe thotë se Aisheja agjëronte vazhdimisht. Kurse Kasimi thotë: Agjëronte tërë vitin përveç ditëve të Bajrameve.

Njëherë Muaviju -Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i dërgoi 1000 dërhem Aishes -Allahu qoftë i kënaqur prej saj, e cila kur i mori këta para ua shpërndau të varfërve dhe në fund nuk i mbeti për vete asgjë. – Berira, shërbëtorja e saj i tha: Ti je me agjërim, sikur të na kishe lënë një dërhem të kishim blerë mish. – i tha Aisheja- Allahu qoftë i kënaqur prej saj: Mos ma merr për të madhe sikur të ma kishe kujtuar më herët do të veproja ashtu. – Kjo është e sinqerta e bija e të sinqertit, e dashura e të dashurit tonë paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, e pastër nga punët e këqija.

Hafsa e bija e Omerit:

Hafsa e bija e Omerit -Allahu qoftë i kënaqur prej saj, falej natën dhe agjëronte gjatë ditës, transmeton Kajs ibën Zejdi se: i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, e divorcoi Hafsën -Allahu qoftë i kënaqur prej saj, dhe një ditë hyrën tek ajo dy dajallarët e saj Kudameja dhe Othman ibën Mat-uni kurse ajo filloi të qajë dhe tha: Vallahi nuk më ka lënë nga shkaku i ngrënies tepër. – Kur erdhi i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të,  ajo u mbulua, tha i Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të: “Më tha Xhibrili ktheje Hafsën sepse ajo me të vërtet falet shumë dhe agjëron, madje ajo është gruaja jote në xhenet”. – Cila dëshmi është me e madhe se dëshmia e Allahut dhe Xhibrilit për Hafsën -Allahu qoftë i kënaqur prej saj, kurse begatia më e madhe për të është se ajo do të jetë gruaja e tij në xhenet.

Nafiu tregon dhe thotë: Vdiq Hafsa -Allahu qoftë i kënaqur prej saj, pa bërë iftar duke qenë agjërueshëm.

Rahla, robëresha e Muavijut

Seid ibën Abdulazizi tregon dhe thotë: Nuk ka as në Sham e as në Irak ndonjë grua më të mirë se Rahla. Njëherë atë e vizituan disa lexues të Kuranit dhe i folën ta merr veten me të mirë, të ketë kujdes për veten e saj. – E ajo u tha: Çfarë kam unë dhe trupi im për ta marrë veten me të mirë, ngase ditët janë të shkurtra, kush nuk bën sot diçka nesër nuk mund të bën asgjë. Vallahi o vëllezërit e mi do të falem derisa të më punojnë gjymtyrët e mia, do t’i agjëroj tërë ditët e jetës sime, do të qaj për Allahun sa të kenë lot sytë e mi. – U ndalë pak dhe përsëri tha: Cili prej jush do ta urdhërojë robin e tij diçka e ai mos ta dëgjon zotërinë e vet? Allahu e mëshiroftë atë, ka agjëruar derisa është nxirë, është falur derisa ka pasur fuqi, ka qarë derisa janë tharë lotët.

Transmetohet gjithashtu se ka thënë: Dituria për veten time ma shpon zemrën dhe ma ngrin zemrën, vallahi do të dëshiroja sikur Allahu të mos më kishte krijuar e të mos kisha qenë e përmendur kurrë. Puna e asaj ishte: shkonte në bregdet dhe i merrte me vete rrobat e muxhahidëve e i lante për hir të Allahut.

Allahu për këta njerëz thotë: “Ata përpiqeshin për punë të mira, na luteshin duke shpresuar dhe me frikë dhe ishin të përkulur ndaj Nesh”.[16] Gjithashtu kur ata do të hynë në xhenet thotë: Dhe njëri-tjetrit i qasen duke i pyetur (për punët e tyre në dynja).(Këta) Thonë: “Ne edhe kur ishim në familjet tona, ishim ata që frikësoheshim. E Allahu na dhuroi të mira dhe na ruajti prej dënimit të erës (flakës) së nxehtë të zjarrit. Ne më parë ishim ndër ata që lutëm Atë, e Ai është Bamirës, Mëshirues”. Pra ti përkujto (me Kur’an) se me dhuntinë e Zotit tënd ti nuk je as fallxhor, as i çmendur”.[17] Na fal Ramazan…

 Përktheu dhe përshtati: Nexhat Ceka

You may also like...