Ndjesë o Ramazan…(IV)

Ramazani-23Halid Rashid

Llojet e agjëruesve:

Vëlla dhe motër e dashur, këto janë cilësitë e agjëruesve sot, i ceki nga shkaku se të kthehemi në vetvete e të marrim ndjesë duke thënë: Na fal Ramazan.

Ai i cili agjëron vetëm duke ndenjur i uritur dhe i etur – agjërimi i tij është traditë.

Ai i cili agjëron duke u larguar nga gjithë haramet, kamatës – agjërimi i këtij është adhurim dhe traditë.

Ai i cili agjëron duke u larguar nga mëkatet dhe gjynahet madje edhe iftarin e bën për hir të Allahut – agjërimi i këtij është për të arritur kënaqësinë e Allahut.

Ai i cili agjëron duke u larguar nga të këqijat ndërsa iftari i tij është teubeja tek Allahu – agjërimi i këtij personi e bën atë të devotshëm.

Ai i cili agjëron duke u larguar nga përgojimi, shpifja, bartja e fjalëve kurse iftarin e bën me lexim të Kuranit – agjërimi i këtij është agjërim i vërtet.

Ai i cili agjëron duke u larguar nga veprat e këqija kurse iftarin e bën duke medituar – agjërimi i këtij e bën atë të lumtur.

Ai i cili agjëron duke u larguar nga syefaqësia dhe bën iftar me sinqeritet vetëm për Allahun – agjërimi i këtij është i shëndoshë.

Ai i cili agjëron duke i kundërshtuar epshet e tij dhe bën iftar duke e falenderuar Allahun – agjërimi këtë person e bën fitues.

Ai i cili agjëron duke luftuar të mos bëj vepra të shëmtuara dhe bën iftar duke i parë veprat e tij të dobëta – agjërimi këtë person e bën muxhahid.

Ai i cili agjëron, e din se jeta është e shkurtër dhe e bën iftarin duke e pritur exhelin, vdekjen e tij – agjërimi këtë person e bën asket, zahid.

Ibën Kajimi -Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Agjërimi është mbulesa e të devotshmëve, xheneti i luftëtarëve, kopshti i bamirësve, atyre që janë afër Zotit të botëve, u mjafton për këtë argument fjala e Allahut në hadithin kudsi kur thotë:“Agjërimi është i imi dhe Unë shpërblej për të”.

Thotë poeti:

O ti i cili vjen për devotshmëri, në sytë e tu është dashuria

Jam përmalluar për ty dhe sa e sa shpejton zemra për tek ti

Kam duruar një vit për ty duke shpresuar të kthehesh përsëri

Shpirti im a thua afrohet dalja e tij

Allahu na ka begatuar kur na vjen me gjithë ato begati

Gjatë teje të devotshmit ngrihen në shkallë të larta

Kurse për përtacët të korrat e tyre janë thatë janë boshë

Kanë thënë për agjërimin:

– Kënaqësia e vetmisë

– Burrëria e hapur

– Vullneti i fuqishëm

– Muaji i lirisë dhe liria është adhurimi i plotë ndaj Allahut, kurse me plotësimin e adhurimit arihet liria e plotë.

Ramazani muaji i forcës: (Nuk është i fortë ai i cili del në dyluftim, mirëpo ai i cili e përmban veten kur hidhërohet).Kanë thënë: Agjërimi është: durim, respektim dhe ligj. A mundet një Umet t’i ketë këto cilësi e t’i shkojnë punët huq, apo ushtri e cila i ka këto cilësi e të mposhtet?!

Dije se Allahu me agjërim dëshiron të na bëjë të fortë dhe besnik, ki kujdes vëlla dhe motër të mos na vjen Ramazani dhe të na gjejë të dobët e frikacak. Nuk premton koha të flasim për Gurabatë -Të huajt” në raportet e tyre me Kuranin, leximin e tyre, namazin e natës, adhuruesit, lutësit, modestët, dhuruesit e sadakave, trimëritë e trimave, flijimet e tyre në xhihad mirëpo na mjafton kjo e cila dëgjuam për ta nga lajmet e tyre, ndërsa i mençuri kupton me shenja.

Ramazani ka qenë më parë muaji i adhurimit, ixhtihadit dhe për ta ka qenë njëjtë si gjatë tij ashtu edhe pas tij, kurse si është halli ynë sot?! Dëgjuat disa nga lajmet prandaj tani të përsërisim të gjithë me një zë: Ndjesë Ramazan…

Në disa hulumtime dhe ankesa të cilat u janë bërë njerëzve të lëmenjve të ndryshme, studentëve, punëtorëve se si ata e kalojnë kohën gjatë muajit të Ramazanit, e gjithë puna e tyre vërteton fjalën e të Dërguarit të Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ku thotë: “Ka filluar islami i huaj dhe do të kthehet përsëri i huaj”.

Dikush prej tyre thotë: E kaloj kohën tërë natën duke shikuar televizor, duke shikuar programe satelitore derisa të hy koha e sabahut, kështu veproj unë bashkë me shokët e mi, na fal Ramazan…

Një tjetër thotë: Mua koha më kalon duke i ndjekur rresht ndeshjet sportive gjatë tërë Ramazanit, na fal Ramazan…

Tjetri thotë: E kaloj kohën gjatë Ramazanit duke luajtur letra tërë natën, na fal Ramazan…

Një tjetër thotë: E kaloj Ramazanin duke shëtitur nëpër kopshte dhe rrugë të ndryshme. Të Allahut jemi dhe tek Allahu do të kthehemi!?

Mjerë Umeti i cili luan me këtë lojë siç luan fëmija me fëmijët, ndërsa kur imami lexon në namaz ndonjë sure gjatë këtij muaji dhe e zgjat pak, e llogarisim atë sure shumë të gjatë. Kurse klasa punëtore thotë: Qëndrimi gjatë gjithë natës pa gjumë pastaj përtaci e lodhje gjatë tërë ditës, e rezultati i kësaj është: vërejtje për ta lëshuar nga puna, fjalë të rënda nga drejtorët etj.

Dikush tjetër thotë: Unë jam më mirë se tjerët ngase unë mund të fli në zyrë…, pra ka humbur amaneti me të cilën janë ngritur toka dhe qielli.

Dikush tjetër thotë: Në Ramazan mungoj shumë në punë dhe shpesh kam mosmarrëveshje me kolegët e mi të punës.

Kurse imamët e xhamive edhe ata ankohen duke bërë thirrje bashkë me ne “na fal Ramazan…”

Në disa takime me imamët e xhamive disa prej tyre tregojnë dhe thonë se xhematlitë shtohen gjatë Ramazanit, kthehen njerëzit në rrugën e Allahut ndërsa të tjerët ankohen dhe thonë se edhe gjatë Ramazanit ka të tillë të cilët janë përtacë në veçanti kur bëhet fjalë për namazin e drekës dhe të ikindisë, ku ata mungojnë me të madhe, kurse në namazin e sabahut me xhemat prezentojnë me të madhe, e kjo pasi që tek ata është bërë nata ditë e dita natë.

Ndërsa për sa i përket tregjeve dëgjoi haberet e tyre: Sa ju përket kafehaneve, njëri nga kafexhitë është pyetur se si shkon puna në kafe gjatë ramazanit dhe jashtë saj. U përgjigj: Puna në Ramazan shtohet shumë sepse shtohen myshteritë dyfish më shumë se jashtë ramazanit. Kështu pra është gjendja jonë, muslimanët e kalojnë tërë kohën e tyre në letra,duhan shishe. Andaj !!!! si të mos bërtasim me zërin më të lartë dhe të themi : Na fal Ramazan, ndjesë”.

Ndërsa djemtë lozin me vetura tërë natën… pyet vëlla se ku është kujdestari i tyre. Ndërsa gratë duke shëtitur nëpër tregje duke bërë pazarllëqe prej më të ndryshmeve, si ato ushqimore, të ëmbëlsirave, pijeve e kështu me radhë. Vallë a për kësi gjëra është bërë obligim Ramazani!? Disa nga nënat e shkreta i presin djemtë e tyre deri në syfyr t’u kthehen djemtë e tyre. Ndërsa tregu… fol e mos u ndal! Ku është ibadeti ? Ku shkon mundi?! Vallë jeta a nuk është e kufizuar me afat?

Dikush prej tyre thotë :Bie të fle pas namazit të sabahut pastaj çohem pas namazit të iqindisë, sepse gjumi është ibadet! Dikush tjetër thotë : Babai im më zgjon për iftar, bile në disa raste iftarin e ha pak para jacije. Them të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi. Me disa myshteri nëpër kafe ishin këto pyetje: që prej kur jeni këtu? Tha: prej në ora 00:00. Deri kur do të qëndroni këtu? Thotë: deri në syfyr. A punoni diku? Po, jam në punë shtetërore. Po vallë a nuk vonoheni në punë? Thotë: Vonohem pak, pastaj e vazhdoj gjumin në zyrë.  Ky është Ramazani i sodit, tek shumica e njerëzve.

Mjerë për boshllëkun e këtyre agjëruesve.

Mjerë për neglizhencën e tyre.

Edhe njëherë na fal Ramazan, nuk ta dimë vlerën aq sa e ke.

Mjerë për ne çka na ka mashtruar!

Mjerë për ne sa injorant që jemi!

Mjerë për ne për çfarë jemi krijuar!

Për xhenet apo për xhehenem!

O terr i mjegullave të pakujdesisë në zemër shpërndahu

O shkëlqimi i devotshmërisë lind dhe ndriço

Oj vepër në fletushkën e mirë çohu dhe përgëzo

Oj zemër e agjëruesit frikohu përulu

O këmbë e namazfalësit të natës çohu

bjer në sexhde dhe në ruku për Zotin tënd

O syri i atij që është vigjilent mos flejë po çohu falu

O mëkat i gjunahqarëve ik dhe mos u kthe

Oj tokë me ajër përmbyt me ujin tënd

O qiell i shpirtit rrëmbe

Oj logjikë e shëndoshë zgjohu

Oj ambicie e të dashuruarve jo për Allah mos u kënaq

Ju ofrova juve materialin e agjëruesve, prandaj çdokush dëgjoi se Ramazani ju thërret dhe ju thotë: “O populli ynë, përgjigjuni thirrësit të Allahut dhe besoni atij! Ai jua falë mëkatet tuaja dhe ju shpëton prej një dënimi plot vuajtje. E kush nuk i përgjigjet atij që thërret në rrugën e Allahut, ai nuk është i pamposhtur në tokë dhe pos Atij, ai nuk ka mbrojtës, të tillët janë në një humbje të hapët!”  Myzhde për atë i cili i përgjigjet thirrjes dhe ia qëllon, mjerë për atë i cili largohet nga dera e hyrjes.. a nuk të mjafton fjala e Allahut: “Agjërimi është i imi dhe unë shpërblej për të”

O Zot faljen tënde shpresoj nga nuri yt i kam ngritur duart

Qaj qan loti im si dhe qan vajtimi im

Lotët e mi e kanë mbushur një enë plot

Asnjëherë nuk ka ilaç o Zot kënd ta thërras pos teje

Ti je shpresa ime pas errësirës

Lësho o Zoti im dritën tënde sepse unë jam i etur

Sepse nuk e di nga të pij ujë të freskët e të pastër

Sepse as uji i bregdetit nuk e shuan etjen time në mua

Mëshirën tënde o Zot e pres

ky është gjynahu im që më pengon nga devotshmëria

Ajo ishte rruga ime ndërsa më ka mbet rruga me njolla

O Zot nga Ti kërkoj të mi falësh mëkatet

Në dallgët e errëta që s’ka shpëtim nga to

Zhytem fundosem mirëpo nuk e humbi shpresën tek Ti

Nuk e di deri tash a më ke fal apo jo unë prapëseprapë të lutem

O Zot, shumë interesant me atë i cili të njeh Ty pastaj lut tjetërkënd pos Teje, interesant me atë i cili e dëgjon thirrësin Tënd pastaj vonohet prej Teje! Na fal Ramazan …Na fal sepse nuk ta dimë vlerën ashtu siç e meriton.

O Allah mos na privo nga të mirat e Tua nga shkaku i të këqijave tona, O Allah na mundëso ta mbërrijmë Ramazanin, O Allah na mundëso ta mbërrijmë Ramazanin, O Allah na mundëso ta mbërrijmë Ramazanin, na mundëso të agjërojmë gjatë tij, të falemi natën në të, me besim dhe shpresë në shpërblimin Tënd, O më i Lartëmadhëruari, o Allah na mundëso që gjatë tij të bëjmë vepra të mira, të largohemi prej mëkateve dhe gjynaheve, na bashko gjithë neve, na i bashko safet tona, na drejto prijësit tanë, ndihmoju muxhahidëve, dijetarëve, thirrësve në rrugë të Allahut, jepu sukses rinisë sonë, pleqve tanë, grave tona, që të pendohen sinqerisht dhe na përforco deri në vdekje o Zot i botëve! O Zot ne i bëmë padrejtësi vetes sonë, po qe se Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, atëherë ne do të jemi prej të humburve. Kërkoj falje nga Allahu i Madh. Përshëndetjet qofshin mbi Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij në përgjithësi.

Përktheu dhe përshtati: Nexhat Ceka

You may also like...