Ndriçimi i teuhidit – Kuptimi i teuhidit

La ilahe ilAllahStudimi i parë: Ndriçimi i teuhidit

Kërkimi i parë: Kuptimi i teuhidit

Teuhidi në përgjithësi është: Dija dhe njohja të bashkuara me besim bindës, të prerë, duke e njësuar Allahun me emrat e Tij të bukur, njësimi i Tij me cilësitë e Tij të plota dhe të përsosura, të madhëruara dhe të lartësuara si dhe veçimi vetëm i Tij me adhurim.[1] Allahu i Lartësuar thotë: “I adhuruari i juaj është i adhuruari i vetëm, një, nuk ka të adhuruar veç Atij, Ai është i Gjithëmëshirshmi më Mëshiruesi“.[2] Dijetari es-Sadi-Allahu e mëshiroftë, thotë: Kjo do të thotë Ai i cili është i vetëm një në qenien e Tij, emrat e Tij, cilësitë e Tij, veprat e Tij, nuk ka shokë në: Qenien e Tij, as në lartësinë e Tij, as në barabartësinë me Të, as të ngjashëm me Të, as konkurent me Të, as krijues si Ai, as rregullues si Ai përderisa është me këto cilësi Ai është i vetmi që meriton të adhurohet me të gjitha llojet e adhurimeve dhe mos ti bëhet shok Atij me dikënd tjetër nga krijesat e Tij.[3]

Kërkimi i dytë: Argumentet e qarta në pohim të teuhidit:

Argumentet e qarta, bindëse të padiskutueshme në librin e Allahut të Lartësuar dhe në sunetin e të Dërguarit të Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, që konfirmojnë teuhidin janë të shumta dhe nuk mund të numërohen, mirëpo do të cekim në vijim disa prej tyre si p.sh.

1 – Allahu i Lartësuar thotë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as dëshiroj të më ushqejnë ata. Allahu është furnizues i madh. Ai është fuqiforti”.[4]

Kuptimi është: Njerëzit dhe xhinët i kam krijuar të më njësojnë Mua.[5]

2 – Allahu thotë: “Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: Adhuroni vetëm Allahun, e largonu djave (adhurimit të tyre)! Por, pati nga ata që Allahu e udhëzoi dhe pati nga ata që ishte i gjykuar me humbje, pra udhëtoni nëpër botë dhe shihni se si ishte fundi i gënjeshtarëve?[6]

Këtu Allahu tregon se argumentet e Tij i kanë mbërthyer dhe kanë aritur tek çdo umet, popull, si dhe nuk ka ndonjë popull të hershëm dhe të vonshëm veçse Allahu i ka dërguar atyre profet. Të gjithë të pajtuar në një thirrje të vetme dhe fe të vetme e ajo është: Adhurimi i Allahut të vetëm i Cili nuk ka shok dhe prej kësaj më vonë popujt janë ndarë në përgjigjen e tyre ndaj kësaj thirrjeje se profetëve ne dy grupe, disa prej tyre Allahu i udhëzoi e ata i ndoqën të dërguarit e tyre e pjesa tjetër e merituan devijimin duke e ndjekur rrugën e gabuar me vetëdije.[7]

3 – Allahu thotë: “Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: Nuk ka zot tjetër përveç Meje, pra më adhuroni!”[8]

Nga kjo kuptojmë se koka e thirrjes, baza e çdo të dërguari para pejgamberit-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ishte: Urdhëri i prerë për tu adhuruar vetëm Allahu i cili nuk ka shok, si dhe shpjegimi se adhuruesi i vërtet është Ai që adhurohet ndërsa adhurimi i dikujt tjetër pos Tij është i kotë.[9]

Për këtë arsye Allahu thotë: “E ti, pyeti ata të dërguarit që i dërguam para teje, a kemi lejuar që në vend të Allahut të adhurohen zota tjerë?[10]

4 – Allahu thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetër pos Tij, që të silleni në mënyrë bamirëse ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose që të dy, i ka kapur pleqëria pranë kujdesit tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “of – oh”, as mos u bë i vrazhdë ndaj tyre, po atyre thuaju fjalë të mira (të buta respektuese).”[11]

Pra Allahu i Lartësuar ka urdhëruar, këshilluar, gjykuar, urdhëruar prerazi për teuhidin kur thotë: “Zoti yt ka urdhëruar prerazi” gjykim fetar dhe urdhër sheriatik “të mos adhuroni” dikënd tjetër nga banorët e qiellit apo të tokës, qofshin ato të gjallë apo të vdekur “përpos Atij” ngase Ai është i vetmi një pa rival.[12]

5 – Profetët u thoshin popujve të tyre: “Ne patëm dërguar Nuhun te populli i vet, e ai i tha: O populli im, adhuronie vetëm Allahun, nuk keni zot tjetër pos Tij. Unë kam frikë për dënimin Tuaj në një ditë të madhe![13] Allahu gjithashtu thotë: “Edhe te (populli) Adi e dërguam vëllaun e tyre Hudin, e ai tha: O populli im, adhuronie (një Zot) Allahun, ju nuk keni zot pos Tij, a nuk po frikësoheni?![14]

Ajete prej të cilave kuptohet se vetëm Allahu meriton adhurimin ngase Ai është Krijuesi, Furnizuesi, Rregulluesi i të gjitha çështjeve ndërsa çdo gjë pos tij është krijesë e kontrolluar e cila nuk ka në dorë të saj diçka.[15]

6 – Allahu thotë: “E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zekatin, se ajo është feja e drejtë”.[16]

7 – Allahu thotë: “Thuaj: “Namazi im, kurbani im dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë (thjeshtësi të adhurimit vetëm për Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve (i pari që pranoj dhe bindem)”![17]

Allahu Fuqiplotë e la urdhëruar të Dërguarit të Tij-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, t’ju thotë pabesimtarëve: Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun, Zotin e botrave, i Cili nuk ka ortak apo rival në adhurim, ashtu siç nuk ka rival në sundim dhe në rregullim të punëve të Tij, pra kështu më ka urdhëruar Zoti im si dhe unë jam i pari i cili i nënshtrohem Zotit tim nga ky umet.

8 – Muadh ibn Xhebeli-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i ka thënë: “O Muadh a e din çfarë është obligimi kanë robërit ndaj Allahut?” – I thashë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e din më së miri. – Më tha: “Obligimi i robërve ndaj Allahut është ta adhurojnë vetëm Allahun dhe të mos i bëjnë shok Atij“. – Pastaj më pushoi pak dhe përsëri më pyeti: “O Muadh a e din se çfarë është obligimi i Allahut poqëse robërit e Tij veprojnë kështu (e adhurojnë vetëm Allahun të vetëm pa shok)?” – I thashë: Vetëm Allahu dhe i Dërguari i Tij e din më së miri. – Më tha: “Obligimi i Allahut është që të mos e dënon atë i cili nuk i bën shirk Atij diçka“.[18] Ky hadith na bën të qartë se obligimi i robërve ndaj Allahut është që ta adhurojnë Atë të vetëm duke mos i bërë shok Atij në asnjë adhurim ndërsa obligimi i Allahut ndaj tyre është se nëse ata e plotësojnë këtë kushtë të mos i dënon ata, pra ata që nuk i përshkruajnë shok Atij. Nuk ka dyshim se obligimi i Allahut është që ta çon në vend premtimin e Tij mbi robërit e Tij, ti shpërblen ata me atë që ua premton ndërsa fjala e Tij është më se e drejtë që nuk i lejohet askujt ta përgënjeshtron atë. Obligimi i Tij është nder për robërit e Tij në shenjë respekti ndaj tyre ashtu njejtë siç ia ka bërë haram padrejtësinë Vetes së Tij, e një gjë të tillë nuk ja ka obliguar diksuh nga krijesat. i Lartëmadhëruari asesi nuk krahasohet me krijesat e Tij, mirëpo kjo është gjykim i mëshirës dhe drejtësisë së Tij, Allahu ia ka obliguar Vetes së Tij mëshirën dhe ia ka bërë haram Vetes padrejtësinë.[19]

9 – Utban ibn Maliku-Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “…Allahu ia ka bërë haram (të ndaluar) zjarrin atij që thotë: La ilahe ila-Allah, me të kërkon fytyrën e Allahut”.[20]

Shkëputur nga libri Drita e teuhidit dhe erësira e shirkut nën dritën e Kuranit dhe sunetit”
Autor: Dr. Seid Ibn Alij Ibn Vehf el-Kahtani
Përktheu dhe përshtati: Nexhat Ceka



[1] “El-kaulu sedid fi mekasidi teuhid”, Abdurahman es-Sa‘di fq. 18

[2] Bekare:163

[3] “Tejsirul-kerimi Rahman fi tefsiri kelami-menan” Abdurahman es-Sa‘di fq. 60

[4] Dharijat:56-58

[5] “Xhamiul-ahkamil-kuranil-kerim” Kurtubiut 17/57

[6] Nahl:36

[7] “Tejsirul-kerimi Rahman fi tefsiri kelami-menan” Abdurahman es-Sa’di fq. 393

[8] Enbija:25

[9] “Xhamiul-bejan an tevili ajel-Kuran, e Taberaniut 18/427, “Tejsirul-kerimi Rahman fi tefsiri kelami-menan” Abdurahman es-Sa’di fq. 470

[10] Zuhruf:45

[11] Isra:23

[12] “Xhamiul-bejan an tevilil-kuran” Taberiu 17/41, “Tejsirul kuranil-adhim”, Ibn Kethir 3/34 “Tejsirul kerimu-Rahman fi tefisiri kelamil-menani” fq. 407

[13] Arafë:59

[14] Arafë:65

[15] “Tejsirul-kerimi Rahman fi tefsiri kelami-menan” Abdurahman es-Sa’di fq. 255

[16] Bejine:5

[17] Enam: 162-163

[18] Mutefekun alejh, Buhariu 7/89 nr. 5967, Muslimi 1/58 nr. 30, teksti është i Buhariut me nr. 2856, 6500

[19] “El mufhim lima eshkele min telhisi kitabi Muslim” Kurtubiu 1/203, “Sherhu Nevevij ala sahihil-Muslim 1/345, “Mexhmua fetava” Ibn Tejmije 1/213

[20] Mutefekun alejh, Transmeton Buhariu 1/125, nr. 425, Muslimi 1/435, nr. 33

You may also like...