Njohja e fesë me argumente – Parimi i dytë

Islam-23Parimi i dytë: Njohja e fesë islame me argumente

Islami është: Nënshtrimi ndaj Allahut me teuhid, përulja para Tij me adhurime dhe distancimi nga shirku dhe vepruesit e Tij.

Islami është tre shkallë: Islami, Imani dhe Ihsani, dhe secila shkallë i ka kushtet e veta.

Shkalla e parë:

Kushtet e Islamit janë pesë: dëshmia La ilahe il-lall-llah (S’ka të adhuruar pos Allahut) dhe Muhamedun Resulull-llah (Muhamedi është i dërguar i Allahut), falja e namazit, dhënja e zeqatit, agjërimi i ramazanit dhe kryerja e Haxhit në shtëpinë e Allahut.

Argument për shehadetin (dëshminë) është fjala e Allahut: “Allahu dëshmon se Ai është vetëm një, – por edhe engjëjt, e të diturit (e dëshmojnë këtë), duke qenë të qëndrueshëm në të vërtetën. S’ka zot tjetër përveç Tij. Ai është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.” [Ali Imran: 18].

Domethënia e dëshmisë është: S’ka të adhuruar me meritë pos Allahut, të vetëm.

La ilahe e mohon që të adhurohet dikush tjetër pos Allahut.

Il-lall-llah e pohon se vetëm Allahu, i Vetëm dhe i Pashoq, s’ka ortak në adhurimin e Tij, ashtu siç s’ka ortak në sundimin e Tij.

Ajo që e sqaron këtë fjalë është fjala e Allahut: “(Kujtoje ti o Muhammed!) kur Ibrahimi i tha të atit dhe popullit të tij: “Unë jam larg atyre që i adhuroni ju, pos Atij, që më ka krijuar (mua) – dhe, me të vërtetë, Ai më udhëzon në rrugën e drejtë”, dhe ai (Ibrahimi), e bëri këtë fjalë të përhershme te pasardhësit e tij, për t’u kthyer ata vazhdimisht në të Vërtetën.” [Zuhruf: 26-28].

Dhe fjala e Allahut: “Thuaj: “O ithtarët e Librit, kujtonie tregimin, që është për ne dhe për ju: “T’i shërbejmë vetëm Allahut që të mos i bëjmë shoq asgjë Atij, që njëri-tjetrin mos ta konsiderojmë për zot, në vend të Allahut!” E nëse ata kthehen nga kjo e vërtetë, thuaju atyre: “Bëhuni dëshmitarë se ne jemi muslimanë!” [Ali Imran: 64].

Argument për Muhammedun Resulull-llah është fjala e Allahut: “Nga gjiu juaj u erdhi një pejgamber. Atij i vjen rëndë për mëkatet që bëni ju, por ai përpiqet që ju të shkoni rrugës së drejtë, dhe ndaj besimtarëve është i butë dhe mëshirues.” [Teube: 128].

Domethënia e dëshmisë se Muhammedi është i Dërguar i Allahut është: Respektimi i tij në atë që ai urdhëron, besimi në atë që ai tregon, largimi nga ajo nga e cila ai na ndalon dhe mos të adhurohet Allahu pos sipas asaj që ai na mëson.

Argument për namazin, zeqatin dhe teuhidin është fjala e Allahut: “e janë urdhëruar ata që t’i luten vetëm Allahut, që sinqerisht, si besimtarë të vërtetë, të predikojnë fenë dhe të bëjnë namaz, dhe të ndajnë lëmoshën (zeqatin); e kjo është feja e drejtë.” [Bejjine: 5].

Argument për agjërimin është fjala e Allahut: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” [Bekare: 183].

Argument për haxhin është fjala e Allahut: “Allahu i ka obliguar njerëzit, ata që kanë mundësi t’i përballojnë rrugës, ta vizitojnë (haxhxhillëk) këtë Faltore. E kush i mohon urdhërat e Allahut (e dëmton veten). Se, me të vërtetë, Allahu nuk ka nevojë për asgjë.” [Ali Imran: 97].

Shkalla e dytë:

Imani është shtatëdhjet e disa pjesë, pjesa më e lartë e tij është fjala La ilahe il-lall-llah, pjesa më e ulët e tij është largimi i një pengese nga rruga, dhe turpi është pjesë e imanit.

Kushtet e imanit janë gjashtë: besimi në Allahun, në melekët e Tij, në librat e Tij, në pejgamberët e Tij, në Ditën e Gjykimit dhe në kaderin (caktimin), hajrin dhe sherin e tij.

Argument për këtë është fjala e Allahut: “Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe profetët” [Bekare: 177].

Dhe argument për kaderin është fjala e Allahut: “Ne, me të vërtetë, të gjitha i kemi krijuar sipas përcaktimit (kaderit).” [Kamer: 49].

Shkalla e tretë:

Ihsani, i cili e ka një kusht: Ta adhurosh Allahun ashtu sikur e sheh Atë, sepse edhepse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty.

Argument për këtë është fjala e Allahut: “me të vërtetë, Allahu është me ata, që i druajnë Allahut dhe që janë bamirës.” [Nahl: 128]. Dhe fjala e Allahut: “Dhe, mbështetu në të Plotëfuqishmin dhe Mëshiruesin, i cili të sheh kur ti rri në këmbë (në namaz) dhe (i cili sheh) përkuljen tënde në mesin e atyre që bëjnë sexhde, sepse, Ai – me të vërtetë, i dëgjon të gjitha dhe di të gjitha.” [Shuara: 217-220]. Dhe fjala e Allahut: “Ti nuk do të bësh asgjë, as nuk do të lexosh asgjë nga Kur’ani, as nuk do të punoni kurrfarë pune, e që Ne mos të jemi dëshmitar, kur ju të thelloheni në të.” [Junus: 61].

Argument nga sunneti për të trija këto shkallë është hadithi i njohur i Xhibrilit të cilin e transmeton Omer Ibn Hattabi [Allahu qoftë i kënaqur me të] duke thënë:

“Përderisa ishim ulur rreth Pejgamberit a.s. erdh në drejtim tonin një njeri i cili i kishte teshat shumë të bardha dhe flokët shumë të zeza, nuk shihej në të ndonjë shenjë udhëtimi dhe nuk e njihte atë asnjëri prej nesh, derisa erdh dhe u ul tek Pejgamberi a.s., i vendoi gjunët e tij afër gjunjëve të Pejgamberit dhe i vendosi duart e tij mbi kofshët e Pejgamberit dhe tha: O Muhammed, më trego se çka është islami? Pejgamberi a.s. i tha: Të dëshmosh se s’ka të adhuruar pos Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Allahut, të falësh namazin, të japësh zeqatin, të agjërosh ramazanin dhe të bësh haxhin nëse ke mundësi. Ai tha: Të vërtetën e the! Ne u habitëm me të, edhe e pyet edhe ia vërteton fjalën. Pastaj i tha: Më trego se çka është imani? Pejgamberi a.s. i tha: Të besosh në Allahun, në melekët e Tij, në librat e Tij, në pejgamberët e Tij, në Ditën e fundit dhe në kaderin, hajrin dhe sherin e tij. Pastaj i tha: Më trego se çka është ihsani? Pejgamberi a.s. i tha: Ta adhurosh Allahun sikur je duke e parë Atë, sepse edhepse ti nuk e sheh, Ai të sheh ty. Pastaj tha: Më trego për kijametin? Pejgamberi a.s. i tha: Kur do të ndodhë kijameti nuk e din as pyetësi e as i pyeturi. Atëher ai i tha: Më trego për shenjat e kijametit? Pejgamberi a.s. i tha: Robëresha do ta lind zonjën e saj dhe do t’i shohësh barinjt këmbëzbathur dhe gjysëm të veshur duke bërë gara me njëri-tjetrin në ndërtimin e ndërtesave sa më të larta. Thotë (Omeri): Pastaj ai shkoi dhe unë qëndrova me Pejgamberin a.s. edhe pak, pastaj Pejgamberi a.s. më tha: o Omer, a e dini se kush ishte pyetësi? Tham: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri. Tha: Ky ishte Xhibrili, erdh që t’ua mësoj juve fenë tuaj.”

Përktheu dhe përshtati: Omer Zaimi

You may also like...