Njohja e pejgamberit tonë ? – Parimi i tretë

Parimi i tretë: Njohja e pejgamberit tonë [alejhis-selam].

 

Ai është Muhammedi, i biri i Abdullahut, i biri i Abdulmutalibit, i biri i Hashimit, Hashimi ështe prej fisit Kurejsh, ndërsa Kurejshët janë fis arab, kurse arabët e kanë prejardhjen prej pasardhësve të Ismailit, të birit të Ibrahimit, halilit të Allahut, mbi të dhe mbi pejgamberin tonë qofshin paqja edhe mëshira e Allahut.

 

Jetoi gjashtëdhjet e tri (63) vjet, katërdhjet (40) para se të bëhej pejgamber dhe njëzet e tri (23) vite jetoi si pejgamber dhe i dërguar i Zotit. U bë pejgamber kur i’u shpallë surja “Ikra (Lexo)” dhe u bë resul kur i’u shpallë surja “Mudeththir”.

 

Vendlindja e tij është Mekja, Allahu e dërgoi që t’ua tërhjek vërejtjen njerëzve nga shirku (adhurimi i dikujt tjetër pos Allahut, si idhujt) dhe t’i thërrasë ata në teuhid (veçimin e Allahut me adhurim).

 

Argument për këtë është fjala e Allahut: “O ti, i mbuluar (Muhammed)! Çou dhe lajmëroi! Dhe Zotin tënd madhëroje! Dhe petkat tuaja pastroji! Dhe largoju (veprave) të këqia! Dhe mos ndajë me qëllim që të marrësh më shumë! Dhe për hir të Zotit tënd, duro!” [Mudeththir: 1-7].

 

Domethënia e Çou dhe lajmëroi!: tërhiqu vërejte nga shirku dhe urdhëroi me teuhid!

Dhe Zotin tënd madhëroje!: Madhëroje Atë me teuhid, duke mos adhuruar askë tjetër pos Tij. Dhe petkat tuaja pastroji!: Pastroi teshat dhe veprat nga papastërtia dhe shirku. Dhe largoju (veprave) të këqia!: Er-Ruxhze, që është përdorur këtu, është për qëllim idhujt dhe largimi prej tyre, prej adhurimit të tyre dhe prej adhuruesve të tyre.

 

Vetëm në këtë ka thirrur dhjet vite me rradhë, pastaj u ngritë në qiell (natën e isras dhe miraxhit) dhe i’u bën obligim pesë kohët e namazit. Ai u fal në Meke tre vite, e pas kësaj u urdhërua që të bëjë hixhret në Medine.

Hixhreti nga vendi i shirkut në vendin e islamit është obligim mbi këtë ummet dhe do të vazhdojë deri në Ditën e Gjykimit.

 

Argument për këtë është fjala e Allahut: “Kur engjëjt u merrnin atyre shpirtërat të cilët i kanë bërë zullum vetvetes, u thanë atyre: “Ku ishit”” (që nuk i zbatuat dispozitat e fesë). Ata u përgjegjën: “Ishim të pafuqishëm në Tokë”. (Engjëjt) u thanë: A nuk qe Toka e Allahut e gjerë e të emigroni në të”” Këta janë ata, vendbanimi i të cilëve është xhehennemi, e sa i keq është ai vendbanim! (Në këtë dënim nuk përfshihen) mashkujt e pafuqishëm, femrat dhe fëmijët, të cilët nuk kanë mund të gjenden (në situatë) e as të orientohen në rrugë (për të emigruar), këta janë ata, të cilëve Allahu ua shlyen mëkatet e tyre, se Allahu, me të vërtetë, është shlyes dhe falës i mëkateve.” [Nisa: 97-99].

 

Dhe fjala e Allahut: “O robërit e Mi që keni besuar, me të vërtetë, Toka Ime është e gjerë, andaj më adhuroni vetëm Mua!” [Ankebut: 56].

 

Begaviu [Allahu e mëshiroftë] thotë: “Shkak i zbritjes së këtyre ajeteve ishin muslimanët që kishin ngelur në Meke dhe nuk kishin bërë hixhret, Allahu i thirri ata me emrin e besimit.”

 

Argument për hixhretin nga sunneti është fjala e Pejgamberit a.s.: “Hixhreti nuk do të ndërpritet derisa të ndërpritet pendimi, kurse pendimi nuk ndërpritet derisa të lind dielli nga perëndimi.”

 

Pasiqë u vendos në Medine, u urdhërua me veprat tjera islame, si: zeqati, agjërimi, haxhi, ezani, xhihadi, urdhërimi për të mirë, ndalimi nga e keqja, e të tjera prej veprave dalluese të islamit. Kjo u bë brenda dhjet viteve tjera, e pas kësaj Muhammedi a.s. vdiq, mirëpo feja e tij do të ngelë deri në Ditën e Gjykimit.  Argument për këtë është fjala e Allahut: “Thuaj: “O njerëz, unë jam Pejgamber i Allahut për të gjithë ju.” [Araf: 158].

 

Allahu e përsosi fenë e Tij nëpërmjet Muhammedit. Argument për këtë është fjala e Allahut: “Sot ua përsosa dispozitat e fesë suaj dhe ua plotësova dhuntinë Time ndaj jush. Jam i kënaqur që feja islame të jetë fe e juaja.” [Maide: 3].

 

Argument për vdekjen e tij është fjala e Allahut: “Me të vërtetë, do të vdesësh ti, e me të vërtetë, do të vdesin edhe ata, e pastaj, në Ditën e gjykimit, te Zoti juaj do të polemizoni.” [Zummer: 30-31].

 

Njerëzit pasi që të vdesin do të ringjallen. Argument për këtë është fjala e Allahut: “Na ju kemi krijuar juve prej saj (tokës), dhe në të do t’ju kthejmë, dhe nga ajo do t’ju nxjerrim juve herën tjetër.” [Taha: 55]. Dhe fjala e Allahut: “Allahu ju ka krijuar nga toka (dheu), ashtu si bimët, pastaj ju kthen te ajo dhe prej saj sërish do t’ju nxjerrë.” [Nuh: 17-18].

 

Pas ringjalljes njerëzit do të merren në llogari dhe do të shpërblehen ose dënohen në bazë të veprave të tyre. Argument për këtë është fjala e Allahut: “Allahut i përkasin të gjitha (çka ka) në qiej dhe në Tokë – e, sipas asaj që kanë punuar, për t’i dënuar ata që bëjnë keq, e për t’i shpërblyer ata që bëjnë mirë me shpërblim shumë të mirë, të madh.” [Nexhm: 31].

 

Ai që e mohon ringjalljen bëhet qafir (pabesimtarë). Argument për këtë është fjala e Allahut: “Mohuesit kujtojnë se kurrsesi nuk do të ngjallen; thuaju atyre: “Po, për Zotin tim, me siguri do të ngjalleni dhe pastaj do të informoheni se ç’keni punuar!” – E, kjo për Allahun, është lehtë.” [Tegabun: 7].

 

Allahu i dërgoi të gjithë pejgamberët si përgëzues dhe vërejtje-tërhjekës. Argument për këtë është fjala e Allahut: “(Na kemi dërguar) pejgamberë, sihariques dhe lajmërues (frikën), që njerëzit të mos kenë ndonjë vërejtje ndaj Allahut, pas ardhjes së pejgamberëve.” [Nisa: 165].

 

I pari që është dërguar te një popull pas devijimit të tyre është Nuhu dhe i fundit Muhammedi [alejhimas-selam]. Argument se i pari prej tyre ishte Nuhu është fjala e Allahut: “Na të kemi dërguar ty shpalljen, ashtu siç i kemi dërguar shpallje Nuhit, dhe pejgamberëve pas tij.” [Nisa: 163].

 

Dhe çdo të dërguar që e ka dërguar Allahu tek ndonjë popull e ka urdhëruar popullin e tij që ta adhurojnë vetëm Allahun dhe t’i largohen adhurimit të Tagutit.

 

Argument për këtë është fjala e Allahut: “Na çdo populli i kemi dërguar nga një pejgamber. (Ata u thonin atyre): “Adhuronie Allahun, e shmanguni nga djalli (taguti)!” [Nahl: 36].

 

Allahu ua ka bërë obligim të gjithë robërve të Tij që t’i bëjn kufër (ta mohojnë) tagutit dhe t’i besojnë Allahut.

 

Ibn Kajjimi [Allahu e mëshiroftë] thotë: “Tagut është çdo gjë në të cilën robi e ka kaluar kufirin e saj, qoftë ajo gjë diçka që adhurohet, apo pasohet apo respektohet.”

 

Tagutat janë të shumta, kryesorët prej tyre janë pesë: Iblisi [Allahu e mallkoftë], ai që adhurohet pos Allahut duke qenë i kënaqur me këtë, ai i cili i thërret njerëzit që ta adhurojnë atë, ai i cili pretendon se e di gajbin dhe ai i cili gjykon me ligj tjetër pos ligjit të Allahut. Argument për këtë është fjala e Allahut: “S”ka detyrim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra! Ai që mohon idhujt/tagutin (dhe gjithçka që adhurohet në vend të Allahut) dhe beson në Allahun, ka siguruar lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.” [Bekare: 256].

 

Kjo është domethënia e fjalës La ilahe il-lall-llah!

 

Ndërsa në një hadith qëndron: “Gjëja kryesore është islami, shtylla e tij është namazi dhe kulmi i tij është xhihadi në rrugë të Allahut.” Allahu e di më së miri.

 

Përktheu dhe përshtati: Omer Zaimi

 

You may also like...