O lënës i agjërimit…

Ramazani-22O lënës i agjërimit…

Çdo falënderim i përket Allahut, Zotit të botëve, ndërsa përfundimi i lumtur është për të devotshmit. Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Tij besnik, Muhamedin,familjen dhe mbarë shokët e tij.
O lënës i agjërimit!
S`di si t`ia filloj… jam shumë i pikëlluar kur të të shoh, që s`po agjëron, o rob i Allahut!
E ke braktisur një obligim fetar, një shtyllë prej shtyllave të Islamit!
Dëshiroj të flas me ty, në mënyrë që mos ta rrënosh këtë adhurim madhështor!
O lënës i agjërimit!
O ti që i ke thënë vetes musliman! Ja… të erdhi një obligim prej Allahut, një rast që ta dëshmosh Islamin tënd.
A nuk e di se edhe popujt e mëparshëm kanë agjëruar?! Ja se si Allahu i Madhëruar na tregon këtë fakt në Kur`an: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (El-Bekare: 183)
Ndërsa Muhamedi (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të), kur i përmendi shtyllat e Islamit, mes tjerash tha: “…agjërimi i Ramazanit.”
O lënës i agjërimit!
A thua vallë, për shkak të nxehtësisë s`po agjëron?!
Ndoshta mendon se do të të kaplojnë djersët, e do ta kesh të vështirë?!
Vallë, e ke harruar Ditën e Kijametit kur njerëzit do të zhyten në djersët e tyre?! Mos harro se, kush djersitet në këtë dunja duke i kryer urdhrat e Allahut, s`ka për t`u djersitur në Ditën e Kijametit!
O lënës i agjërimit!
A nuk e ke kujtuar Ditën kur zjarri i Xhehenemit do të vërshojë e dëshiron t`i përfshijë të gjithë njerëzit?!
A nuk e di, vallë, madhësinë e Xhehenemit?!
Muhamedi (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi t), ka treguar se atë Ditë do të hidhet Dielli dhe Hëna në Xhehenem. Tani, a e kuptove se sa i madh është ai?!
E ti, o lënës i agjërimit, me se do ta mbrosh veten tënde?
Mos vallë mendon se mund të të shpëtojnë atë Ditë pasuria, pozita e familja?! Jo! Atë Ditë të shpëton vetëm puna e mirë që e ke bërë për hir të Allahut. Të shpëton agjërimi, o rob i Allahut! Agjërimi do t`i thotë Allahut: “O Zoti im! Unë e ndalova atë nga ushqimi dhe epshi gjatë ditës, andaj pranoje ndërmjetësimin tim për të! ….dhe do t`i pranohet ndërmjetësimi. Ndërsa ti s`e ke me vete këtë ndërmjetësues, sepse e ke braktisur!
O lënës i agjërimit!
A nuk e di se ai që ia kthen shpinën Këshillës së Allahut të Madhëruar, do të ketë jetë të mjeruar, jetë më plot brenga e mërzi. Allahu i Madhëruar, ka thënë: “Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kijametit, do ta ringjallim të verbër. Ai do të thotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë kisha të shikuar më parë? (Allahu) do t`i thotë: “Kështu të erdhën shenjat Tona dhe ti i harrove ato e po kështu sot do të jesh i harruar.” (Taha: 124-126)
O lënës i agjërimit!
A nuk e di se ai që e braktis agjërim pa ndonjë arsye ka rënë në një mëkat prej mëkateve të mëdha?!
Imam Dhehebiu (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Muslimanët janë të pajtimit se ai që e lë agjërimin e Ramazanit, pa qenë i sëmurë, konsiderohet më i keq se ai që bën imoralitet apo ai që pi alkool. Në fakt, ata hedhin dyshime mbi Islamin e tij dhe mendojnë se ai mund të jetë nga ata që nuk janë muslimanë dhe nga ata që e shkatërrojnë realisht islamin.”
O lënës i agjërimit!
A nuk e di se çmimi i Allahut është i shtrenjtë?! Çmimi i Allahut është Xheneti nëpër të cilin rrjedhin lumenj, ku në të njerëzit do të jetojnë përgjithmonë!
Hyrja në Xhenet është e lidhur ngushtë, o rob i Allahut, me kryerjen e obligimeve që i ke ndaj Tij.
A nuk e di, o lënës i agjërimit, se Xheneti ka tetë porta! Për Allahun, më thuaj, prej cilës do të hysh?! Kurse ti s`ke namaz, s`ke agjërim, s`ke xhihad e sadakë, me se dëshiron që të hysh në Xhenet?!
O lënës i agjërimit!
Ja përse unë këmbëngul që ti të agjërosh, ngase në këtë muaj:
1. Prangosen shejtanët.
2. Është zbritur Kurani.
3. Hapen portat e Xhenetit dhe mbyllen portat e Zjarrit.
4. Në të është Nata e Kadrit, Natë kjo më e mirë se njëmijë muaj.
5. Sadakaja në Ramazan është nga sadakatë më të mira.
6. Umreja në Ramazan e ka shpërblimin e haxhit.
7. Atij që e agjëron Ramazanin me besim dhe duke shpresuar (shpërblim prej Allahut), i falen mëkatet e kaluara.
8. Është një portë në Xhenet që quhet Rejjan, nga e cila do të hyjnë agjëruesit në Ditën e Ringjalljes dhe askush nuk do të hyjë andej, përveç tyre.
9. Agjëruesi ka dy gëzime: Një në iftar dhe një në Ditën kur ta takojë Zotin e tij.
10. Agjërimi do të ndërmjetësojë për robin në Ditën e Kijametit.
11. Agjërimi është mburojë nga zjarri i Xhehenemit.
12. Atij që agjëron një ditë në rrugë të Allahut, Allahu ia largon fytyrën e tij me këtë ditë nga Zjarri shtatëdhjetë vjet.
13. Tri lutje janë të pranuara: Lutja e agjëruesit, atij që iu është bërë padrejtësi dhe e udhëtarit.
14. Era e gojës së agjëruesit tek Allahu është më e mirë sesa era e parfumit.
15. Allahu liron çdo ditë grupe njerëzish nga zjarri i Xhehenemit.
16. Atij që falet me imamin (namazin e teravisë), derisa ai të mbarojë, do t’i shkruhet sikur është falur gjithë natën.
E shumë e shumë vlera të tjera…
O lënës i agjërimit!
A thua vallë edhe pas gjithë kësaj s`do të agjërosh?!
Mos të të mashtrojë shejtani, se ka kohë kur do t`i kthehesh Zotit tënd, ngase shumica e atyre që sot vdesin janë të rinjtë!
Vdekja s`të pyet, ajo të vjen pa pritur, e ti s`mund ta shtysh afatin e saj. Allahu i Madhëruar ka thënë.“Çdo popull ka afatin e vet. Kur t`i vijë koha e fundit, ata nuk mund ta shtyjnë, qoftë edhe për një çast dhe as nuk mund ta shpejtojnë.” (El-Araf: 34)
O lënës i agjërimit!
Të ta them edhe këtë: A nuk e di, o rob i Allahut, se në Somali dhe në vendet me varfëri të skajshme, njerëzit vdesin nga uria?!
Por vazhdojnë të agjërojnë, ndoshta këtë s`e ke ditur?!
A thua vallë, a kanë me se ta çelin iftarin?!
E ti, o lënës i agjërimit, sa e sa të mira Allahu t`i dhuroi, e, megjithatë, ende s`i bindesh Atij!
Pse vallë kjo mosmirënjohje ndaj Zotit tënd?!
O lënës i agjërimit!
Eja… eja e kthehu tek Krijuesi yt!
Bashkoju edhe ti karvanit të agjëruesve!
Përjetoji edhe ti kënaqësitë e agjërimit!
Dhe mos harro se Allahu nuk të obligon me një gjë të cilën s`mund ta bartësh! Allahu i Madhëruar ka thënë: “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka.” (El-Bekare: 285)
Dhe në fund, o rob i Allahut, e lus Allahun të të udhëzojë e të kthehesh tek Ai i penduar para se të vijë VDEKJA e ti je mospërfillës ndaj urdhrave të Tij!
Mos harro se Allahu e do pendimin tënd, andaj kthehu tek Ai i penduar në këtë muaj! Allahu i Madhëruar ka thënë:“Kush punon vepër të keqe ose e ngarkon veten me gjynahe, pastaj kërkon falje prej Allahut, do të gjejë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë.” (En-Nisa: 110)
Dhe në fund: Çdo falënderim i përket Allahut, Zotit të botëve.
Shkroi: Burim Koçinaj
Kontrolloi: Hoxhë Lulzim Susuri

You may also like...