Omer ibn Hatabi – 10 të përgëzuarit më xhenet – II

S.Omer ibn HatabFalënderimi i takon vetëm Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi vulën e Profetëve, Muhamedin (alejhi salatu ue selam), familjen e tij të nderuar, shokët e tij besnik dhe të gjithë ata të cilët ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.

Sot do të flasim për një tjetër prijës të besimtarëve, madje të parin i cili u emërtua me këtë emër. Do të flasim për të dytin në listën e të përgëzuarve me Xhenet, për njërin nga kolosët e muslimanëve, prej të cilit u frikësuan të bardhët e të verdhët, të kuqtë e të zinjtë. Sot do të flasim për Umer bin Hatabin, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Përcillet nga Abdurrahman bin Aufi se Profeti Muhamed (salallahu alejhi ue selem), ka thënë: “Dhjetë vetë janë në Xhenet: Ebu Bekri është në Xhenet, Umeri është në Xhenet, Uthmani është në Xhenet, Aliu është në Xhenet, Talhai është në Xhenet, Zubejr ibn Auami është në Xhenet, Abdurrahman bin Aufi është në Xhenet, Sad ibn ebi Uekasi është në Xhenet, Seid bin Zejdi është në Xhenet dhe Ebu Ubejde ibn Xherahu është në Xhenet.”[1]

Edhe Umeri ka një histori të pasur, plot mësime dhe dobi. Në të besimtari gjen personalitetin e fortë, njeriun e nënshtruar, thjeshtësinë e nevojshme dhe mbi të gjitha, besimin dhe bindjen e jashtëzakonshme.

 

Emri dhe pseudonimet e tij

Ai quhet Umer bin Hatab, Ibn Nufejl, Ibn Abdul uza Kureshij, bashkohet me Profetin (salallahu alejhi ue selem) te Kab bin Lueji. Prejardhja e tij takohet me Profetin (salallahu alejhi ue selem) te gjyshi i shtatë, Kab bin Luej.

Epiteti i tij ka qënë Ebu Hafs, ndërsa pseudonimi i tij ka qënë Faruk (Dallues), sepse kur ai shfaqi Islamin në Mekë, Allahu me të dalloi dhe ndau besimin nga jobesimi (mohimi).

 

Lindja dhe diçka rreth familjes së tij

Umeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka lindur trembëdhjetë vite pas Ngjarjes së Elefantit, pra trembëdhjetë vjet pas lindjes së Profetit (salallahu alejhi ue selem). Ka qënë i bardhë, i përzier në të kuqe, me faqe, hundë dhe sy të bukur. Kishte duar dhe këmbë të mëdha dhe njëkohësisht ishte i gjatë dhe i bëshëm.

Umeri ka pasur disa gra në kohën e injorancës dhe pas Islamit, por ndër më të spikaturat është martesa që ai ka bërë me Umu Kulthumin, vajzën e Aliut dhe Fatimes, Allahu qoftë i kënaqur me ta.

Umeri ka pasur gjithsej trembëdhjetë fëmijë, prej tyre Hafsa, e cila ka qënë bashkëshortja e Profetit (salallahu alejhi ue selem), Fatimja, Abdullahu etj.

Jeta e tij gjatë injorancës

Umeri kaloi në injorancë thuajse gjysmën e jetës së tij. Ai jetonte sikurse të gjithë moshatarët e tij, me përjashtim të një virtyti: dinte të shkruante e të lexonte dhe të tillët në atë kohë kanë qenë shumë pak në krahasim me numrin e popullsisë.

Ka bërë një jetë vërtet të vështirë, madje me vështirësitë është hasur që kur ishte i vogël. Babai e kishte ngarkuar të ruante devetë nëpër kullota dhe Umeri ishte privuar nga jeta e luksit dhe kënaqësive.

Më pas ai u mor me tregti dhe shtegtoi me karvane, gjë e cila e ktheu atë një ndër pasanikët e Mekës dhe njëkohësisht zuri vend dhe pozitë në shoqërinë Mekase të asaj kohe. Umeri jetoi në injorancë, aq sa mundi të njohë mirë realitetin e saj, ndaj dhe është regjistruar prej tij shprehja e njohur: “Islami do të humbë fije-fije, nëse rriten në Islam njerëz të cilët nuk e njohin injorancën.”

Ai pajtonte dhe shuante grindjet te kurejshët, kur ata luftonin me njëri-tjetrin dhe në të njëjtën kohë ishte ambasador i kurejshëve kur hapnin luftë me të tjerët.

Islami dhe hixhreti i tij

Umeri (radijallahu anhu) ishte i fortë, autoritar, i pashëm, me personalitet dhe sillej shumë keq me muslimanët. Thotë Seid bin Zejd (djali i xhaxhait të Umerit): “Uallahi, Umeri është ai i cili më ka lidhur për shkak se kisha pranuar Islamin.” Pra, kështu vepronte Umeri që të largonte muslimanët nga feja e tyre, por ashpërsia e tij e jashtme fshihte pas saj mëshirë dhe butësi.

Rrezja e parë që hyri në zemrën e Umerit, ishte ditën kur ai pa gratë kurejshe, të cilat braktisnin vendin e tyre për të shkuar në një vend të largët, si shkak i mundimeve që përjetonin prej tij dhe idhujtarëve. Kjo skenë ia theu zemrën, filloi ta vriste ndërgjegja, aq sa disave prej tyre ua shpalosi keqardhjen që ndiente për këtë.

Um Abdullah bint Hanteme thotë: “Kur po udhëtonin gjatë shpërnguljes për në Habeshe, erdhi Umeri dhe qëndroi para meje; më para përjetonin prej tij kërcënime, mundime e tortura. Ai më pa dhe më tha: ‘A po shkoni o Um Abdullah?’ I thashë: ‘Po, do të shkojmë në tokën e Allahut! Ju na munduat dhe na torturuat, ndaj ne do të largohemi derisa Allahu të na japë rrugëzgjidhje.’ Umeri i tha: ‘Allahu qoftë me ju!’ Pashë tek ai një dhembsuri dhe butësi, të cilën nuk e kam vërejtur kurrë më parë. Kur erdhi Amir bin Rrabia, bashkëshorti im, i cili kishte shkuar të kryente nevojat e tij, ia tregova këtë ngjarje. ‘Më duket se po shpreson Islamin e Umerit.’ – ma ktheu ai. ‘Po.’ – i thashë. Ai ma preu shkurt e më tha: “Kur të pranojë Islamin gomari i Hatabit, atëhere ka për ta pranuar edhe Umeri.

Dhe vërtet, shumë pak kohë pas kësaj ngjarjeje Umeri pranoi Islamin, por sigurisht edhe për shkak të lutjes që bënte Profeti (salallahu alejhi ue selem): “O Allahu im, ndihmoje Islamin me njërin prej këtyre të dyve, i cili është më i dashur për Ty: me Umer bin Hatabin ose me Ebu Xhehl bin Hishamin.” Dhe më i dashuri për Allahun e Lartësuar ka qenë Umeri.[2]

Për Islamin e Umerit kanë ardhur edhe transmetime të tjera, megjithëse duhet pohuar se ngjarja e mësipërme ndoshta është dhe shkaku më i fortë dhe real për Islamin e Umerit.

Në një version tjetër qëndron se ai një ditë, doli i ngjeshur me shpatë të mprehtë, për ta realizuar vrasjen e Profetit (salallahu alejhi ue selem). Gjatë rrugës e takon Nuajm bin Abdullah el Adevijun, i cili e pyet: “Ku je nisur, o Umer?” Ai përgjigjet: “Dëshiroj ta mbys Muhame­din.” Ky i thotë: “Si do të mbrohesh nga familjet Benu Hashim dhe Benu Zehra, nëse e mbyt Muhamedin?” Umeri i tha: “Kështu mund të flasësh vetëm nëse e ke pranuar fenë e re dhe ke braktisur atë të vjetrën në të cilën ke lindur.” Atëherë njeriu i tha: “Mirë pra, po a dëshiron, o Umer, të të them diçka që ende nuk e di? Do të ishe i befasuar! Motra jote dhe dhëndri yt e kanë ndërruar fenë dhe e kanë braktisur fenë së cilës i takon ti.” Umeri u trondit shumë dhe niset në shtëpinë e tyre. Kur arrijnë, aty hasin Habab bin el Eretin. Në dorë e mbante një faqe të Kuranit ku shkruante “Ta-ha”. Këtë sure ia këndonte këtyre të dyve. Hababi shpesh vinte tek këta për t’ju kënduar Kur’an. Kur dëgjoi zërin e Umerit, u fsheh thellë në shtëpi, ndërsa Fatimja – motra e Umerit – fshehu faqen e Kur’anit. Kur hyri Umeri tek ata, tha: “Çfarë janë ato fjalë që i dëgjova kur arrita këtu?” “Ata u përgjigjën: “Asgjë, ne të dy bisedonim me njëri-tjetrin”. Ai tha: “A mos, vallë ju dy e keni ndërruar fenë?” Dhëndri tha: “O Umer, si mendon, nëse e vërteta është në anën e asaj feje tjetër, e jo në atë tëndën?” Umeri iu vërsul dhe e goditi fuqishëm. Motra e tij ndërhyri dhe e shkëputi nga burri i saj, kurse ai i dha një të shtyrë me dorë në faqe dhe e përgjaku, ajo e hidhëruar, i drejtohet: “O Umer, nëse feja tjetër është e drejtë, dhe e jotja e gabuar, atëherë dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është Pejgamber i Allahut.”

Kur e pa Umeri se çfarë i bëri motrës, së cilës i rridhte gjaku nga plaga në fytyrë, i erdhi shumë keq dhe u pendua. Pastaj ua kurseu jetën e tha: “Ma jepni atë fletë ta lexoj!” Motra i tha: “Ti je i papastër, e këtë nuk e marrin në dorë njerëzit e papastër, shko e pastrohu e pastaj merre Kuranin.” Kur e bëri këtë, e mori fletën dhe lexoi: “Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!” dhe tha: “Sa emra të bukur e të pastër!” dhe vazhdoi të lexojë “Ta-ha”, derisa erdhi tek ajeti: “Vërtet, vetëm Unë jam Allahu, nuk ka Zot tjetër pos Meje, pra vetëm Mua më adhuro dhe fale namazin, që të më kesh gjithnjë ndërmend!”[3] Umeri u ndal dhe tha: “Sa ligjërim i mrekullueshëm, nuk ka fjalë më të bukura se këto! Më dërgoni te Muhamedi!”

Kur Hababi i dëgjoi fjalët e Umerit, i doli para dhe i tha: “Përgëzohu, o Umer, unë do të dëshiroja që lutja, të cilën Profeti e tha të enjten në mbrëmje: ‘O Allahu im, ndihmoje Islamin dhe bëje të fam­shëm atë me Umer bin Hatabin ose me Ebu Xhehl bin Hishamin!’ në shtëpi në pjesën e ulët të Safasë, të dedikohet ty.”

Umeri mori shpatën, e ngjeshi në brez dhe u nis në shtëpinë e Ekremit, ku gjendej dhe Muhammedi (a.s.). Trokiti në derë. Nga shtëpia përgjoi një njeri, e pa Umerin të ngjeshur me shpatë, u kthye brenda dhe e njoftoi Muhame­din (a.s.) për këtë. Të pranishmit në shtëpi u shqetësuan. Hamza pyeti: “Ç’keni?” Thanë: “Umeri!” “E, çfarë nëse është Umeri? Hapjani derën! Nëse ka ardhur me qëllim të mirë, do ta presim mirë, e nëse ka ardhur me qëllim të keq, do ta mbysim me shpatën e tij.” Në shtëpi ishte Resulullahu (a.s.) duke pranuar Shpalljen nga Allahu xh.sh. Pastaj kur doli, e hasi Umerin në dhomë. Ia mori pelerinën dhe shpatën, pastaj e përqafoi dhe i tha: “O Umer, a je i përgatitur që Allahu të të shpë­tojë nga mjerimi në të cilin gjendesh? O Allahu im! Ky është Umer bin Hatabi! O Allahu im! Ndihmoje dhe bëje të njohur Islamin me Umer bin Hatabin!” Umeri tha: “Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër pos Allahut dhe dëshmoj se ti je Pejgamber i Allahut!”

Umeri pranoi Islamin, kurse të pranishmit filluan të këndojnë tek­bire, sa që edhe mushrikët i dëgjuan në mesxhid.

Umer bin Hatabi e pranoi Islamin në muajin Dhulhixhe të vitit të gjashtë të pejgamberllëkut, vetëm tri ditë pas Islamit të Hamzës, ndërkohë që atëhere ishte vetëm njëzet e shtatë vjeç.

Transmeton Muxhahidi nga Ibn Abasi, i cili thotë: “E kam pyetur Umer bin Hatabin si e ka fituar pseudonimin El-Faruk?” Ai tha: “Hamza pranoi Islamin tri ditë para meje.” Pastaj më tregoi se si e kishte pranuar Isla­min, e në fund më tha: “Pikërisht, kur pranova Islamin pyeta: “O Resu­lullah! A jemi në anën e drejtë, qofshim gjallë apo të vdekur?” Më tha: “Po, pasha Krijuesin tim, ju jeni në anën e drejtë, qofshi gjallë apo të vdekur.” Umeri tha: “E përse atëherë jemi duke u fshehur? Pasha Krijue­sin, i Cili ta dërgoi të Vërtetën, do të dalim së bashku me ty. Pastaj dolëm jashtë. Hamza para tij, unë pas tij, e ai mes nesh sikurse në rreshta. Hymë në mesxhid. I shikova kurejshitët dhe Hamzën. I kishte kapluar pikëllimi sikurse kurrë më parë. Resulullahu (a.s.) më quajti El-Faruk.”[4]

Ibni Mesudi, radijallahu anhu, ka thënë: “Kurrë nuk kemi mundur të falemi të qetë në Kabe, gjersa Umeri e pranoi Islamin.”[5]

Transmetohet nga Suhejb Er-Rumiju se ka thënë: “Kur Umeri pranoi Islamin, Islami u forcua dhe ne filluam të ulemi në hallkë rreth Kabes. U ngritëm që publikisht ta bëjmë tavafin rreth Kabes dhe në kalim e sipër takoheshim me ata të cilët na bërtisnin, e edhe ne u përgjigjeshim ashtu siç meritonin.”[6]

Transmetohet nga Abdullah bin Mesudi: “Kemi qenë të ndihmuar dhe të forcuar që kur Umeri pranoi Islamin.”

Ndërsa në lidhje me emigrimin e tij dhe mënyrën se si e ka kryer atë ka disa rrëfime, njëri prej tyre është ai të cilën Umeri e ka treguar vetë, ku ai dhe dy sahabë të tjerë caktuan në mënyrë të fshehtë vendin se ku do të takoheshin në dalje të Mekës dhe kohën kur do të takoheshin. Nëse dikush prej tyre vonohej, të tjerët duhet të shkonin e të iknin fshehurazi në mënyrë që të mos e kuptonin kurejshët se ata po emigronin dhe kështu do të mund t’i ndalonin. Dhe ashtu bënë: Umeri dhe Ajashi u gjendën në vendin e caktuar pikërisht ashtu sikur dhe e kishin lënë dhe e kuptuan se shoku i tyre ishte kapur dhe penguar nga kurejshët, ndaj dhe u nisën për në Medinë. Por qëndron edhe versuoni tjetër, se në momentin kur ai vendosi të emigrojë, shkoi në Kabe, e ngjeshi shpatën në brez dhe kur takoi idhujtarët bërtiti me të madhe duke thënë: “Dijeni se unë nesër do të emigroj, kush dëshiron ta lërë gruan të ve, fëmijët jetimë dhe nënën në zi, le të më takojë në filan vend.” Por kur mori rrugën, askush nuk i doli për t’u përballur, kështu që ishte i vetmi i cili emigroi duke e bërë publik emigrimin e tij.

Umeri në Medinë dhe konntributi i tij në të

Umeri ishte një nga figurat kryesore në shoqërinë islame. Atë gjithmonë do ta shihje përkrah Profetit, salallahu alejhi ue selem, madje ai ishte një ndër konsulentët kryesorë për të pas Ebu Bekrit.

Umeri mori pjesë në të gjithë luftërat që ndërmori Profeti, salallahu alejhi ue selem, madje kontributi i tij nuk ishte i kufizuar vetëm në anën trupore, por ai kontribuoi edhe ekonomikisht në ndihmë të luftës dhe thirrjes islame.

Madje Umeri në shumë nga mendimet e tij ka patur një përputhje të vërtetë me vendimet e Allahut dhe se Allahu shpeshherë ka zbritur ajete të cilat kanë përkrahur konsultat dhe opinionin e Umerit. Nga këto mund të përzgjidhnim aprovomin që Allahu i bëri Umerit në lidhje me mbulesën. Umeri një ditë i tha Profetit: “O i Dërguar i Allahut, në shtëpinë tënde hynë njerëz të ndryshëm, të mirë e të këqinj, përse nuk vë perde mes grave tua dhe burrave të huaj?” dhe nuk zgjati shumë kur Allahu urdhëroi për mbulesën.

Qëndrimi i Umerit në lidhje me lënien e namazit të xhenazes për munafikun. Umeri i tha Profetit, alejhi selatu ue selam, kur dëshiroi t’i falë namazin e xhenazes kryemunafikut, Abdullah bin Ubejit: “Si mund t’ia falësh atij namazin, ndërkohë që ai ka bërë këtë e atë…” dhe filloi t’i përmendte Profetit bëmat e Abdullah bin Ubejit, por Profeti pasi buzëqeshi i tha: “Allahu më la të zgjedh dhe unë zgjodha t’ia fal atij xhenazen, por menjëherë mbas kësaj ngjarjeje vjen shpallja nga Allahu, që e ndalon Profetin të falë xhenazen e hipokritëve si dhe të qëndrojë në varrin e tyre.

Qëndrim tjetër të cilin Allahu ia mbështeti Umerit, ishte kërkesa që ai i bëri Profetit që të ndalonte njerëzit të hynin në shtëpitë e të tjerëve pa kërkuar leje më parë, dhe Allahu zbriti ajetet ku i urdhëronte besimtarët të kërkonin leje para se të hynin në shtëpitë e të tjerëve.

Ndërsa në një rast tjetër Umeri iu drejtua Profetit duke thënë: “O i Derguari i Allahut, sikur ta marresh mekamin e Ibrahimit vendfaljeje.” Atëherë Allahu zbriti fjalen e Tij: “Merreni mekamin e Ibrahimit vendfaljeje!” (Bekarah, 125).

Umeri, radijallahu anhu, ishte njeri me sedër dhe i ashpër ndaj idhujtarëve. Në luftën e Uhudit, në të cilën muslimanët pësuan disfatë dhe Profeti me besimtarët u tërhoq në malin e Uhudit, Ebu Sufjani pasi pa këtë situatë tha: “A është Muhamedi me ju?” Profeti u tha njerëzve: “Mos u përgjigjni!” Ebu Sufjani pyeti përsërisht: “A është me ju, Ebu Bekri?” Sahabët sërisht nuk folën dhe Ebu Sufjani pyeti për të tretën herë: “A është me ju Umeri?” Sahabët sërisht nuk iu përgjigjën. Ebu Sufjani atëhere tha: “Këta njerëz janë vrarë e kanë vdekur, se po të ishin gjallë, do të përgjigjeshin.” Atëhere Umerit nuk iu durua, thirri me të madhe duke thënë: “Gënjeve o armik i Allahut! Allahu i ka lënë në jetë ata të cilët të bëjnë të dëshpërohesh.”

Pozita dhe vlera e Umerit:

1-        Ka qenë ndër njerëzit e dashur për Profetin, salallahu alejhi ue selem, (pas Ebu Bekrit) të cilin kur e pyetën se kush ishin njerëzit më të dashur tek ai, Umeri vinte menjëherë pas Ebu Bekrit.

2-        Ka qenë njeri i dijshëm. Njëherë Profeti, salallahu alejhi ue selem, tha: “Ndërkohë që isha në gjumë, pashë sikur po pija qumësht, aq sa vura re se po më kullonte nëpër gishtërinj, pastaj atë (enën) e mori Umeri.” “Si e komenton atë o i dërguar i Allahut?” – e pyetën njerëzit. “Dije.” tha ai.[7] Dhe dija në këtë hadith është udhëheqja e njerëzve me librin e Allahut dhe sunetin e Profetit, salallahu aljehi ue selem.

3-        Ai ka qenë fetar tejet i madh. Profeti, salallahu alejhi ue selem, njëherë tha: “Ndërkohë që isha në gjumë, pashë disa njerëz që më shfaqeshin para syve dhe ata ishin të veshur me këmisha. Prej tyre pashë që i kishin ato deri në gjoks, madje pashë të tjerë që i kishin edhe më të vogla se aq, ndërkohë kalon Umer bin Hatabi dhe ai kishte një këmishë të gjatë, të cilën e zvarriste nëpër rrugë.” “Si e komenton atë o i Dërguar i Allahut?” – e pyetën njerëzit. Tha: “Feja.”[8] Pra, një njeri tejet fetar.

4-        Shejtani frikësohet prej Umerit. Njëherë Profeti, salallahu alejhi ue selem, i tha: “Pasha atë, në dorën e të Cilit është shpirti im, kur ti merr një rrugë, shejtani merr një rrugë të ndryshme nga e jotja.”[9] Pra, ky hadith tregon qartë se shejtani nuk gjente dot rrugë që të hynte e të arrinte për tek Umeri.

5-        Umeri ka qenë njeri i inspiruar dhe një gjeni i vërtetë. Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Në çdo popull ka patur njerëz të inspiruar, e nëse do të kishte të tillë në umetin tim, ai është Umeri.”[10]

Nga Ibnu Umeri përcillet se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Me të vërtetë Allahu e ka vendosur të vërtetën në gjuhën dhe zemrën e Umerit.”[11]

6-        Profeti e përgëzon me kështjellë në Xhenet. Profeti, salallahu alejhi ue selem, ndër të tjera ka thënë: “Pashë sikur hyra në Xhenet dhe aty vura re Rumejsan, bashkëshorten e Ebu Talhës dhe dëgjova gjurmë e pyeta se cili është ky. Më thanë se ai është Bilali. Pashë një kështjellë, në oborrin e së cilës gjendej një vajzë dhe pyeta se e cilit është. “E Umerit.” – më thanë. Desha të hyja brenda e ta shihja, por kujtova xhelozinë tënde dhe nuk e bëra.” Umeri ia ktheu: “Kurban t’u bëftë nëna dhe babai im, si mund të kem xhelozi ndaj teje?!”[12]

7-        Profeti e përgëzom sërisht me Xhenet. Ebu Musa el Eshariu rrëfen: “Isha me Profetin në njërin prej kopshteve të Medinës, ndërkohë që erdhi dikush dhe kërkoi leje të hynte. Profeti më tha: ‘Hapja atij derën dhe përgëzoje me Xhenet!’ Ia hapa atij derën dhe pashë se ishte Ebu Bekri. E lajmërova për atë që tha Profeti dhe ai e falënderoi Allahun. Më pas erdhi dikush tjetër dhe kërkoi leje të hynte. Profeti më tha: ‘Hapja atij derën dhe përgëzoje me Xhenet!’ Ia hapa atij derën dhe  pashë se ishte Umeri. E lajmërova për atë që tha Profeti dhe ai e falënderoi Allahun. Sërisht erdhi dikush tjetër dhe kërkoi leje të hynte. Profeti më tha: ‘Hapja atij derën dhe përgëzoje me Xhenet, për shkak të një sprove që do ta godasë!’ Ia hapa atij derën dhe pashë se ishte Uthmani. E lajmërova për atë që tha Profeti dhe ai e falënderoi Allahun. Pastaj tha: ‘Allahu është ndihmuesi më i mirë.’”[13]

Përcillet nga Ebu Seidi se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Me të vërtetë banorët e gradave të larta do të shihen nga poshtë nga ata që janë poshtë tyre, ashtu siç shihet ylli i lartësuar në qiell, dhe me të vërtetë Ebu Bekri dhe Umeri do të jenë prej tyre, madje prej më të mirëve të tyre.”[14]

8-        Atë e donin dhe e çmonin  të gjithë besimtarët. Përcillet nga Ibën Ebi Mulejkeh, i cili e ka dëgjuar Ibën Abasin duke thënë: “U vendos Umeri mbi shtratin e tij të vdekjes dhe u mblodhën njerëzit rreth tij duke u lutur për të para se ta ngrinin. Unë isha i pranishëm aty, kur papritmas më befasoi (frikësoi) një njeri që kishte kapur supin tim, e kur shoh pas meje, ishte Ali bin Ebi Talibi, i cili pasi që u lut për Umerin tha: ‘Nuk di njeri më të dashur tek unë, që do të dëshiroja ta takoja Allahun (xheleshanuhu) me punë të mira si punët e tij, përveç teje. Unë gjithmonë besoja dhe isha i bindur se Allahu do të të bashkonte me dy shokët e tu, sepse më kujtohet se sa shumë e dëgjoja Profetin, salallahu alejhi ue selem, duke thënë: ‘Shkova unë, Ebu Bekri dhe Umeri’, ‘Hyra unë, Ebu Bekri dhe Umeri’, ‘Dola unë, Ebu Bekri dhe Umeri’.”[15]

Umer el Hatabi, 2

 

Hilafeti i Umerit

Marrja në dorëzim e halifatit dhe besatimi i sahabëve

N.q.s. për Ebu Bekrin ishte Profeti, salallahu alejhi ue selem, ai i cili u bëri shenjë muslimanëve ta pranonin për halife, në rastin e Umerit ishte Ebu Bekri (radiallahu anhu), ai që e la me porosi (me testament) që të zgjidhej Umeri si halife i muslimanëve. Në radhë të parë Ebu Bekri u konsultua me njerëzit, të cilët ia besuan Ebu Bekrit për të caktuar prijësin e muslimanëve, pastaj ai urdhëroi që të mblidheshin njerëzit dhe u tha atyre: “O ju njerëz, mua më erdhi caktimi i Allahut (xheleshanuhu), ashtu siç po e shikoni, ndaj patjetër duhet ta keni një njeri, që merr përsipër çështjen tuaj, ju prin në namaz, ju urdhëron për çështjet e ndryshme dhe lufton së bashku me ju kundër armikut tuaj. Prandaj, n.q.s. jeni dakord, unë do t’ju jap mendimin tim. Pasha Allahun, i Cili nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij, n.q.s. unë e di në veten time se diçka është e mirë për ju, nuk jua fsheh atë.” Pastaj filloi të qante dhe së bashku me të edhe ata që ishin të pranishëm. Njerëzit thanë: “O zëvendësi i Profetit, salallahu alejhi ue selem, ti je më i dituri dhe më i miri prej nesh, prandaj zgjidh për ne kë të duash.” Atëherë Ebu Bekri tha: “Unë do të bëj përpjekjen time që të zgjedh për ju më të mirin tuaj inshallah.”[16] Ebu Bekri thërriti Uthmanin dhe i tha: “Shkruaj:

Bismilahir-Rrahmanir-Rrahim!

Kjo është ajo porosi të cilën Ebu Bekr bin Ebi Kuhafe e la në momentin e fundit të tij nga kjo botë, duke dalë prej saj dhe momenti i parë i tij në lidhje me Ahiretin, duke u futur në të, momenti në të cilin beson edhe ai që është kafir, bindet plotësisht mëkatari dhe i mbushet mendja përgënjeshtruesit. Unë po ju lë si halife tuajin pas meje, Umer bin el Hatabin, prandaj dëgjojeni atë dhe binduni atij. N.q.s. ai mban drejtësi, ky është mendimi dhe dija që kam unë për të, ndërsa n.q.s. sillet ndryshe, çdo njeri ka përgjegjësi për mëkatet e tij. Unë ju dua të mirën, por nuk e di të fshehtën, më vonë do ta marrin vesh ata që bëjnë padrejtësi se çfarë përfundimi do të kenë, dhe eselamu alejkum ue rrahmetullahi ue berekatuhu! (paqja, mëshira, bereqeti i Allahut qofshin mbi ju)”[17]

Kur vdiq Ebu Bekri, të gjithë banorët e Medinës i dhane besën Umerit dhe më 23, Xhemedi el Akhir, 13 pas Hixhrit, ai u emërua si Halife i Muslimanëve. Ishte i pari person që u quajt Emirul Muminine.

Pas marrjes së postit, Umeri iu drejtua muslimanëve të Medinës: “…O njerëz, ju posedoni disa të drejta ndaj meje, të cilat mund t’i kërkoni gjithnjë. Një nga të drejtat tuaja është se nëse ndonjëri prej jush vjen tek unë me ndonjë kërkesë, ai do të kthehet i kënaqur. E drejtë tjetër e juaja është që ju keni të drejtë të më ndaloni nga përdorimi jo i drejtë i pasurisë së Shtetit. Ju po ashtu keni të drejtë të kërkoni nga unë, që t’i pëforcoj kufijtë dhe mos t’ju nënshtroj para rrezikut. Është po ashtu e drejtë e juaja, që në rast se shkoni në luftë, të kujdesem për familjet tuaja, ashtu si kujdeset babai juaj, kur ju nuk jeni të pranishëm. O njerëz, qëndroni të nënshtruar Allahut (Subhanehu ve Teala), më falni për gabimet dhe më ndihmoni në misionin tim. Më ndihmoni të urdhëroj në të mirë dhe të ndaloj nga e keqja. Më këshilloni në lidhje me obligimet, të cilat më janë obliguar nga Allahu (Subhanehu ve Teala)…”.

 

Rruga që ndoqi Umeri për drejtimin e shtetit

Umeri (radiallahu anhu) eci sipas së njëjtës mënyrë që ndoqi paraardhësi i tij Ebu Bekri. Kur Ebu Bekri (radiallahu anhu) vdiq, Umeri (radiallahu anhu) u ngjit në minber, ku pasi falënderoi dhe lavdëroi Allahun (xheleshanuhu) tha: “O ju njerëz, unë do bëj një lutje, prandaj thoni ‘Amin!’. O Zot unë jam i ashpër prandaj më bëj që të jem i butë me ata që të binden ty, duke iu përmbajtur së vërtetës, duke kërkuar fytyrën Tënde, duke kërkuar botën tjetër! O Zot, më bëj të ashpër e të egër kundër armiqve të Tu, kundër munafikëve dhe njerëzve të prishur, pa u bërë padrejtësi atyre nga ana ime! O Zot, unë jam koprrac, prandaj më bëj mua bujar (dorëdhënës) pa e tejkaluar në shpenzime, pa syefaqe dhe mburrje! O Zot, më bëj që të kërkoj me këto vepra fytyrën Tënde dhe botën tjetër! O Zot më mundëso të jem modest e i përulur dhe të jem i butë me muslimanët!”[18]

Pra, në këtë hytbe shihet qartë rruga që do të ndiqte Umeri, hytbe e cila ishte e ngjashme me atë të Ebu Bekrit (radiallahu anhu). U shfaq gjatë halifatit të tij një politikë e mirë, një sistem i rregullt, një mirorganizim i administratës dhe financës. Planifikoi çlirimin e tokave të reja, ndoqi politikën e zonave të hapura (të lira), mundohej të plotësonte sa më shumë interesat e popullit dhe mbante drejtësi mes tyre. Nuk ia lejonte vetes të merrte nga Bejtul Mali (buxheti i shtetit) më shumë sesa një rrobë për dimër, një rrobë për verë, një deve për udhëtim dhe ushqim ditor mesatar, aq sa merrte çdo muhaxhir tjetër. Hytbet e tij, letrat dhe mesazhet që ua dërgonte komandantëve të ushtrive dhe njerëzve të caktuar në krye të vendeve, na tregojnë qartë për ndjenjën e thellë të përgjegjësive, e shoqëruar kjo me mbështetje dhe besim të fortë në Allahun (xheleshanuhu).

Por megjithëkëtë, prapë Umeri mbeti një njeri i thjeshtë, thjeshtësia dhe modestia e tij bie në sy nga çdokush. Njëherë Umeri kishte një konflikt me një grua dhe kur dolën para gjykatësit, kur hyri Umeri, gjykatësi u ngrit në këmbë. Umeri i tha gjykatësit: “Kjo është padrejtësia e parë që i ke bërë kësaj gruaje.”

Ndërsa në lidhje me adhurimin ai ishte një njeri që jepte shembull. Nga historitë që tregohen në lidhje me ibadetin e Umerit: Ai po falej një ditë dhe po lexonte suren “Jusuf”, derisa erdhi tek ajeti: “Une ia paraqes ankesen e mërzisë dhe pikëllimit tim Allahut”, qau shumë, aq sa dhe mjekra ju lag.

Një ditë po falej si imam në namazin e sabahut dhe lexoi ajetin: “Ndalojini aty, sepse do merren në pyetje”, filloi të qante derisa u alivanos përdhe dhe u sëmur një muaj rresht.

Një natë para se të flinte tha me vete: “Sikur t’i falja dy rekate dhe pastaj të fle. Filloi të lexonte nga xhuzi “Ame” ajetin e parë të sures “Nebe”: “Për çfare ata pyesin njëri-tjetrin, për lajmin e madh”, filloi të qante dhe nuk vazhdonte dot më tej në lexim, vazhdoi të qante deri në agim.

Një dite tjeter lexoi suren “Mudethir” derisa arriti tek ajetet: “Përkujto ditën kur do fryhet në Sur, ajo do të jetë Ditë e vështirë, për kafirët nuk do të jetë aspak e lehtë”, atëherë qau derisa u alivanos përdhe.

Punët më të rëndësishme që ndërmori Umeri (radiallahu anhu) 

Umeri (radiallahu anhu) filloi të organizonte shtetin me një vullnet të pathyeshëm, gjë e cila e ndihmoi shumë në përballimin e problemeve të jetës, kërkesave të shumta në varësi të situatave të reja, sidomos me zgjerimin e shtetit islam nga të katër anët e horizontit. Disa nga punët më të rëndësishme janë:
1. Formimi për herë të parë i regjistrave, si p.sh. regjistri i ushtrisë. i cili në kohën e sotme i përngjan ministrisë së mbrojtjes, regjistri i pasurisë, i cili i ngjason ministrisë së financës.
2. Themeloi Bejtul Malin (buxhetin e shtetit), caktoi gjykatësit, shkruesit, vuri në përdorim paratë (kartëmonedhat), zhvilloi postën, sistemin e llogarisë, dërgonte njerëz në tokat e çliruara për t’u mësuar njerëzve Islamin, si dhe bëri bazë për fillimin e kalendarit islam emigrimin e Profetit, salallahu alejhi ue selem, duke qenë se emigrimi i tij ishte fillimi real i ngritjes së shtetit islam.
3. I kushtonte rëndësi gjendjes së popullit dhe kjo shihet qartë në interesin që tregonte për familjet e varfra dhe udhëtimet e tij natën, për të parë gjendjet dhe shqetësimet e njerëzve.
4. E pa më të arsyeshme që t’i linte tokat e çliruara në pronësi të banorëve të këtyre tokave, sesa t’ua shpërndante muxhahidëve, me kusht që pronarët e tokave të paguanin haraxhin (taksën e tokës).
5. Bëri ndarjen e tokave të çliruara në krahina dhe caktoi në krye të çdo krahine një zëvendës në atë vend, përgjegjës i cili paguhej me rrogë nga Bejtul Mali (Arka e buxhetit të shtetit). Për të qenë përgjegjës zgjidheshin njerëz të mirë të devotshëm dhe që ishin të aftë në drejtimin e punëve.
6. Urdhëroi ngritjen e një sërë qytetesh të reja në tokat e çliruara si p.sh.: Kufe dhe Basra në Irak, qyteti i Fistatës në Egjipt e të tjera qytete si këto, që do të shërbenin si qendra të shtetit islam në këto vende.

Çlirimet në kohën e Umerit

Ndër preokupimete tij kryesore ishte vazhdimi i xhihadit, përhapja e Islamit dhe vazhdimi i çlirimeve, të cilat i filloi Ebu Bekri (radiallahu anhu) në tokat e persëve dhe bizantëve.
Çlirimi i Irakut dhe tokave perse

1) Pasiqë u qetësua për gjendjen e ushtrisë në Sham, Umeri e përqendroi vëmendjen e tij (radiallahu anhu) në çlirimin e Irakut dhe tokave perse. Aq e rëndësishme ishte për halifen, çlirimi i këtyre tokave, saqë dëshiroi ta drejtonte vetë ushtrinë, mirëpo muslimanët e këshilluan që më mirë ishte të rrinte në Medinë dhe të caktonte njërin prej sahabëve të mëdhenj si komandant. Umeri ra dakort me këtë mendim dhe caktoi si komandant të ushtrisë Sad bin ebi Uekasin.

Beteja e Kadisijes, viti 15 H.

2) U nis Sad ibn ebi Uekasi drejt Irakut, i cili në atë kohë ishte pjesë e shtetit të madh pers. Persët e ndjenë rrezikun që po u afrohej, prandaj mbreti i tyre Jerdu Xhurd mblodhi një ushtri të madhe e cila numëronte rreth 80.000 ushtarë të stërvitur dhe pajisur në formën më të mirë. Si komandant i ushtrisë perse u caktua një ushtarak me përvojë që quhej Rustum, gjithashtu ushtria shoqërohej nga 33 elefantë. Kur u ballafaquan dy ushtritë me njëra-tjetrën, Rustumi kërkoi nga Sadi ebi bin Uekasi që të dërgonte një burrë të zgjuar e të dijshëm, ashtu që ta pyeste rreth disa çështjeve, sepse ai (Rustumi) çuditej se çfarë i bëri arabët të ndryshonin kaq shumë, kur dihej se më parë ata kanë qenë gjithmonë të nënshtruar dhe pa kurrfarë peshe në krahasim me persët. Sad ibn ebi Uekasi dërgoi disa persona njëri pas tjetrit tek Rustumi, mes të cilëve ishte Ribij bin Amiri. Hyri Ribije te Rustumi, i cili kishte urdhëruar që dhoma ku do bëhej takimi, të zbukurohej me shtroja prej mëndafshi, me jastëkë të qëndisur me flori, mbushur vendi me perla, diamante dhe zbukurime të tjera. Rustumi ishte ulur në një krevat floriri dhe në kokë mbante kurorën e tij, e cila i merrte shikimet e njerëzve. Ndërsa Ribija ishte i veshur me disa rroba të vjetra e të grisura, mbante me vete armët e tij, mburojën, përkrenaren dhe ishte i hipur mbi një kalë të vogël. Kur hyri dhe pa zbukurimet e tyre dhe mburrjen e tyre, deshi t’u tregonte se atij nuk i interesonin aspak dhe as që ua hidhte sytë zbukurimeve të tyre. Prandaj kur hyri brenda me kalin e tij, shkeli mirë e mirë shtrojat e shtrenjta, pastaj zbriti dhe e lidhi kalin e tij te disa jastëkë. U afrua me kokën lart, me hapa të vendosur, me armët ngjeshur. I thanë: “Lëri armët!” Tha plot krenari: “Unë nuk erdha me dëshirën time, jeni ju ata që më thërritët, prandaj më lini kështu ose u ktheva.” Rustumi tha: “Lëreni të afrohet.” U afrua duke u mbështetur me shtizën e tij mbi jastëkët e shtrenjtë, derisa i grisi shumicën e tyre. Rustumi tha: “Çfarë ju ka sjellë këtu?” Tha: “Allahu na ka dërguar që të nxjerrim atë që Ai do, nga adhurimi i njerëzve tek adhurimi i Allahut, nga ngushtica e kësaj bote tek gjerësia e saj, nga padrejtësia e feve në drejtësinë e Islamit. Gjithashtu na ka dërguar te njerëzit që t’i thërrasim ata te feja e Allahut, prandaj kush e pranon këtë fe, ne tërhiqemi prej tij dhe kthehemi mbrapsht, ndërsa kush e refuzon këtë fe, do ta luftojmë derisa të arrijmë premtimin e Allahut.” Tha: Ç’farë është premtimi i Allahut?” Tha: “Xheneti për atë i cili vritet në luftë ose fitorja për atë që ngelet gjallë.” Rustumi kërkoi një afat derisa ta studionin këtë çështje, mirëpo Ribije nuk i dha afat më shumë se tri ditë duke i thënë: “Nuk na ka mësuar Profeti, salallahu alejhi ue selem, që t’i japim afat armikut më shumë se tri ditë kur të ballafaqohemi me të.” Rustumi tha: “A ti je i pari i tyre?” Tha: “Jo, por muslimanët janë si një trup i vetëm.” Ribije bin Amiri u kthye, ndërsa Rustumi mblodhi më të zgjedhurit e popullit të tij duke diskutuar, Rustumi tha: “A keni dëgjuar ndonjëherë fjalë më të mençur dhe më krenare sesa fjala e këtij burri?” Thanë: “Ki kujdes, mos e lër fenë tënde dhe të anosh nga fjala e atij qeni, a nuk e pe se ç’rroba kishte veshur?” Rustumi tha: “Mjerë për ju, mos shikoni rrobat por shikoni fjalën dhe mendimin. Me të vërtetë muslimanët nuk i japin rëndësi veshjes, ushqimit dhe prejardhjes.” Pas kësaj Sad ibn Ebi Uekasi dërgoi një person tjetër, Mugira bin Shubehn. Kur hyri te persët, Rustumi i tha atij: “Ju jeni fqinjët tanë dhe ne gjithmonë ju kemi mbrojtur dhe ju kemi bërë mirë, prandaj kthehuni në vendin tuaj dhe ju premtojmë se nuk do ta pengojmë tregtinë tuaj.” Tha Mugira: “Ne nuk duam jetën e kësaj bote, qëllimi ynë dhe ajo që ne kërkojmë është bota tjetër. Allahu (xheleshan uhu) ka dërguar te ne profet me fenë e vërtetë, nuk ka person që largohet nga kjo fe veçse poshtërohet.” Pas këtyre debateve u vendos të fillohej lufta. Dy ushtritë u takuan dhe u përplasn ashpër me luftime gjatë gjithë ditës dhe pjesën më të madhe të natës. Kjo gjendje vazhdoi për tri ditë, por ajo që duhet të theksohet është se muslimanët vuajtën shumë nga elefantët, të cilët i frikësonin kuajt arabë që nuk ishin mësuar të shihnin elefantë. Megjithatë luftëtarët trima muslimanë bënë durim dhe luftuan me guxim derisa arritën fitoren me ndihmën e Allahut dhe suksesin e Tij. Dikujt i lindi ideja e goditjes së elefantëve me shigjeta në sy, ashtu që të zmbrapseshin, si dhe ua mbyllën sytë kuajve të tyre, që të mos i shihnin elefantët. Në ditën e katërt Allahu dërgoi një erë të fortë, e cila shkatërroi kampin e mexhusëve persë duke i bërë ata të shpartalloheshin dhe të arratiseshin nga të mundeshin. Në këtë betejë u vranë dhjetë mijë persë, mes tyre dhe komandanti Rustum, ndërsa nga muslimanët ranë shehidë rreth dymijë e pesëqind. Me këtë betejë u forcua pozita e Islamit, u ngrit lart fjala e Allahut, u krijua autoritet i fortë i muslimanëve tek arabët dhe joarabët. Gjithashtu u përhap udhëzimi i Islamit dhe drejtësia e tij duke dëbuar errësirën e kufrit dhe shirkut.[19]

Çlirimi i Shamit

3) Bizantët e morën vesh për shkeljen e muslimanëve në tokat e tyre, ndaj i shkruajtën Heraklit, i cili ndodhej në Kuds. Ai u tha: “Mendimi im është të bëni kompromis me muslimanët, sepse uallahi është më mirë t’u jepni gjysmën e Shamit dhe do t’ju mbetet gjysma tjetër së bashku me vendet bizantine, sesa të mposhteni në Sham dhe në gjysmën e vendeve bizantine. Kjo këshillë i zemëroi komandantët e ushtrisë bizante dhe menduan se kjo fjalë ishte pasojë e dobësisë në karakterin e Perandorit bizant. Herakli, kur pa këtë qëndrim të ushtrisë, u dorëzua para vendimit të tyre dhe hyri në luftë duke mbledhur të gjitha forcat dhe u përqendrua në qytetin e Himsit, ku përgatiti ushtri të madhe dhe të pajisur mirë.[20]

Beteja e Jermukut( viti 15 h)

4) Pasi që Herakliu pa fitoret e njëpasnjëshme të muslimanëve, mblodhi të gjithë ushtarët që kishte në dispozicion për t’u përplasur me ushtrinë muslimane. Këto forca ishin nën komandën e vëllait të Heraklit, i cili e përqendroi ushtrinë pranë lumit Jermuk, njërit prej lumenjve të vegjël që furnizon lumin Jordan. Ndërsa ushtria muslimane, e cila ishte nën komandën e Ebu Ubejdes, zbriti dhe u vendos përballë bizantëve. Duke parë numrin e madh të bizantëve, Ebu Ubejde ngarkoi Halid bin Uelidin që të organizonte ushtrinë në formacion lufte.

Halid bin Uelidi i bëri ushtrisë një rregullim që nuk ishte parë kurrë nga arabët. Sulmuan kalorësit muslimanë me trimëri të rrallë derisa arritën të ndanin ushtrinë bizantine në dy pjesë, kalorësit veç dhe këmbësorët veç. Kjo ndarje si dhe goditjet e kalorësve muslimanë, bënë që kalorësia bizante të tërhiqej duke lënë mijëra të vrarë në fushëbetejë. Pas kësaj e gjithë ushtria muslimane u hodh mbi këmbësorinë bizante, të cilët ose binin në tokë të vrarë, ose mbyteshin në lumë. Ishte kjo fitore e bujshme e muslimanëve goditja kryesore shkatërruese e Perandorisë Bizantine. Në këtë betejë u vranë më shumë se njëqind mijë bizantë dhe rreth tre mijë shehidë nga muslimanët.

Çlirimi i Egjiptit

5) Egjipti në atë kohë ishte nën sundimin bizant dhe me besim të krishterë si bizantët. Megjithëse ishin të së njëjtës fe, bizantët i shtypnin egjiptianët dhe u vendosnin taksa nga më të ndryshmet, saqë edhe n.q.s. donin të varrosnin të vdekurit duhet të paguanin gjobë. U nis Amru bin Asi në krye të katër mijë ushtarëve muslimanë nga Shami për në Egjipt. Me gjithë vështirësitë që hasën në kalimin e dunave të rërës, arritën në qytetin Arish, të cilin e hapën pa rezistencë. Kjo ndodhi në fund të vitit 18 H. Pastaj vazhduan drejt qytetit Ferma, të cilin e çliruan pas një muaji e gjysmë rrethimi, pra në fillim të vitit 19 H. Në çlirimin e këtij qyteti muslimanët u ndihmuan nga egjiptianët, të cilët ishin mërzitur nga regjimi bizantin. Pastaj vazhdoi përpara Amru bin Asi derisa arriti në qytetin Belbis, të cilin e çliroi pas një lufte të ashpër e të pandërprerë, e cila zgjati një muaj rresht. Pastaj eci drejt qytetit Umu Denin, ku u ndez një luftë e egër, pasi bizantët ishin të mbyllur në kala mbrojtëse që njiheshin si më të fortifikuarat e asaj kohe, por me ndihmën e Allahut u bë i mundur çlirimi i këtij qyteti. Vazhdoi çlirimi i qyteteve të njëpasnjëshme derisa Egjipti u bë krahinë muslimane.[21]

Historia e shehidllëkut të Umer bin el Hatabit

Umeri (radiallahu anhu) u vra nga dora e Feiruzit ose si quhej ndryshe Ebu Lulueh, skllavi i Mugira bin Shubehs. Ky mexhus ishte sjellë nga Iraku për t’i mësuar muslimanëve disa lloje zanatesh që ai posedonte si p.sh.: zdrukthëtarinë, gdhendjen, kovaçanën etj. Ai kishte përgatitur një thikë të veçantë me dy maja e të helmosur, për të vrarë halifen e muslimanëve, gjë të cilën e arriti në një namaz sabahu, pasi kishte filluar namazi. Ai e goditi Umerin gjashtë herë, njëra prej këtyre goditjeve ishte poshtë kërthizës, e cila u bë shkak për vdekjen e tij. Kjo ndodhi më 23 Dhulhixhe të vitit 23 H. Bashkë me Umerin vrasësi theri edhe 13 burra gjatë ikjes së tij mes safeve, ku shtatë prej tyre vdiqën. Në fund ky kriminel, kur e kuptoi se do të kapej, u vetëvra. Pas kësaj Umeri jetoi edhe tri ditë të tjera e ndërroi jetë më datë 26 të muajit Dhulhixhe. E lau, e qefinosi dhe ia fali namazin djali i tij, Abdullahi, dhe  u varros pranë dy shokëve të tij. Halifati i tij zgjati dhjetë vjet e gjashtë muaj. Transmeton Buhariu nga Amru bin Mejmuni, i cili thotë: “Isha në këmbë afër Umerit (radiallahu anhu), ku mes meje dhe tij ishte vetëm Abdullah bin Abasi, në mëngjesin e asaj dite në të cilën u vra. Ishte Umeri (radiallahu anhu) që kalonte mes safeve dhe u thoshte: ‘Drejtohuni!’, derisa nuk shikonte boshllëqe, e atëherë dilte përpara dhe merrte tekbir. Lexoi në rekatin e parë suren ‘Jusuf’ ose ‘Nahl’, ashtu që të priste njerëzit derisa të vinin. Kur mori tekbir (për ruku) e dëgjova të thoshte në momentin e therjes: ‘Më vrau qeni.’. Pastaj vrasësi u tërhoq duke kaluar mes safeve dhe therte kë të gjente majtas e djathtas, duke therur kështu 13 burra, shtatë prej të cilëve vdiqën. Duke parë këtë situate, një burrë prej muslimanëve i hodhi një rrobë përsipër kriminelit. Vrasësi, kur u bind se do kapej, vrau veten. Ndërkohë Umeri (radiallahu anhu) kapi për dore Abdu Rrahman bin Aufin dhe e nxori përpara. Ata që ishin prapa Umerit e panë se ç’ndodhi, ndërsa ata që ishin në cepa nuk morën vesh gjë, biles filluan të thonë Subhanallah, kur humbi zëri i Umerit. Abdu Rrahman bin Aufi e plotësoi namazin shpejt e shpejt, dhe kur mbaruan Umeri tha: ‘O Ibn Abas, shiko se kush më vrau.’ Pas pak erdhi Ibn Abasi dhe tha: ‘Ishte robi i Mugiras.’ Umeri tha: ‘Zoti e vraftë, elhamdulilah që nuk ishte vrasësi im ndonjë musliman.’

“Pas kësaj u vendos në shtëpinë e tij, pas pak i dhanë një lëng që ta pinte por i doli nga plagët; iu dha qumësht, por përsëri i doli nga vrimat, e aty u kuptua se do vdiste. Filluan ta vizitonin njerëzit dhe t’i shprehnin lavdërime nga më të ndryshmet, derisa erdhi një djalosh dhe tha: ‘Përgëzohu o Emir i besimtarëve, me përgëzimin e Allahut, ti që shoqërove Profetin, salallahu alejhi ue selem, ti që ke pozitë të veçantë siç e di dhe vetë, e more halifatin dhe mbajte drejtësi, ndërsa tani je shehid.’ Tha Umeri (radiallahu anhu): ‘Do doja të dilja nga kjo botë as për mua e as kundër meje.’ Kur djaloshi iku, Umeri (radiallahu anhu) e pa rrobën e tij poshtë zogut të këmbës dhe tha: ‘O djalosh, ngrije rrobën tënde, sepse kjo është më e mirë për rrobën tënde dhe më e devotshme për Zotin tënd.’ Tha: ‘O Abdullah, shiko se sa borxhe kam.’ Pasi i bënë llogarinë, gjetën se borxhi i tij arrinte 86.000 dirhemë. Pasi la porosi ta shlyenin borxhin, i tha Abdullahut: ‘Shko tek Aishja, bëji selam prej meje, dhe mos i thuaj nga Emiri i besimtarëve, sepse unë sot nuk jam më emir, por thuaji: ,Të kërkon leje Umeri, biri i Hatabit, që të varroset pranë dy shokëve të tij., Hyri Abdullahu tek Aishja, e gjeti atë duke qarë e i tha asaj: ‘Të çon selam Umeri dhe të kërkon leje për t’u varrosur pranë shokëve të tij!’ Tha Aishja: ‘E kisha ruajtur atë vend për vete, por sot do t’i jap përparësi Umerit ndaj vetes sime.’ Erdhi Abdullahu, i tregoi për lejen e Aishes dhe Umeri tha: ‘Elhamdulilah, nuk kisha gjë më të dashur sesa këtë. Kur unë të vdes, më mirrni dhe më çoni atje, kërkojini leje përsëri Aishes, radiallahu anha, e nëse jep leje, më varrosni, nëse jo, më ktheni në varrezat e muslimanëve.’ Pasi u përshëndet me njerëzit për herë të fundit dhe la porosinë e tij në lidhje me halifatin, vdiq Umeri (radiallahu anhu), halifja i dytë i muslimanëve, shoku i dytë i ngushtë i Profetit, salallahu alejhi ue selem, Zoti e mëshiroftë dhe qoftë i kënaqur prej tij!

Umeri vdiq në javën e parë të muajit Muharrem, 24 H.

Marrë nga: www.xhamiambret.com


[1] Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Maxhja dhe Ahmedi.

[2] Tirmidhiu.

[3] Sure Taha: 1-14.

[4] Tarihu Umer b. Hattab, f. 6.7.

[5] Muhtesar Siretu-r-Resul nga En-Nexhdi, f. 103.

[6] Tarihu Umer b. El-Hattab, f. 13.

[7] Buhariu, 3681 dhe Muslimi.

[8] Muslimi, 2390.

[9] Buhariu: 3683, Muslimi.

[10] Buhariu: 3689, Muslimi.

[12] Buhariu: 3680, Muslimi.

[13] Buhariu: 3690.

[14] Transmeton Ibn Maxheh, nr. 96, e saktësoi Albani.

[15] Transmeton Buhariu, nr. 3685 dhe Muslimi, nr. 2389.

[16]  Marrë nga libri El Imameh ues-sijaseh, 1/25 te Dijneuriju.

[17] Marrë nga libri El Hulefa er-rashidun, fq. 46 te Eminul Kudah.

[18] Marre nga libri el Akdul ferid 4/65 te Ibn AbduRabuh el Andalusij

[19] Marrë nga libri El Hulefa er-Rashidun ued-deuletul emeuijeh, botim i universitetit “El Imam” në Rijad.

[20] Marrë nga libri Xheuleh tarijiheh fi asril hulefa, fq. 58, të Muhamed Sejid Uekilit.

[21] Marrë nga libri el Hulefa er-Rashidun ued-deuletul emeuijeh, botim i universitetit El Imam në Rijad

You may also like...