Pastroje zemren…

imagesPastro zemrën

Gjëja më e mirë është dëshira dhe vullneti për ta korrigjuar dhe pastruar shpirtin nga gjërat e pista, si: shirku dhe mëkatet. Një detyrë serioze kjo, që e kishin mbi vete të dërguarit e Allahut të Lartësuar të cilët pastruan veten me fenë e Allahut të Lartësuar.

“Pa dyshim se do të jetë i shpëtuar ai që është pastruar (nga politezmi, duke iu përmbajtur besimit islam), që e përkujton emrin e Zotit të tij dhe plotëson namazin.” (A’la, 14- 15)

Pejgamberët ia mësuan edhe të tjerëve format dhe mënyrat e pastrimit. Allahu i Lartësuar thotë:

“Është e vërtetë se Allahu u ofroi mirësi të madhe besimtarëve, kur Ai dërgoi ndërmjet tyre një të dërguar (Muhamedin) nga mesi i tyre, që atyre t’u lexojë shpalljen e Tij (Kuranin), duke i pastruar ata (nga gjynahet e tyre) dhe duke ua mësuar Librin (Kuranin) dhe Hikmetin (urtësinë dhe sunetin), edhe pse para kësaj ata kan qenë në humbje të qartë.” (Ali Imran, 164)

Dy lloje të sëmundjeve

Sëmundejt që godasin zemrën janë dy lloje:

1.     Sëmundjet e dyshimit në besim.

2.     Sëmundjet e epsheve, dëshirave.

Këto dy forma çorientojnë jetën dhe aktivitetin e besimtarit, për të rezistuar nga këto, atëherë ai duhet t’i kthehet Shpirtit-Kuranit, që është fjalë e Allahut të Lartësuar, duke mësuar dhe kuptuar këshillat e Tij.

Besimtari posedon dy fuqi që Allahu i Lartësuar ia ka dhuruar dhe me to mund të rezistojë, e ato janë:

E para: Forca e të kuptuarit dhe vizionit. Besimtari me anë të kësaj fuqie të dhuruar nga Allahu i Lartësuar mund të formojë vizion të qartë mbi mësimet e Allahut të Lartësuar dhe të Dërguarit të Tij. Kështu, sëmundjet e dyshimit dhe dëshirave me diturinë hyjnore mund t’i pengojë apo t’i largojë.

E dyta: Forca e vullnetit. Qëllimi, vendosmëria dhe veprimi duke u ushqyer me vullnetin e mirë e ndihmojnë besimtarin për të gjallëruar me udhëzimet islame dhe forcuar lidhjet me Allahun e Lartësuar. 

Kur forca e të kuptuarit dhe vullnetit harmonizohen, atëherë besimtari i përgjigjet Allahut të Lartësuar me bindshmëri të plotë.

“O ju që besuat! Përgjigjuni Allahut (duke iu bindur Atij) dhe të dërguarit Muhamedit) kur Ai ju fton për atë që ju jep juve jetë (ju ngjall) dhe dijeni se Allahu ndërhyn ndërmjet njeriut dhe zemrës së tij. Tek Ai do të tuboheni!” (Enfal, 24)

Ruajtja e mendjes dhe zemrës nga pëshpëritjet e shejtanit.

Mendja dhe zemra çdo herë sulmohen me shigjetat e dyshimit, pëshpëritjes së shejtanit, me qëllim që ta dezorientojë në jetë dhe aktivitet, duke e motivuar dhe lëvizur drejt së keqes.

“A nuk e di ti se Ne i kemi dërguar shejtanët kundër mosbesimtarëve, e ata nxisin pa ndërprerë të bëjnë poshtërsi.” (Merjem, 83)

Për këtë, Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar dhe porositur që të kërkojmë strehim prej Tij nga dyshimet e shejtanit.

“Kur të lexosh Kuranin kërko mbrojtjen (mbështetjen) e Allahut prej shejtanit të mallkuar.” (Nahl, 98)

“Dhe thuaj: O Zoti im! Të mbështetem Ty (të më ruash) nga pëshpëritjet e shejtanit! Të mbështetem Ty, o Zoti im, që ata të mos më afrohen!” (Muminun, 97-98)

Kur besimtari i përmbahet këshillave të Allahut të Lartësuar, atëherë shejtani nuk mund të ketë fuqi  dhe të ndikojë në jetën e besimtarit.

“Vërtet, ai (shejtani) nuk ka kurrfarë fuqie kundër atyre që besuan dhe i janë mbështetur Zotit të tyre.”  (Nahl, 99)

Frikërespekti ndaj Allahut të Lartësuar.

Takvallëku është çelësi i çdo mirësie. I Lartësuari thotë:

“Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka .”1

“Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi)  dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret.”2

Takva do të thotë të kesh respekt ndaj Allahut për hir të Allahut dhe duke shpresuar shpërblimin prej Allahut. T’i lësh mëkatet për hir të Allahut duke u frikësuar nga dënimi i Allahut.

Pra, devotshmëria dhe frikërespekti ndaj Tij hap dyert e mirësive dhe të bekimit të tyre. Në një rast, një mirëdashës u shpreh në këtë mënyrë kur i paraqitën shqetësimin e ngritje së çmimeve duke i thënë: “I nderuar, janë ngritur çmimet.!”

Ai iu përgjigj: “Ulini çmimet me takvallëk.”

Pregatiti:Ulvi Fejzullahu 

You may also like...