Plani dhjetëditorë II – (Projekti i namazit dhe dhikrit)

Namazi-79Muhamed Husejn Jakub

2. Projekti i banketit për çdo namaz

Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: Kush shkon në xhami ose vjen nga xhamia, Allahu i përgatit në xhenet vendbanim (konak) sa herë që shkon dhe vjen.” (Shënon Ibni Hibbani, Shuajb Arnauti e vlerëson sahih.)

Konaku është dhoma ku priten dhe gostiten mysafirët. Ky është një banket dhe unë po të ofroj skemën e këtij banketi:

1. Fillo përgatitjen për namaz dhjetë minuta para ezanit. Ti e ke të qartë se fillimi i vërtetë i namazit është abdesti. Muhamedi, sallahu aljehi ve selem, ka thënë:Kur robi i Allahut merr abdes dhe e lan gojën e tij, prej saj bien veprat e këqija. Kur ai e shpëlan hundën e tij, prej saj dalin mëkatet. Kur ai lan fytyrën, veprat e këqija bien prej saj, derisa dalin dhe nga nënvetullat e tij. Kur ai lan duart e tij, veprat e këqija bien prej tyre, derisa dalin nën thonjtë e tij. Kur ai e fërkon kokën, bien mëkatet nga koka e tij, derisa dalin edhe nga veshët. Kur ai lan këmbët e tij, veprat e këqija bien prej tyre, derisa dalin edhe nga thonjtë e këmbëve. Pastaj e ecura për në xhami dhe namazi i tij do të jenë shpërblim shtesë për të (mbi shpërblimin e abdesit). (Shënon Imam Ahmedi, Shuajb Arnauti e vlerëson shih.)

2. Ndieje gjatë marrjes së abdesit çdo fjalë të këtij hadithi. Shikoje ujin kur rrjedh prej gishtave, shikoje ujin kur pikat bien nga mjekra, kështu pastrohesh nga gjynahet dhe e ndien veten në atë moment të pastër.

3. Dil për në namaz, por të lutem që këtë ta ndiesh, ta përjetosh. Të kërkosh kënaqësi sa herë që i lëviz këmbët dhe ta shohësh veten duke u ngritur në një shkallë dhe largim të një gabimi.

4. Futu në xhami para ezanit dhe qëndro për një moment duke përmbledhur nijetet (qëllimet) e tua me zemër të gjallë. Largoje shejtanin, harroji hallet (shqetësimet), izolohu nga dynjaja.

5. Ndiqe ezanin me prezencën e zemrës. Allahu ekber, Allahu është më i madh se çdo hall i yti. Allahu ekber, Allahu është më i madh sesa angazhimet e tua. Allahu ekber, Allahu është më i madh se fatkeqësia jote. Allahu ekber, Allahu është më i madh se mëkatet e tua. Allahu ekber, Allahu është më i madh se çdo gjë.

6. Bëj salavate mbi të dashurin tënd, Muhamedin, salallahu alejhi ve selem, sa të mundesh. Lutju Allahut për ndërmjetësim. Më pas fal sunetet para farzit me qetësi, me prezencën e zemrës dhe përqendrim të madh.

7. Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: Duaja mes ezanit dhe ikametit nuk refuzohet.” (Shënon Imam Ahmedi, Albani e vlerëson shih.)Ngriji duart me përulësi, modesti, i nënshtruar. Lutju Allahut, çelësat e mirësisë janë në duart e Tij, që të ta hapë një derë të mëshirës së Tij. Angazhohu në dua, bëj sikur qan, sepse fëmija, kur kërkon diçka, nëse nuk i jepet qan.

8. Përpiqu të falesh pas imamit apo pranë tij, në mënyrë që të ndikohet zemra gjatë leximit të Kuranit. Angazhohu që të mos humbasësh asgjë nga namazi.

9. Ndieje se gjatë namazit je para Allahut të Lartësuar, sunduesit të mbretërve. Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: Kur të falni namaz, mos lëvizni (përqendrohuni), ngase Allahu i Lartësuar vazhdon të qëndrojë përballë robit të Tij derisa të mos shpërqendrohet (nga namazi).”(Shënon Imam Ahmedi, Albani e vlerëson shih.) Kjo vlen gjatë qëndrimit në këmbë.

10. Ndieje rukunë, madhërimin e Zotit, përulësinë e Tij. Sexhdja është një kënaqësi e veçantë, së cilës asgjë nuk mund t’i afrohet. Allahu i Lartësuar thotë: “Bëj sexhde dhe afroju Zotit tënd!” (Alek, 19). Ndieje afërsinë dhe nënshtrimin, se kështu do të lartësohesh, sepse sa herë që bën një sexhde për Allahun, Ai të ngre një shkallë.

11. Lutju shumë Allahut në sexhde, edhe pas teshehudit edhe para selamit. Këto janë vende që lutja pranohet, sidomos kur i lutesh Allahut me emrin e Tij të madh. Ai përgjigjet dhe kur i kërkon, ta jep. Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, hyri në xhami dhe pa një njeri që lutej pas namazit me lutjen Allahume eseluke ja Allah el-ehad es-samed, el-ledhi lem jelid, ve lem juled, ve lem jekun lehu kufuven ehad, en tegfire li dhunubi, in-neke entel gafurur-rahim”. (O Allah, unë të drejtohem Ty, o Allah, se Ti je Një dhe i Vetëm, Ty ta kanë nevojën të gjitha krijesat dhe të gjitha Ty të drejtohen, i Cili as nuk lind dhe as nuk është i lindur, dhe s’ka asnjë të barabartë apo të krahasueshëm me Të; të m’i falësh gabimet (mëkatet) e mia, me të vërtetë Ti je Falësi, Mëshiruesi.) Muhamedi salallahu alejhi ve selem tha: Ai e fali atë. E fali atë. E fali atë.” (Shënon Ebu Davudi, Albani e vlerëson sahih.)

12. Pas selamit qëndro mirë, duke e ruajtur energjinë e namazit, duke e ndier arritjen e kënaqësisë së syrit pas leximit të Kuranit, dhikrit, duasë, rukusë, sexhdes. Pastaj fillo me duatë (edhkar) e ligjshme dhe të gjitha kryeji me qetësi.

13. Pastaj fale sunetin pas farzit, duke i përmbledhur ndjenjat e abdestit, shkuarjes në xhami, ndjekjes së ezanit.

14. Këshillë: Lexo edhe një herë pikat e lartpërmendura që të përjetosh atë që të ka përgatitur Allahu në xhenet. Vendbanimi, konaku i Allahut të Lartësuar është nder nga Ai. Atëherë urdhëro e merr nga frytet e shumta dhe të bëfshin mirë!

– Kujto hadithet që flasin për vlerën e abdestit në faljen e gjynaheve;

– Kujto vlerën e duasë pas abdestit, kur hapen tetë dyert e xhenetit dhe ke mundësinë e hyrjes nga cila dëshiron;

– Shkuarja në xhami ka shpërblime të shumta, si fshirje të mëkateve, ngritje të shkallëve etj.;

– Shpërblimi i ezanit përfundon me shefat (ndërmjetësim);

– Shpërblimi i pritjes së namazit ka sevapin e namazit dhe duatë e melaikeve.

– Pastaj është sevapi i tekbirit fillestar, i namazit me xhemat, i safit të parë, i anës së djathtë të safit;

– Sevapet e dhikrit, suneteve.

Për Allahun, ju betohem: A nuk është ky një banket?!

Për Allahun, më tregoni kush mund ta humbë këtë gosti, nëse ka mundësi të marrë pjesë?!

3. Projekti i dhikrit

Allahu i Lartësuar thotë:

O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje! Është Ai që ju bekon, ndërkohë që engjëjt e Tij luten për ju, me qëllim që Ai t’ju nxjerrë nga errësira në dritë. Ai është Mëshirues ndaj besimtarëve.” (Ahzab: 41-43)

Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: Nuk ka ditë që vepra të jetë më madhështore dhe më e dashur tek Allahu sesa këto dhjetë ditë, prandaj shqiptoni sa më shumë tehlil (La ilahe il-lAllah), tekbir (Allahu ekber) dhe tahmid (El-hamdu lil-lah). (Shënon Imam Ahmedi, Shuajb Arnauti e vlerëson sahih.)

Duhet ta kemi të qartë se dhikri, përkujtimi i Allahut, është më i madh se çdo gjë.

Merre me mend, përkujtimi i Allahut është më i madh se namazi! Allahu i Lartësuar thotë:

Lexo (o Muhamed) atë që të është zbritur ty prej Librit (Kuranit) dhe fale namazin! Vërtet namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet përmendja e Allahut është më e madhe! Allahu di gjithçka që ju bëni.” (Ankebut: 45)

Imagjino, përkujtimi i Allahut është më i madh se zekati! Ebu Derdaja thotë: “Isha tek i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ve selem, kur disa prej njerëzve i thanë: “O i Dërguar i Allahut, të pasurit na e kaluan me të mira: ata falen sikurse ne, agjërojnë sikurse ne, japin sadaka (ndihmojnë), por ne nuk kemi me çfarë të ndihmojmë. Ata japin në rrugën e Allahut, por ne nuk kemi ç’të japim.” I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ve selem tha: A doni t’ju tregoj diçka që, nëse e punoni, nuk ka kush jua kalon (me shpërblime) dhe nuk ka kush ju arrin, me përjashtim të atij që vepron njësoj si ju?Atëherë pas çdo namazi thoni subhanallah tridhjetë e tri herë, elhamdu lilah tridhjetë e tri herë dhe Allahu ekber tridhjetë e tri herë.” (Mutefekun alejhi, Buhariu dhe Muslimi.)

Mendo, përkujtimi i Allahut të Lartësuar është më i madh se xhihadi në rrugën e Allahut! Ebu Dardaja thotë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ve selem: A doni t’ju tregoj për veprën tuaj më të mirë, më fisnike, më të ngritur te Sunduesi juaj, gjithashtu më e mirë për ju sesa shpërndarja (dhënia) e arit dhe argjendit, po ashtu edhe më e mirë për ju se takimi me armikun dhe bërja e luftës? I thanë po. Tha: Dhikrullahi teala, përkujtimi i Allahut të Lartësuar.” (Shënon Imam Ahmedi, Albani e vlerëson sahih.)

Allahu i Lartësuar thotë: “…përmendeni Allahun duke qëndruar në këmbë, ulur dhe të shtrirë.” (En-Nisa: 103)

Natën e ditën, në tokë e det, në udhëtim e në shtëpi, në pasuri e varfëri, të sëmurë a të shëndetshëm, haptas e fshehtazi, pra në çdo gjendje. Fjalët më të mëdha në përgjithësi gjatë këtyre ditëve janë “Subhanallah, Elhamdu lilah, La ilahe il-lallah, Allah ekber”, fjalë të përjetshme. Kështu na informoi Muhamedi, salallahu alejhi ve selem, se çdo fjalë mbjellë nga një pemë në xhenet dhe shpërblimi i çdo fjale tek Allahu është sa kodra e Uhudit.

Xhafer bin Sulejmani thotë: “E kam parë Thabit el-Benanin në tubimet e diturisë që ndalej nga fjalimi dhe shqiptonte Allahu ekber, Allahu ekber, La ilahe il-lallah, Allahu ekber ve lil-lahil hamd. Dhe thoshte se këto janë ditët e dhikrit.”

Ti mund të bësh një pyetje: Kur t’i shqiptoj këto fjalë?

Të përgjigjem: Mësoje veten… mësoje veten… mësoje veten:

1. Duke ecur rrugës;

2. Në shtrat, kur bie të flesh;

3. Gjatë bisedës, duke ngrënë;

4. Duke shkuar më herët në xhami.

Nëse do edhe diçka më tepër, është edhe më mirë për ty:

Istigfar (kërkim falje) për vetveten.

I Dërguari i Allahut thotë: “Kush dëshiron të kënaqet me regjistrin e vet, le ta shpeshtojë istigfarin.” (Shënon Bejhekiu, Albani e vlerëson sahih.)

Istigfar (kërkim falje) për besimtarët dhe besimtaret.

Muhamedi salallahu alejhi ve selem thotë: Kush bën istigfar për besimtarët dhe besimtaret, Allahu ia shënon nga një të mirë për çdo besimtar dhe besimtare. (Shënon Imam Ahmedi, Shuajb Arnauti e vlerëson sahih.)

Salavatet për Muhamedin salallahu alejhi ve selem.

Muhamedi salallahu alejhi ve selem thotë: Kush bie një herë në salavat për mua, Allahu dhjetë herë bën dua për të.” (Shënon Muslimi)

Muhamedi salallahu alejhi ve selem thotë: Sa herë që një musliman bie në salavate për mua, bien në salavate melaiket për të dhe atëherë robi le të bjerë në salavate ose le t’i shpeshtojë ato. (Shënon Imam Ahmedi, Albani e vlerëson hasen.)

Salavati i melaikeve është istigfar, ndërsa salavati i Allahut të Lartësuar është mëshirë.

Nëse i përmbahesh asaj që u tha më lart dhe bën dhikër jo më pak se një mijë herë në ditë, kjo do të thotë 5000 fidanë të mbjellë në xhenet. Po të vazhdosh kështu me dhikër gjatë këtyre dhjetë ditëve, parafytyro se si do të jetë kopshti yt në xhenet!

Parafytyro 100 000 fidanë në xhenet që do t’i kesh në pronësi vetëm për dhjetë ditë!

Një rast shumë i volitshëm, që nuk duhet humbur.

Përktheu dhe përshtati: Ulvi Fejzullahu

Autor: Muhamed Husejn Jakub

Shkëputur nga libri “Plani 10 ditorë”

You may also like...