Porositë e arta – 2

Porosia e artë (Pjesa e dytë)

Dija-17
Kurse, efekti i keq i mëkateve largohet me disa gjëra:
Njëra prej tyre është: Pendimi (Teubeja).
E dyta: Kërkimi i faljes (Istigfari).
E treta: Veprat e mira të cilat i shlyejn mëkatet.

Ato mund të jenë të caktuara: Siç është e caktuar se çka duhet të veproj ai i cili ka marëdhënie intime me gruan e tij në ditën e Ramazanit, apo ai i cili bën dhihar, apo ai i cili i vepron disa nga ndalesat e haxhit, apo ai i cili e lenë ndonjë vaxhib (obligim) të haxhit, apo ai i cili e gjuan ndonjë kafshë dhe e vretë atë. Këto janë katër llojëshe: therje kurbani, lirim robi, dhënje sadaka dhe agjërim.

Dhe ato mund të jenë të pacaktuara: Siç i ka thënë Hudhejfe [radijAllahu anhu] Omerit [radijAllahu anhu]: Sprovimi i njeriut me familjen e tij, pasurinë e tij dhe fëmijtë i tij shpaguhet me namaz, agjërim, sadaka, urdhërim për të mirë dhe ndalim nga e keqja. (Buhariu)

Në këtë gjë ka aluduar Kur’ani dhe hadithet e sakta se shlyerja e gabimeve dhe mëkateve bëhet me anë të: faljes së pesë kohëve të namazit, faljes së xhumas, agjërimit, haxhit dhe të gjitha veprave tjera për të cilat thuhet: Kush e thotë këtë apo e vepron këtë do t’i falet atij, ose do t’i falen atij mëkatet e kaluara. E këto vepra janë të shumta për atë që i lexon librat e haditheve, sidomos ato libra që flasin për vlerën e veprave të mira.

Dije se kujdesi për këtë gjë është prej gjërave më të nevojshme për njeriun, sepse njeriu që kur hyn në moshën madhore, sidomos në këto kohëra dhe në kohërat e ngjashme të cilat u përgjasojnë kohërave të xhahilijetit nga disa aspekte, po edhe nëse është rritur në mes të njerëzve të dijes dhe të fesë, mundet që të njolloset me disa gjëra të xhahilijetit, e çka mund të themi për të tjerët?

Transmetohet në dy Sahihet nga Ebu Sa’di [radijAllahu anhu] se Pejgamberi [salAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Do t’i pasoni traditat e popujve që ishin para jush hap pas hapi, saqë edhe nëse futen në vrimen e hardhucës edhe ju do të futeni.” Thanë: O i dërguar i Allahut, ke për qëllim jehudijt dhe të krishterët? Tha: “Po kë tjetër pos tyre?”. Këtë e vërteton edhe fjala e Allahut të Lartësuar: “që përjetuan atë që u takoi, sikurse që përjetuat edhe ju pjesën tuaj, madje edhe ju u zhytët (në të këqija) siç u zhytën ata.” [Teube: 69]. Poashtu për këtë ka dëshmi në hadithet e sakta dhe hasen.

Kjo është diçka me të cilën mund të sprovohen shumë prej atyre njerëzve që janë fetarë, siç kanë thënë disa nga selefi, njëri prej tyre është edhe Ibën Ujejne se: “Shumë prej cilësive të jehudijve, janë sprovuar me to disa prej dijetarëve dhe shumë prej cilësive të krishterëve, janë sprovuar me to disa prej adhuruesve”, siç e vëren këtë secili që e njeh fenë islame, me të cilën është dërguar Muhamedi [salAllahu alejhi ve sel-lem], e pastaj e shikon gjendjen e njerëzve.

Në këtë rast, ai të cilit Allahu ia zgjëron gjoksin për islam, ai është në dritë prej Zotit të tij. Ishte i vdekur, kurse Allahu e ngjalli dhe i dha dritë me të cilën do të ecë në mesin e njerëzve. Ky njeri patjetër se do t’i vërejë cilësitë e xhahilijetit dhe rrugët e dy umeteve: ata me të cilët Allahu është hidhëruar dhe ata të humburit, prej jehudijve dhe krishterëve, me të cilat ai është sprovuar.

Andaj, gjëja më e dobishme për elitën dhe për njerëzit e thjeshtë është: Dija për gjërat të cilat i nxjerrin shpirtërat nga këto labirinthe, e ajo dije është që të keqen ta pasosh me një të mirë.

Kurse vepra të mira janë të gjitha veprat të cilat Allahu i ka pëlqyer nëpërmjet të dërguarit të fundit, qofshin ato fjalë, morale apo cilësi.

Shkruan: Shejhul-Islam Ibën Tejmijje (Allahu e mëshiroftë)
661-728 hixhrij

Përktheu dhe përshtati: Omer Zaimi

You may also like...