Porositë e arta – 3

Dija-9Porositë e artë (Pjesa e tretë)

Poashtu prej gjërave të cilat i shlyejnë mëkatet janë: Sprovat, të cilat janë: çdo gjë që shkakton dhimbje, qoftë ajo: brengë, mërzi, fatkeqësi në pasuri, në nderë, në trup apo të tjera, mirëpo që nuk janë prej veprave të robit.

Kur e përfundoi me këto dy fjalë: me hakun e Allahut duke vepruar vepra të mira dhe me përmirësimin e veprave të këqija tha: “dhe me njerëzit sillu mirë.”, i cili është haku i njerëzve.

Përmbledhja e sjelljes së mirë me njerëzit është: të sillesh mirë me atë që është larguar prej teje, duke i dhënë selam, duke i bërë nderë, duke bërë dua për të, duke kërkuar falje për të, duke e lavdëruar atë dhe duke e vizituar atë, si dhe t’i japësh atij që nuk të jep ty: dituri, dobi dhe pasuri, poashtu t’ia falësh atij që të ka bërë padrejtësi në gjakë, pasuri apo nderë. Disa prej këtyre janë të obligueshme, e disa janë të pëlqyera.

Kurse, morali i lartë, me të cilin është cilësuar Muhamedi [salAllahu alejhi ve sel-lem], ai e përfshinë çdo gjë me të cilën na ka urdhëruar Allahu i Lartësuar, kështu ka thënë Muxhahidi dhe të tjerë. Dhe ai është praktimi i Kur’anit në jetën e përditshme, siç ka thënë Aishja [radijAllahu anha]: “Morali i tij ishte Kur’ani”. Realiteti i kësaj është shpejtimi drejt vënies në praktikë të çdo gjëje të cilën e do Allahu i Lartësuar, duke ndier kënaqësi shpirtërore dhe rahati në gjoks.

E tërë kjo përfshihet në porosinë e Allahut, sepse fjala “takva” përfshinë veprimin e çdogjëje që e ka urdhëruar Allahu apo që e ka pëlqyer, dhe largimin nga çdo vepër të cilën e ka ndaluar Allahu apo e ka urryer, e kjo e përmbledh hakun e Allahut dhe hakun e robërve. Mirëpo, pasiqë ndonjëherë me fjalën “takva” është për qëllim frika nga dënimi, e cila e shtyen njeriun që t’iu largohet mëkateve, ajo është qartësuar në hadithin e Muadhit [radijAllahu anhu], e poashtu edhe në hadithin e Ebu Hurejres [radijAllahu anhu] të cilin e transmeton Tirmidhiu dhe thotë se është sahih: “Thanë: O i dërguar i Allahut, cila vepër i fut njerëzit më së shumti në xhennet? Tha: “Devotshmëria ndaj Allahut dhe sjellja e mirë.” Thanë: E çka i fut njerëzit më së shumti në zjarr? Tha: “Goja dhe organi seksual.”

Në një hadith sahih të transmetuar nga Abdullah Ibën Omeri [radijAllahu anhu] thuhet: Resulullahi [salAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Besimtarët me besim më të plotë janë ata që kanë sjelljen më të mirë.” (Transmeton Ebu Davudi) Pra, e bëri plotësimin e besimit në plotësimin e mirësjelljes.

Është e ditur se i gjithë besimi është devotshmëri ndaj Allahut, kurse shtjellimi i të gjitha bazave dhe degëve të devotshmërisë nuk e ka vendin këtu, sepse ajo e përfshinë të gjithë fenë. Mirëpo, burimi i të mirës dhe esenca e saj është: Sinqeriteti i robit ndaj Zotit të tij në adhurimin e tij dhe në kërkimin e ndihmës prej Tij, siç thuhet në fjalën e Allahut: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë!” [Fatiha: 5]. Dhe në fjalën e Tij: “pra adhuroje Atë dhe mbështetu tek Ai” [Hud: 123]. Si dhe në fjalën e Tij: “vetëm Atij iu kam mbështetur dhe vetëm te Ai jam i drejtuar!” [Hud: 88]. Poashtu në fjalën e Tij: “pra kërkojeni furnizimin te All-llahu, adhurojeni Atë dhe shprehni falënderimin Atij, pse te Ai do të ktheheni.” [Ankebut: 17].

Në mënyrë që robi ta këpusë lidhshmërinë e zemrës me krijesat në sjelljen e dobisë apo në shërbimin e tyre dhe ta bëjë brengë të tij kryesore Zotin e tij, duke iu lutur gjithmonë vetëm Atij për çdo nevojë, qoftë ajo: varfëri, frikë apo diçka tjetër dhe duke vepruar për hir të Tij çdo vepër që Ai e do. Kush e kupton këtë si duhet, nuk mundet që t’i përshkruajë mirësitë që pasojnë prej saj.

Shkruan: Shejhul-Islam Ibën Tejmijje (Allahu e mëshiroftë)
661-728 hixhrij

Përktheu dhe përshtati: Omer Zaimi

You may also like...