Porositë e arta – 4

Dija-33Porosia e artë (Pjesa e katërt)

Kurse, sa i përket veprave më të mira pas farzeve, dije se kjo ndryshon me ndryshimin e njerëzve, me ndryshimin e mundësive të tyre dhe me ndryshimin e asaj që iu përshtatet kohës së tyre, andaj nuk ka mundësi që këtu te jepet një përgjigje përfundimtare që do të vlente për secilin.

Mirëpo, ajo që është pothuajse si koncenzus në mesin e dijetarëve është se përmendja e vazhdueshme e Zotit është gjëja më e mirë me të cilën njeriu e preokupon vetveten e tij. Në këtë aludon hadithi i Ebu Hurejres [radijAllahu anhu] të cilin e transmeton Muslimi: “Ua kanë tejkaluar të vetmuarit!” Thanë: O i Dërguar i Allahut, kush janë të vetmuarit? Tha: “Ata dhe ato që e përmendin Allahun shumë.” (Transmeton Muslimi)

Transmeton Ebu Davudi nga Ebu Derda [radijAllahu anhu] se Pejgamberi [salAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “A t’u tregojë për veprën më të mirë për ju, më të pastërt tek Pronari juaj, ajo që më së shumti ua ngritë gradat tuaja dhe është më e mirë për ju se të jepni ar dhe argjend dhe se të takoheni me armikun tuaj e t’ua goditni qafat e tyre dhe t’ua godasin qafat tuaja?” Thanë: Gjithsesi o i Dërguar i Allahut. Tha: “Përmendja e Allahut.”

Argumentet e Kuranit, të besimit dhe të përvojës në lidhje me këtë janë të shumta. Minimalja e kësaj është që robi vazhdimisht t’i bëjë ato lutje që janë transmetuar nga Mësuesi i të mirës dhe Prijësi i të devotshmëve [Muhammedi salAllahu alejhi ve sel-lem]: Siç janë dhikri i mëngjesit dhe mbrëmjes, dhikri i fjetjes, dhikri i ngritjes prej gjumit dhe dhikri pas çdo namazi. Poashtu siç është dhikri që thuhet kur të hamë diçka, apo kur të pijmë diçka, apo kur të veshim ndonjë robë apo kur të kemi kontakt seksual me bashkshorten. Poashtu siç është dhikri i hyrjes në shtëpi, i hyrjes në xhami, i hyrjes në nevojtore dhe i daljes prej tyre. Poashtu dhikri kur bie shi, kur bubullon dhe të tjera si këto. Janë shkruar libra të veçantë për këto, të quajtur: Veprat e ditës dhe natës. (Prej librave bashkëkohorë ku mund t’i gjeni këto është libri i mirënjohur “Mburoja e muslimanit” sh.p.)

Pastaj vjen përmendja e Allahut në mënyrë të përgjithshme, më e mira prej të cilave është fjala La ilahe il-lall-llah. Mirëpo, në disa raste mundet që dhikri komplet duke ia shtuar fjalës së mësipërme edhe fjalët: Vel-hamdu lil-lah, Vall-llahu Ekber, Ve la haule ve la kuvvete il-la bil-lah, të jetë më me vlerë.

Pastaj duhet ta dijë se çdo fjalë me të cilën fletë gjuha dhe çdo gjë të cilën e paramendon zemra, prej gjërave që të afrojnë tek Allahu, siç është mësimi dhe mësimdhënia e diturisë, apo urdhërimi për të mirë, apo ndalimi nga e keqja, të gjitha këto janë prej përmendjes së Allahut.

Për këtë shkak, ai i cili preokupohet me kërkimin e diturisë së dobishme pas kryerjes së farzeve, apo ulet në ndonjë tubim për të mësuar fenë apo për t’ua mësuar të tjerëve atë që Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë quajtur fikh, edhe kjo vepër konsiderohet prej dhikreve më me vlerë.

Në bazë të kësaj, nëse e analizon mirë, do ta shohësh se në fjalët e të parëve nuk do të gjeshë ndonjë mospajtim të madh në lidhje me veprat më të mira.

Kurse, sa i përket veprave të cilat i përzihen robit dhe nuk e din se cila është më e dobishme, në këtë rast ai duhet të fal namazin e istihares, sepse nuk pendohet asnjëher ai i cili konsulltohet me Allahun e Lartësuar. Le ta veprojë atë dhe le t’i shtojë lutjet drejtuar Allahut, sepse duaja është çelësi i çdo mirësie, e assesi le të mos ngutet e të thojë: Kam bërë dua, mirëpo nuk më është përgjigjur. Le t’i zgjedhë kohërat e vlefshme, siç është: pjesa e fundit e natës, pas përfundimit të namazeve, gjatë thirjes së ezanit, koha kur bie shi e kështu me rradhë.

Shkruan: Shejhul-Islam Ibën Tejmijje (Allahu e mëshiroftë)
661-728 hixhrij
Përktheu dhe përshtati: Omer Zaimi

You may also like...