Porositë e arta – 5

Dija-19Porosia e artë (Pjesa e pestë)

Kurse sa i përket mënyrave më të mira të përfitimit, ato janë: mbështetja në Allahun, bindja e fuqishme se Ai të mjafton dhe mendimi i mirë për Të. Kjo, sepse ai që është i brengosur me çështjen e furnizimit, duhet që të strehohet tek Allahu dhe ta lusë Atë, siç ka thënë Allahu i Lartësuar – në hadithin kudsij, të cilin e transmeton Pejgamberi i Tij [salAllahu alejhi ve sel-lem] –: “O ju robërit e Mij, të gjithë ju jeni të uritur, pos Atij që unë e ushqej, andaj kërkoni prej Meje që t’ju ushqej, Unë do t’ju ushqej. O ju robërit e Mij, të gjithë ju jeni të zhveshur, pos Atij që unë e vesh, andaj kërkoni prej Meje që t’ju vesh, Unë do t’ju vesh.” (Transmeton Muslimi)

Poashtu në hadithin që e transmeton Tirmidhiu nga Enesi [radijAllahu anhu] qëndron: Resulullahi [salAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Luteni Allahun për çfardo nevoje që keni, po qoftë edhe për nallet nëse ju këputen, sepse nëse Ai nuk e lehtëson një vepër, ajo nuk mund t’i lehtësohet robit.”

Allahu i Lartësuar ka thënë në librin e Tij: “All-llahut kërkoni nga të mirat e Tij.” [Nisa: 32]. Poashtu ka thënë: “E kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni begatitë e All-llahut.” [Xhumua: 10]. Kjo edhepse është thënë për namazin e xhumas, vlenë për të gjitha namazet tjera.

Për këtë shkak, e Allahu e di më së miri, Pejgamberi [salAllahu alejhi ve sel-lem] e urdhëroi atë që hyn në xhami të thojë: “Allahu im, hapi për mua dyert e mëshirës Tënde.” Dhe atë që del nga xhamia të thojë: “Allahu im, unë kërkoj prej begative Tua.” (Transmeton Muslimi)

Ka thënë Halili i Allahut [Ibrahimi alejhi selam]: “pra kërkojeni furnizimin te All-llahu, adhurojeni Atë dhe shprehni falënderimin Atij.” [Ankebut: 17]. Ky është urdhër, kurse urdhëri tregon se ajo vepër është e obligueshme. Pra, kërkimi i ndihmës prej Allahut dhe strehimi tek Ai në çështjen e furnizimit është një themel parimor.

Pastaj, njeriu duhet që ta merrë pasurinë me zemërgjërësi, në mënyrë që të ketë bereqet në të, e jo t’ia pushtojë ajo zemrën dhe të bëjë panikë, përkundrazi pasuria duhet të jetë tek ai në pozitën e nevojtores, për të cilën ka nevojë, mirëpo duke mos e lidhur zemrën e tij për të, kurse mundi i tij për ta përfituar pasurinë tek ai duhet të jetë në pozitën e mundit të dhënë në restaurimin e nevojtores.

Në një hadith merfu të cilin e transmeton Tirmidhiu dhe të tjerë qëndron: “Kush zgjohet duke qenë dunjaja brenga e tij më e madhe: Allahu do t’ia shpërndaj çështjen e tij, do t’ia pështjelloj punën e tij dhe nuk do t’i vijë prej dunjas pos asaj që i është caktuar atij. Ndërsa kush zgjohet duke qenë ahireti brenga e tij më e madhe: Allahu do t’ia tubojë çështjen e tij, do t’ia pasurojë zemrën e tij dhe do t’i vijë dunjaja pas tij.”

Disa prej selefit kanë thënë: “Ti ke nevojë për dunjanë, mirëpo ti ke nevojë për pjesën tënde në ahiret më shumë, andaj nëse ia fillon me pjesën tënde të ahiretit, kalo edhe tek pjesa e dunjas dhe vendose çdo send në vendin e vet.”

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as s’dëshiroj të më ushqejnë ata. All-llahu është furnizues i madh. Ai, fuqiforti.” [Dharijat: 56-58].

Kurse, sa i përket caktimit të një profesioni ndaj një tjetrit prej zanateve, tregtisë, ndërtimtarisë, bujqësisë apo të tjera, kjo dallon me ndryshimin e njerëzve dhe nuk di se ka diçka të përgjithshme në lidhje me këtë, mirëpo nëse njeriu anon kah një drejtim le të bëjë istihare ashtu siç na ka mësuar Mësuesi i të mirës [salAllahu alejhi ve sel-lem], sepse në të ka bereqet të pakufishëm. Pastaj le ta punojë atë që do t’i lehtësohet, e mos ta mundojë veten në diçka tjetër, pos nëse në të parën ka ndonjë ndalesë sheriatike.

Shkruan: Shejhul-Islam Ibën Tejmijje (Allahu e mëshiroftë)
661-728 hixhrij
Përktheu dhe përshtati: Omer Zaimi

You may also like...