Porositë e arta – 6

Porosia e artë (Pjesa e gjashtë dhe e fundit)

Dija-24Kurse, sa i përket asaj se në cilat libra duhet të bazohesh në mësimin e lëmive, ky është një kapitull i gjërë, i cili poashtu dallon me dallimin e vendeve në të cilat është rritur njeriu, sepse ka mundësi që njeriut në njërin vend t’i lehtësohet një dituri e caktuar, apo një medhheb i caktuar që nuk i lehtësohet atij që është në vendin tjetër. Mirëpo, përmbledhja e mirësive është që njëri të kërkoj ndihmë prej Allahut në marrjen e dijes së trashëguar nga Pejgamberi [salAllahu alejhi ve sel-lem], sepse kjo është ajo e cila meriton të quhet dituri, kurse sa i përket të tjerave, ato ose janë dituri mirëpo që nuk janë të dobishme, ose nuk janë dituri në esencë edhepse quhen ashtu.

Kurse, nëse është me të vërtetë dije e dobishme, atëherë patjetër që të ketë në trashëgiminë profetike dituri më të mirë se ajo, apo që të bën të panevojshëm për të. Le të jetë qëllimi yt kuptimi i qëllimeve të Pejgamberit [salAllahu alejhi ve sel-lem] në urdhërat e tij, në ndalesat e tij dhe në të gjitha fjalët e tij. Pastaj kur t’i qetësohet zemra se ky është qëllimi i Resulullahit [salAllahu alejhi ve sel-lem], atëherë mos u largo prej tij në relacionin mes teje dhe Allahut, po edhe në relacionin tënd me njerëzit nëse ke mundësi. Poashtu, mundohu që në çdo kapitull të kapesh për bazën dhe themelin e tij të transmetuar nga Pejgamberi [salAllahu alejhi ve sel-lem].

Kur të të përzihet ndonjë çështje në të cilën njerëzit kanë mospajtim, atëherë bëre duan që e transmeton Muslimi në Sahihun e tij nga Aishja [radijAllahu anha], se Pejgamberi [salAllahu alejhi ve sel-lem] kur ngrihej natën që të falej thoshte: “Allahu im, Zot i Xhibrilit, Mikailit dhe Israfilit, Krijues i qiejve dhe i tokës, Ti që e din të fshehtën dhe të dukshmen, Ti je Ai i cili do të gjykojë në mes të robërve në lidhje me atë që ata kishin mospajtim rreth saj, andaj më udhëzo në çështjet ku ata janë në mospajtim drejt të vërtetës me lejen tënde, sepse Ti e udhëzon atë që dëshiron në rrugën e drejtë.” Allahu i Lartësuar në hadithin kudsij të cilin e transmeton i Dërguari i Tij [salAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “O ju robërit e Mij, të gjithë ju jeni në devijim, pos Atij që e udhëzoj Unë, andaj kërkoni prej Meje udhëzimin, në mënyrë që t’u udhëzojë.”

Kurse, sa i përket librave dhe shkrimtarëve, kjo është bërë e njohur nga ne gjatë përsëritjes se asaj që na e lehtësoi Allahu i Lartësuar. Nuk ka nga librat e shkruar libër më të dobishëm se Sahihu i Muhamed Ibën Ismail el-Buhariut, mirëpo ai nuk është i mjaftueshëm për t’i përvetësuar bazat e diturive dhe nuk ia mundëson të thelluarit në dituri që ta arrijë qëllimin e tij në mënyrë të plotë, sepse patjetër që të njihen edhe hadithe të tjera.Pastaj fjalët e dijetarëve të fikhut në lidhje me çështjet me të cilat janë veçuar disa prej dijetarëve, sepse ummeti ka ruajtur në çdo lëmi të dijes atë që është e nevojshme për t’u mësuar. Atë të cilit Allahu ia ka ndriçuar zemrën e tij, do ta udhëzojë drejt asaj që i nevojitet në lidhje me këtë, kurse ai i cili e ka zemrën e verbër, librat e shumtë nuk do t’i shtojnë tjetër pos hutisë dhe devijimit, siç i ka thënë Pejgamberi [salAllahu alejhi ve sel-lem] Ebu Lubejd el-Ensariut [radijAllahu anhu]: “A nuk e kanë Teuratin dhe Inxhilin jehudijt dhe të krishterët? Mirëpo çka iu bën dobi atyre një gjë e tillë?”

Në fund, e lusim Allahun e Madhërishëm të na furnizoj më udhëzim dhe përkushtim, të na frymëzojë atë që është më e dobishme, të na mbrojë nga e keqja e vetvetes sonë, mos të na i devijoj zemrat tona pasiqë na i udhëzoi ato dhe të na dhurojë mëshirë nga ana e Tij. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botërave, kurse salavatet qofshin mbi pejgamberin më fisnik.

Shkruan: Shejhul-Islam Ibën Tejmijje (Allahu e mëshiroftë)

661-728 hixhrij

Përktheu dhe përshtati: Omer Zaimi

You may also like...