Ramazani muaji i amnestionit Hyjnorë

Ramazani-85Thotë i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të:
“Ai që agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë.”

Falënderimi i takon vetëm Allahut i cili e bëri muajin e Ramazanit zotëri të gjithë muajve dhe dyfishues të mirësive dhe veprave. Atë e falënderoj dhe lavdëroj dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkoj. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi imamin e agjëruesve dhe shëmbëlltyrën e shpenzuesve dhe modelin e të devotshmëve Muhamedin birin e Abdullahut dhe robin e Allahut.
Muaji i Ramazanit është muaj i veçantë dhe si i tillë duhet të përjetohet. Në këtë muaj ka zënë fill shpallja e Kuranit Fisnik, poashtu ky muaj quhet edhe muaji i Dritës, i Mëshirës, i Durimit dhe Amnestisë Hyjnore, i faljes pa masë…
Qëllimin e agjërimit të këtij muaji Allahu e ka përmendur tepër qartë në Kuran duke thënë:” O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.”
Madje jo vetëm kaq porse Allahu na e ka lehtësuar edhe më shumë rrugën drejt faljes pasi që në këtë muaj mbyllen dyert e xhehenemit, hapen dyert e xhenetit dhe prangosen shejtanët. Prandaj i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të u thoshte shokëve të tij: “Ju erdhi muaji i Ramazanit, muaji i bekuar. Allahu ju ka urdhëruar të agjëroni në të. Në këtë muaj hapen dyert e xhenetit kurse mbyllen dyert e xhehenemit. Në këtë muaj shejtanët mbyllen. Në këtë muaj është nata e cila është më e mirë se një mijë muaj. Kush privohet nga kjo e mirë, ai është vërtet i privuar.”
Si mos të përgëzohet mëkatari kur i mbyllen dyert e xhehenemit dhe i hapen dyert e mëshirës dhe pendimit? Si mos të përgëzohet i mençuri kur në këtë kohë lidhen shejtanët? Muaj që nuk e arrin asgjë dhe askush në të mira dhe dobi. Ky muaj është muaj i fitoreve për Umetin. Në këtë muaj u fitua lufta e Bedrit, u çlirua Mekja, e më vonë Endelusi, Hitini e shumë të tjerë.
Ardhja e këtij muaji është begati e madhe për atë që Allahu nuk ia merr shpirtin. Dëshira e sa njerëzve ka qenë që ta agjërojnë këtë muaj të shenjtë, por sot nuk janë në mesin tanë?! Sa prej nesh këtë vit do ta agjërojmë së bashku e vitin tjetër Ramazanin do ta presim në varre: “Asnjë njeri nuk di ç’do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç’vend do të vdesë. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe Njohës i çdo gjëje.”
Këtë mundësi të faljes i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të po na e tregon në një hadith tjetër ku thotë: “Pesë namazet, namazi i xhumasë deri në xhumanë tjetër, Ramazani deri në Ramazanin tjetër janë shkak për faljen e gjynaheve që janë bërë në mes tyre, nëse largohesh nga gjynahet e mëdha.”
Një mënyrë tjetër për tu pastruar nga mëkatet në këtë muaj është edhe leximi i Kuranit, madje dijetarët kanë thënë se adhurimi më i preferuar në këtë muaj është lëximi i Kuranit. Kurse edhe këtë na e dëshmon fjala e të Dërguarit të Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të ku thotë: “Agjërimi dhe Kur’ani ndërmjetësojnë për robit tek Allahu në ditën e gjykimit. Agjërimi thotë: O Zot, unë ia ndalova ushqimin dhe epshet gjatë gjithë ditës, prandaj më prano mua për të! Ndërsa Kur’ani thotë: O Zot unë ia ndalova gjumin gjatë natës, prandaj më prano mua për të dhe i ndërmjetësojnë”.
Madje thellë në urtësinë e agjërimit është e fshehur falja e Allahut me rrënjë të thella, thotë i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: “Çdo rob që agjëron një ditë në rrugë të Allahut, Allahu e largon fytyren e tij nga zjarri i xhehennemit në një distancë sa ecja për shtatëdhjets vite.”
Nuk duhet haruar se adhurimi i agjëirmit është një adhurim i veçantë për Allahun në të cilin nuk ka mundësi të ketë syefaqësi prandaj dhe Allahu e trajton atë me shpërblim të veçantë apo thënë ndryshe me shpërblim që nuk i dihet kufiri, thotë i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: “Allahu i lartësuar ka thënë: Çdo vepër që kryen biri i Ademit është për të dhe çdo vepër e mirë i shpërblehet me dhjetë të mira deri në shtatëqind, përveç agjërimit, sepse agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të, ai largohet prej epsheve dhe ngrënies për Mua. Për agjëruesin ka dy gëzime, një kur ha iftarin dhe tjetri kur të takojë Zotin e tij. Era e gojës së agjëruesit tek Allahu është më e mirë se era e miskut.”
Jo vetëm kaq porse agjërimi është një nga veprat më të dashura tek Allahu, e kur njeriu bëhet i dashur tek Allahu ai pa dyshim se më së shumti e meriton faljen e tij. Transmetohe se Ebu Umameja-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: Shkova te i Dërguari i Allahut dhe i thashë: Më urdhëro me një vepër që të kem dobi tek Allahu me të! – Ai më tha: “Të urdhëroj të agjërosh, ngase nuk ka diç të njejtë me të!”
Agjërimi në këtë muaj përmban mesazhe të mëdha pra është muaji i cili na porosit të largohemi një herë e përgjithmonë nga veset dhe moralët e ulta, ti nënshtrojmë epshet tonë, ta ruajmë gjuhën tonë, ti përmisojmë raportet tonë me njerëzti që na rrethojnë, madje mos arritja e këtyre virtyteve e cenon edhe vetë pranimin e agjërimit tonë, thotë i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: “Ai njeri që nuk i lë fjalët e këqija dhe të vepruarit me to, Allahu nuk ka nevojë që ky njeri të lërë të ngrënën dhe të pirën.” Kursë në transmetimin tjetër: “E sa prej atyre që agjërojnë nuk përfitojnë prej agjërimit të tyre vetëm se uri dhe etje?!”
Kurse në të tretin: “Nuk është agjërimi (vetëm) prej të ngrënurit dhe të pimurit,por agjërimi është zmbrapsje nga e kota (fjalë dhe punë) dhe e ndyera. E nëse dikush të ngacmon apo sillet ashpër me ty, thuaji: Unë po agjëroj, unë po agjëroj! “ Madje largimi dhe menjanimi i këtyre veseve pa dyshim se na udhëzon drejt mosbërjes së mëkateve nga të cilët më vonë duhet kërkojmë falje e të pendohemi.
Gjithashtu privimi nga kjo mundësi e madhe e faljes së Allahut ka pasoja të rënda, pasi që me shumë pak angazhim fitohen mirësi dhe begati të mëdha, falje mëkatesh, ngritje gradash, pastrim i shpirtit, përsosje e moraleve etj. Kurse për pasojat e kësaj humbjeje po na e tregon ky hadith që duhet vazhdimisht të na kujtohet gjatë këtij muaj. Në një rast i Dërguari i All-llahut u ngjit në minberin e tij, dhe thotë Ka’b ibën Uxhre-Allahu qoftë i kënaqur prej tij: Kur hypi një shkallë tha: “Amin!”, u ngrit edhe një shkallë e tha: “Amin!”, e kur u ngrit në shkallën e tretë tha përsëri:“Amin!“
Pasi që zbriti, i thamë: “O i dërguar i Allahut, sot dëgjuam nga ti diçka që s’kemi dëgjuar më parë?” – Ai tha: “Mu paraqit Xhibrili dhe tha: U largoftë (nga mëshira e Allahut-shprehje mallkimi) ai që kur përmendesh ti në prezencë të tij, nuk të përshëndetë (me selam e salavatë)!”, e unë thashë: Amin!
Kur hypa përsëri tha:“U largoftë ai që prindërit e tij, apo njërin prej tyre e ze pleqëriatek ai, e pleqëria e prindërve të tij nuk e futë në xhennet!”, (e unë) thashë:“Amin!”
E kur u hypa përsëri më tha: U largoftë ai që e zë Ramazani dhe nuk i falen mëkatet!”, e unë i thashë: “Amin”.
Mundësia që ta fitojmë faljen e Allahun në këtë muaj është më e madhe se çdo hërë tjetër pasi që ka disa raste, përveç agjërimit, teubes, faljes së namazit të natës në të është edhe nata e Kadrit, thotë i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: “Ai që agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë. Ai që fal namazin e natës gjatë Ramazanit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë. Ai që fal namazin e natës Natën e Kadrit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen gjynahet që ka bërë.”
Çdo musliman është mallëngjyer për muajin e Ramazanit, pasi që ai po na vjen pas një mungese të largët, ju përgëzojmë me këtë mysafir dhe ju këshillojmë që agjërimin në të ta kuptojmë si medrese për forcimin e imanit, pastrimin e moralit dhe forcimin e vullnetit, pasi që të tillët janë ata që përfitojnë prej tij. Ishin të parët tanë të mirë që gjatë ditës e shijonin kënaqësinë e agjërimit, gjatë natës e shijonin ëmbëlsinë e namazit dhe lutjeve, i takonin melaikët natën e Kadrit me paqe dhe përgëzime. E ndaheshin prej Ramazanit të mëshiruar dhe të falur, me pendim dhe lutje të pranuar, dhe me besim të ripërtërirë dhe të forcuar, të jemi edhe ne nga ata duke u munduar e pa dyshim se Allahu atyre që mundohen drejt një rrugë të begatë Ai u lehtëson atë rrugë.
Thotë poeti:
“Ju erdhi Ramazani, muaji i begatisë.
Ju mëshiron Allahu në të,
duke iu fshirë me mëshirën e Tij gabimet tuaja
dhe duke iu përgjigjur lutjeve tuaja.
Allahu shikon në adhurimin tuaj
dhe mburret me ju para melekëve.
Tregoni pra, Allahut nga vetja juaj vetëm të mira. i shkretë është vetëm ai,
që s’e meriton mëshirën e Allahut në këtë muaj”.

Përgatiti dhe përshtati: Nexhat Ceka

Projekti i fletëpalosjeve mujore

You may also like...