Rëndësia e njohjes së emrave të Allahut – II

Allahu-1602 – Rëndësia e njohjes të Emrave të bukur të Allahut dhe cilësive të Tij të larta.

E dyta:

Pastrimi i shpirtërave dhe edukimi i tyre, që të adhurojnë Allahun një, të vetëm.

Mesazhet e zbritura nga Allahu, synojnë të rregullojnë gjendjen e njeriun dhe rruga e rregullimit është, që të edukohen robërit në adhurimin e Allahut. Çelësi, me të cilin hapën të Dërguarit zemrat e njerëzve, ishin ajetet e Allahut, të cilat flisnin rreth Zotit të tyre dhe i lidhnin zemrat e tyre me Të. Kështu drejtohen zemrat dhe fytyrat e robërve, për tek një Zot i vetëm.

Boshti rreth të cilit, sillet i gjithë Kur’ani, është përmbledhja e cilësive të Allahut, përmbledhja e veprave të Tij në univers, sqarimi i Madhërisë së Allahut, ftimi i njerëzve për t’iu përgjigjur ligjeve të Allahut dhe për t’iu larguar gjërave që tërheqin zemërimin e Allahut si dhe sqarimi i shpërblimit, që ua jep Allahu atyre që i binden dhe ndëshkimin, me të cilin do të ndëshkojë të ata që e kundërshtojnë.
Ky diskutim sikurse ka ardhur në Kur’an, ka qënë dhe do të jetë faktori që lëviz zemrat, trondit nefset ( vetet ) dhe zhduk ndyrësirat dhe pisllëqet, që pengojnë nga e mira.

Lexoje fjalën e Allahut, e cila tregon për ndikimin që lënë, në shpirtrat e të mirëve të umetit, këta ajete të zbritura nga Allahu: “Allahu zbriti fjalët më të shkëlqyera, një Libër pjesët e të cilit i përngjasin njëra-tjetrës, në mirësi e vërtetëtsi, shpesh i përsëritur. Lëkurat e atyre që kanë frikë zotin e tyre, dridhen prej tij. Pastaj lëkura dhe zemra e tyre, zbutet me kujtimin e Allahut “.[Ez Zumer: 23]

Njohja e emrave dhe cilësive të Allahut, të mbron nga rrëshqitja në gabime, të ngren pas rënies në gabim (gjynah) të hap derën e shpresës, të ndihmon për durim dhe të mbron nga pesimizmi dhe dembelizmi.

Zemrat e njerëzve, ndoshta dëshirojnë të veprojnë gjynahe, por kur kujtojnë se Allahu i sheh dhe se do të dalin para Tij, tërhiqen dhe largohen nga gjynahu. Njeriu bie në gjynah pastaj kujton mëshirën e madhe të Allahut dhe nuk vazhdon në veprimin e gjynahut, nuk zhytet më shumë në rrugën e shkatërrimit, por kthehet tek Zoti i Tij, i Cili e pranon teuben (pendimin) e robërve dhe i mëshiron ata.

Robin e prekin fatkeqësira dhe gjëra të urryera, por ai nuk shqetësohet dhe nuk shfaq panik. I mbështetet Allahut dhe i përballon gjërat e urryera me zemër të kënaqur. Ibnul Kajim ka thënë: “Prej sekreteve të Kur’anit të madhërishëm, është se ai u drejtohet njerëzve, me shprehje të cilat u shfaqin Zotin e Lartësuar njerëzve, nëpërmjet cilësive të Tij. Në disa ajete, Allahu u shfaqet njerëzve, me anë të cilësive të madhërisë dhe të lartësisë. Këta i bëjnë njerëzit, që të nënshtrohen, tu thyhen zemrat, ti drejtohen Atij me zëra të përkushtuar dhe tu shkrihet mendjemadhësia, siç shkrihet kripa në ujë.

Në disa ajete u shfaqet me anë të cilësive të bukurisë dhe përkryerjes, të cilat tregojnë për bukurinë dhe përkryerjen e qënies. Kjo bën që njerëzit ta duan Allahun, me të gjithë fuqinë e dashurisë, që kanë sipas njohurive të tyre rreth bukurisë dhe përkryerjes, së cilësive të Allahut. Kështu që zemra e robit, boshatiset nga çdo gjë tjetër, përveç dashurisë për Allahun.

Kur u shfaqet me anë të cilësive të mëshirës, bamirësisë dhe butësisë, lëviz fuqia e shpresës nga zemrat e robërve dhe angazhohen për të punuar sa më shumë, që të arrijnë mirësitë e Allahut.

Kur u shfaqet me cilësitë e drejtësisë, hakmarrjes, zemërimit, urrejtjes dhe ndëshkimit, frenohet nefsi që urdhëron për të keqe, dobësohet fuqia e tij për epsh, zemërim,lojë dhe lakmi për haram dhe i shtohet frika, nga ndëshkimi i Allahut.

Kur u shfaqet Allahu me anë të cilësive të urdhërimit, ndalimit, besës, porosisë, dërgimit të të dërguarve, zbritjes së librave dhe ligjvënies. Atëherë lëviz dëshira dhe fuqia e robërve për të zbatuar, për të përcjellë të vërtetën dhe për të besuar lajmet me të cilët kanë ardhur të Dërguarit.

Kur u shfaqet me anë të cilësive të dëgjimit, shikimit dhe dijes, rigjallërohet dhe aktivizohet tek robi, fuqia e turpit. Ai turpërohet nga Zoti i tij, që ta shikojë atë që e urren Ai, ose të dëgjojë atë që e urren Ai, ose të fshehë në zemrën e tij atë që e bën të urryer tek Allahu. Kështuqë do të bëhen lëvizjet, thëniet dhe mendimet e Tij, sipas kritereve dhe standarteve të sheriatit.

Kur u shfaqet me anë të cilësive të mjaftimit, dashurisë, rregullimit të gjërave në interes të tyre, shmangies se fatkeqësive prej tyre, ndihmimit të të dashurve të Tij dhe mbrojtjes se tyre, rigjallërohet tek robi fuqia per t’iu mbështetur Allahut, për ti dorëzuar, sukseset dhe rezultatet e punëve në dorë të Tij dhe për tu kënaqur me atë që e vepron Allahu ndaj robit .

E treta:

Njohuria me e lartë, ndër të gjitha njohuritë, është njohja e Allahut.

Që në të kaluarën, po ashtu edhe në të tashmen, njerëzit kanë patur zell të madh për dituri dhe njohuri. Ata kërkojnë nëpër gërmadha dhe shpella, për të njohur ngjarjet e popujve të kaluar dhe gjendjet e tyre. Studiojnë profecitë që flasin për të fshehtën, që të njohin ngjarjet që do të ndodhin. Shpikin satelitë për të njohur yjet dhe planetet, madje kanë dërguar anijet kozmike, të cilat ecin në hapësirë për të mbajtur njerëz apo mjete, që të zbulojnë universin dhe të sqarojnë atë që nuk dihet rreth tij.

Njerëzit kanë hulumtuar tokën, malet, kodrat, shtresat e tokës. Janë zhytur në dete, për të njohur kafshët dhe sekretet, që gjënden në ta. Kanë studiuar përbërjen e njeriut, bimëve dhe kafshëve. Ata kanë përpiluar libra, për të regjistruar njohuritë, që kanë marrë gjatë kohëravë dhe kanë shkruajtur shkencat e ndryeshme, si historinë, gjeografinë, astronominë, kiminë, fizikën, mjekësinë etj..

Përderisa lartësia e njohurisë, është sipas lartësisë së të njohurës, atëherë padyshim njohuritë që na bëjnë të njohur Zotin tonë, janë njohuritë më të larta. Ai që ka dituri dhe njohuri rreth Allahut, është më i mirë se ai që ka njohuri rreth yjeve, shtresave të tokës, njerëzve, kafshëve e tjerë.

Ka thënë Ibnul Arabi (Allahu e mëshiroftë): “Lartësia e dijes, është sipas lartësisë së të diturës. Krijuesi është më i larti i gjërave të ditura, si rrjedhojë dituria rreth emrave të Tij, është dituria më e lartë.”.

Islami i fton pasuesit e Tij për dituri, vëzhgim dhe hulumtim në univers. Por ai i shan ata që dituria e tyre, qëndron në kufijt e jetës dhe nuk i kalon kufijt e jetës, për të njohur Krijuesin e jetës dhe për të kuptuar qëllimin e krijimit të jetës dhe gjallesave.

Allahu i Lartësuar ka thënë: Ata dinë vetëm pamjen e jashtme të jetës së kësaj bote dhe janë krejt të pavëmendshëm, për fundin e punëve në Jetën e Përtejme.” [Err-Rrum: 7]

Nëqoftëse njohuritë fetare, janë njohuritë më të mira dhe më të larta, padyshim se njohuria, që na bën të njohur Zotin tonë, është më e larta ndër të gjitha njohuritë. Prandaj ajetet, që na japin njohuri rreth Allahut, emrave dhe cilësive të Tij, janë ajetet më të mira të Kur’anit. Ajeti El Kursij, sikurqë është përcjellë në hadith të saktë, është ajeti më i mirë në librin e Allahut. Sureja Ihlas, është e barabartë me një të tretën e Kur’anit. Këta ajete nuk janë madhëruar, përveçse nga fakti që bëjnë fjalë, për Allahun, të Adhuruarin e vetëm me të drejtë.

Autor: Ismail BARDHOSHI
Shkëputur nga libri: “Besimi i ehli sunetit dhe xhematit në emrat dhe cilësitë e Allahut”

You may also like...