Si ta agjërojmë Ramazanin – Dispozitat bazë mbi agjërimin në Ramazan

Ramazani-72Si ta agjërojmë Ramazanin – Dispozitat bazë mbi agjërimin në Ramazan

Falënderimi i takon vetëm Allahut, kurse paqja dhe mëshira e tij qofshin mbi të Dërguarin e fundit, Muhamedin mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë Sunetin e tij.
Kjo broshurë përmban në vetvete disa dispozita, urtësi, sunete dhe etika lidhur me muajin e Ramazanit, të cilat i kemi marrë nga fjalët e dijetarëve tanë, lusim Allahun që ta bëjë të dobishme për të gjithë besimtarët.

1- Kuptimi i agjërimit në terminologjinë e Islamit:

Agjërimi është: Vepër e cila bëhet për Allahun, duke i lënë gjërat prishëse të agjërimit nga mëngjesi deri në Perëndim të diellit.

2- Agjërimi i Ramazanit:

Agjërimi i Ramazanit është detyrim i prerë, kurse si argument për detyrueshmërinë e tij janë Kurani, Suneti dhe konsensusi i krejt muslimanëve, dhe ai që e mohon këtë detyrueshmëri është mosbesimtar, qafir, i themi që të pendohet e nëse nuk e bën këtë (pendimin) dhe vdes në këtë gjendje, ky person vdes si mosbesimtar, Allahu na ruajt.
Allahu subhanehu thotë: “O ju që besuat, agjërimi iu është bërë detyrim sikurse ishte detyrim edhe për ata që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. Ditë të caktuara…” (Bekare 183-184), po ashtu i Dërguari i Allahut ka thënë: “Islami ndërtohet mbi pesë shtylla…” dhe në mesin e këtyre shtyllave përmendi “agjërimin e Ramazanit”. (Buhariu dhe Muslimi). I gjithë Umeti jonë janë të pajtimit, se agjërimi është i detyrueshëm, se është prej shtyllave të Islamit dhe se ai që e prish një ditë agjërimi pa arsye është mëkatar i madh.

3- Kush është i detyruar që ta agjërojë Ramazanin:

Agjërimi është detyrim për çdo besimtar të mençur, të rritur, i cili ka mundësi të agjërojë, nuk është udhëtar dhe nuk ka ndonjë pengesë, e cila e ndalon nga agjërimi. Disa dobi lidhur me atë që thamë, se kush është i detyruar të agjërojë:
• Fëmija, i cili nuk ka hyrë në bylyg nuk e ka detyrim agjërimin, mirëpo urdhërohet që të agjërojë që të jetë si edukatë për të.
• I çmenduri nuk është i detyruar të agjërojë.
• Ai që nuk ka mundësi të agjërojë për ndonjë shkak i cili është i përhershëm, si plaku, apo ai që është i sëmurë me ndonjë sëmundje për të cilën mendojmë se nuk do të shërohet, ushqen për çdo ditë nga një të varfër.
• Ai që është i sëmurë me ndonjë sëmundje, e cila shërohet, e prish agjërimin nëse e mundon shumë dhe agjëron për atë ditë një ditë tjetër pas muajit të Ramazanit pasi të shërohet.
• Shtatzëna dhe gjidhënësja e prishin agjërimin vetëm nëse agjërimi i tyre i mundon, apo nëse kanë frikë se agjërimi i bën dëm fëmijës dhe në vend të kësaj dite agjërojnë një ditë tjetër pasi të largohet shkaku për të cilin e kanë prishur agjërimin.
• Udhëtari nëse don agjëron, e nëse don nuk agjëron dhe për ato ditë që nuk ka agjëruar, agjëron aq ditë pas Ramazanit.
• Gruaja, e cila është në ciklin menstruacional nuk agjëron, edhe nëse agjëron nuk e ka agjërimin të vlefshëm.

4- Kur është bërë detyrim agjërimi i Ramazanit:

Ramazani është bërë detyrim në vitin e dytë sipas hixhretit dhe i Dërguari i Allahut ka agjëruar nëntë ramazane.

5- Si e vërtetojmë hyrjen e muajit të Ramazanit:

Hyrja e Ramazanit vërtetohet me njërin nga këto dy veprime:
• Me pamjen e hënës së re (hilal).
• Përmbushja e muajit Shaban 30 ditë.
Argument për këto që thamë është fjala e të Dërguarit të Allahut : “Kur ta shihni hënën e re agjëroni dhe kur ta shihni përsëri prisheni agjërimin, kurse nëse mbulohet (hëna e re), llogariteni atë (muajin).”, kuptimi i hadithit: kur ta mbulojë hënën e re (hilalin) ndonjë re apo mjegull dhe nuk duket, atëherë e llogaritim Shabanin 30 ditë.

6- Detyrueshmëria e nijetit:

Është detyrim që të bëhet nijeti para agimit (imsaku), në ditët e agjërimit të detyruar. Nijeti mund të bëhet në cilëndo pjesë të natës, bile edhe nëse bëhet disa çaste përpara imsakut nuk është problem.
Vërejtje: Nijeti në çdo ibadet vendin e ka në zemër dhe nuk lejohet që të shqiptohet me gojë assesi, sepse kjo është prej risive në fe, e cila në kohën tonë është shumë e përhapur.

7- Koha e agjërimit:

Allahu e ka caktuar kohën e agjërimit për çdo ditë në Librin e Tij, duke thënë: “…hani e pini derisa të dallohet qartë peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje.” (Bekare:187), d.m.th agjërimi fillon nga agimi dhe mbaron me perëndimin e diellit, dhe kur të agojë mëngjesi besimtari largohet nga çdo gjë, e cila e prish agjërimin edhe nëse nuk e dëgjon ezanin.

8 – Gjërat të cilat e prishin agjërimin:

Gjërat të cilat e prishin agjërimin janë tetë (8):
1) Marrëdhëniet intime: agjërimi i atij, i cili bën marrëdhënie intime prishet gjatë ditës së Ramazanit dhe e ka detyrim që të agjërojë në pjesën e mbetur të asaj dite dhe të agjërojë një ditë pas Ramazanit në vend të kësaj ditë, po ashtu të pendohet sinqerisht tek Zoti i tij, duke lypur falje nga Ai dhe duke ndjerë keqardhje për veprën e bërë. Veç kësaj atij që e ka bërë këtë vepër të keqe detyrohet që të lirojë një rob, nëse nuk ka duhet të agjërojë 2 muaj rresht pa ndërprerje, nëse nuk mundet ta bëjë as këtë, atëherë i ushqen 60 të varfër, për çdo të varfër gjysëm “sa’a” grurë apo ndonjë ushqim tjetër të banorëve të vendit.
2) Ngrënia dhe pirja qëllimisht: Nuk ka dallim a bëhet marrja e ushqimit nëpërmjet gojës apo hundës, në të dy rastet nëse hahet apo pihet qëllimisht prishet agjërimi, po ashtu nuk ka dallim a është ushqimi i dobishëm apo i dëmshëm për trupin. Këtij personi po ashtu i detyrohet abstenimi nga gjërat, të cilat e prishin agjërimin në pjesën e mbetur të asaj dite dhe të agjërojë një ditë pas Ramazanit në vend të kësaj dite, duke u penduar tek Allahu dhe duke ndjerë keqardhje për veprën e bërë.
3) Ejakulimi duke qenë zgjuar (pa marrëdhënie intime): qoftë ky ejakulim nëpërmjet masturbimit, apo kontakt me gjininë e kundërt dhe atij që ejakulon i obligohet njësoj ajo që i detyrohet atij i cili ha dhe pi qëllimisht.
4) Marrja e gjilpërave ushqyese dhe infuzionit: sepse këto gjëra e zëvendësojnë ushqimin e marrë nga goja, kurse për sa i përket gjilpërave, të cilat nuk kanë cilësi ushqyese, lejohet që të merren.
5) Marrja e gjakut: si shembulli i atij, i cili merr gjak për të zëvendësuar gjakun e humbur për shkak të ndonjë plage apo diçkaje të ngjashme.
6) Menstruacionet dhe dalja e gjakut nga organi i gruas për shkak të ndonjë sëmundje.
7) Nxjerrja e gjakut nga trupi i agjëruesit: ose për shkak të ndonjë urgjence, ose për hixhame, sepse i Dërguari i Allahut ka thënë: “I prishet agjërimi atij që i bëhet hixhameja dhe ai që bën hixhame.”, (Ahmedi, Ebu Davudi dhe e ka vlerësuar Albani si të saktë). Kurse për sa i përket daljes së gjakut nga hunda apo nga nxjerrja e dhëmbit, nuk e prish agjërimin, sepse nuk është hixhame dhe as nuk i përngjan hixhames.
8) Vjellja qëllimisht: ndërsa ai që vjell pa qëllim nuk i prishet agjërimi.

9 – Çfarë i lejohet agjëruesit:

• Përtypja e pështymës.
• Përdorimi i Misvakut është sunet për jo-agjëruesin dhe për agjëruesin.
• Përdorimi i parfumit gjatë ditës në Ramazan.
• Përdorimi i pastës së dhëmbëve, duke u kujdesur që mos t’i hyjë diçka në fyt.
• Përdorimi i pikave për sytë dhe veshët: edhe pse në këtë çështje ka mospajtim mes dijetarëve, mirëpo ky është mendimi më i saktë, kurse për sa i përket pikave për në hundë, nuk lejohen se hunda është një prej rrugëve nëpërmjet së cilës prishet agjërimi.
• Ngjyrosja e flokëve.
• Nxjerrja e një sasie të vogël gjaku: për analiza mjekësore apo diçka të ngjashme.
• Shijimi i ushqimit: nëse ka nevojë, mirëpo duke mos e përtypur shijen dhe atë sasi të vogël ushqimi, të cilën e ka shijuar.
• Puthja e bashkëshortes-it: për atë i cili e kontrollon veten, kurse nëse ejakulon gjatë puthjes i prishet agjërimi.

10 – Urtësitë dhe dobitë e agjërimit:

• Agjërimi është adhurim me të cilin robi afrohet tek Zoti i vet, duke i lënë gjërat të cilat janë të dashura tek ai dhe dashuria e të cilave është prej gjërave të mbjellura te krejt njerëzit, kështu që të arrihet kënaqësia e Allahut dhe Xheneti i Tij.
• Agjërimi është ndihmues i mirë në kontrollimin e vetes.
• Agjërimi është shkak për arritjen e devotshmërisë, Allahu ka thënë në Librin e tij: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë detyrim sikurse ishte detyrim edhe për ata që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (Bekare: 183), kurse devotshmëria është të punosh me urdhrat e Tij dhe të largohesh nga ndalesat e Tij.
• I pasuri e di vlerën e furnizimit që ia jep Allahu, kështu që e falënderon Atë dhe e përkujton vëllaun e tij të varfër, i cili nuk i ka këto të mira.
• Agjërimi e edukon njeriun me durim, sepse gjërat të cilat i le robi gjatë ditës në Ramazan, nuk janë përveç se vepra që nga ato do të rezultojë durimi dhe bartja e tij.
• Agjërimi e lehtëson kryerjen e veprave të mira dhe largimin nga veprat e këqija.
• Agjërimi e zbut zemrën e agjëruesit.
• Agjërimi e dobëson epshin, dhe për këtë shkak i Dërguari i Allahut e ka urdhëruar rininë, që të agjërojnë nëse nuk kanë mundësi të martohen.
• Agjërimi na mëson që të tregohemi të saktë me kohën.

11 – Disa etika dhe gjëra të pëlqyeshme gjatë agjërimit:

• Shpejtimi me iftarin: i Dërguari i Allahut ka thënë: “Njerëzit do të jenë në hajr derisa ta shpejtojnë Iftarin.” (Buhariu dhe Muslimi).
• Fillimi i Iftarit, ose me hurma të freskëta, ose jo të freskëta, ose me ujë: Na përcillet nga Enesi [Allahu qoftë i kënaqur me të], se ka thënë: “I Dërguari i Allahut bënte Iftar para namazit me hurma të freskëta, nëse nuk ka pasur të freskëta, atëherë me jo të freskëta dhe nëse nuk ka pasur as hurma jo të freskëta, atëherë merrte ujë.” (Tirmidhiu dhe Albani e ka vlerësuar si të vërtetë). Kur ka bërë iftar i Dërguari i Allahut ka thënë: “U shua etja, u lagën venat dhe mbeti shpërblimi InshaAllah.” (Ebu Davudi, dhe ka vlerësuar këtë hadith si të mirë Darekutni).
• Vonimi i Syfyrit: i Dërguari i Allahut ka thënë: “Bëni Syfyr, sepse në Syfyr ka bereqet.” (Buhariu dhe Muslimi), kurse vonimi i Syfyrit deri para Sabahut është një Sunet (traditë profetike), të cilën e kanë lënë shumë njerëz dhe Allahu e mëshiroftë atë i cili e ngjall këtë Sunet.
• Kontrollimi i gjuhës dhe gjymtyrëve nga gjërat e ndaluara (haramet): i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush nuk i len dëshminë e rrejshme, veprimin me të dhe injorancën, nuk ka nevojë Allahu që ky ta lejë ushqimin dhe pijen e tij.” (Buhariu dhe Muslimi), po ashtu i Dërguari i Allahut ka thënë: “…dhe nëse dikush e lufton apo e shan le të thotë: Unë agjëroj.” (Buhari dhe Muslimi).
• Ushqyerja e agjëruesve: i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush e ushqen një agjërues, ka shpërblim sikurse ai duke mos u mangësuar asgjë nga shpërblimi i agjëruesit.” (Ahmedi dhe Tirmidhiu).
• Dhënia Sadaka (lëmoshë): i Dërguari i Allahut ka qenë njeriu më bujar dhe më dorëdhënë, sidomos gjatë muajit të Ramazanit kur është takuar me Xhibrilin alejhi-selam.
• Leximi i Kuranit: është e pëlqyeshme që të lexohet sa më shumë Kuran gjatë Ramazanit, sepse ky muaj është muaji i Kuranit ashtu siç ka thënë Allahu në Kuran: “Muaji i Ramazanit që në te (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra).” (Bekare: 185). Po ashtu Xhibrili alejhi-selam ia mësonte dhe e dëgjonte Kuranin çdo ditë nga i Dërguari i Allahut dhe kjo ka qenë edhe vepra së cilës Selefi i jepte përparësi në Ramazan ndaj të gjitha veprave të tjera.
• Namazi gjatë Ramazanit: falja e namazit të natës me xhemat është vepër e pëlqyeshme gjatë këtij muaji, sikurse është Namazi i Teravisë, sepse i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush falet (namaz nate) gjatë Ramazanit me iman dhe me shpresë se do të shpërblehet për këtë vepër, i falen mëkatet që ka bërë më parë.” Buhariu dhe Muslimi.
• Itikafi: i Dërguari i Allahut bënte Itikaf dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, kurse vitin kur ndërroi jetë bëri Itikaf njëzet ditë. Ai që bën Itikaf (mutekifi) duhet që të merret me leximin e Kuranit, lutje, përmendje të Allahut, namaz dhe vepra të tjera, të cilat e afrojnë tek Allahu, sepse qëllimi i Itikafit është që njeriu të largohet nga angazhimet e kësaj bote dhe të merret me adhurimin e Allahut.
• Kërkimi i Natës së Kadrit: i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit në netët teke të dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit.” (Buhariu dhe Muslimi). Kërkimi i Natës së Kadrit është edhe shkaku, se pse bëhet Itikafi në dhjetë netët e fundit të Ramazanit dhe për këtë shkak i ka nxitur i Dërguari i Allahut njerëzit që të falen Natën e Kadrit duke thënë: “Kush falet Natën e Kadrit me Iman dhe me shpresë se do të shpërblehet për këtë vepër, i falen atij mëkatet që ka bërë më parë.” (Buhariu dhe Muslimi). Po ashtu është e pëlqyeshme gjatë kësaj nate të lexohet Kuran, të përmendet Allahu, të lypet falje prej Tij, sepse na përcillet nga Aishja [Allahu qoftë i kënaqur me të], se ka thënë: “Thashë: O i Dërguari i Allahut ! Sikur ta dija se kur është Nata e Kadrit, çfarë duhet të thoja gjatë asaj?- Tha: Thuaj: O Zot ti je Falës e don faljen, më fal mua!…” (Tirmidhiu).
• Umreja gjatë Ramazanit: është e pëlqyeshme që të bëhet Umre gjatë Ramazanit, sepse i Dërguari i Allahut ka thënë: “Umreja në Ramazan është baraz me një Haxh, apo tha: një Haxh me mua.” (Buhariu).
Lusim Allahun që ta pranojë agjërimin tonë, lutjet dhe veprat tona të mira dhe lutja jonë e fundit është: Falënderimi i takon vetëm Allahut!…

Pregatiti: Ali Ashani

 

You may also like...