Si të bëhemi të sinqertë për Allahun në gjitha punët e mira?

Sinqeriteti-1Si të bëhemi të sinqertë për Allahun në gjitha punët e mira?

Shejtani mundohet t’ia prish njeriut veprat e mira dhe njeriu është në luftë të vazhdueshme me të, pra me Iblisin, derisa të takoj Zotin e tij me besim në Të dhe të jetë i sinqertë në gjitha punët e tij, ti bëjë ata vetëm se për Allahun. Gjërat të cilat e ruajnë sinqeritetin janë:
Duaja
Udhëzimi është në dorë të Allahut, kurse zemrat e krijesave janë ndërmjet dy gishtërinjve të Mëshiruesit e Ai i rrotullon ato nga të dojë, prandaj kthehu tek Ai i Cili e ka në dorë udhëzimin tënd dhe drejtohu nga Ai gjithmonë me sinqeritet.
Duaja më e shpeshtë e Omer ibn Hattabit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ishte: “O Allah veprën time bëre çdoherë të jetë e mirë, bëre atë të jetë e sinqertë për fytyrën Tënde, e mos e bëjë të jetë për dikë tjetër pos Teje.”
Fshehja e veprave
Çdo herë kur vepra bëhet fshehtas, në ato raste kur është legjitime fshehja e veprave, është më afër pranimit dhe sinqeritetit. Ndërsa njeriu i sinqertë dëshiron ti fshehë veprat e mira të tij ashtu siç dëshiron të mos zbulohen të këqijat e tij, sepse i Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Shtatë lloj njerëzish Allahu do ti strehojë nën hijen e Tij atë ditë kur nuk ka hije tjetër përveç hijes së tij: Sundimtarin e drejtë, një i ri i cili e ka adhuruar Allahun që në rini, një njeri i cili e ka zemrën e lidhur për xhamitë, dy vetë të cilët duhen për Allahun dhe ndahen për Allahun, një njeri të cilit i bën thirrje një grua e bukur dhe e mirë për të bërë amoralitet, kurse ky i thotë: Unë kam frikë Allahun, një njeri i cili ka dhënë sadaka dhe e ka fshehur atë sa që dora e tij e majtë nuk e din se çfarë ka dhënë e djathta e tij dhe një njeri i cili e përmend Allahun në vetmi dhe i rrjedhin sytë lot.”
Bishër ibn Harithi ka thënë: “Mos bën vepra që të përmendesh, fshehe të mirën ashtu siç i fsheh të këqijat a tua.” Për këtë arsye vlerë më të madhe ka namazi i natës nafile, se sa ai i ditës, si dhe kërkimi i faljes prej Allahut në syfyr para sabahut, përballë kohërave tjera, sepse kjo ndodh në kohëra të fshehura larg syrit të njeriut dhe kjo të bën të jesh më i sinqertë me Allahun.
Shiko në veprat e njerëzve të mirë të cilët janë në grada më të larta se ti
Kur të bësh vepra të mira, mos e krahaso veten me njerëzit e mirë të kohës tënde, të cilët nuk bëjnë adhurim si ti, mirëpo shiko çdoherë të ndjekësh rrugën e profetëve dhe njerëzve të devotshëm, Allahu i Lartëmadhëruar thotë: “Ata janë ata të cilët Allahu i ka udhëzuar, prandaj ndiqe udhëzimin e tyre.” Po ashtu lexo jetën e njerëzve të mirë e të devotshëm nga dijetarët, adhuruesit, asketët, të diturit sepse, kjo është më frytdhënëse për të na e shtuar besimin në zemrën tonë.
Mos i vetëpëlqe veprat tua
Rreziku i njeriut është kur kënaqet me veten e tij, prandaj kush shikon në veten e tij në sy vetëpëlqimi në vetvete, kjo e shkatërron njeriun, ndërsa ai i cili habitet me veprat e tij ky është shumë pak i sinqertë apo e ka prishur veprën e tij të mirë.
Seid Ibn Xhubejri ka thënë: “Një njeri ka hyrë në xhenet, sepse ka bërë një mëkat ndërsa një tjetër ka hyrë në xhehenem, sepse ka bërë një vepër të mirë.” – Të pranishmit i thanë: Po si ka mundësi kjo të ndodh? – Tha: “Ky njëri që ka bërë mëkat çdoherë ka qenë në frikë se po e dënon Allahun, kështu që kur doli përpara Allahut, Allahu ia fali mëkatin shkaku i frikës e cila e shoqëronte vazhdimisht dhe nuk e lentë të qetë, kurse ai që kishte vepruar mirë u mjaftua me veprën e tij, madje i hyri vetja në qejf, pra e vetëpëlqente veten e tij me veprën e bërë, derisa e takoi Allahun me të e Allahu e futi në zjarr.”
Frika nga mospranimi i veprës
Çdo të mirë të cilën e kryen ki frikë se a thua vallë të është pranuar!
Prandaj të parët tanë të mirë e lusnin Allahun me këtë dua: “O Allah kërkojmë prej Teje veprimin e punëve të mira dhe të na ruash ato.” – Prej ruajtjes së veprës është të mos mburresh me të e të lavdërohesh, mirëpo çdoherë të jesh me frikë nga mospranimi i asaj vepre, Allahu i Lartësuar thotë: “Mos u bëni (në çështjet e betimit) si ajo (grua) që e prish tjerrin e saj pasi ta ketë dredhur fort, e t’i bëni betimet tuaja dredhi (mashtrim) mes jush, për shkak se një popull është më i madh se tjetri. Allahu vetëm ju sprovon me këtë, e në ditën e gjykimit Ai gjithsesi do t’ua sqarojë atë gjë rreth të cilës kundërshtoheshit.”
Gjithashtu transmeton imam Ahmedi dhe Tirmidhiu se Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: O i Dërguari i Allahut ajeti: “Ata të cilët japin nga ajo çfarë u është dhënë dhe zemrat e tyre i kanë të frikësuara, sepse tek Zoti i tyre do të kthehen.” A është për qëllim në këtë ajet ai i cili vjedh, bën amoralitet, pinë alkool dhe ka frikë Allahun e Lartëmadhëruar? – I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të tha: “Jo oj vajza e (Ebu Bekër) es-Sidikut, mirëpo ka për qëllim ata të cilët falen, agjërojnë, japin sadaka, mirëpo përsëri kanë frikë a thua vallë u janë pranuar veprat e tyre.”
Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, në tefsirin e këtij ajeti: “Ata të cilët japin nga ajo çfarë u është dhënë…” thotë: “Ata jepnin diçka dhe kishin frikë se mos vallë nuk është pranuar nga ato, nga frika se mos ndoshta nuk e kanë dhënë ashtu siç duhet të jepet.”
Prandaj sinqeriteti është i nevojshëm para veprës gjatë saj dhe pas saj.
Mos u ndiko nga ajo çfarë thonë të tjerët
Besimtarë i suksesshëm është ai i cili nuk ndikohet nga lavdërimet që ja bëjnë të tjerët, përkundrazi lëvdatat e tyre ia shtojnë atij akoma më shumë modestinë dhe frikën ndaj Allahut, madje ky e din shumë mirë se lëvdatat janë sprovë për të dhe ai i lutet Allahut ta ruaj nga kjo sprovë. Prandaj te ky njeri lavdërimi i tij nga dikush apo dëmtimi i tij janë si pozita e banorëve te varrezave, të cilët as nuk bëjnë dëm e as dobi, mirëpo mbështetja e këtij është tek Allahu.
Ibn Xheuzi ka thënë: “Ajo çfarë i ka ngritur disa njerëz tek Allahu është se nuk kanë shikuar se çfarë thonë njerëzit si dhe veprat e tyre kanë pasur qëllim të sinqertë në vepër ndaj Allahut dhe nuk kanë pasur qëllim të tregohen para te tjerëve.”
7. Ta ketë të qartë se njerëzit nuk e kanë në dorë Xhennetin
as Xhehennemin
Kur robi ta kuptojë se njerëzit të cilët i shoqëron ai, edhe ata do të ringjallen në ditën e llogarisë të frikësuar, të zhveshur atëherë i jep të kuptojë atij se qëllimin e tij nuk e ka vendosur ku duhet, ngase këta njerëz nuk i bëjnë dobi në ditën e ringjalljes, mirëpo edhe ata, atë ditë do ti kenë të njëjtat brenga. Kur ta kuptosh këtë gjë atëherë bëhesh i sinqertë në veprat tua, vetëm atij i Cili e ka në dorë Xhennetin dhe Xhehennemin.
Për këtë arsye besimtari është shumë i sigurt se njerëzit nuk e kanë në dorë mundësinë për ta futur atë në xhennet. Po ashtu edhe ta nxjerrin nga xhehennemi, në qoftë se kërkon të dalë prej tij, jo kaq por edhe sikur të tubohen të gjithë njerëzit prej tek Ademi, paqja e Allahut qoftë mbi të, e deri te njeriu i fundit, nuk kanë mundësi të të fusin në xhennet asnjëherë, prandaj pse i bën veprat për të të parë të tjerët, ndërsa ata nuk kanë në dorë asgjë?
Ibn Rexhebi ka thënë: “Ai i cili agjëron, falet, e përmend Allahun e me këtë synon të mirat e kësaj bote, le ta dinë njerëzit se ky njeri nuk posedon asnjë të mirë, pasi që kjo nuk i bën dobi atij ngase ky po bën mëkat e jo sevap.” Që d.m.th. se këta poashtu nuk i bëjnë dobi askujt tjetër me këtë gjest.
Po ashtu ata të cilët ta bëjnë qejfin duke të lavdëruar, kur bën ndonjë vepër për të të parë ata, këta njerëz do të nënçmojnë ty, si dhe ti do të turpërohesh nga ata, madje pas një kohë edhe në zemrat e tyre do të jesh i urryer. I Dërguari i Allahut, paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Ai i cili dëshiron të duket, Allahu ia mundëson të duket.” E në qoftë se je i sinqertë me Allahun, ty të donë Allahu dhe poashtu edhe krijesat e tij, Allahu i madhëruar ka thënë: “Ata të cilët kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira atyre i Gjithëmëshirshmi do ti bëjë të dashur (te njerëzit).”
8. Kujto se në varr do të jesh i vetmuar
Shpirtrat përmirësohen kur e përkujtojnë përfundimin e tyre, prandaj kur njeriu e din se do të shtrihet në varr pa asnjë të dashur, se atij nuk i bën dobi diçka pos veprave të tij të mira, se gjithë njerëzia nuk kanë mundësi ti ndihmojnë atij nga dënimi i varrit, do të bindet se çdo gjë është në dorë të Allahut. Kjo i bën atij të kuptojë se shpëtimtari për të është: sinqeriteti në vepra vetëm për Krijuesin e tij të Madhëruar.
Ibn Kajjimi ka thënë: “Sinqeriteti është përgatitja për takimin me Allahun, madje kjo është edhe prej gjërave më të dobishme të robit për qëndrueshmërinë e tij në fe. Prandaj ai i cili përgatitet për ta takuar Allahun, zemra e tij ndahet nga dunjaja dhe të mirat e saj.”

Përgaditi: Nexhat Ceka

You may also like...