Suneti shpjegues i detajizuar i Kur’anit dhe i kushteve të fesë – 2

Muhamedi s.a.v.s.-163 – Suneti shpjegues i detajizuar i Kur’anit dhe i kushteve te fese

Pra Allahu e ka zbritur Kur’anin kurse si shpjegues të tij e zgjodhi të dërguarin e Tij Muhamedin (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) dhe shpjeguesi i tij është suneti i tij, siç ka thënë Allahu në Kur’an:” çdo i dërguar e kemi dërguar në gjuhën e popullit të vet ashtu që tua shpjegoj atyre shpalljen.”(Ibrahim:4) Gjithashtu edhe këtij umeti si umeteve tjera i ka ardhur i dërguari i tyre (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) që tua shpjegon atyre shpalljen. Shembull më praktik për këtë është se Allahu i Lartëmadhëruar na ka urdhëruar ta falim namazin në Kur’an, mirëpo nuk ka treguar numrin e rekateve të namazeve as të drekës, as të sabahut, as të ikindisë, as të akshamit e as të jatcisë, mirëpo vetëm ka urdhëruar në përgjithësi për faljen e namazit siç ka thënë në Kur’an:” Fale namazin sepse me të vërtetë namazi të ndalon nga të shëmtuarat dhe të irituarat.”(Ankebutë:45) Kurse në një vend tjetër thotë:” Dhe nuk janë urdhëruar me diçka tjetër vetëm se ta adhurojnë Allahun me një adhurim të sinqert ndaj Tij, të largohen nga çdo besim i kotë, ta falin namazin dhe ta japin zekatin.”(Bejine:5) Gjithashtu Allahu ka thënë në Kur’an:” E në qoftë se ata (jobesimtarët) pendohen dhe e falin namazin, e japin zekatin…”(Teube:5)

Ajetet Kur’anore në këtë kontekst janë të shumta gjithashtu edhe ajetet të cilat urdhërojnë për faljen e namazit nuk tregojnë për kohën se kur fallen ato, kurse në Kur’an Allahu kohën e namazit e ka cekur në përgjithsi si në ajetin:” Fale namazin kur zbret nga (zeniti) diellim, e deri në erësirën e natës dhe në agim, sepse vërtet leximi i Kur’anit në agim është i përcjellur.”(Isra:78) Po ashtu Allahu ka thënë në Kur’an:” Allahu lartësonie kur të vijë mbrëmja dhe kur të agojë mëngjesi, falenderimi i takon vetëm Atij në qiell dhe në tokë në mbrëmje dhe ditë.”(Rrum:17-18) Pra siç shihet nga këto ajete ceket koha në përgjithsi kurse i ka caktuar kohërat e namazeve i dërguari i Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) duke u falur me shokët e tij dhe u ka thënë:” Faluni si më keni parë mua duke u falur.” Me këtë hadith na e bën të qartë numrin e rekateve në namaz, prandaj ne falemi ashtu siç është falur ai, pra e falim farzin e drekës katër rekat, kurse në udhëtim e shkurtojmë dhe e falim vetëm dy rekat. Akshamin e falim tre rekat madje çdo herë kur jemi në udhëtim apo jo, pra atë nuk e shkurtojmë, ndërsa jatcinë e falim katër rekate kur jemi vendas dhe e shkurtojmë në dy rekat kur jemi në udhëtim. Njejtë sikurse akshami edhe sabahu ai është dy rekat dhe nuk shkurtohet , pra falet dy rekat kur jemi vendas dhe kur udhëtojmë. Kurse sa i përket kohës së namazeve edhe këto na i ka sqaruar i dërguari i Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) duke e falur sabahun në kohën e vet, drekën në kohën e vet, ikindinë në kohën e vet, akshamin në kohën e vet, madje të njëjtën e ka vepruar edhe me jatcinë, siç ka ardhur në hadithin autentik se Xhibrili (paqa e Allahut qoftë mbi të) i ka paraprirë imam të dërguarit të Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) në fillim të çdo namazi dhe në fund të çdo namazi ditën tjetër dhe pastaj i ka thënë: Koha e namazeve është ndërmjet tyre.

Pra i dërguari i Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) na e ka treguar numrin e rekateve, mënyrën e faljes, kohët e namazeve, pra prej kësaj nënkuptohet se pa sunetin e të dërguarit të Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) nuk mundet asesi të kuptojmë se si falet namazi në mënyrën e duhur edhe pse në Kur’an kanë ardhur ajete të shumta për rëndesinë e namazit në mënyrë të përgjithshme. Pra Allahu edhe pse e ka obliguar në mënyrë të qartë namazin në Kur’an ai ia ka lënë në dorë shpjegimin e detajizuar të tij të dërguarit të Tij (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) pra kjo në të njëjtën kohë është sqarim gojor dhe sqarim në mënyrë veprorë. Në këtë mënyrë është argumentuar edhe Omer ibn Abdulazizi kur tek ai kanë ardhur një grup prej Hauarixhëve të cilët nuk e pranonin sunetin e të dërguarit të Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) si bazë më të cilën mund të argumentohet muslimani në islam për të debatuar, Omeri (Allahu e mëshiroftë) u tha: Allahu i Lartëmadhëruar na ka urdhëruar për ta falur namazin në Kur’an mirëpo parashtrohet pyetja si të falemi? Silleni një ajet nga Kur’ani i cili tregon për formën e faljes së namazit! Atëherë u habitën ky grup prej hauarixhëve me këtë e si pasojë e kuptuan se suneti është ashtu sikurse Kur’ani, pra bazë prej bazave të argumentimit në fenë tonë.

Si shembulli i namazit, mund të përmendet si shembulli edhe çështja e zekatin. Allahu na ka urdhëruar në Kur’an për ta dhënë zekatin, mirëpo se në cilat pasuri jepet zekati? Këtë nuk mund ta kuptojmë vetëm se përmes sunetit, pra haditheve autentike të cilat na tregojnë se zekati jepen në: arë, argjend, drithra, pemë, në kafshë, mallit për tregti dhe se çfarë do lloj malli nuk jepet për zekat por jepet për mallrat fitimprurës në drithra, pemë, para, kafshë.  Gjithashtu i dërguari i Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) e ka treguar sasinë se në sa meret zekati, për shembull: zekati i drithrave dhe pemëve prodhimet të cilat dalin nga toka jepet një e dhjeta apo një e njëzeta, kjo pastaj mvaret nga ujitja. Për zekatin e arit dhe argjendit jepet një e katërta e një të dhjetës ose 2,5% e sasisë së përgjithshme, veçmas për çdo lloj floriri. Zekati i kafshëve tek dhentë në dyzet (40) kokë jepet një dele, pastaj kështu me radhë i ka treguar i dërguari i Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) edhe për kafshët tjera, ku për devet na ka informuar se jepet për pesë deve një dele, për dhjetë prej tyre jepen dy dele, në pesëmbëdhjetë jepen tre dele, për njëzet jepen katër dele kurse në njëzet e pesë deve jepet një deve njëvjeçare etj. Në të njejtën kohë në hadithe kanë ardhur edhe argumentet se ne sa kohë jepet zekati për secilin produkt apo pasuri pasi që zekati nuk jepet derisa pasuria të flejë apo të qëndroj një vit, përveç pasurive bujqsore, zekati i të cilave nxiret kur ato vjelen, koren apo piqen për këtë është argument dhe fjala e Allahut:” Ditën e korjes jepeni pjesën që është obligim.”(Enam:141) E njejta gjë vlen edhe për agjërimin e ramazanit i cili është shtyllë prej shtyllave të islamit, mirpëpo rregullat e tij, çfarë e prish atë, mënyra e kompenzimit, për kë është obligim e për kë jo etj, gjithë këto hollësi i ka shpjeguar suneti i të dërguarit të Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të).

Po kështu edhe haxhi, Allahu e ka obliguar me Kur’an duke thënë:” Për hirë të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi tek Ajo.”(Ali Imran:97) Sipas këtij ajeti Kur’anorë jep të kuptohet se vizita e Qabes është obligim, mirëpo koha se kur duhet kryer, forma e tij, dispozitat e tij, krejt këto kanë ardhur në hadithet që janë shënuar nga i dërguari i Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) në haxhin e lamtumirës kur iu është drejtuar njerëzve me fjalët:” Mereni haxhin nga une.”

Shembull i ngjajshëm janë edhe dispozitat mbi ata që kanë vepruar harame për të cilat sheriati ka vendosur dënime, p.sh. Allahu ka urdhëruar në Kur’an ti pritet dora vjedhësit duke thënë:” Vjedhësit dhe vjedhëses prejani duart.”(El Maide:37)  Mirëpo prerja e dorës në këto raste ka kushte dhe rregulla të cilat nuk janë cekur në Kur’an detajisht se në cilet raste pritet dora, kurse këto informacione shtesë për plotësimin e kësaj dispozite kanë ardhur në sunetin e të dërguarit të Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ku dora pritet vetëm pasi që vlera e vjedhur nga personi të kaloj më shumë se qereku i dinarit apo tre dirhem. Gjë e cila nuk është pëmendur në Kur’an si dhe as vendin se prej ku pritet dora. Për këtë ka thënë i dërguari i Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) se pritet dora e djathtë deri në zogun e shuplakës së dorës.

Me përmendjen e këtyre shembujve nuk e kemi për qëllim studimin e komentimit të Kur’anit me sunet por këto shembuj i cekëm të jetë edhe njëherë e mirë e qartë se suneti është komentuesi i Kur’anit si dhe bazë e argumentimit në islam. Kështu që nga kjo kuptojmë se mos të ishte suneti i cili na i ka sqaruar këto dispozita neve do ta kishim të pamundshme që ti kryenim obligimet që Allahun na i ka vendosur në Kur’an, pra këto shembuj na e bëjnë të ditur edhe njëherë se sa e madhe është rëndësia e sunetit në islam.

Allahu i Lartëmadhëruar ka urhdëruar të respektohet i dërguari i Tij (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) në të njejtën kohë na ka lajmëruar se ai i cili i bindet të dërguarit të Tij (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) i është bindur edhe Allahut, pra thotë Allahu në Kur’an:” Kush i bindet të dërguarit, i është bindur Allahut.”(Nisa:80) Prej respektit të të dërguarit të Allahut(paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) është edhe pasimi i sunetit të tij dhe veprimit sipas tij, thotë Allahu në Kur’an:” Atë të cilin ua jep i dërguari mereni, e atë që ua ndalon i dërguari përmbajuni.”(Hashr:7) Prej këtij ajeti kuptojmë se Allahu na ka urdhëruar të punojmë çdo gjë që na jep i dërguari i Tij (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) qoftë prej urdhërave të ti qoftë prej ndalesave të tij, pra ti bindemi në mënyrën më të mirë të mundshme.

Në Kur’an shpesh Allahu urdhëron të respektohet i dërguari i Tij (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) në metoda të ndryshme, ndonjëherë Allahu respektin e të dërguarit të Tij (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) e cek bashkë me respektin ndaj Tij siç thuhet në ajetin:” O ju të cilët keni besuar bindjuni Allahut, bindjuni të dërguarit dhe prijësve tuaj.”(Nisa:59),”Thuaj: Bindjuni Allahut dhe të dërguarit .”(Ali Imran:32) Pra ai ka bashkangjitur bindjen e Tij me bindjen ndaj të dërguarit të Tij (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të).

Ndonjëherë bindjen ndaj të dërguarit e ka cekur veçmas, siç thotë Allahu në Kur’an:” Kush i bindet të dërguarit , Ai i është bindur Allahut.”(Nisa:80) Gjithashtu thotë:” Falni rregullisht namazin, jepni zekatin dhe respektojeni të dërguarin në mënyrë që të mëshiroheni.”(Nur:56) Po ashtu ka thënë:” Ne nuk dërguam asnjë të dërguar vetëm që me urdhërin e Allahut ti bëhet respekt (nga njerëzit) Atij.”(Nisa:64)

Allahu i madhëruar po ashtu na urdhëron gjatë ndonjë konflikti ti referohemi Kur’anit dhe sunetit të të dërguarit të Tij  (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) si gjykues në kundërshtimet tona, thotë Allahu në Kur’an:” O ju që keni besuar bindjuni Allahut, bindjuni të dërguarit dhe prijësve nga ju e në qoftë se nuk pajtoheni për ndonjë çështje atëherë parashtrojeni atë tek Allahu (Libri i Tij) dhe tek i dërguari i Tij po që se besoni Allahun dhe ditën e fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë.”(Nisa:59) Referim tek Allahu në ajet e ka kuptimin kthimin në Librin e Allahut-Kur’anin, kurse referim tek i dërguari i Tij  (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) është kthimi tek personaliteti i të dërguarit të Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) gjatë jetës së tij, pra të pyetet ai, kurse pas vdekjes së tij kthimi tek suneti i dërguarit të Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të). Urdhëri i Allahut për t’ju referuar sunetit të të dërguarit të Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) është valide deri në ditën e gjykimit, kjo tregon se suneti i të dërguarit të Allahut (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) është vendimtarë në ndonjë mosmarveshje e cila ndodh në këtë umet pa marë parasysh a është ndonjë dispozitë nga dispozitat e adhurimeve apo marëdhënieve ndërnjerëzore, pra referencë e besimtarëve na qenka libri i Allahut-Kur’ani dhe suneti i të dërguarit të Tij (paqa dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të). Pra krejt kjo tregon se suneti është ne vend të dytë menjëherë pas Kur’anit dhe se është bazë nga bazat esenciale të islamit pa të cilin nuk mund të paramendohen muslimanët të jenë të pamvarur nga ai në çdo kohë prej kohërave në të cilën jetojnë apo në çdo çështje prej çështjeve të tyre me të cilat ato përballen në këtë botë.

Shkëputur nga libri: Pozita e sunetit në islam
Autor: Dr. Salih el-Feuzan
Përktheu dhe përshtati: Nexhat Ceka

You may also like...