Thirrja jonë – 1

Shejh AlbaniKjo është thirrja jonë – Imam Albani

Me emrin e Allahut Mëshiruesit, Mëshirëplotit! E falënderojmë Allahun, salatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut (sal Allahu te’ala alejhi ue ala as’habih).
Me të vërtetë, Allahu i Lartësuar na ka dhënë mirësinë më të madhe, e ajo është mirësia e imanit-besimit. Ndërsa, këtij umeti i ka dhënë mirësinë e ekzistencës së dijetarëve në mesin e tyre. Dijetarët, janë ata të cilët i ka nderuar Allahu me dije, që ua dhuroi me qëllim që t’ua ndriçojnë njerëzve rrugën për tek Allahu, me këtë kemi për qëllim adhurimin ndaj Allahut të Lartësuar.
Padyshim se ata janë trashëgimtarët e Profetëve. Ajo që na shtyu të vijmë në këtë vend, së pari është që të arrijmë kënaqësinë e Allahut të Madhëruar dhe lutemi që të mbetet kështu (ky qëllim i yni). Së dyti; për të kërkuar dije e cila të shpie drejt Allahut. Pasha Allahun! Këto janë momente të bukura, ku takohemi me Shejkhun tonë, dijetarin dhe mësuesin tonë të madh; Muhammed Nasirudin el-Albanin.
Në emër të kësaj lagje esh-Shuvekeh, Shejkhut tonë të nderuar i urojmë mirëseardhjen më të mirë. Gjithashtu, në emër të popullit të Mefrakut në veçanti nxënësve të dijes që ndodhen këtu, të gjithë së bashku të urojnë mirëseardhje, sepse ishin të përmalluar që të takoheshin sot me mësuesin tonë të ndershëm.
Nuk është problem, sepse të gjithë jemi të përmalluar për të dëgjuar perlat e dijes dhe urtësinë që ta ka dhënë Allahu. Pra, le të dëgjojmë prej dijes që Allahu i ka dhuruar atij, e pasi të mbarojë Shejkhu ynë atëherë edhe dyert për të pyetur do të hapen. Pyetjet duhet të jenë të shkruara sepse edhe letrat janë shpërndarë dhe janë të mjaftueshme insha-Allah. Po e përsëris edhe njëherë, momente të lumtura janë këto, duke i uruar mirëseardhjen Shejkhut tonë të nderuar.
Shejkh Albani: Mirë se ju gjejmë! Me të vërtetë falënderimet i takojnë Allahut. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të shpirtave tanë dhe veprave tona të liga. Kë e udhëzon Allahu, nuk ka kush që e humbë. Dhe kë e humbë Allahu nuk ka kush që e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër pos Allahut – i Vetëm dhe pa asnjë shoq. Dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij. Fjalët më të mira janë fjalët e Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhammedit (sal Allahu alejhi ue selem), gjërat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo gjë e shpikur është bidat, çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të shpie në Zjarr.
Falënderoj vëllanë tonë Ibrahim për fjalët dhe lëvdatat e tij. Mua nuk më mbetet asgjë tjetër vetëm që të marr shembull halifen e parë, Ebu Bekër es-Sidikun (radija Allahu anhu), i cili ishte halife i drejtë dhe i pari që erdhi pas të Dërguarit të Allahut (sal Allahu alejhi ue selem).
Megjithatë, kur dëgjonte ai dikë që e lavdëronte, – edhe pse kjo lëvdatë kushdo që të jetë i lavdëruari është e tepruar-, dhe halifja ishte me të drejtë halife i të Dërguarit të Allahut (Sal Allahu alejhi ue selem), e përsëri (kur e lavdëronte dikush) thoshte: ‘Zoti im, mos më merr në përgjegjësi për fjalët që thonë për mua, më bëj më të mirë sesa ata mendojnë, mi falë gabimet e mia të cilat ata nuk i dinë.’
Këto fjalë i thoshte Ebu Bekri, e çfarë na mbetet neve që të themi pas tij?! Andaj, duke e pasuar atë, them: ‘Zoti im, mos më merr në përgjegjësi për fjalët që thonë për mua, më bëj më të mirë sesa ata mendojnë, mi falë gabimet e mia të cilat ata nuk i dinë.’
E vërtetë është dhe të vërtetën po e them, se unë nuk jam ai i përshkruari që dëgjuat më parë, por në të vërtetë unë jam vetëm një nxënës i dijes dhe asgjë më tepër! Dhe, është obligim i çdo nxënësi të dijes që të ketë parasysh fjalën e Profetit (sal Allahu alejhi ue selem):
“Kumtoni nga unë qoftë edhe vetëm një ajet! Predikoni nga benu Israilët dhe s’ka asgjë të keqe në të. E kush gënjen për mua qëllimisht, le ta përgatitë ulësen e tij prej zjarrit.”
Duke marrë parasysh këtë hadith Profetik dhe argumente tjera të cilat i gjejmë në Librin e Allahut dhe në Hadithet e të Dërguarit të Allahut (sal Allahu alejhi ue alejhi ue selem), mundohemi që njerëzve t’ua kumtojmë atë të cilën ndoshta nuk e dinë.
Mirëpo, kjo -mendimi i mirë i vëllezërve tanë për ne- nuk do të thotë se ne jemi bërë me të vërtetë të tillë (ashtu siç më cilësuan). Çështja nuk është kështu! Në realitet, ajo çfarë unë ndjej kur e gjykoj veten time, atëherë kur dëgjojë fjalë të tilla, e kujtoj shembullin që është shkruar në kohë të hershme dhe është i njohur, ku thuhet: “Në vendin tonë edhe bugathi (lloj korbi i vogël) bëhet shqiponjë.”
Ndoshta ndonjëri nuk e di qëllimin e këtij shembulli. Bugathi është një zog i vogël dhe i pa rëndësishëm, por që shndërrohet në shqiponjë tek njerëzit për shkak të injorancës së tyre ndaj forcës së shqiponjës dhe madhështisë së saj. Ky shembull është më se i përshtatshëm për shumë nga ata të cilët thërrasin në islam duke u mbështetur në të vërtetën ose për ata që thërrasin duke u mbështetur në gabime e lajthitje.
Por, Allahu e di më së miri se kjo tokë -për fat të keq- është zbrazur nga dijetarët. Të gjitha vendet islame i ka përfshirë kjo fatkeqësi përveç individëve të pakët, për të cilët ia vlen të thuash se filani është dijetarë. Këtë gjë e thekson edhe një hadith autentik, të cilin e transmeton imam Buhari në Sahihun e tij, hadith që transmetohet nga Abdullah bin Amër bin el-Asi (radija Allahu teala anhu) i cili thotë se: I Dërguari i Allahut (sal Allahu alejhi ue selem) ka thënë:

“Vërtetë, Allahu nuk e largon dijen duke e larguar atë nga zemrat e dijetarëve, por e merr dijen duke marrë dijetarët (me vdekjen e tyre) derisa të mos mbetet më ndonjë dijetarë. Atëherë njerëzit do të marrin koka injorante e do t’i pyesin, e ata do të japin fetva pa dije; -do të humbasin vetveten dhe të tjerët.“
Kur Allahu dëshiron që ta largojë dijen nga faqja e dheut, nuk e largon atë nga gjokset e njerëzve të ditur saqë këta njerëz të ditur të ktheheshin në injorant, sikur të mos kishin ditur kurrë. Jo! Kjo nuk është prej ligjit të Allahut të Madhëruar kundrejt njerëzve të mirë, që t’ua marrë njerëzve atë dije të cilën ata e kanë arritur duke kërkuar kënaqësinë e Tij në këtë mënyrë.
Siç edhe dëgjuam fjalët e vëllait Ibrahim (Allahu e begatoftë) edhe pse shkurtimisht, se ky tubim yni është bërë për të kërkuar dije.
Allahu i Madhëruar është Gjykues i Drejtë, dhe nuk e largon dijen nga zemrat e dijetarëve të vërtetë në këtë mënyrë. Ligji i Allahut për këtë çështje ka rrjedhur mes krijesave të Tij në atë mënyrë që t’ua largojë dijen njerëzve me largimin e dijetarëve, pra me vdekjen e tyre. Ashtu siç bëri me më të mirin e dijetarëve, Profetëve dhe të Dërguarve, Muhammedin (sal Allahu alejhi ue selem), derisa të mos mbeten më dijetarë e njerëzit të vënë në krye persona injorantë, të cilët do të pyeten dhe do të japin fetva pa dije dhe do të humbin vetveten dhe të tjerët. Nga ky fenomen nuk duhet të kuptojmë se Allahu i Madhëruar, do ta zbrazë tokën nga dijetarët aq sa të mos ketë më asnjë dijetarë që të jetë bartës i argumenteve të Allahut tek njerëzit.
Por kuptimi i drejtë i këtij hadithi është, se sa më shumë kalon koha, aq më tepër pakësohet dija derisa të mos mbetet në faqe të tokës askush që thotë: Allah, Allah. Këtë hadith e dëgjoni shpesh dhe është hadith autentik: “Nuk do të bëhet kiameti përderisa në faqe të tokës ka që thonë: Allah, Allah.“

Shumë prej atyre njerëzve që përmenden në fund të këtij hadithi që e përmendëm, se ‘Allahu e largon dijen duke marrë dijetarët derisa të mos mbetet dijetarë, dhe njerëzit të marrin koka injorante’, prej këtyre kokave janë edhe ata që e komentojnë Kur’anin dhe Sunnetin me komente të kundërta nga ato të dijetarëve. Nuk them vetëm të dijetarëve të hershëm, por gjithashtu edhe atyre të më vonshëm.
Këta lloj njerëzish argumentohen me këtë hadith: ‘Allah, Allah,’ për të treguar se lejohet, madje është e pëlqyer përmendja e Allahut vetëm me fjalën: ‘Allah, Allah’.

Të mos e gënjejë apo mashtrojë dikë kushdo qoftë ai, kur e dëgjon hadithin me interpretim të tillë. E pashë të arsyeshme që qoftë edhe kalimthi t’u përmend se ky interpretim është i pasaktë.
Së pari: sepse sqarimi i tij është bërë në një transmetim tjetër nga i Dërguari i Allahut (sal Allahu alejhi ue selem).
Dhe së dyti: sepse nëse ky interpretim do të ishte i saktë, atëherë një gjë të tillë do ta kishin praktikuar të parët tanë të mirë Allahu qoftë i kënaqur me ta!
Pra, përderisa ata nuk e kanë bërë, atëherë tregon edhe refuzimin e tyre ndaj këtij interpretimi e rrjedhimisht pasaktësinë e tij.
E si do të reagonin këta njerëz që bëjnë interpretime të tilla, kur të dëgjonin edhe transmetimin plotësues të këtij hadithi, i cili gjendet tek Imam Ahmedi në Musnedin e tij me zinxhir autentik, me këto fjalë: “Nuk do të bëhet kiameti përderisa në tokë të ketë nga ata që thonë: nuk ka zot tjetër veç Allahut“.
Prandaj, ky është edhe qëllimi i fjalës së përsëritur Allah-Allah, në transmetimin e parë.
Ajo që duam të vëmë në dukje është fakti se bota në kohët e sotme, për fat të keq, është zbrazur nga dijetarët që dikur mbushnin këtë tokë të gjerë me dijen e tyre, dhe që e përhapnin atë në radhët e umetit islam.
Gjendja e kësaj kohe është ashtu siç thuhet në një shembull: “E kur numëroheshin ishin të pakët, e sot janë bërë edhe më të pakët se të paktit”.

Përktheu: Usame Morina

You may also like...