Tre parimet bazë (libri shkurtimisht)

Foto-Tre parimetTre parimet bazë!

Dije – Allahu të mëshiroftë – se e kemi obligim që t’i mësojmë katër çështje:

E para: Dituria, e cila është: Njohja e Allahut, njohja e pejgamberit të tij dhe njohja e fesë islame me argumente.

E dyta: Veprimi sipas saj.

E treta: Thirrja në të.

E katërta: Durimi ndaj vështirësive gjatë saj.

Argument për këtë është fjala e Allahut: “Betohem në kohë, me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe punojnë vepra të mira, dhe të cilët rekomandojnë njëri-tjetrit të vërtetën (fenë Islame), dhe të cilët i rekomandojnë njëri-tjetrit durimin.” [Asr: 1-3].

Imam Shafiu ka thënë: “Sikur Allahu mos të zbriste argument për robërit e Tij, pos kësaj sureje, ajo do t’ju mjaftonte.”

Buhariu [rahimehullah] ka thënë: “Kapitull: Dituria është para fjalës dhe veprës.” Argument për këtë është fjala e Allahut: “Dije se s’ka zot (tjetër) pos Allahut! Kërko falje për mëkatet tua…” [Muhammed: 19]. Pra, Allahu filloi me dituri para fjalës dhe para veprës.

Pastaj dije – Allahu të mëshiroftë – se obligohet çdo musliman dhe çdo muslimane që t’i dijë këto tre çështje vijuese:

E para prej tyre: Se Allahu i Lartësuar na ka krijuar, na ka furnizuar dhe nuk na ka lanë pa përkujdesje, përkundrazi na ka dërguar Pejgamber, andaj kush e respekton atë do të hyjë në Xhennet dhe kush e kundërshton atë do të hyjë në Xhehnem.

Argument për këtë është fjala e Allahut: “Ne, juve, me të vërtetë, ju kemi dërguar një Profet dëshmitar kundër jush, ashtu siç ia kemi pas dërguar një profet Faraonit, por Faraoni e ka kundërshtuar Profetin, andaj e kemi dënuar atë me dënim të rëndë.” [Muzzemmil: 15-16].

E dyta: Se Allahu i Lartësuar assesi nuk pajtohet që të adhurohet dikush tjetër pos Tij.

Argument për këtë është fjala e Allahut: “Xhamiat i janë kushtuar Allahut, dhe mos iu lutni askujt, përveç Allahut!” [Xhinn: 18].

E treta: Se ai që e ka respektuar të Dërguarin dhe e ka adhuruar vetëm Allahun, nuk i lejohet që ta miqësojë atë që e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, po sikur edhe ta kishte shumë të afërt.

Argument për këtë është fjala e Allahut: “Nuk gjen njerëz që besojnë në Allahun dhe në Ditën e Kijametit, e të ushqejnë dashuri ndaj atyre të cilët kundërshtojnë Allahun dhe Profetin e Tij, madje qofshin ata edhe etërit e tyre, ose bijtë e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre. Ai, në zemrat e tyre ka mbjellë besimin dhe me shpalljen e Vet i ka fuqizuar ata, dhe Ai do t’i shpie ata në kopshtije, nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ta, por edhe ata do të jenë të kënaqur ndaj Tij. Ata janë ithtarë të (rrugës së) Allahut, e ata, ithtarët e Allahut, me siguri, janë fitues.” [Muxhadele: 22].

Dije – Allahu të drejtoftë drejt respektit ndaj Tij – se besimi i drejtë (monoteizmi – elhanifijje) është feja e Ibrahimit a.s., e që është: të adhurosh vetëm Allahun duke qenë i sinqertë në fenë e Tij. Me këtë gjë Allahu i ka urdhëruar të gjithë njerëzit dhe për këtë gjë i ka krijuar ata. Siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Xhindët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” [Dharijat: 56].

Domethënia e fjalës: “të më adhurojnë” është: të më veçojnë me adhurim.

Gjëja më e madhe me të cilën na ka urdhëruar Allahu është Teuhidi: veçimi i Allahut me adhurim, dhe gjëja më e madhe nga e cila na ka ndaluar Ai është Shirku: Adhurimi i dikujt tjetër pos Tij.

Argument për këtë është fjala e Allahut: “Adhuronie Allahun, mos i bëni kurrnjë shoq Atij.” [Nisa: 36].

Kur të të pyet dikush: Cilët janë tre parimet bazë të cilat çdo njeri duhet t’i dijë?

Thuaj: Njohja e robit Zotin e tij, fenë e tij dhe pejgamberin e tij Muhamedin a.s.

Përktheu dhe përshtati: Omer Zaimi

You may also like...