Uthman ibn el-Afani – 10 të përgëzuarit me xhenet – III

S.Othman ibn AfanëUthman bin el Afan (23, H. – 35, H.)

Personi i tretë i përgëzuar me Xhenet është Utman bin Afani, halifja i tretë i muslimanëve dhe më i miri ndër ta pas Ebu Bekrit dhe Umerit.

Përcillet nga Abdurrahman Bin Aufi, se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Dhjetë vetë janë në Xhenet: Ebu Bekri është në Xhenet, Umeri është në Xhenet, Uthmani është në Xhenet, Aliu është në Xhenet, Talha është në Xhenet, Zubejr ibn Auami është në Xhenet, Abdurrahman bin Aufi është në Xhenet, Sad ibn ebi Uekasi është në Xhenet, Seid bin Zejdi është në Xhenet dhe Ebu Ubejde ibn Xherahu është në Xhenet.”[1]

Emri dhe pseudonimi i tij    

Ai është Uthman bin Afan bin Ebil As bin Umeje bin Abdi Menaf bin Kusaje bin Kilab el Kurashij el Emeuiju, halifja i tretë i drejtë, i cili quhet ndryshe edhe Ebu Amër apo me pseudonimin e tij Dhun-nurejni (poseduesi i dy dritave). E mori këtë emër pasi ishte martuar me dy vajzat e Profetit, salallahu alejhi ue selem. Në fillim u martua me Rukajen, e cila vdiq pas luftës së Bedrit, pastaj u martua me Umu Kulthumin, e cila vdiq gjatë jetës së Profetit, salallahu alejhi ue selem.

Islami dhe roli i tij gjatë jetë së Profetit, salallahu alejhi ue selem

Uthmani (radiallahu anhu) e pranoi Islamin në moshën 34 vjeçare. Ai është njëri prej dhjetë të parëve që pranuan Islamin dhe njëri prej dhjetë të përgëzuarve me Xhenet. Islami i tij ishte si fryt i thirrjes që i bëri Ebu Bekri, i cili në fillim u bënte thirrje fshehurazi atyre, te të cilët kishte besim. Ata qw pranuan Islamin nga kjo thirrje e fshehtë ishin: Zubejr bin Auami, Uthman bin Afani, Talha bin Ubejdillahu, Sad bin ebi Uekasi, AbduRrahman bin Aufi, të cilët shkuan së bashku me Ebu Bekrin te Profeti, salallahu alejhi ue selem, dhe dëgjuan prej tij pjesë nga Kurani, u njohën me të vërtetën e Islamit dhe që nga ajo ditë ishin ndër besimtarët e parë muslimanë.

Uthmani, radijallahu anhu, ishte nga ata të cilët emigruan të dy emigrimet, atë në Habeshe dhe atë në Medine, madje ai emigroi me bashkëshorten e tij (bijën e Profetit) dhe ishte familja e parë e cila emigronte në Islam.

Uthmani po ashtu ka marë pjesë në të gjitha luftërat që ka bërë Profeti, salallahu alejhi ue selem, me përjashtim të luftës së Bedrit, sepse qëndroi në Medine duke kuruar bashkëshorten e tij, me lejen e Profetit, salallahu alejhi ue selem.

Ndërsa gjatë udhwtimit për në umren qw Profeti dhe sahabët nuk arritën ta kryenin dot si shkak i pengimit që u bënë kurejshët, dhe pikërisht kur arritën në vendin e quajtur Hudejbije, Profeti, salallahu alejhi ue selem, dërgoi Uthmanin si mesazher për te kurejshët, në mënyrë që t’u bënte me dije atyre qëllimin e Profetit dhe se ai nuk kishte për qëllim luftën. Por Uthmani u vonua dhe Profetit i erdhën lajme se kurejshët e kishin burgosur, madje se e kishin vrarë, ndaj dhe ai ua mori besën të gjithë sahabeve që ishin me të nën një pemë, duke u zotuar se ata do të luftonin e do të mernin hakun e Uthmanit. Profeti shtrëngoi duart e të gjithë atyre qw ia dhanë besën, e në fund vuri dorën e tij mbi dorën tjetër dhe tha: “Kjo është dora e Uthmanit.”.

Uthmani, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur dëgjoi nga Profeti – në një kohë thatësire për Medinen dhe banorët e saj – të nxiste për hapjen e pusit të Rumijes, menjëherë ndërmori hapjen e tij dhe e la sadaka atë për muslimanët.

Po ashtu, ai përgatiti ushtrinë e vështirësisë në luftën e Tebukut për të luftuar romakët me pasurinë e tij, duke ia mbushur prehrin Profetit, salallahu alejhi ue selem, me flori.

Është pikërisht Uthmani, radijallahu amhu, ai i cili i përgjigjet kërkesës së Profetit për të blerë tokën anash xhamisë, në mënyrë që t’i shtohej xhamisë. Kur ai dëgjoi Profetin të thotë: “Kush e blen tokën e filanit dhe ia dhuron atë xhamisë, do të ketë Xhenetin.”, shpejtoi për t’iu përgjigjur kësaj thirrjeje dhe e bleu atë me njëzet e pesë mijë derhem dhe ia dhuroi xhamisë.[2]

Përshkrimi që kemi për Uthmanin, radiallahu anhu, është ai i një njeriu të thjeshtë, të ndershëm, të butë, bujar dhe të sjellshëm, sidomos i dalluar për modestinë dhe devotshmërinë e tij. Ai shpesh kalonte një pjesë të natës duke u falur, agjëronte çdo të dytën apo të tretën ditë, bënte haxhin çdo vit dhe përkujdesej për nevojtarët e tërë komunitetit. Përkundër pasurisë së tij, ai jetoi një jetë shumë të thjeshtë dhe flinte në zall në oborrin e xhamisë së Pejgamberit, sallallahu alejhi ue selam. Uthmani e dinte tërë Kuranin përmendësh dhe kishte një dituri të afërt mbi kontekstin dhe rrethanat që kishin të bënin me secilin ajet.

Disa hadithe rreth vlerës dhe cilësive të tij

Uthmani, radiallahu anhu, ishte njeri me natyrë të butë, shumë bujar dhe nuk kishte njeri më të turpshëm se ai, saqë edhe Profeti, salallahu alejhi ue selem, turpërohej prej tij.
1. Ai ka qënë ndër sahabwt më të dashur pwr Profetin, salallahu alejhi ue selem. Përcillet nga Ibn Umeri (radiallahu anhu), i cili thotë: “Në kohën e Profetit nuk krahasonim askënd me Ebu Bekrin, pastaj me Umerin, pastaj me Uthmanin, pastaj linim shokët e Profetit, salallahu alejhi ue selem dhe nuk bënim dallim mes tyre.”[3]
2. Profeti e ka përgëzuar se do të jetë shehid. Përcillet nga Enesi, radiallahu anhu, se Profeti, salallahu alejhi ue selem, u ngjit në Uhud së bashku me Ebu Bekrin, Umerin dhe Uthmanin dhe papritmas Uhudi u drodh. Profeti, salallahu alejhi ue selem, tha: “Qëndro o Uhud, se mbi vete ke një Profet, një të sinqertë dhe dy shehidw.”[4]
3. Profeti ka dëshmuar se ai do të jetë në Xhenet. Përcillet nga AbduRrahman bin Aufi, qw ka thënë se Profeti, salallahu alejhi ue selem, tha: “Ebu Bekri është në Xhenet, Umeri është në Xhenet, Uthmani është në Xhenet…”.[5]
4. Utmani ka qënë njeri tejet i turpshëm, madje aq i turpshwm sa dhe melaiket dhe Profeti turpëroheshin prej tij. Transmetohet nga Enesi, radiallahu anhu, se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “…njeriu më i turpshëm i umetit është Uthmani…”.[6]

Ndërsa nga Aishja, radiallahu anha, transmetohet se ka thënë: “Ishte Profeti, salallahu alejhi ue selem i shtrirë në  shtëpinë time dhe kishte zbuluar kërcinjtë e këmbës apo kofshët e tij. Erdhi Ebu Bekri dhe kërkoi për të hyrë. I dha leje dhe qëndroi në atë gjendje që ishte. Filluan bisedën dhe pas pak erdhi Umeri, i cili kërkoi leje për të hyrë. I dha leje dhe qëndroi në të njëjtën gjendje. Vazhduan bisedën dhe pas pak erdhi Uthmani, i cili kërkoi leje për të hyrë. Profeti, salallahu alejhi ue selem, u ngrit ulur, i drejtoi rrobat e tij, pastaj i dha leje për të hyrë. Pasi mbaruan bisedën dhe dolën, Aishja e pyeti Profetin, salallahu alejhi ue selem, duke i thënë: “Hyri Ebu Bekri dhe ti nuk lëvize dhe as nuk i dhe rëndësi (ndryshimit të qëndrimit), pastaj hyri Umeri dhe ti nuk lëvize dhe as nuk i dhe rëndësi, kur hyri Uthmani u ngrite ulur dhe drejtove rrobat e tua!” Profeti, salallahu alejhi ue selem, tha: “E si të mos kem turp nga një person prej të cilit kanë turp edhe engjëjt.”[7]
6. Profeti e përgëzon se gjatë sprovës që do ta godasë, ai do të jetë në të drejtën dhe duhet të durojë, madje nuk duhet t’u përgjigjët kërkesave të arrogantëve dhe hipokritëve. Përcillet nga Kab bin Uxhrah, i cili ka thënë: “Profeti, salallahu alejhi ue selem, na përmendi një fitne që do ndodhte së afërmi. Aty pranë nesh kaloi një burrë me kokën të mbuluar, Profeti, salallahu alejhi ue selem, tha: ‘Ky njeri në atë kohë do të jetë në të drejtën.’ E kapa këtë person dhe ia zbulova kokën, ai ishte Uthmani. U drejtova nga Profeti, salallahu alejhi ue selem, dhe thashë: ‘A ky është?’ Profeti, salallahu alejhi ue selem, tha: ‘Po, ai është.’”[8]

Transmetohet nga Aishja, e cila tha: “Profeti, salallahu alejhi ue selem, tha: ‘O Uthman, nwse Allahu ta ngarkon përsipër këtë çështje (halifatin) dhe do duan munafikët të ta heqin këtë këmishë qw Allahu (xheleshanuhu) ta veshi, ti mos e hiq derisa të takohesh me mua (e përsëriti këtë tri herë).’”[9]

Përcillet nga Ibnu Umeri, i cili tha: “Profeti, salallahu alejhi ue selem, na përmendi një fitne dhe tha: ‘Do të vritet ky person në këtë fitne padrejtësisht.’ dhe kishte fjalën për Uthmanin.”[10]

Po ashtu përcillet nga Aishja, radiallahu anha, e cila tha: “Profeti. salallahu alejhi ue selem. në sëmundjen e tij tha: ‘Do doja të kisha pranë ndonjërin prej shokëve të mi.’ Thamë: ‘O i dërguari i Allahut, a ta thërrasim Ebu Bekrin?’ Profeti, salallahu alejhi ue selem, heshti. Thamë: ‘A ta thërrasim Umerin?’ Përsëri heshti. Thamë: ‘A ta thërrasim Uthmanin?’ Tha: ‘Po.’ Uthmani erdhi, u veçua me të Profeti, salallahu alejhi ue selem dhe filloi të bisedonte. Gjatë bisedës ndërroi fytyra e Uthmanit. Tregon shërbëtori i Uthmanit se ai, ditën në të cilën u vra, ka thënë: ‘Profeti. salallahu alejhi ue selem ka marrë prej meje një zotim dhe unë do t’i përmbahem atij zotimi, do të duroj.’”[11]
10. Uthmani (radiallahu anhu) ishte prej shembujve më të rrallë që mund të gjejmë për sa i përket sakrificës dhe dhënies sadaka në rrugë të Allahut. Transmeton Tirimidhiu nga Abdu Rrahman bin Semurah, i cili tha: “Erdhi Uthmani te Profeti, salallahu alejhi ue selem, me një mijë dinarë, të cilat i hodhi në prehrin e Profetit, salallahu alejhi ue selem, për të përgatitur ushtrinë e vështirësisë.” Thotë AbduRrahmani: “E pashë Profetin, salallahu alejhi ue selem, duke i rrotulluar ato dinarë në prehrin e tij dhe duke thënë: ‘Le të bëjë çfarë të dojë Uthmani pas kësaj dite!’ duke e përsëritur dy here.”[12]

Uthmani ishte ai që hapi pusin e Rumes dhe e bëri sadaka për muslimanët, pasi dëgjoi fjalën e Profetit, salallahu alejhi ue selem: “Kush e hap pusin e Rumes, atij i takon Xheneti.”[13]

Në një vit, të gjitha puset u thanë, përveç një pusi që e posedonte një çifut dhe ishte Uthmani ai që e bleu këtë pus me një çmim shumë të shtrenjtë dhe e bëri sadaka për muslimanët, siç e fali pusin e Rumes.

Uthmani gjatë kohës së Ebu Bekrit

Utmani, radijallahu anhu, ka qënë njëri ndër konsulentët kryesorë në qeverinë e çdonjërit prej të dyve, Ebu Bekrit dhe Umerit, shpeshherë i mernin mendimin rreth çështjeve madhore, ai ishte i dyti pas Umerit në shtetin e Ebu Bekrit. Umeri ishte Ministri i hilafetit, ndërsa Uthmani ishte Sekretari i Përgjithshëm dhe ai që mbante protokollet.

“Në kohën e Ebu Bekrit ndodhi një thatësirë e madhe, aq sa njerëzit u mblodhën para shtëpisë së halifes dhe po i ankoheshin se qielli nuk po pikonte, toka nuk po mbinte dhe njerëzit ishin në vështirësi të madhe. Ebu Bekri u tha: “Shpërndahuni dhe duroni, se në mbrëmje Allahu ka për t’jua sjellë inshallah zgjidhjen.” Nuk ndejtë shumë kur pamë punëtorët e Uthmanit që ktheheshin me karvan nga Shami, në të cilin gjendeshin plot njëqind deve me ushqim. Njerëzit u mblodhën përpara shtëpisë së tij dhe filluan t’i ankoheshin, tregtarët po i qanin hallin dhe vështirësinë dhe po e nxisnin t’u shiste ushqimin që kish sjellë nga Siria. Ai u tha: “Sa më jepni?” “Për çdo dhjetë dinarw të japim dymbëdhjetë.” Uthmani ua ktheu: “Më kanë dhënë më shumë se kaq.” Ata i thanë: “Për çdo dhjetë dinarë të japim pesëmbëdhjetë.” Ai u tha sërisht: “Më kanë dhënë më shumë se kaq.” Tregtarët të habitur ia kthyen: “O Uthman, nuk ka tregtarë të tjerë në Medine, të gjithë jemi këtu, cili është ai që të ka dhënë më shumë?” Ai u tha: “Allahu më ka dhënë për çdo dinar dhjetë dinarë. Dëshmoj para jush se ushqimin e këtij karvani e kam dhënë sadaka për fukarenjtë e Medines.”[14]

Uthmani gjatë kohës së Umerit

Edhe në kohën e Umerit, Uthmani, radijallahu anhu, kishte një vend dhe pozitë të lartë: sa herë që sahabwt dëshironin t’i kërkonin diçka Umerit, e bënin atë nëpërmjet Uthmanit, sepse e dinin pozitën e tij te halifja. Uthmani për Umerin ishte i njëjtë me pozitën e Umerit për Ebu Bekrin.

Themelimi i regjistrave

Thuhet se ideja e krijimit të regjistrave iu parashtrua Umerit nga Uthmani, i cili i kërkoi Umerit të ndërtonte regjistra, në të cilat do të shënohej pasuria e njerëzve, kujt i jepej nga buxheti i shtetit etj., në mënyrë që të lehtësohej sa më mirë puna për t’u arritur ndihma atyre që ishin të varfër. Dhe vërtet kjo ide i pëlqeu Umerit dhe e vuri në zbatim menjëherë.[15]

Kalendari sipas hixhrit

Ka ardhur në disa transmetime se ai qw e orientoi Umerin ta fillonte kalendarin hixhrij nga muaji Muharrem, ishte pikërisht Uthmani. Pasi vendosën ta fillonin llogaritjen e viteve nga hixhreti i Profetit, i cili ishta dallues i së vërtetës nga e kota, ata nuk po binin në ujdi se nga ç’muaj duhet ta fillonin llogaritjen dhe këtu Uthmani dha versionin e tij, qw më pas u pëlqye nga të gjithë, se duhet të fillonte nga muaji Muharrem. Këtë e argumentoi: “Sepse ai është muaj i shenjtë, është muaji i parë në llogaritje dhe është muaji qw vjen pas haxhit.”[16]

Uthman bin Afani 2

Marrja e halifatit në dorëzim dhe betimi i sahabëve

Kur u vra Umeri, radiallahu anhu, disa muslimanë kërkuan prej tij që të zgjidhte një person të përshtatshëm për të marrë përsipër drejtimin e halifatit. Umeri, radiallahu anhu, tha: “Unë nuk shoh më të meritueshëm për këtë çështje, sesa këta persona ndaj të cilëve ishte i kënaqur Profeti, salallahu alejhi ue selem, kur vdiq.” dhe përmendi Aliun, Uthmanin, Abdurrahman bin Aufin, Sad bin Ebi Uekasin, Zubejr bin Auamin dhe Talha bin Ubejdullahin. Umeri kërkoi prej tyre që të mblidheshin pas vdekjes së tij dhe të zgjidhnin njërin prej tyre si halife. Umeri tha: “E porosis atë që do tw jetë halife pas meje, të sillet mirë me muhaxhirët e parë, t’ua njohë atyre vlerat që u takojnë, t’i respektojë ata. Po ashtu e porosis të nderojë ensarët, ata që përgatitën vendbanimin e emigrimit, të pranohet e mira nga bamirësi prej tyre dhe të falet gabimi i gabimtarit. Po ashtu e porosis të sillet mirë me muslimanët nëpër kufinj, sepse ata janë mburoja e  Islamit, mbledhësit e pasurive dhe mllefi i armiqve, tw mos u merret atyre përveç tepricës, me miratimin e tyre. E porosis të sillet mirë me beduinët arabë, sepse ata janë origjina e arabëve dhe baza e Islamit. T’u merret pasuria (zekati) të pasurve të tyre dhe t’u jepet të varfërve të tyre. E porosis të ruajë besën e Allahut dhe të Dërguarit dhe ta përmbushë atë!”[17]

Pasi vdiq dhe u varros Umeri, radiallahu anhu, u mblodhën këta gjashtë persona dhe filluan diskutimet, Abdurrahmani tha: “Le t’ia caktojmë këtë çështje secili njërit prej ju të treve.” Zubejri tha: “Unë heq dorë dhe them t’ia caktojmë Aliut.” Talha tha: “Unë heq dorë dhe them t’ia caktojmë Uthmanit.” Sadi tha: “Unë heq dorë dhe them t’ia caktojmë Abdurrahman bin Aufit.” Abdurrahmani tha: “Kush prej jush tërhiqet dhe t’ia caktojmë tjetrit këtë përgjegjësi?” Të dy heshtën. Abdurrahmani tha: “A ma lini mua në dorë që të zgjedh më të mirin prej jush me ndihmën e Allahut?” Të dy thanë: “Po.” Ai e mori secilin veçmas dhe i tha: “Ti ke afërsi me Profetin dhe pozitë në Islam që edhe ti vetë e di, të kërkoj në emër të Allahut që nëse të zgjedh ty të mbash drejtësi, por nëse zgjedh tjetrin do bindesh dhe do e dëgjosh.” Pasi Abdurrahman bin Aufi u konsultua me Uthmanin dhe Aliun, dhe pasi mori premtimin e tyre që të binin dakord me zgjedhjen që ai do  bënte, tha: “Ngrije dorën o Uthman.” Aty Abdurrahmani ishte i pari që ia dha besën, Aliu dhe pastaj të tjerët me rradhë[18] duke rënë të gjithë dakord se me të vërtetë Uthmani e meritonte të jetë halifja i tretë i muslimanëve.[19] Madje Abdurrahmani, para se të merte këtë vendim, u konsultua me të gjithë sahabët, muhaxhirët dhe ensarët, si dhe me komandantët e ushtrive, me gratë dhe robërit, dhe shumica e tyre ishin për Uthmanin.

Madje ka përmendur imam Buhariu, se Abdurrahman bin Aufi, pas namazit të sabahut në ditën e tretë që kishin në dispozicion, e mblodhi këshillin e konsulencës (prej gjashtë vetësh) pranë minberit dhe iu drejtua Aliut duke i thënë: “O Ali, i pyeta njerëzit dhe ata nuk vënë askënd përpara Uthmanit.” dhe kështu ia dhanë besën atij. Aliu ishte i pari që ia dha besën Uthmanit pas Abdurrahmanit.[20]

Duhet të theksojmë se hilafeti i Uthmanit ka marrë pëlqimin dhe unanimitetin e të gjithë muslimanë, përfshi këtu edhe vetë Aliun, sikurse dhe e pohuam. Madje përcillet nga imam Ahmedi se ka thënë: “Nuk janë bashkuar muslimanët në zgjedhje ndonjëherë, ashtu sikurse u bashkuan për Uthmanin.”[21]

Ndërsa Ibn ebi Shejbe përcjell nga Hrith bin Mudribi, se ka thënë: “Kam bërë haxhin gjatë prijësisë së Umerit dhe njerëzit nuk dyshonin se më me meritw për të qënë halife pas Umerit, është Uthmani.”[22]

Madje Shejhul Islam bin Tejmije ka thënë: “Ehli Suneti beson bindshëm se halifja pas Profetit është  Ebu Bekri, pastaj Umeri, pastaj Uthmani, pastaj Aliu dhe kush kundërshton në hilafetin e ndonjërit prej tyre është më i humbur se gomari i tij.”[23]

Punët më të rëndësishme që ndërmori Uthmani (radiallahu anhu)

Tubimi i Kuranit sipas leximit kurejshit

Me përhapjen e Islamit dhe zgjerimin e tokave të çliruara, u futën në Islam popuj të shumtë dhe të ndryshëm joarabë. Kjo gjë bëri që të frikësohen disa sahabë, se mund të ndodhnin mosmarrëveshje në leximin e Kuranit, apo mund të ndodhte ndryshim i ndonjë pjese prej tij. Kjo gjë u vu re për herë të parë nga Hudhejfe bin el Jemani në çlirimin e Armenisë dhe Azerbajxhanit, ku ushtria përbëhej nga banorët e Shamit, të cilët kishin leximin e tyre sipas Mikdad bin el Esuedid dhe Ebu Derdasë, dhe nga banorët e Irakut, të cilët kishin lexim tjetër sipas Ebu Musa el Eshariut dhe Ibn Mesudit.

Ky ndryshim në lexim çoi në lindjen e mosmarrëveshjeve të ashpra mes dy palëve të ushtrisë, ku secili mendonte për grupin tjetër se është në gabim. Duke parë këtë, Hudhejfja shkoi tek Uthmani dhe i propozoi që ta shuante këtë keqkuptim mes atyre që nuk e dinin se lejohet të lexohet Kurani sipas shtatë dialekteve[24] (gjuhëve) të arabëve. Uthmani (radiallahu anhu) mblodhi sahabët dhe pasi u konsultua me ta, arriti në përfundimin se ishte më mirë të shkruhej Kurani sipas një dialekti të vetëm dhe të gjithë njerëzit kudo që ndodheshin, të ecnin sipas këtij leximi, ashtu që të zhdukej mosmarrëveshja mes muslimanëve në leximin e Kuranit. Kurani qw u grumbullua në kohën e Ebu Bekrit gjendej te Hafsa, vajza e Umerit (radiallahu anhu), prej së cilës kërkoi që t’ia sillte  këtë Kuran. Pasi e mori atë, urdhëroi Zejd bin Thabitin, Abdullah bin Zubejrin, Seid bin el Asin dhe Abdurrahman bin Harith bin Hishamin, që të shkruanin Kuranin duke u bazuar në Kuranin e Hafses dhe u tha: “Nëse keni mospajtim rreth ndonjë ajeti, shkruajeni sipas dialektit kurejsh, sepse sipas asaj gjuhe është zbritur.” Pastaj urdhëroi që të shumëfishohej ky Kuran dhe të shpërndahej në të gjitha vendet, që më pas të kopjohej prej tyre, kështu që dërgoi një në Sham, një në Egjipt, një në Basra, një në Kufe, një në Mekë dhe një e mbajti në Medine. Gjithashtu urdhëroi që çdo Kuran i ndryshëm nga ky të digjej, që të mos ngelte më vend për keqkuptim.[25] Transmeton Ebu Bekr bin Ebi Daud es-Sixhistani[26] nga Suejd bin Gafleh, se ai tha: “Më ka thënë mua Aliu në kohën kur Uthmani dogji mushafet dhe i bashkoi njerëzit në një të vetëm: ‘Nëse nuk do e bënte ai, do e bëja unë pas tij.’”

Themelimi për herë të parë i flotës muslimane

Valiu (përgjegjësi) i Shamit, Muavije bin Ebi Sufjani, kërkoi leje nga Uthmani (radiallahu anhi) për të formuar një flotë detare, e cila do shërbente për zmbrapsjen e sulmeve të flotës bizante në brigjet e Shamit dhe të Egjiptit. Pasi mori lejen e halifes, Muavija ngriti një flotë të fortë dhe të përgatitur mirë, e cila bëri të mundur çlirimin e ishujve të Qipros dhe Rodosit, të cilët iu nënshtruan xhizjes. Pas kësaj, në vitin 34 H., flota muslimane u përball me flotën bizante, e cila ishte më e madhe në numër dhe më e përgatitur. Kjo betejë u zhvillua në afërsi të Aleksandrisë dhe përfundoi me fitoren e muslimanëve,[27] duke u bërë kështu forcë dominuese edhe në det. Profeti, salallahi alejhi ue selem, ka thënë “Ushtria e parë që do të luftojë në det, e meriton (Xhenetin).”

Çlirimet në kohën e halifes Uthman bin Afan (radiallahu anhu)

a) Çirimi i tokave perëndimore dhe Sudanit. Përparuan ushtritë muslimane në kohën e Uthmanit deri në Sudan dhe jug të Egjiptit, duke i çliruar këto toka dhe duke e zgjeruar shtetin islam. Vazhduan çlirimet muslimane duke përfshirë të gjitha tokat perëndimore (Libi, Algjeri, Marok, Mauritani) derisa mbërritën në brigjet e Tunizisë, ku u ndeshën me forcat bizante duke i shkatërruar ato dhe duke i futur këto zona nën sundimin e halifatit islam.[28]

Çlirimi i tokave perse

b) U zgjeruan kufinjtë e shtetit islam në kohën e Uthmanit (radiallahu anhu), derisa arritën nw detin Kazuin dhe vazhduan ta përzënë mbretin pers Jezduxhurd, derisa e vranë në atdheun e tij Marvu (Irani i sotëm, në kufi me Afganistanit). Me vdekjen e mbretit pers pushoi së ekzistuari njëherë e përgjithmonë perandoria perse.

Shehidllëku i Uthmanit (radiallahu anhu)

Uthmani (radiallahu anhu) posedonte vlera fisnike dhe morale të larta, ishte i butë, i mëshirshëm, bujar, i dashur etj. Mirëpo këto cilësi nuk i penduan munafikët dhe armiqtë e fesë islame që të thurnin plane dhe komplote për vrasjen e halifes. Në krye të tyre ishte Abdullah bin Sebe, një çifut, armik i betuar i muslimanëve, i cili pranoi Islamin sa për sy e faqe në kohën e Uthmanit, radiallahu anhu. Ky munafik çifut filloi të sillej nëpër tokat muslimane duke përhapur shpifjet e tij, gjoja se Uthmani, radiallahu anhu, po bënte padrejtësi, po i shtypte muslimanët, shtirej sikur gjendja ishte tepër e rënduar dhe se Aliu (radiallahu anhu) ishte ai që e meritonte halifatin në vend të Uthmanit (radiallahu anhu). Shpifjet e këtij munafiku zunë vend në Kufe, Basra dhe Egjipt, të cilët dërguan nga një delegacion në Medine për t’u marrë vesh me Uthmanin (radiallahu anhu). Këto delegacione qw kryesoheshin nga Abdullah bin Sebe u takuan me Uthmanin dhe Aliun (radiallahu anhu). Ata u sqaruan atyre se çdo gjë ishte në rregull dhe se këto ishin shpifje dhe u premtuan atyre se do ndreqnin çdo parregullsi. Pasi mbaruan misionin e tyre, delegacionet dolën nga Medina për t’u kthyer në vendet e tyre. Abdullah bin Sebe, kur e pa këtë situatë, trilloi një letër të cilën pretendonte se e dërgonte Uthmani (radiallahu anhu) te valiu i Egjiptit dhe e urdhëronte që të vriste delegacionin që po kthehej. Abdullah bin Sebe e dërgoi këtë letër me një korrier qw i u sillej para e mbrapa delegacionit egjiptian, të cilët u shqetësuan dhe e kapën këtë person duke i zbuluar letrën e fshehur. Pas kësaj ata u kthyen përsëri në Medine duke lajmëruar edhe delegacionet e tjera që të ktheheshin dhe rrethuan shtëpinë e Uthmanit duke mos e lejuar që të dalë jashtë. Megjithëse Uthmani (radiallahu anhu) u mundua t’u shpjegonte të vërtetën dhe t’i bindte se ajo letër nuk është e vërtetë duke kërkuar verifikimin e saj, ata nuk pranonin asnjë lloj sqarimi dhe u mjaftuan me thënien: “Allahu e ka lejuar gjakun tënd për këtë veprim.”. Ata e rrethuan dhe Uthmani (radiallahu anhu) qëndroi i rrethuar në shtëpinë e tij dyzet ditë. Në fillim e lejonin që të dilte vetëm për namaze, pastaj ia ndaluan edhe namazet përveç xhumasë ku mbante dhe hutben. Kur vendosën ta pengonin edhe për namazin e xhumasë, filluan ta gjuanin në hutbe me gurë të vegjël duke i thënë: “Zbrit, zbrit o plak!”. Aty i morën shkopin e Profetit që përdorte në hutbe dhe  e thyen. Pas kësaj ia ndërprenë edhe ujin që i vinte në shtëpi. Kur e pa këtë gjendje, Uthmani (radiallahu anhu) kërkoi një takim me drejtuesit e revoltës, ku u tha atyre: “Po ju pyes në emër të Allahut dhe të Islamit, a e dini se kur Profeti, salallahu alejhi ue selem, erdhi në Medine nuk kishte ujë të pijshëm përveçse pusit të Rumes, për të cilin Profeti, salallahu alejhi ue selem, tha: ‘Kush e blen pusin e Rumes dhe e bashkon kovën e tij me kovat e muslimanëve (e bën sadaka ujin e pusit), Allahu do t’ia zëvendësojë me një pus më të mirë në Xhenet.’ dhe unë e bleva atë, ndërsa ju sot më ndaloni mua që të pi prej tij[29] dhe më lini të pi ujë të kripur?” Ata thanë: “Po, ashtu është.” Uthmani (radiallahu anhu) tha: “Po ju pyes në emër të Allahut dhe Islamit, a e dini se kur xhamia nuk mjaftonte më për njerëzit dhe Profeti, salallahu alejhi ue selem, tha: ‘Kush e blen tokën e filanit që t’ia shtojë xhamisë dhe Allahu (xheleshanuhu) do t’ia zëvendësojë me më të mirë në Xhenet.’, unë e bleva atë me pasurinë time, kurse ju sot më ndaloni që të falem në të, qoftë dhe dy rekate?” Ata thanë: “Po, ashtu është.” Uthmani (radiallahu anhu) tha përsëri: “Po ju pyes në emër të Allahu dhe Islamit, a e dini se unë jam ai që përgatita ushtrinë e vështirësisë, për të cilën Profeti tha: ‘Kush i përgatit ata, Allahu do ia falë atij mëkatet.’?” Ata thanë: “Po, ashtu është.”[30] Tha: “Po ju pyes në emër të Allahut dhe Islamit, a e dini se Profeti, salallahu alejhi ue selem, ishte mbi mal së bashku me Ebu Bekrin, Umerin dhe mua, kur u trondit mali, të cilin e goditi me këmbë dhe i tha: ‘Qëndro se ke mbi vete një Profet, një të sinqertë dhe dy shehidw.’?”. Ata thanë: “Po, ashtu është.” Atëherë Uthmani (radiallahu anhu) tha: “Allahu Ekber, pasha Zotin e Kabes, dëshmoni për mua se unë jam shehid (tre herë).”[31]

Sahabët ishin të mbledhur rreth Uthmanit (radiallahu anhu) të gatshëm për ta mbrojtur[32] dhe luftuar, mirëpo ai e dinte se sido që të shkonin punët, do tw vritej padrejtësisht, pasi kështu e kishte lajmëruar Profeti, salallahu alejhi ue selem, prandaj nuk donte që tw vritej askush për të dhe i urdhëroi të gjithë sahabët që të shpërndaheshin nëpër shtëpitë e tyre.[33] Një natë para se të vritej kishte vendosur të agjëronte të nesërmen. Aty nga fundi i natës pa në ëndërr Profetin, salallahu alejhi ue selem, duke i thënë: “A të kanë rrethuar o Uthman? A të kanë ndaluar ujin o Uthman? Nëse ti dëshiron mund të fitosh ndaj tyre ose të çelësh iftar këtu te ne.” dhe i dha një enë me ujë. Më pas, kur u zgjua, bashkëshortja e tij iu afrua dhe i solli ujë që të pinte, por ai tha:
”Unë jam agjërueshwm.” dhe se Profeti i kishte ofruar ujë për iftar.[34] Mëngjesin e asaj dite u futën munafikët në shtëpinë e Uthmanit ndërkohë që ai po lexonte Kuran. Iu afrua një burrë egjiptian që quhej Xhebleh nga fisi Benu Sedus, i cili i gjuajti me shpatë, mirëpo Uthmani u mbrojt me njërën dorë të cilën ia këputi goditja e shpatës dhe gjaku rrodhi mbi ajetin Kuranor: “Allahu të mjafton ty ndaj tyre.”(Bekare 137).[35] Atëherë mushafi i ra nga dora dhe tha: “Uallahi, kjo është dora e parë e cila i ka shkruar suret e pjesës së shtatë të Kuranit,”,[36] sepse siç dihet Uthmani ka qenë prej shkruesve të shpalljes, bile i pari që ka shkruajtur drejtpërdrejt nga Profeti, salallahu alejhi ue selem. Erdhi gruaja e tij që ta mbronte nga një goditje tjetër, e cila i këputi asaj gishtat e dorës, e mori Kuranin dhe e vendosi në prehërin e saj dhe pas kësaj erdhi goditja vdekjeprurëse, e cila e vrau Uthmanin (radiallahu anhu). Atëherë e shoqja e tij u hodh mbi të. Dikush prej tyre tha: “Allahu e vraftë këtë grua, sa të mëdha i ka të pasmet e saj.” Ajo tha: “Aty u binda se këta e bënë gjithë këtë vetëm për interes dunjaje.”[37] Kjo ndodhi nw ditën e xhuma, në 18 Dhulhixhe të vitit 35 H., duke zgjatur kështu halifati i tij 12 vjet, në moshën 82 vjeçare.[38] Allahu e mëshiroftë prijësin e muslimanëve qw u vra padrejtësisht dhe qoftë i kënaqur me të deri në ditën që do ta takojë!

 Marrë nga xhamiambret.com

 


[1] Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibnu Maxhah dhe Ahmedi.

[2] Nesaiu: 2/766. Sahih

[3] Transmeton Buhariu, nr. 3697.

[4] Buhariu: 3695.

[5] Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibnu Maxhah dhe Ahmedi.

[6] Fadail Sahabe Imam Ahmed: 1/604. Hasen.

[7] Muslimi: 2401.

[8] Musned: 5/33. Ka dhe rrugë të tjera që e forcojnë.

[9] Fadail Sahabe Imam Ahmed: 1/631, Sahih.

[10] Fadail Sahabe Imam Ahmed: 1/551. Hasen.

[11] Fadail Sahabe Imam Ahmed: 1/605, Sahih.

[12] Transmeton Ahmedi, 5/63 me zinxhir të saktë, Tirmidhiu, nr. 3701 dhe e konsideroi hadith hasen.Të njëjtin gjykim ka dhe Albani.

[13] Buhariu.

[14] Rrikatu ue Buka Ibn Kudame: 190.

[15] Tarijh Taberi: 5/203.

[16] Uthman bin Afan Muhamed Salabi: 57.

[17] Fethul Bari, 7/78, hadithi nr. 3700.

[18] Fethul Bari, 7/79,  hadithi nr. 3700.

[19] Transmeton Lalekai në Sherhu usulil itikad, nr. 2553, se Abdurrahman bin Aufi ka thene: “Jam konsultuar me të gjithë në lidhje me zgjedhjen e halifes dhe të gjithe thoshin: ‘Uthmani eshte me i mire se Aliu.’” Në një transmetim tjetër të tij, nr. 2552, Abdurrahmani ka thënë: “Uallahi nuk ia kam dhënë besën Uthmanit pa u konsultuar më parë edhe me fëmijët që mësonin Kuranin, të cilët thoshin: ‘Uthmani është më i mirë se Aliu.’”

[20] Buhariu: 7207.

[21] Sunetu Lil Halal: 320, Minhaxh Es Suneti: 3/166.

[22] Musanif: 14/577.

[23] Mexhmu Fetava: 3/101-102.

[24] Këto dialekte janë: 1) Dialekti i fisit Kurejsh. 2) Dialekti i Jemenit. 3) Dialekti i fisit Hudhejl. 4) Dialekti i fisit Temim. 5) Dialekti i fisit Heuazin. 6) Dialekti i fisit Kinaneh. 7) Dialekti i fisit Thekif.

[25] Transmeton Buhariu, nr. 4987.

[26]El Mesahif, fq. 19 dhe Sujutij e Musned Alij, nr. 295.

[27] Marrë nga libri Tarihul Islam ue uefejatul meshahir uel ealam ahdel hulefai rashidin, fq. 420 të imam Dhehebiut.

[28] Marrë nga libri Tarihul Islam ue uefejatul meshahir uel ealam ahdel hulefai rashidin, fq. 318 të imam Dhehebiut.

[29] Transmeton Ahmedi, 1/75, Tirmidhiu, nr. 3703 dhe Nesaiu, 6/235.

[30] Transmeton Ahmedi, 1/70, Nesai, 6/46, Ibn Ebi Asimi, nr. 1303.

[31] Transmeton Tirmidhiu, nr. 3703 dhe tha: Hasen.Të njëjtin gjykim ka dhe Albani.

[32] Transmeton Ahmedi në Fedailu es-sahabeh, nr. 763 nga Ibn Auni, nga Nafiu, i cili tha: “Ibn Umeri e ka veshur dy herë këmishën e hekurt (është përgatitur për luftë) ditën e vrasjes së Uthmanit.”

[33] Transmeton Lalekai në Sherhu usulil itikad (7/1430), nr. 2568 nga Ebu Habibeh se ai ka thënë: “Më dërgoi Zubejri tek Uthmani, kur ai ishte i rrethuar. Shkova në një ditë të nxehtë vere. E gjeta të ulur në karrige dhe pranë tij qëndronin Husejn bin Aliu, Ebu Hurejra, Abdullah bin Umeri, Abdullah bin Zubejri. I thashë: ‘Më ka dërguar te ti Zubejr bin Auami, i cili të dërgon selamet e tij dhe thotë: ‘Unë jam akoma nën urdhrat e tua dhe nuk ka ndryshuar asgjë tek unë, nuk e kam thyer besën e dhënë. Nëse dëshiron, vij te ty në shtëpi dhe jam përkrah teje. Fisi Beni Amr bin Auf më ka premtuar se janë të gatshem të mblidhen tek unë dhe të veprojnë si t’i urdhëroj.’.’ Uthmani, kur e dëgjoi mesazhin tha: “Allahu ekber, falënderimi i takon Allahut, që e ka ruajtur vëllain tim nga kjo. Ktheja selamin prej meje dhe thuaji se nëse do jesh ketu, do jesh një nga te vrarët, ndaj qëndrimi yt atje ku je, është me i dashur për mua, shpresoj që me ty Allahu të mbrojë nderin tim pas vdekjes sime.” Më pas Uthmani tha: “Unë kërkoj vendosmërisht nga çdokush që më bindet, që të mos luftojë për mua.”

[34] Të ngjashëm me këtë tekst e transmeton Ahmedi në Fedailu es-sahabeh, nr. 810 dhe Lalekai në Sherhu usulil itikad, nr. 2577, Hakimi, 3/103, i cili tha: “Isnadi është i saktë.” dhe ia miratoi Dhehebiu.

[35] Transmeton Ahmedi në Fedailu es-sahabeh, nr. 766.

[36] Nga surja “Kaf” deri në fund.

[37] Transmeton Ahmedi në Fedailu es-sahabeh, nr. 765.

[38] El Isabeh, 4/224 të Ibn Haxherit dhe Ahmedi në Fedailu es-sahabeh, nr. 778.

You may also like...