Vlera e agjërimit të gjashtë ditëve të muajit Sheval

Hadith-53 (6ditet e shevalit)

Thotë i Dërguari i Allahut-paqja e Allahut qoftë mbi të,: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit dhe e përcjell me gjashtë ditë të muajit Sheval, do të shpërblehet si të kishte agjëruar tërë vitin.”

Ditët të cilat kaluan ishin ditët e fundit të muajit të bereqetit, Ramazanit, kurse gjendja jonë nuk ishte ashtu siç është në këto ditë, ditët e bukura të Ramazanit i zbukuronim me agjërim dhe lexim të Kuranit, kurse netët e tij me namaz nate dhe lutje, bukuri dhe kënaqësi të cilën e ndjen vetëm ai i cili i ka shijuar këto vepra të mira. Ramazani kaloi, mirëpo Zoti i Ramazanit dhe Zoti yt është ende me ne, Ai sheh dhe ndëgjon, madje Ai ka përgaditur për ne sistem dhe program edhe pas Ramazanit, të cilit duhet ti përmbahemi që të jemi të lumtur në dynja e në ahiret, e për post-periudhën e Ramazanit na ka dhënë një adhurim i cili i ngjan shumë Ramazanit. E kjo është për shkak të adhurimit i cili është i përbashkët mes Ramazanit dhe këtyre ditëve, këto janë gjashtë ditët e muajit Sheval, të cilat janë shansë për atë i cili ka qenë neglizhent ndaj agjërimit në Ramazan. Ky ibadet nuk është i vetmi adhurim i cili mund të bëhet pas Ramazanit, mirëpo e kam zgjedhur përmendjen e ketyre ditëve për shkak se agjërimi tyre është prej karakteristikave të muajit Sheval dhe shpërblimi i tyre vjen paralelisht me shpërblimin e agjërimit të Ramazanit.

Cili prej nesh mund të agjëroj tërë vitin, bile edhe nëse mundet, nuk lejohet që të agjërojmë çdo ditë të vitit,sepse kjo nuk është sunet i të Dërguarit të Allahut-paqja e Allahut qoftë mbi të, kurse ne shumë mirë e dimë se vepra sado të jetë e mirë nuk pranohet tek Allahu përpos me dy kushte:

1 – Të jetë kjo vepër sinqerisht vetëm për Allahun.

2 – Pasimi i Sunnetit të Dërguarit të Allahut-paqja e Allahut qoftë mbi të, gjatë kryerjes së kësaj vepre, kurse agjërimi i çdo ditë të vitit nuk është sunet, madje kjo e kundërshton sunetin.

Nëse don të jesh prej atyre që do të shkruhen tek Allahu si agjërues i tërë vitit mere këshillën e të Dërguarit të Allahut-paqja e Allahut qoftë mbi të, i cili nuk flet nga mendja e tij[1], por atë të cilën e thotë është shpallje nga Zoti yt.

Thotë i Dërguari i Allahut-paqja e Allahut qoftë mbi të,: “Kush e agjëron muajin e Ramazanit dhe e përcjell me gjashtë ditë të muajit Sheval, do të shpërblehet si të kishte agjëruar tërë vitin.”[2]

Thotë Imam Neveviu-Allahu e mëshiroftë: Kanë thënë dijetarët: Llogaritet si të kishte agjëruar një vit, sepse e mira shpërblehet dhjetëfish, andaj Ramazani e ka vlerën e dhjetë muajve, kurse gjashtë ditët e kanë vlerën e dy muajve.

Lexues i nderuar, dije se agjërimi i këtyre gjashtë ditëve është argument se agjëruesi është falëndërues ndaj Zotit të tij për udhëzimin qe i’a ka dhënë gjatë Ramazanit madje edhe pas tij, sikurse që është ky agjërim shenjë se ky person e don adhurimin dhe nënshtrimin ndaj Zotit të tij.

Adhurimi që i bëhet Allahut nuk duhet të jetë adhurim sezonal, kohëshkurt, pas të cilit mund ti kthehemi gjynaheve dhe mëkateve tona, mirëpo sezoni i adhurimit për besimtarin duhet të jetë e tërë jeta e tij dhe nuk duhet të ndërpritet ky adhurim dhe nënshtrim ndaj Krijuesit derisa njeriu ta takon melekun e vdekjes.

Këtë mund ta përshkrujamë më mirë me fjalët e këtij njeriu asket, i është thënë Bishër el-Hafit-Allahu e mëshiroftë: Ka njerëz të cilët bëjnë ibadet dhe mundohen shumë gjatë Ramazanit, atëherë ka thënë: “Sa njerëz të këqij janë ata të cilët nuk i dinë obligimet ndaj Allahut përpos se në Ramazan, kurse i mirë është ai i cili bën ibadet dhe mundohet gjatë tërë vitit”.

Përgatiti: Ali Ashani

[1]Nexhm:3

[2] Transmeton Muslimi

You may also like...