Vlera e dhjetë ditëve të Dhul Hixhes

Dhulhixhe-1Gjëja nga e cila njerëzit ankohen më tepër, është rutina e përditshme. Rutina është vrasëse në vetvete, ajo e bën njeriun t’I bezdisen veprimet e tij. Çdo ditë të njëjtat gjëra, punë, telefonata, shifra, furgona, zhurmë, përgjegjesi etj. Për të dalë nga rutina, njerëzit janë gati të shpenzojnë ç’të mundin, gjë që e bëjnë dhe vazhdimisht. i tillë është njeriu, i prirur drejt së resë, drejt së ndryshmes nga e djeshmja, drejt asaj për të cilën mendon se do t’ia thyejë rutinën e përditshme, rutinën e përjavshme e të përmuajshme. Fatkeqësia është edhe më e madhe, kur shikon se dalja nga rutina tashmë është kthyer rutinë në vetvete. Fundjava është e mbushur po me të njëjtat veprime si ajo që shkoi. Por, a ka ndonjë dalje nga kjo tollovi veprimesh dhe gjendjesh të njëjta të personifikuara me fjalën rutinë, ç’ofron Islami, a ka në të ndonjë zgjidhje të veçantë shpresëdhënëse?

A – Islami si fe vendos balancin magjik ndërmjet shpirtërores dhe materiales

Përmes adhurimeve të saj të shpërndara gjatë ditës dhe gjatë periudhave të ndryshme të vitit, i ofron njeriut gjithmonë të renë, gjithmonë diçka ndryshe nga e përhershmja. i tillë është namazi, për shembull, i cili falet pesë herë në ditë, sidomos në kohët më të përshtatshme për të mirën e shpirtit dhe të trupit bashkë. Ja ç’thotë kirurgu i njohur francez Aleksis Carrel në librin “Njeriu-Krijesë enigmë”, me të cilin fitoi çmimin Nobël për mjekësi: Disa aktiviteteve psikologjike u bashkangjiten disa ndryshime fiziologjike. Namazin nuk duhet ta konsiderojmë si pëshpëritje ose përsëritje të disa pasuesve, por si një përjetim shpirëror, i cili shijohet me ndjenja, meditim që të lidh me Krijuesin e botës. Kjo gjendje shpirtërore nuk mund të arrihet përmes logjikës… Në saje të namazit, te njeriu bëhet një lloj ripërtëritjeje dhe arrihet një shërim i mrekullueshëm.

Po kështu do të thoshim dhe për muajin e Ramazanit, i cili është muaj qetësie shpirtërore dhe trupore, në mënyrë që njeriu për një muaj rresht të ketë mundësinë të jetojë ndryshe nga pjesa tjetër e vitit, të jetojë më tepër i përkushtuar ndaj Krijuesit. Një ndarje e tillë e sezoneve dhe e periudhave të ndryshme janë shpërndarë gjatë gjithë vitit, për t’ia thyer njeriut monotoninë dhe për ta nxitur për diçka ndryshe. Pa dashur t’i numëroj ditët e veçuara për nga vlera dhe përfitimet e shumta që mbartin ato, njerëzit, të cilët e dinë pse jetojnë, duhet t’I shfrytëzojnë këto ditë me veprime që i afrojnë te Zoti i tyre. Kështu, do të ndalesha pak te dhjetëditëshi i parë i muajit hënor Dhul Hixhe, në të cilin gjendet dhe shtylla e fundit e Islamit, simboli i barazisë, Haxhi. Këto ditë në vetvete janë shenjë e mirësisë dhe e drejtësisë së Krijuesit të gjithësisë.

Mirësitë e Allahut ndaj krijesave janë të shumta, edhe pse njerëzit ndaj këtyre mirësive nuk e shprehin falënderimin e duhur. Nga mirësitë e shumta, me të cilat Allahu i Madhëruar i ka veçuar pasuesit e të Dërguarit të fundit, është dhe shtimi i vlerës së veprave në momente të caktuara. Duke qenë se popujt e mëparshëm kanë pasur jetëgjatësi më të madhe në krahasim me njerëzit e kohës sonë, i Madhi Zot, për të treguar drejtësinë dhe mëshirën i Tij të pafundme, u dha rastin këtyre njerëzve për shtimin e veprave të mira, për t’iu afruar atyre të cilët e kanë pasur mundësinë e adhurimit të krijuesit të tyre për një kohë më të gjatë. Raste të tilla na sjellin ndërmend sezonet e shitjeve dhe panairet, ku tregtarët japin mundin maksimal për të dalë të fituar nga një sezon i tillë. Prej këtyre rasteve është dhe Dhjetëditëshi i parë i muajit hënor Dhul Hixhe.

B – Faktet që tregojnë vlerën e këtyre ditëve ndaj ditëve të tjera, janë të shumta. Prej tyre do të veçonim:

1. Allahu i Madhëruar është betuar në këto ditë, Allahu thotë: “Pasha (betohem për) agimin. Pasha Dhjetë Netët. Pasha Tekun dhe Çiftin.” (El-Fexhr:1-3)

2. I Dërguari i Allahut–paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Dhjetë ditët (e këtyre netëve) janë dhjetë ditët e Kurbanit (Dhul Hixhes),“teku” është dita e Arafatit ndërsa “çifti” është dita e Kurbanit.”(Transmeton Ahmedi) Mesruku-Allahu e mëshiroftë, duke komentuar këtë ajet, thotë: “Këto ditë janë ditët më të mira të vitit”. Nisur nga hadithi i mësipërm, për sa u përket netëve të këtyre dhjetë ditëve, edhe ato kanë vlerë të barabartë me ditët, sepse kur përmeden ditën, netët hyjnë në këtë vlerësim automatikisht, dhe anasjelltas.

I Dërguari i Allahut–paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, thotë: “Veprat në asnjë ditë nuk janë më të mira sesa në dhjetë ditët e Dhul Hixhes.” – E pyetën: As lufta e shenjtë?U përgjigj: ”As ajo, përveç dikujt, i cili del me vetveten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asgjë”.(Transmeton Buhariu) Thotë gjithashtu: “Dita më madhështore është dita e Kurban Bajramit, pastaj dita pas saj”. (Transmeton Ahmedi).

3. Thotë Ka’b ibn Ahbar: Allahu e ka zgjedhur kohën, e koha më e dashur për Të janë muajt e shenjtë, ndërsa prej këtyre muajve më i dashuri tek Allahu është muaji Dhul Hixhe, kurse ditët më të mira të Dhul Hixhes janëdhjetë ditët e para të tij.

Komentuesi i njohur i Kuranit, Muxhahidi-Allahu e mëshiroftë, në lidhje me komentin e ajetit 142 në suren El-A’rafë: “Dhe Ne i caktuam Musait tridhjetë net (afatin për shpallje), e ato i plotësuam edhe me dhjetë, e kështu u mbush afati për takim me Zotin e tij në katërdhjetë net…”. thotë: Asnjë vepër që bën njeriu gjatë vitit nuk është më e vlefshme se ajo që bën në dhjetë ditët e Dhul Hixhes. Këto janë ato dhjetë ditë, me të cilat ia plotësoi Allahu dyzet ditët e premtuara Musait, alejhi selam.

C – Disa nga veprat më të pëlqyera gjatë këtyre ditëve (për ato që nuk e kryejnë haxhin dhe umren, pasi që këto dyja janë veprat më të mira për tu kryer në këto ditë, prandaj dhe haxhi është pikërisht I oliguar për tu kryer në këto ditë):

1. Falja e namazeve farz (të urdhëruara) – Nuk duhet të harrojmë se vepra më e mirë është largimi nga çdo e keqe (ndaluar). Jo vetëm kaq, por pëlqehet sidomos në këto ditë kurse për namazin Allahu thotë: “Besimtarët janë ata që tregojnë kujdes ndaj namazeve.” Pra falja e tyre me xhemat.

2. Shtimi i namazeve sunet (të përcaktuara), vullnetare – Nuk ka dyshim se namazi më i dashur tek Allahu i Madhëruar, pas farzit, është kryerja e suneteve, vullnetare. “Robi im nuk afrohet tek Unë me gjë tjetër siç më afrohet kur kryen obligimet (farzet), e kështu shtohet afrimiteti mes Meje dhe atij, në varësi të veprave vullnetare që ai kryen, jo të obliguara, derisa ta dua e nëse e dua…”(Transmeton Buhariu) në një hadith tjetër qnëdron: “Mundohu të bësh sa më shumë sexhde, sepse sa herë që ti bën sexhde, Allahu i Madhëruar të ngre një gradë dhe ta fshin një gabim.”(Transmeton Muslimi) Kjo përfshin çdo kohë, por veçanërisht këto ditë. “Nuk ka musliman që të falë për Allahun dymbëdhjetë rekate në ditë e të mos i ndërtohet një shtëpi në xhenet.”(Transmeton Buhariu dhe Muslimi) Kujtojmë këtu sunetet para apo pas farzeve (të cilat plotësojnë numrin dymbëdhjetë), namazin e duhasë, namazin e natës, vitrin, namazin pas abdesit etj.

3. Agjërimi – Konsiderohet gjithashtu si vepër e mirë, sidomos në këto dhjetë ditë. Hafsa-Allahu qoftë i kënaqur prej saj, tregon se i Dërguari i Allahut–paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, katër gjëra nuk i linte kurrë: “Agjërimin e Ashuras (ditës së dhjetë të muajit Muharrem), agjërimin në dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes, agjërimin e tri ditëve të çdo muaji dhe faljen e dy rekateve përpara sabahut.”(Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi, Nesaiu)

Madje Abdullah ibn Omeri, Muxhahidi e të tjerë i agjëronin këto ditë si dhe shumica e dijetarëve kanë thënë se është i pëlqyeshëm agjërimi i këtyre dhjetë ditëve. i jepet përparësi e veçantë agjërimit të ditës së Arafatit për ata që nuk janë haxhinj, për agjërimin e së cilës i Dërguari i Allahut–paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Shpresoj prej Allahut që të m’i falë gjynahet e vitit të kaluar dhe të vitit pas tij.”(Transmeton Muslimi) Kjo gjë është e pëlqyer në çdo kohë, por sidomos në këto dhjetë ditë, siç u vu në pah në ajetet dhe hadithet e lartpërmendura.

4. Përmendja e Allahut – Përmendja është e pëlqyer për të gjitha llojet e saj, por në mënyrë të veçantë përmendim: Tekbirin, Tehlilin, Tahmidin. Buhariu ka përmendur se Ibn Omeri dhe Ebu Hurejra-Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, kur futeshin këto dhjetë ditë, dilnin nëpër rrugë e tregje duke bërë Tekbir, bashkë me ta bënin edhe njerëzit. Gjithashtu Buhariu ka përmendur se Omeri-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, bënte aq tekbir në çadrën e tij në Mina, saqë dëgjohej në Xhami, aty bënin tekbir edhe njerëzit e tjerë, e gjithë Minaja oshëtinte nga tekbiret. Format e Tekbireve:

– Allahu ekber, Allahu ekber, Allahu ekber kebira.

– Allahu ekber, Allahu ekber, La ilahe ilallah, uallahu ekber, Allahu ekber, ue lilahil hamd.

– Allahu ekber, Allahu ekber, Allahu ekber, La ilahe ilallah, uallahu ekber, Allahu ekber, ue lilahil hamd.

5. Garimi në të mira – Nëse njeriu nuk ka mundësi të shkojë në haxh, atëhere le të angazhohet me vepra të mira, pasi ato kanë vlerë dhe shpërblim më të madh në këto ditë, si namazi, leximi i Kuranit, dhikri, lutja, sadakaja, bamirësia ndaj prindërve, përkujdesi ndaj farefisit, urdhërimi në të mirë, ndalimi nga e këqja, etj. Këto janë shkaqet më të mëdha për të arritur dashurinë e Allahut të Madhëruar.

Ky sezon është kryesisht “olimpiada” më e mirë për të garuar. Allahu i Madhëruar thotë: “Në të tilla gjëra (që bëhen shkak për futjen në Xhenet) të garojnë garuesit.(El-Mutafifin:26) Allahu gjithashtu thotë: Garoni, nxitoni në vepra prej të cilave meritoni falje mëkatesh e Xhenete nga Zoti juaj, gjerësia e të cilëve është sa qiejt e toka, të përgatitur për të devotshmit.”(Ali Imran:133)

6. Pendimi – “O ju që keni besuar, pendohuni tek Allahu me një pendim të sinqertë…”(Et-Tahrim:8) Ibn Kajimi-Allahu e mëshiroftë, thotë: Pendimi i sinqertë përmbledh tri elemente:

a) T’i përfshijë të gjitha mëkatet,

b)ekzistenca e dëshirës dhe e vullnetit,

c) pastrimi nga gjunahet dhe gabimet.

Kjo është teubeja më e plotë. Ndërsa në një hadith tjetër thuhet: “Allahu gëzohet me ndonjërin që pendohet, më shumë nga ç’gëzohet ai i cili ka qenë me kafshën e tij në shkretëtirë (ku kishte ushqimet), të cilën e ka humbur dhe shtrihet duke pritur vdekjen, e zë gjumi, e kur zgjohet e gjen devenë mbi kokën e tij e nga gëzimi thotë: O Zot ti je robi im e unë jam Zoti yt! Gaboi nga gëzimi i madh.”(Transmeton Buhariu)

7. Respektimi i prindërve – Allahu thotë: “Zoti juaj ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni tjetërkënd përveç Tij, e të silleni mirë me prindërit. Nëse ndonjërin prej tyre ose që të dy i ka kapur pleqëria nën kujdesin tënd, atëherë mos u thuaj atyre as “uf” e as “oh” e as mos u bëj i vrazhdë ndaj tyre, por thuaju fjalë të mira (të buta respektuese). Dhe tregohu i mëshirshëm ndaj tyre, respektues, modest dhe thuaj: “Zoti im! Mëshiroji ata të dy sikurse më rritën e më edukuan mua kur isha i vogël.” (El-Isra:23-25) E kanë pyetur të Dërguarin e Allahut –paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, se cila punë është më e dashur tek Allahu i Madhëruar, ai u përgjigj: “Namazi në kohën e tij.” – Po pastaj?Tha: “Respektimi i prindërve…”

8. Vizita e të afërmve – Allahu thotë: Kini frikë Allahun, me emrin e të Cilit përbetoheni dhe ruajeni farefisin (akraballëkun)”(En-Nisa:1)

9. Namazi i natës gjatë këtyre ditëve – Në vijim do të përmendim disa argumente të përgjithshme rreth vlerës së namazit të natës.

Allahu thotë: A është më i mirë ai i cili i është nështruar Allahut, bie në sexhde dhe falet gjatë orëve të natës duke iu frikësuar dënimit të Jetës së përtejme e duke shpresuar mëshirën e Zotit të tij (apo ai i cili mohon dhe nuk beson)?”. (Zumer:9) Dhe në një pjesë të natës zgjohu me të (namazin), është e sigurt se Zoti yt do të të ngrejë ty në një vend të lavdishëm”.(El-Isra:79) i Dërguari i Allahut–paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të,thotë: “Allahu u qesh dy njerëzve: njeriut i cili në natën e ftohtë ngritet nga shtrati, merr abdest dhe falet. Allahu u thotë melaikeve: ç’e shtyri robin Tim ta bëjë këtë vepër. Ata i thonë: nga shpresa dhe frika e asaj që gjendet te Ti. Atëherë Allahu thotë: “Ua kam dhënë atë që e shpresojnë dhe i siguroj nga ajo që frikësohen”. (Transmeton Ahmedi dhe të tjerët).

Tregohet se Seid ibn Xhubejri-Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kur hynin këto dhjetë ditë, falej aq shumë, saqë askush nuk mundej të falej sa ai dhe thoshte: Mos i fikni llambat netëve të dhjetë ditëve të Dhul Hixhes, sepse i pëlqente adhurimi në këto netë.

I Dërguari i Allahut–paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka nxitur që të kryhen këto ibadete, sepse e pastrojnë njeriun prej mëkateve dhe pastaj meritojnë nderimin e Allahut në ahiret. Shmanguni mëkateve, sepse ato të privojnë nga falja në kohën e mëshirës.

D – Vëllezër dhe motra…

Tentoni t’i shfrytëzoni rastet në këto ditë madhështore para se t’ju largohen. Nxitoni në vepra të mira, para se të vijë një kohë kur pendohet mëkatari për atë që ka vepruar e të mos i merret parasysh justifikimi, para se të kërkojë kthim e askush të mos i përgjigjet, para se ta pengojë vdekja shpresuesin për të arritur atë që shpreson dhe para se të bëhet njeriu peng i veprave të veta në varr. Këto janë raste, të cilat nuk duhet të na kalojnë pa përfituar, e të mos jemi si shumica që nuk i njohin dhe nuk i vlerësojnë këto dhjetë ditë me teube dhe kthim të sinqertë tek Allahu i Madhëruar.

E lusim Allahun ta mbyllim këtë vit hixhri (hënor) me të mira, se ndoshta Allahu i Madhëruar na i fal të kaluarat…

Marrë nga www.tradita.org

You may also like...