Vlera e haxhit dhe umres

Qabja“Dhe thirr ndër njerëz për haxhin…”(Haxh-xh:27)

Haxhi si ibadet është shumë i rëndësishëm dhe domethënës për besimtarët, sepse ka të bëjë me vendin e shenjtë, Qaben në Mekë, për të cilin Allahu në Kuran thotë: “Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekë), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin.”[1]

Gjithashtu haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe një nga aktet më domethënëse të adhurimit në jetën e muslimanëve, si individ dhe si popull. Allahu në ajetin Kur’anor urdhëron: “Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë këmbësorë dhe kalorës me deve të rraskapitura prej rrugëve të largëta.”[2] Nga ana tjetër haxhi i barazon të gjithë njerëzit, cilido qoftë statusi i tyre, të gjithë veshin të njëjtën rrobë të thjeshtë dhe recitojnë: “Të përgjigjem o Allah të përgjigjem” gjë që të kujton qëndrimin para Allahut në Ditën e Gjykimit.

Vlera e këtij ibadeti është gjithpërfshirëse, ngase adhurimi i Zotit manifestohet në të gjitha aspektet dhe ritualet e haxhit. Ai manifestohet në aktin e kryerjes së ritualeve të caktuara, duke qenë i nënshtruar. Adhurimi mishëron thelbin e vërtetë të krijimit, siç tregohet në ajetin kur’anor, ku Allahu thotë: “Unë i krijova xhinët dhe njerëzit që të më adhurojnë.”[3] Haxhi është një rast i vlefshëm për të gjithë muslimanët. Ata, pasi kryejnë haxhin, kthehen në shtëpi “të pastruar”, si të ishin të sapolindur, mëkatet e tyre janë falur, lutjet u janë pranuar dhe dyert e Xhenetit janë të hapura për ta. i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, thotë: “Kush e bën haxhin në këtë shtëpi (duke aluduar për Qaben) dhe nuk flet fjalë të kota e as që bën mëkate, kthehet i pastër nga mëkatet sikur që e ka lindur nëna.”[4]

Tani të përmendim disa urtësi të këtyre adhurimeve madhështore:

1 – Të zhvishesh nga kënaqësitë e kësaj bote dhe t’i përkushtohesh me gjithë qenien tënde Zotit – Haxhi e shkëput njeriun nga preokupimet e kësaj jete, me qëllim që shpirti i tij të kristalizohet dhe shpirti i tij të mbushet me kënaqësinë që i fal të qenurit pranë Zotit. Hapi i parë drejt këtij objektivi, është veshja e ihramit, i cili simbolizon zhveshjen nga gjithçka tjetër përveç Zotit. Modeli ynë më i mirë për këtë, është fjala e babait të profetëve, Ibrahimit a.s:”O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi, në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin.”[5] Në këtë rast, haxhilerët u përngjajnë më shumë meleikeve, pasi i janë dedikuar tërësisht veprave të mira. Thotë Zoti i lartësuar mbi cilësinë kryesore të meleikeve:” Kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.”[6] Kur njeriu e ndjen veten më pranë melekëve, e hedh mënjanë të paturpshmen dhe të ligën, duke dashur të furnizohet veçse me mirësi. Thotë Allahu në Kuran: “Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet. Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di. Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!”[7]

2 – Vijueshmëria për një farë kohe e veprave që kanë dobi për botën tjetër – Kjo manifestohet qartë tek dhikri dhe telbija. Në rastin e telbijes, zemra zhvishet nga gjithçka tjetër përveç Zotit, ajo tashmë e di objektivin dhe qëllim kryesor, drejt të cilin nuk e pengon dhe nuk e angazhon asgjë tjetër. Prandaj, gjuha dhe e gjithë qenia e besimtarit sikur shpërthen në përkujtim të Zotit me lutje dhe telbije. Gjatë gjithë Haxhit, nuk dëgjon tjetër përveçse thirrjeve të telbijes dhe tekbirit, gjë e cila tregon se ky umet e madhëron Zotin dhe gjithçka tjetër përveç Tij e injoron. Telbijen e haxhilerëve e shoqërojnë dhe krijesa të tjera. Thotë i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: “Çdo mysliman që bën telbijen, shoqërohen nga telbija e gurëve dhe drurëve përreth.”[8] Të gjithë në korr madhërojnë dhe përkujtojnë Zotin:” Lebbejk Allahumme lebbejk, lebbejke la sherike leke lebbejk…” Ky përkujtim dhe dhikër, furnizon zemrat dhe i mbush me ngrohtësinë e besimit, u jep forcë atyre që gjithmonë të synojnë Zotin dhe kënaqësinë e Tij.

3 – Takimi i tokës me qiellin – Në këtë atmosferë shpirtërore të tej mbushur me përkujtim të Zotit, takohet toka me qiellin, kur sytë e haxhilerëve bëjnë kontaktin e parë pamor me Qaben. Në këto çaste duhet të bëhet sa më shumë dua, pasi që janë shumë të pranueshme. Thotë i Dërguari i Allahut-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: “Haxhilerët janë miqtë e Allahut, nëse i luten ua pranon lutjen dhe nëse i kërkojnë falje, i fal. “[9]

Thotë Menavij-Allahu e mëshiroftë: “Ka shumë mundësi që kjo të ndodhë tek kontakti pamor me Qaben për ata që janë nisur drejt saj. Por mund të jetë edhe për ata që i mbajnë sytë drejt saj. Përderisa njeriu i mban sytë drejt Qabes, dera e qiellit është e hapur dhe lutjet pranohen. Megjithatë, mendimi i parë është më pranë realitetit.”[10]

Tavafi rreth Qabes i përngjan melekëve më të afërt të Zotit, të cilët kanë rrethuar Arshin dhe bëjnë tavaf rreth Bejtul Mamur në qiellin e shtatë. Në fakt, tavafi që kërkohet është ai i shpirtit, i cili të kujton Zotin e lartësuar. Prekja dhe ngjitja pas mbulesës së Qabes dhe Multezemit, është simbol i mallit dhe nostalgjisë për shtëpinë dhe të Zotin e kësaj shtëpie të shenjtë.

Saji (rendja) që kryhet mes Safa-së dhe Merva-së, vajtje dhe kthim, simbolizon mundin e robit në vatrën e të Madhërishmit, duke manifestuar dëlirësinë dhe sinqeritetin në shërbimin ndaj Tij, duke shpresuar një vështrim plot mëshirë dhe dhembshuri prej Atij prej të cilit pritet çdo e mirë.

4 – Ndjesia se i përket një umeti të kudogjendur në katër anët e botës me lidhje dhe unitet të fuqishëm – Kjo demonstrohet qartë ditën e qëndrimit të haxhilerëve në Arafat, në një vend dhe në një kohë. Në këto çaste besimtari e ndjen sa të lehta janë për tu zbatuar obligimet fetare. Të ardhurit dhe të grumbulluarit atë ditë vinë nga skajet më të largëta, për të realizuar premtimin e Zotit dhënë Ibrahimit-paqa e Allahut qoftë mbi të: “Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta.”

Kjo ditë gjithashtu i kujton haxhilerët me ditën e ringjalljes dhe grumbullimit të njerëzve në një vend të vetëm, ku secili ndihet konfuz mbi të ardhmen që e pret. Atë ditë, zemra e besimtarëve mbushet me përkushtim dhe përgjërim ndaj Zotit me shpresë që të përfshihet në karvanin e të fituarve. Ajo ditë është hijerëndë dhe e fisme, pasi mëshira e Zotit mbërrin dhe përfshin të gjithë krijesat duke përdorur si stacion zemrat e sinqerta dhe të pastra. Gjatë qëndrimit në Arafat, ndërgjegjësohemi mbi rëndësinë e unitetit, solidaritetit dhe harmonisë mes individëve të umetit mysliman, të cilët janë si një trup i vetëm. Sa herë ankohet një organ, i gjithë trupi përshihet nga ethet, temperature e lartë dhe pagjumësia.

5 – Pastrimi nga bara e mëkateve – Pasi haxhilerët kanë hedhur gurët, kanë rruar kokat ose kanë shkurtuar flokët, ndihen më të qetë shpirtërisht, pasi urojnë dhe shpresojnë që ashtu siç hoqën mënjanë papastërtitë fizike, t’i nderojë Zoti me fshirjen e gjynaheve, të metave dhe gabimeve shpirtërore. Në një version tjetër të Muslimit qëndron: “Kush vjen në këtë shtëpi (duke aluduar për Qaben) dhe nuk flet fjalë të kota si dhe nuk bën mëkate, kthehet i pastër nga mëkatet sikur që e ka lindur nëna.”[11] Këto tekste e ngërthejnë në vete haxhin dhe umren.[12]

6 – Ndërthurja e dy dëshmive – Gjatë haxhit shpaloset ndërthurja më e plotë e dy dëshmive, se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë veç Allahut dhe asaj se Muhamedi është i dërguari i Tij. Kjo arrin kulmin kur haxhilerët vizitojnë Medinen e bekuar për të shuar mallin që kanë për të dashurin e zemrave, Muhamed Mustafanë-paqa dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i cili është shkak i udhëzimit tonë në rrugën e drejtë dhe mirësinë e pafund. Vizita e Medines së bekuar, ka një vlerë të veçantë në ndërthurjen mes dy dëshmive, pasi shpaloset mirënjohja për vulën e profetëve për mundin dhe sakrificat e tij, që ne sot të jemi myslimanë.

7 – Për fund disa hadithe që flasin për vlerën e haxhit dhe umres:

– Nga Ebu Hurejre–Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmetohet se i Dërguari i Allahut–paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Umreja deri në umre i shlyen mëkatet ndërmjet tyre ndërsa për haxhin e pranuar shpërblimi është xheneti.”[13]

– I Dërguari i Allahut–paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, i ka thënë Amër ibën Asit–Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “A nuk e ke ditur se islami i shlyen mëkatet e kaluara, se shpërngulja – hixhreti i shlyen mëkatet e kaluara dhe se haxhi gjithashtu i shlyen mëkatet e kaluara.”[14]

– I Dërguari i Allahut–paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, është pyetur se cila vepër është më e vlefshme? – u përgjigj e tha: “Besimi në Allahun dhe në të dërguarin e Tij.” – u pyet përsëri: Po pastaj cila? – Tha: “ Xhihadi në rrugën e Allahut.” – u pyet përsëri: Po pastaj cila? – Tha: “Haxhi i pranuar.”[15]

– Ibën Mesudi–Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i Dërguari i Allahut–paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Bëje vazhdimisht haxhin dhe umren sepse këta të dyja e largojnë varfërinë dhe mëkatet ashtu siç nxjerr ndryshkun nga hekuri farkëtari, kurse shpërblimi i haxhit të pranuar është xheneti.”[16]

– Aisheja–Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë: Thashë: O i Dërguari i Allahut a ka për gratë xhihad? – Tha i Dërguari i Allahut–paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të: “Po, për to ka xhihad por pa luftë dhe ai është haxhi dhe umreja.”[17] Në versionin e Nesaiut qëndron: “ …për to ka xhihad më të mirë dhe më të bukur, haxhi i pranuar.”[18]

– Ibën Omeri–Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i Dërguari i Allahut–paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të. ka thënë: “Delegacioni i Allahut janë tre lloj njerëzish: Muxhahidi (luftëtari në rrugën e Allahut), haxhiu dhe ai që bën umre.”[19]

– Ibën Omeri–Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i Dërguari i Allahut–paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Muxhahidi në rrugë të Allahut, haxhiu dhe ai që bën umre janë delegacioni i Allahut. i ka thirrur i Lartmadhërishmi e ata i janë përgjigjur Atij, ata e lusin Atë e Ai ua pranon lutjet atyre.”[20]

– Ebu Hurejra–paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, përcjell se i Dërguari i Allahut–paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Xhihadi i të madhit, të voglit, të dobëtit dhe gruas është haxhi dhe umreja.”[21]

– Aisheja–Allahu qoftë i kënaqur prej saj, përcjell se i Dërguari i Allahut–paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Dita që Allahu më së shumti liron robër nga zjarri i xhehenemit është dita e Arafatit, në këtë ditë Ai ju afrohet atyre pastaj krenohet me ta tek melekët dhe thotë: Çfarë duan robërit e mi?”[22]

– Amër ibën Shuajbi përcjell nga babai i tij e ky nga gjyshi i tij se i Dërguari i Allahut–paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Duaja më e mirë është duaja e Arafatit.”[23]

– I Dërguari i Allahut–paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “…umreja në ramazan llogaritet haxh me mua.”

– Abdullah ibën Ubejdi i ka thënë ibën Omerit–Allahu qoftë i kënaqur prej tij: Të shoh duke i prekur këto dy shtylla (haxherul esvedin) – gurin e zi dhe (ruknul – Jemain) – Ibën Omeri–Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i tha: Veproj kështu sepse e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Prekja e këtyre dyjave i shlyen mëkatet.” Po ashtu e kam dëgjuar duke thënë: “Kush bën tavaf në këtë shtëpi (Qaben) shtatë herë, pastaj i falë dy rekate i llogaritet sikur ta liron një rob.” Po ashtu e kam dëgjuar duke thënë: “Për çdo hap që e bën robi (apo që e ngre këmbën) i shënohen dhjetë të mira, i shlyhen dhjetë të këqija dhe ngrihet dhjetë gradë.”[24]

– Xhabiri–Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se i Dërguari i Allahut–paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të ka thënë: “Namazi në xhamin time është më i vlefshëm se 1000 namaze në xhamitë tjera përveç se Mesxhidul Haram–Qabe, namazi në Qabe është më i vlefshëm se 100 000 namaze në xhamitë tjera.”[25]

– Ai i cili bën tavaf rreth Qabesë dhe e puth gurin e zi ai do të dëshmon për të në ditën e gjykimit, ngase në hadithin e Ibn Abasit–Allahu qoftë i kënaqur prej tij, qëndron se i Dërguari i Allahut–paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë për gurin e zi: “Për Allahun, Allahu do ta nxjerr atë në ditën e gjykimit me dy sy me të cilat shikon, me gojë e cila flet do ta dëshmon për çdo kënd i cili e ka puthur (prekur).”[26]Nga ai po ashtu përcillet se i Dërguari i Allahut – paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Guri i zi ka zbritur prej xhenetit më i bardhë se bora, mirëpo atë e kanë nxirë mëkatet e bijve të Ademit.”[27]

Përktheu dhe përshtati: Nexhat Ceka

[1] Ali Imran:96

[2] Haxhxh:27

[3] Dharijat:56

[4] Transmeton Buhariu 4/20, Muslimi 2/984

[5] Ibrahim:37

[6] Tahrim:6

[7] Bekare:197

[8] Transmeton Tirmidhiu 3/410

[9] Transmeton Ibn Maxhe 2/966

[10] Shiko “Fejdul Kadir” 3/339

[11] Transmeton Muslimi 2/983

[12] Shiko “Fet’hul bari” 3/382

[13] Transmeton Buhariu 3/597, Muslimi 2/983

[14] Transmeton Muslimi 1/112

[15] Transmeton Buhariu 3/381

[16] Transmeton Nesaiu, Tirmidhiu, Ibn Maxhe, Ahmedi e të tjerë

[17] Transmeton Ahmedi, Ibn Maxhe, Ibn Huzejmeja e të tjerë

[18] Transmeton Nesaiu

[19] Transmeton Nesaiu, Hakimi dhe Ibn Hibani,

[20] Transmeton Ibn Maxhe, Ibn Hibani dhe të tjerë

[21] Transmeton Nesaiu

[22] Transmeton Muslimi 2/983

[23] Transmeton Timidhiu dhe Maliku

[24] Transmeton Ahmedi 2/3, dhe të tjerët përveç Ebu Davudit

[25] Transmeton Ahmedi 3/343, 397

[26] Transmeton Tirmidhiu, ibn Huzejmeja 4/20, Ahmedi 1/266

[27] Transmeton Ibn Huzejmeja 4/220

You may also like...